2019
Zgjedhja: Të Jesh një Artiste e Madhe apo një Nënë e Shkëlqyer?
Prill 2019


Zgjedhja: Të Jesh një Artiste e Madhe apo një Nënë e Shkëlqyer?

Të gjithë më thanë se ishte e pamundur të ishte e shkëlqyer në të dyja. Por a ishte kështu?

Më kujtohet që nuk ndihesha rehat kur mësova në kolegj për jetën e artistëve të mëdhenj. Dukej sikur artistët me të vërtetë të paharruar dhe të shquar ishin bërë artistë të mëdhenj duke lënë pas dore familjen e duke sakrifikuar shëndetin e tyre mendor. Artistë të mëdhenj pikturonin në mëngjesin e Krishtlindjes ndërsa fëmijët e tyre hapnin dhurata. Njëri ishte martuar gjashtë herë. Një tjetër preu veshin dhe ua dërgoi të dashurve të tij. Dhe madje një tjetër vrau dikë! Fillova të vras mendjen nëse ishte vallë e mundur të bëhesha një artiste e madhe duke qenë gjithashtu një bashkëshorte dhe nënë e shkëlqyer (e gjitha kjo duke ruajtur shëndetin tim mendor!).

Profesorët e mi na mësonin se nëse donim me të vërtetë që të bëheshim të mëdhenj, do të duhet të bënim sakrifica për të. Do të na duhej të punonim më shumë se çdokush tjetër. Do të na duhej ta vinim artin të parin në jetën tonë. Në mendjen time shpesh do të bëja pyetjen: “Po nëse një artist i zbaton urdhërimet, i vendos gjërat e rëndësishme të parat dhe ka Shpirtin e Zotit që ta drejtojë punën e tij, a nuk mund të bëhet po aq i madh dhe ndoshta edhe më i madh?” Kjo pyetje më shoqëroi gjatë gjithë studimeve të mia.

Në kohën që unë dhe bashkëshorti im u diplomuam, ne ishim të martuar prej një viti. Plaku Rasëll M. Nelson (në atë kohë ishte një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve) erdhi për të folur në diplomimin tonë. Vijoi me një drekë zyrtare dhe vetëm 16 studentë u ftuan për të marrë pjesë. Çuditërisht, si unë dhe bashkëshorti im u përzgjodhëm për të qenë atje. Kur u hap diskutimi për pyetje e përgjigje, unë ngrita dorën, e pashë në sy Plakun Nelson dhe shpreha shqetësimet e mia rreth të qenit artiste edhe nënë. Kisha punuar aq fort në shkollë për t’i ndërtuar talentet e mia dhe doja të vazhdoja të punoja fort dhe të përmirësohesha, por gjithashtu e dija se mëmësia kishte përparësi. A kishte një mënyrë për t’i bërë të dyja? Sytë e Plakut Nelson shkëlqyen teksa u përgjigj: “Absolutisht!” Ai më nxiti që t’i përmirësoja talentet e mia dhe t’i lutesha Atit Qiellor për ndihmë për të ditur se si mund t’i bëja të dyja rolet dhe se me Të, unë do të isha në gjendje të bëja gjëra që dikur i mendoja të pamundura. E ruajta në zemër atë këshillë.

Të Zotuar ndaj Qëllimeve të Tij

Unë dhe bashkëshorti im tani kemi katër fëmijë. Ne kemi mësuar se si t’i përballojmë përgjegjësitë e shumta të prindërimit. Në fillim, shumicën e ditëve i nisja në 04:00 të mëngjesit që të pikturoja pak përpara se fëmijët e mi të zgjoheshin. U përpoqa të pikturoja gjashtë ditë në javë, edhe pse në disa ditë kisha vetëm 30 minuta kohë. E nisa çdo sesion pikture me lutje, duke e ditur se nuk isha dhe aq e zonja pa ndihmën e Zotit. U luta jo vetëm që të isha e zonja në artin tim por edhe që të dija se çfarë ishte më e rëndësishme atë ditë dhe të zotohesha për t’i vendosur qëllimet e Tij të parat. Përparimi nuk ishte i shpejtë por ishte i vazhdueshëm.

Kaluan plot 12 vjet nga dita e diplomimit. Po kaloja një çast shkurajimi. Jeta më dukej shumë drobitëse. Mëmësia ishte më sfiduese nga sa e kisha pritur. U ula në këmbalecin tim të piktorit duke qarë dhe duke e pyetur veten nëse do të isha ndonjëherë vërtet në gjendje të bëhesha artistja e madhe që kisha ëndërruar të isha. Pata ndjesinë për të tërhequr ditarin tim të vjetër nga rafti dhe u ktheva te shënimi i 30 prillit 2006, ditën pas diplomimit tim. E kisha harruar fare përvojën time mbresëlënëse me Presidentin Nelson! Në një farë mënyrë shakullina e jetës thuajse e kishte zhdukur nga kujtesa ime. Atje përpara meje ishin fjalët nga profeti i tanishëm: “Absolutisht!” Lotët u kthyen në lot mirënjohjeje ndërsa pashë prapa në gjithçka që kisha qenë në gjendje të arrija që nga ajo kohë dhe gjithashtu pashë përpara me shpresë.

Të Bësh të Pamundurën

Disa muaj më vonë, mora një telefonatë nga një prej hartuesve të revistës Ensign, që më pyeste nëse mund ta përdornin një nga pikturat e mia në kapakun e brendshëm të botimit të konferencës së përgjithshme të nëntorit 2018. U hutova fare! Ndërsa rritesha, gjëja e parë që kisha bërë përherë kur merrja revistat e Kishës ishte t’i kontrolloja për piktura. Tani, një nga pikturat e mia do të ishte atje! Pastaj kur m’u tha se ata donin ta lidhnin pikturën time me fjalët nga Presidenti Nelson, unë munda ta shihja dorën e Perëndisë duke më nxitur përpara.

Kam ende shumë rrugë për të bërë në udhëtimin tim prej artisteje, por jam shumë mirënjohëse për shpresën e Presidentit Nelson te Zoti dhe te ne. Jam mirënjohëse për optimizmin e tij dhe për mirëbesimin e tij. E di se ndërsa ushtrojmë besim në Zot, ne do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha, madje gjëra që dikur i mendonim të pamundura. “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37).