Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
Drejtuar Misionarit/es që u Ricaktua Papritmas
A mori misioni juaj një kthesë të papritur? Këtu keni këshilla nga dikush që e kupton paksa atë që po kaloni.
Autorja jeton në Juta, SHBA.
Shumë nga ju misionarët nuk jeni aty ku prisnit të ishit tani – duke pritur të zbuloni se cili do të jetë caktimi juaj i ri në mision, ose ndoshta edhe të kthyer në shtëpi. T’i shihja këto histori të shpaloseshin më ka sjellë kujtime të ëmbla nga përvoja nga vetë misioni im vite më parë. Mendova se ndoshta mund të jepja disa këndvështrime që mund të ndihmojnë, nga një misionare që u ricaktua papritmas për një misionar/e tjetër.
Një Largim i Detyruar nga Shqipëria
Në fillim të vitit 1997, isha misionare në Shqipëri. Shokëve të mi të misionit dhe mua na pëlqente së tepërmi fshati, byreqet e shijshme me djathë e spinaq dhe tingulli i gjuhës të cilën qemë përpjekur me shumë zell ta mësonim. Mbi të gjitha, na pëlqente shumë të punonim me njerëzit atje.
Me kalimin e kohës, klima politike përreth nesh u bë më e tensionuar. U përpoqëm të qëndronim të përqendruar te shpërndarja e ungjillit, por nuk e shmangëm dot dëgjimin e lajmeve rreth forcave kryengritëse që po fuqizoheshin në të gjithë vendin. Më pas qeveria urdhëroi shtetrrethimin dhe situata filloi të bëhej e dhunshme. Kombi po shkonte drejt një lufte civile.
Më në fund, më 14 mars, i gjithë misioni ynë bëri largim të detyruar. Nuk do ta harroj kurrë telefonatën që na tha se ishte koha të mblidheshim që të mund të na nxirrnin me ngut nga vendi. Në mendje më shtilleshin mendime dhe ndjenja kundërshtuese. Patjetër që doja të isha e sigurt, por mendimi se do t’i lija familjet që tashmë i donim, veçanërisht në atë situatë kaotike, ma copëtoi zemrën. Nuk do të kishim madje as mundësinë që të thoshim lamtumirë.
Udhëtimi ynë për të dalë jashtë vendit përfshiu një fluturim me helikopter drejt një aeroplanmbajtëseje dhe më pas një transferim të shkurtër në Itali përpara se të na ricaktonin në misione të ndryshme. Unë përfundova në Angli. Ishte diçka e shpejtë dhe paksa emocionuese, por më së shumti tepër e vështirë. Një nga kujtimet e mia të fundit nga Shqipëria ishte tek shihja peizazhin të zvogëlohej prapa helikopterit tonë, duke pyetur veten se çfarë do të bëhej me njerëzit që po linim prapa.
Gjetja e Paqes
Ndërkohë që hollësitë e përvojës suaj do të jenë të ndryshme nga të miat, vë bast se disa nga ju tani po ndiejnë emocione të ngjashme të ndërthurura . Ndaj, shpresoj që ajo që kam për të thënë në vijim do t’ju tingëllojë e dëgjuar gjithashtu. Ja tek janë gjashtë parime që më ndihmuan të gjej paqe pas ndryshimeve e kthesave të përvojës sime si misionare kohëplotë.
-
Lidhuni me të tjerët. Mund të keni ndjenja trishtimi e pështjellimi që ju bëjnë të dëshironi të tërhiqeni larg të tjerëve. Por është e rëndësishme që të qëndroni të lidhur, veçanërisht gjatë kohës së shkurtër vijuese ndërkohë që përshtateni. Drejtojuni njerëzve që interesohen për ju, të cilët ju ndihmojnë ta mbani lart moralin. Me teknologjinë në dispozicion sot, nuk keni asnjë justifikim! Ndoshta mund të gjeni dikë me të cilin të ushtroni aftësitë tuaja për një gjuhë të huaj. Mundeni edhe të mbani lidhjet me ata të cilëve u shërbyet e të cilëve u dhatë mësim. Ndonëse mund të ndiheni sikur nuk jeni aty ku duhet për momentin, nuk jeni vetëm. Edhe nëse familja dhe miqtë tuaj nuk dinë si t’ju përkrahin përsosurisht, besoj se shumica prej tyre interesohet çiltërsisht për ju dhe dëshiron që të jeni mirë.
-
Vazhdoni ta jepni dëshminë tuaj. Kudo që të ndodheni gjeografikisht teksa e lexoni këtë, nuk kam asnjë dyshim që rrethoheni nga njerëz të cilët do të bekoheshin nga këndvështrimi juaj i pashoq. Mos u druani për t’ua thënë të tjerëve atë që keni mësuar dhe ndier kur ishit misionar/e kohëplotë – pavarësisht sa e gjatë ose e shkurtër ka qenë koha juaj “në terren”. Teksa i shqyrtoni ngjarjet e kohëve të fundit dhe e dalloni dorën e Perëndisë në jetën tuaj, thuajani përfundimet tuaja njerëzve tuaj të dashur. Ndoshta një mësim i nxjerrë nga aventura juaj është pikërisht ajo që i nevojitet dikujt të dëgjojë.
-
Kini mirëbesim se Ati Qiellor ju njeh. A e dini çfarë? Perëndia e dinte se do të ndodhte kjo! Ai di gjithçka që po shpaloset në jetën tuaj. Dhe Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti, e kupton saktësisht se si po ndiheni. Ata janë me ju teksa ecni nëpër këtë shteg dhe mund t’ju ngushëllojnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ndjenjat e pikëllimit mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe kjo është normale. Mirëbesojini Zotit kur Ai thotë: “Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).
-
Jini të duruar teksa e kaloni këtë brengë. A ndiheni i/e zemëruar? I/E trishtuar? I/E acaruar? Ose, a e gjeni veten duke menduar: “Sa e padrejtë është kjo!”? Ndoshta ndieni një ndërthurje tërësisht të ndryshme emocionesh. Thjesht dijeni se çfarëdo që të jeni duke ndier tani është e kuptueshme. Ju po brengoseni për një humbje dhe është e rëndësishme që të jeni i/e duruar me veten teksa punoni përgjatë atij procesi. Në të njëjtën kohë, jini të kujdesshëm që të mos i përjetoni së tepërmi përvojat tuaja ose ta mbani mendjen aq shumë tek e shkuara sa të ndikojë në aftësinë tuaj për të funksionuar sot. Nëse ndieni se e keni të vështirë ta përballoni gjendjen në mënyra të shëndetshme, kërkojini peshkopit ose presidentit tuaj të misionit t’ju ndihmojë të lidheni me një konsulent profesionist. Nuk është turp të kërkosh ndihmë.
-
Bëni një përpjekje për ta ftuar Shpirtin. Vazhdoni të thelloheni te puna e ungjillit. Nëse po ju ricaktojnë diku tjetër, vazhdoni të jeni i/e bindur ndaj rregullave të misionit. Gjeni çdo ditë mënyra për t’i treguar Shpirtit se dëshironi që Ai të jetë me ju dhe shkruani për frymëzimin që merrni prej Tij. Qëndrimi pranë Shpirtit do t’ju ndihmojë të merrni vendime rreth së ardhmes suaj si dhe të gjeni ngushëllim në situatën tuaj të tanishme.
-
Kini sigurinë që ju përsëri po “thirreni për të punuar”. Për një kohë të gjatë, mendoja se “thirrja” ime ishte vendi ku u caktova të shërbeja si misionar. Do të doja ta kisha kuptuar më herët se thirrja ime e vërtetë ishte t’u jepja shërbesë fëmijëve të Perëndisë kudo që të isha. Edhe pasi e hoqa etiketën time të zezë të emrit, kisha përgjegjësinë nga besëlidhjet e pagëzimit që ta merrja mbi vete emrin e Krishtit dhe t’i trajtoja të tjerët çdo ditë ashtu siç do t’i trajtonte Ai. Qoftë nëse keni një caktim të ri për mision ose jeni liruar nga misioni kohëplotë, kini sigurinë se talentet tuaja mund të përdoren për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë kudo që të shkoni.
Në Duart e Tij
Mendoj se njëra nga anët më stresuese të largimit nga Shqipëria ishte se po braktisnim shenjtorë fare të rinj të cilëve tani do t’u duhej ta mësonin ungjillin pa ndihmën tonë. Por a e dini çfarë? Ata bënë një punë të mahnitshme. Ndonëse ne nuk ishim me ta për t’i ndihmuar, Perëndia ishte me ta. Qëkurse u largova më shumë se 20 vjet më parë, puna në atë tokë ka përparuar dhe shenjtorët janë të fortë.
Ndaj, i/e dashur misionar/e, vazhdoni të kërkoni dorën e Hyjnisë në atë që shpaloset përpara jush. Ka ende njerëz që u nevojitet zëri juaj dhe ka ende gëzim me bollëk që duhet ta gjeni. Përdoreni këtë përvojë të pashembullt si një mundësi për ta thelluar marrëdhënien tuaj me Perëndinë. Ju bekoftë Ai ndërsa vazhdoni të ecni përpara me besim.