2020
Dallimi i Abuzimit Emocional
Tetor 2020


Vetëm në Format Elektronik

Dallimi i Abuzimit Emocional

“Bashkëshorti im nuk është abuzues. Ai më bërtet dhe më shan, por ky nuk është abuzim, apo jo?”

Ne e dimë se “Zoti e dënon sjelljen abuzive të çfarëdo forme”1. Dhe disa forma të abuzimit, si për shembull abuzimi fizik, janë të lehta për t’u parë, por abuzimi emocional mund të jetë shumë më i vështirë për t’u pikasur. Dëmi mund të rezultojë në pështjellim, frikë, turp, mungesë shprese dhe ndjenja të një vetëvlerësimi të ulët.

Abuzimi emocional është përpjekja e një personi për të hequr lirinë e zgjedhjes së një tjetri dhe për të fituar kontroll mbi të me fjalë apo sjellje që i manipulojnë emocionet ose zgjedhjet. Abuzimi emocional mund të ndodhë në çdo lloj marrëdhënieje: midis bashkëshortëve, midis prindërve dhe fëmijëve, në miqësi, në marrëdhëniet kur del në takime romantike apo midis bashkëpunëtorëve.

Cilët Janë Disa Shembuj të Abuzimit Emocional?

Njohja e shenjave të abuzimit emocional mund t’ju ndihmojë të mbroni veten tuaj dhe njerëzit tuaj të dashur. Disa nga sjelljet abuzive përfshijnë:

  • Sharjen ose përmendjen tuaj në mënyra poshtëruese.

  • Vënien në siklet në publik.

  • Kritikat dhe zhvlerësimin e arritjeve tuaja dhe të asaj që bëni.

  • Fajësimin tuaj për veprimet e tyre dhe mosmarrjen përsipër të përgjegjësive.

  • Bërjen që ju të ndiheni fajtorë, kështu që ju do të bëni diçka për ta ngaqë ata bënë diçka për ju.

  • Izolimin tuaj nga të tjerët dhe kontrollimin e mënyrës se si e shpenzoni kohën tuaj.

  • Bërjen e kërcënimeve nëse nuk veproni në një mënyrë të caktuar ose nuk bëni gjëra të caktuara.

  • Mosshfaqjen e dashurisë derisa të bëni gjëra të caktuara për ta.

  • Manipulimin tuaj shpirtëror duke përdorur bindje fetare për t’ju kontrolluar.

Si Mund ta Dalloj Abuzimin Emocional?

Është po aq e rëndësishme që t’i njihni sjelljet abuzive dhe shenjat tuaja të brendshme paralajmëruese. Sa vijon janë disa modele të të menduarit dhe vendime tipike që mund t’ju mbajnë në një marrëdhënie emocionalisht abuzive:

  1. Shfajësimi i sjelljes së abuzuesit tuaj:

  2. Justifikimi i sjelljes së abuzuesit/es: “Normalisht ajo nuk do ta bënte këtë – ajo është nën trysni të madhe tani”.

  3. Minimizimi i sjelljes: “Nuk ishte në të vërtetë ndonjë problem aq i madh”.

  4. Fajësimi i vetes suaj për sjelljen e tyre: “Sikur ta kisha darkën gati në kohë, ai nuk do të kishte qenë kaq i zemëruar dhe nuk do të më kishte bërtitur”.

  5. Shpërfillja e sikletit emocional. Fillimisht, kur jeni viktimë e abuzimit emocional, ju mund të dëshironi ta shmangni shkelësin ngaqë nuk ndiheni rehat ose ndiheni negativë ndaj vetes kur ata janë përreth jush. Për ta ruajtur marrëdhënien, ju mund t’i shpërfillni këto ndjenja sikleti. Me kalimin e kohës, ky siklet mund të zhduket si rezultat i të qenit të kushtëzuar sipas sjelljes së tyre.

  6. Përdorimi i bindjeve fetare për të justifikuar situatën. Kjo është shumë e zakonshme në shoqërinë tonë, duke përfshirë madje anëtarët e Kishës. Personi që po abuzohet mund të mendojë diçka të tillë si kjo: “Zoti na urdhëroi të falim. Unë po mëkatoj nëse nuk fal.” Falja është një urdhërim. Por ashtu siç dha mësim Plaku Xhefri R. Holland rreth Shpëtimtarit: “Ai nuk tha: ‘Nuk ju lejohet të ndieni dhembje të vërtetë ose brengë të vërtetë nga përvojat shkatërruese që i keni pasur për shkak të një personi tjetër’. Dhe as nuk tha: ‘Me qëllim që të falni plotësisht, ju duhet të hyni sërish në një marrëdhënie helmuese ose të ktheheni në një rrethanë keqtrajtuese dhe shkatërruese’.”2

  7. Shpërfillja e vetë nevojave tuaja. Ju i plotësoni nevojat e të tjerëve duke harruar të kujdeseni për veten tuaj. Për shembull, vuajtja e dhembjes emocionale për të shmangur lëndimin e ndjenjave të dikujt tjetër ose dhënia e parave një miku apo mikeje edhe kur nuk mund ta përballoni.

  8. Ndjenja e të qenit pa vlerë. Abuzimi emocional mund ta vështirësojë të pasurit e një vetëvlerësimi të lartë për veten. Sidoqoftë, ju jeni një bir ose bijë e Perëndisë dhe keni një natyrë dhe fat hyjnor. Vlera juaj, e cila është e madhe, është e pandryshueshme (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10).

Çfarë Mund të Bëj Nëse po Abuzojnë Emocionalisht me Mua?

Nganjëherë një marrëdhënie emocionalisht abuzive mund të jetë kaq shkatërruese sa largimi nga marrëdhënia mund të jetë i nevojshëm. Megjithatë, largimi nuk është mundësia e vetme në çdo situatë. Ndryshimi është i mundur dhe një marrëdhënie mund të bëhet e shëndetshme me punë dhe shpesh me ndihmën e një profesionisti. Nëse besoni se mund të jeni në një marrëdhënie emocionalisht abuzive, sa vijon mund të ndihmojë:

  1. Kërkoni përkrahje dhe ndihmë nga një person i besuar, të cilit mund t’i tregoni përvojat tuaja, të tillë si një mik/e, një udhëheqës/e i/e Kishës ose një profesionist/e në një organizatë të komunitetit. Ky person mund të japë përkrahje emocionale dhe një këndvështrim pozitiv se kush jeni dhe mund të shpenzojë kohë cilësore me ju larg abuzimit. (Shih abuse.ChurchofJesusChrist.org. Klikoni tek “In Crisis” për një listë të linjave telefonike që ofrojnë ndihmë.)

  2. Vendosni dhe ruani kufij me personin që tregon sjellje abuzive, duke e identifikuar sjelljen që është abuzive dhe duke vendosur caqe për bashkëveprimin tuaj të vazhdueshëm. Ju mund të thoni: “Nuk ndihem i/e respektuar nga ju pikërisht tani. Dua të flas me ju, por nuk do ta bëj nëse nuk më trajtoni me respekt dhe mirësi.”

  3. Merrni ndihmë nga një këshillues profesionist, i cili ka njohuri për abuzimin emocional dhe efektet e tij. Nganjëherë shkelësit madje nuk e dinë se po abuzojnë. Ata mund të mësojnë të ndryshojnë nëse janë të gatshëm të kërkojnë ndihmë. Nëse marrëdhënia nuk vazhdon, kërkimi i ndihmës profesionale, së bashku me ndihmën e Zotit, do t’ju ndihmojnë të shëroheni.

  4. Gjeni më shumë informacion dhe burime të dobishme tek abuse.ChurchofJesusChrist.org.

Cilado qofshin rrethanat tuaja, dijeni se ka njerëz që ju duan dhe dëshirojnë t’ju ndihmojnë. Dhe duke iu drejtuar Atit tuaj Qiellor, Shpëtimtarit dhe Frymës së Shenjtë, shpresa dhe shërimi janë të mundura.

Shënime

  1. Letër e Presidencës së Parë, Responding to Abuse [Përgjigjja ndaj Abuzimit]”, 28 korrik 2008.

  2. Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 79.