2020
Përkrahja ndaj Mamit në Rrugëtimin e Saj drejt Heqjes Dorë nga Pijet Alkoolike
Tetor 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Përkrahja ndaj Mamit në Rrugëtimin e Saj drejt Heqjes Dorë nga Pijet Alkoolike

Nuk është e lehtë, por ia vlen të bësh rrugën drejt shërimit me ata që luftojnë me varësinë.

Në kohën kur isha mjaft e rritur për të kuptuar se çfarë ishte alkooli, e dija se mami kishte një problem me të. Pjesëtarët e familjes u përpoqën ta fshihnin problemin e saj nga unë dhe motra ime, por ata nuk mund t’i fshihnin edhe për shumë kohë pirjet në sasi të mëdha që herët në mëngjes dhe dhimbjet pasuese të kokës.

Mami jonë ishte e alkoolizuar – dhe asnjë shfajësim apo histori e zbukuruar nuk mund ta ndryshonte atë.

Kur isha e re, besoja se varësia ishte një zgjedhje. Ndihesha e lënduar çdo herë që mamit i vinte goja era alkool kur hynte në derë, pasi premtonte se nuk do ta pinte më. Dukej sikur nuk donte të ndryshonte. Por vitet e lotëve të saj të dhimbshëm, të përpjekjeve të dështuara dhe tërheqjeve dërrmuese më mësuan tjetër gjë.

Kur isha në shkollë të mesme, fillova të kuptoj se varësia e mamit “nuk do të kalonte kaq lehtë”, siç shkroi dikur poeti Dilan Tomas1 – dhe jo sepse ajo nuk donte të ndryshonte. Nuk bëhej fjalë për mungesë të forcës së vullnetit nga ana e saj ose që ajo po zgjidhte alkoolin mbi familjen e saj. Ajo ishte zënë në kurth në varësinë e saj.

Siç shpjegoi Presidenti Rasëll M. Nelson: “Varësia e nënshtron më vonë lirinë për të zgjedhur. Nëpërmjet rrugëve kimike, njeriu vërtet mund të shkëputet nga vullneti i tij ose i saj!”2 Gjetja e shërimit do të ishte një betejë midis trupit dhe shpirtit të saj për vitet në vazhdim.

Durimi i Ciklit të Rikthimit te Varësia

Pasi ajo kishte bërë gjashtë muaj që nuk kishte pirë alkool, fillova ta njoh përsëri mamin tim – atë që vallëzonte në makinë e shkruante poezi të bukura dhe u tregonte shaka që të vënë në siklet të gjitha shoqeve të mia. Ishte sikur dikush prapa skenës befas e ndezi përsëri dritën në sytë e saj dhe po punonte jashtë orarit për ta mbajtur të ndezur atë. Ajo nuk kishte qëndruar pa pirë kaq kohë, për vite të tëra, dhe u ndjeva mirë që ajo ishte si më parë.

Por kjo nuk zgjati. Një natë, përpara se ajo të kishte mundësinë të fliste, unë dhe motra e kuptuam. Sytë e saj të përhumbur dhe faqet e skuqura treguan gjithçka: pas gjashtë muajsh e katër ditësh, ajo i ishte kthyer sërish alkoolit. Për një çast, menduam që të dilnim nga ajo derë, larg shqetësimit dhe frikës, por e dinim se ajo donte të ndryshonte. Nuk mund ta bënim ne për të, por ne mund ta përkrahnim ndërsa ajo ecte në rrugën drejt shërimit.

Thyerja e Heshtjes mbi Varësinë

Gjatë muajve të ardhshëm, unë dhe motra ime kërkuam mënyra për ta ndihmuar mamin që të vazhdonte të shtynte përpara drejt qëndrimit pa pirë alkool në mënyrë afatgjatë. Nuk do të ishte e lehtë, por ajo e kishte bërë një herë dhe e dinim se mund ta bënte sërish.

Pasi e kishim dëshmuar mamin të kalonte nëpërmjet [procesit] të tërheqjes më parë, ne e dinim se çfarë të prisnim, kështu që i mblodhëm të gjitha shishet me pije alkoolike dhe verë që mund të gjenim, dhe i derdhëm në tubin e shkarkimit. Më pas blemë sasi të mëdha të pijes joalkoolike Gatorade te dyqani i ushqimeve dhe e pastruam me themel shtëpinë; ishte përpjekja jonë më e mirë për ta larguar mamin nga mjedisi ku ishte ajo kur ndodhi rikthimi te varësia.

Pas disa ditësh, mami ndihej mjaftueshëm mirë sa të rikthehej në punë, por ne e dinim se lufta nuk kishte mbaruar. Deri në atë pikë, thellësia e varësisë së saj ishte e fshehur nga shumica e familjes dhe miqve tanë. Me kalimin e viteve, ajo ishte bërë disi sekrete – një burim turpi, diçka që studiuesi i shkencave shoqërore Brene Braun e shpjegon se “e merr fuqinë e saj nga të qenit e pashprehur”3. Nëse donim që ajo të qëndronte pa pirë, do të na duhej ta thyenim heshtjen.

Vendimi për t’i folur hapur familjes sonë dhe disa miqve të besuar ishte i vështirë, por gjithashtu çlirues. Turpi “gërryen atë pjesë tonën që beson se mund të ndryshojmë dhe të bëjmë më mirë”4, kështu që vetë akti i të folurit për varësinë e saj i dha mamit (dhe mua!) përsëri shpresë. Ne nuk ishim vetëm dhe, për herë të parë në vite, filluam të përfytyronim një jetë të pakontrolluar nga varësia e saj.

Mbajtja Fort te Shpresa

Nuk do të përpiqem ta zbukuroj: ruajtja e shpresës nuk është gjithmonë e lehtë. Për vite të tëra, unë e përkraha mamin ndërsa ajo përpiqej të rrinte pa pirë, por do të gënjeja nëse do të thosha se nuk përjetova trishtim, zhgënjim dhe acarim përgjatë rrugës. Duke folur për udhëtimin e vështirë me të cilin përballet një njeri për të mposhtur varësinë, Presidenti Nelson shpjegoi: “Secili që vendos t’i ngjitet asaj rruge të thepisur për shërim, duhet të përgatitet për betejën që zgjat një jetë të tërë. Por një jetë e tërë është një trofe që ia vlen çmimin.”5

Nëse keni dashur ndonjëherë dikë që lufton me varësinë, ju e dini se sa e vështirë është ta shikosh atë të vetëshkatërrohet. Por edhe në vazhdën e rikthimit, shpresa nuk humbet kurrë. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari di “se si të [na] ndihmojë … sipas dobësive [tona]” (Alma 7:12). “Me shërim në krahët e tij” (3 Nefi 25:2), Ai na ngre kur ndihemi shumë të lodhur për të vazhduar më tej, “duke na mbajtur pranë dhe duke na inkurajuar, duke refuzuar të na lërë të shkojmë derisa të jemi në shtëpi të sigurt”6.

Pra, nëse sapo e keni ndërmarrë hapin tuaj të parë apo keni bërë mijëra kilometra me dikë në udhëtimin e tyre drejt shërimit, ja ku janë disa gjëra që i kam mësuar përgjatë viteve:

  1. Ndihmojini ata që të shmangin situatat provokuese.

    Qoftë nëse personi që po e përkrahni është mik/e, bashkëshort/e, pjesëtar/e i/e familjes ose bashkëmoshatar/e, t’i ndihmojmë të shmangin situatat provokuese është shumë e rëndësishme! Kurdoherë që familja ime del për të ngrënë me mamin, për shembull, ne kërkojmë të ulemi në një tavolinë larg banakut. Nëse nuk ka një tavolinë në dispozicion, ne bisedojmë derisa të lirohet njëra prej tyre.

  2. Mbrojini ata në situata shoqërore.

    Thjesht ngaqë personi që po e përkrahni foli hapur me ju për varësinë e vet, nuk do të thotë se ata janë të gatshëm t’ia thonë botës. Gjatë fazave të para të shërimit, mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë të shpjegohet pse dikush po shmang situata të caktuara ose po merr vendime të caktuara, veçanërisht ndaj të panjohurve. Në këto situata, bëjuani jetën më të lehtë duke i ndihmuar të shpjegohen nëse gjërat vështirësohen.

  3. Ndihmojini të gjejnë burime të tjera përkrahëse.

    Pavarësisht se sa jeni përfshirë në procesin e shërimit, është e pamundur të bëni gjithçka. Nganjëherë mami thjesht ka nevojë të flasë me dikë që e ka përjetuar këtë, dikë që e kupton, dhe kjo është normale! Burimet profesionale dhe grupet përkrahëse (si Programi i Kishës për Shërimin nga Varësia, grupet e shërimit dhe specialistët për varësinë e sjelljen) ndryshojnë jetë në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj mos ngurroni ta inkurajoni personin që po e përkrahni, të përfitojë nga këto mjete.

  4. Nëse rrëzohen, ndihmojini të ngrihen sërish.

    Nëse do të jetonim në një botë të përsosur, rikthimi te varësia nuk do të ekzistonte, por kjo është vdekshmëria. Nëse personi që po e përkrahni rikthehet te varësia, kujtojuni se sa rrugë kanë bërë deri këtu. Inkurajojini të “mos h[eqin] dorë kurrë pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe ta konsidero[jnë] veten të paaftë për të braktisur mëkatet dhe për të mposhtur varësinë”7. Ashtu si Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e tha: “Do të jetë më keq për [ta] të ndalo[jnë] së përpjekuri”8 (dhe po kështu edhe për ju). Rikthimi te varësia nuk i kthen përsëri te pika e fillimit. Ai nuk e fshin të gjithë punën dhe hovin që kanë fituar. Ata gjithmonë kanë një mundësi tjetër që të kthehen përsëri në rrugën e duhur, që t’i kërkojnë ndihmë Shpëtimtarit dhe të vazhdojnë.

  5. Mbahuni fort te shpresa.

    Të shikoni dikë që e doni, të luftojë për të mposhtur varësinë e vet, ndonjëherë mund t’ju bëjë ta pyesni veten a do të shërohen ndonjëherë plotësisht. (Më besoni, e di. E kam provuar më shumë herë sesa do të doja ta pranoja.) Edhe Mormoni pyeti: “Dhe për çfarë duhet të keni shpresë?” Por pavarësisht se sa e vështirë bëhet gjendja, “shpres[a] nëpërmjet shlyerjes së Krishtit” është gjithmonë e arritshme prej nesh (Moroni 7:41).

Gjatë gjithë jetës sime, mami im është rrëzuar më shumë herë sesa mund t’i numëroj, por jam krenare të them se janë bërë gjashtë vjet që nuk ka pirë. Megjithëse më janë dashur vite ta mësoj e ta rimësoj se si ta përkrah atë sa më mirë, ta shikoj atë të shërohet më ka mësuar se askush nuk ka shkuar kurrë shumë larg. Pavarësisht se sa herë personi që ju doni rikthehet te varësia, vazhdoni përpara – vazhdoni të përpiqeni për t’i përkrahur në çfarëdo mënyre që të mundeni. Shërimi është një zotim që zgjat gjatë gjithë jetës – një udhëtim i mbushur me lot, fitore, dështime dhe triumfe – dhe ia vlen të luftosh për të.

Shënime

  1. Dylan Thomas, “Do not go gentle into that good night” (1951).

  2. Russell M. Nelson, “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1988, f. 7.

  3. Brené Brown, Daring Greatly: How the Courage to Be Vulnerable Transforms the Way We Live, Love, Parent, and Lead (2012), f. 58.

  4. Brené Brown, Dare to Lead: Brave Work. Tough Conversations. Whole Hearts (2018), f. 129.

  5. Russell M. Nelson, “Addiction or Freedom”, f. 7.

  6. Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 42.

  7. Ulises Soares, “Ta Marrim Kryqin Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 114.

  8. Ulises Soares, “Ta Marrim Kryqin Tonë”, f. 114.