Të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore
Ti Mund të Gjesh Liri
A keni ngecur ju apo dikush që e doni, në ciklin e gabimit, pendimit, rizotimit dhe përsëri të gabimit? Shumë të rinj e të reja të mrekullueshme në moshë madhore me të cilët kam punuar ndërkohë që shërbeja si peshkop lagjeje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, kishin ngecur në të njëjtin cikël. Por shumë gjetën gjithashtu liri nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Mesazhet rreth varësisë në pjesën e këtij muaji japin ide të dobishme për gjetjen e lirisë – për ju vetë dhe për të tjerët.
Gjëja më e rëndësishme që duhet të mbajmë mend, është se të gjithë ne jemi fëmijë të dashur të Atit Qiellor. Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim: “[Perëndia] nuk po pret që t’ju dojë derisa t’i keni mposhtur dobësinë tuaj dhe zakonet tuaja të këqija. Ai ju do sot, me një të kuptuar të plotë të ndeshjeve tuaja. … Ai e di brejtjen tuaj të ndërgjegjes për kohët kur nuk ia keni dalë mbanë apo keni dështuar. Dhe Ai akoma ju do” (“Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim”, Liahona, nëntor 2014, f. 123; theksimi i shtuar).
Nga ana tjetër, Satani do të përpiqet t’ju bindë se keni shkuar tepër larg dhe jeni të përjashtuar nga dashuria e Atit Qiellor dhe fuqia e Shpëtimtarit për t’ju shndërruar dhe pastruar. Satani do të përpiqet t’ju mbajë në një shtjellë turpi dhe neveri për veten, por mos u besoni gënjeshtrave të tij.
Përkundrazi, drejtojuni tek Ati Qiellor. Mos kini frikë t’i hapeni peshkopit ose presidentit tuaj të degës dhe të tjerëve që ju duan. Teksa i lexoni historitë e shpresës nga të rinj e të reja të tjera në moshë madhore që kanë qenë të prekur nga varësia, veproni sipas mbresave që merrni. Jini të duruar me veten, kujtoni natyrën tuaj hyjnore, veproni ditë pas dite dhe besoni te fuqia shëruese e Jezu Krishtit. Ai dhe kaq shumë burime të tjera do të na ndihmojnë t’ia dalim mbanë për gjetjen e lirisë që e dëshirojmë. Mos hiqni dorë kurrë.
Miku juaj,
Riçard Ostler