Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Mos Druani


Mos Druani

Të dashur vëllezër dhe motra, ne mblidhemi sonte prej dashurisë sonë të përbashkët për Krishtlindjen dhe periudhën e Krishtlindjes. A ka ndonjë gjë më të mirë sesa muzika e bukur dhe këngët e Krishtlindjes, mbledhjet e familjes dhe miqve për Krishtlindje, fytyrat e qeshura dhe ngazëllimi i fëmijëve? Krishtlindja ka një aftësi hyjnore për të na bashkuar si familje, miq dhe komunitete. Ne mezi presim të shkëmbejmë dhurata dhe të shijojmë një vakt festash të gëzueshëm.

Në novelën A Christmas Carol [“Një Këngë Krishtlindjeje”], të shkruar nga autori anglez, Çarls Dikensi, nipi i Skruxhit përshkruan magjinë e kësaj kohe të shenjtë të vitit duke reflektuar se: “Kam menduar përherë për kohën e Krishtlindjes, kur ka ardhur … si një kohë e bukur: një kohë e këndshme, një kohë për të falur, një kohë për t’u treguar më bamirës, një kohë e gëzueshme; e vetmja kohë që unë njoh, në kalendarin e gjatë të vitit, kur burrat dhe gratë duken se, me miratim të përbashkët, i hapin lirisht zemrat e tyre … dhe mendojnë për njerëzit [e tjerë]. … Dhe si rrjedhojë … ndonëse nuk më ka futur asnjëherë asnjë copëz ari ose argjendi në xhepin tim, besoj se më ka bërë mirë dhe do të më bëjë mirë; dhe unë them: ‘Perëndia e bekoftë atë’” (A Christmas Carol [“Një Këngë Krishtlindjeje”] [1858], f. 5–6).

Si prind, dhe tani si gjysh, kam sjell ndër mend magjinë e Krishtlindjes ndërsa kam parë fëmijët e mi, dhe tani fëmijët e tyre, të kremtojnë lindjen e Shpëtimtarit dhe të gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit ndërsa familja jonë mblidhet së bashku. Jam i sigurt se e keni parë, sikurse e kam parë edhe unë, gëzimin dhe pafajësinë me të cilën fëmijët mezi e presin dhe e shijojnë këtë festë të veçantë. Tek shohim gëzimin e tyre, secilit prej nesh i kujtohen Krishtlindje të shkuara të gëzuara. Ishte sërish Dikensi i cili vërejti: “Është mirë të jesh fëmijë ndonjëherë dhe ku ka më mirë sesa në Krishtlindje, kur Themeluesi i saj i fuqishëm ishte vetë një fëmijë” (A Christmas Carol [“Një Këngë Krishtlindjeje”], f. 67).

Unë u rrita afër Los Anxhelosit, ku shtëpia jonë ishte e rrethuar nga pemishte me portokaj. Një mbrëmje çdo Krishtlindje, prindërit e mi ftonin në shtëpinë tonë familjen, miqtë dhe fqinjët për të kënduar këngë Krishtlindjeje dhe për të shijuar vakte të lehta. Ajo ishte një traditë e mrekullueshme për të gjithë ne dhe kënga dukej se vazhdonte për orë të tëra. Ne fëmijët do të këndonin për sa kohë që mendonim se duhej, dhe më pas do të shkonim fshehurazi në pemishten me portokaj për të luajtur.

Bashkëshortja ime, Kathi, dhe unë gjithashtu e rritëm familjen tonë në Kaliforninë Jugore, relativisht afër bregdetit. Krishtlindja atje karakterizohet nga palma që lëkunden në fllad. Çdo vit fëmijët tanë mezi prisnin të zbritnin në liman për të parë paradën e përvitshme të anijeve për Krishtlindjen. Qindra jahte të bukur, duke vezulluar me drita nga të gjitha ngjyrat, vinin rrotull limanit ndërsa ne shihnim me habi.

Tani që jetojmë në Solt-Lejk-Siti, Kathi dhe unë e kemi bërë traditë që t’i çojmë fëmijët dhe nipërit e mbesat tona në një shfaqje të zonës ku vihet në skenë novela A Christmas Carol [“Një Këngë Krishlindjeje”]. Çdo vit, ndërsa shohim Ebenizër Skruxhin të përjetojë shndërrimin e tij të mrekullueshëm nga një oshënar zemërgur në një fqinj të lumtur të mbushur me gëzim për Krishtlindjen, ne ndiejmë shtysën për ta braktisur Skruxhin që gjendet brenda nesh. Ne ndihemi të nxitur për të bërë pak më mirë për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit të dashurisë hyjnore për të gjithë.

Fryma shndërruese e periudhës së Krishtlindjes është rrënjosur në fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit për ta ndryshuar jetën tonë për më mirë. Tregimi i dashur i lindjes së Birit të Perëndisë më shumë se dy mijë vite më parë në Bethlehem është shënuar në librin e Llukës:

“Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. …

Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, …

për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd’.

Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij’” (Lluka 2:1, 3–14).

Engjëlli e ndjeu frikën e barinjve kur iu shfaq atyre, duke u thënë të “mos dru[hen]”. Lavdia e mahnitshme e Perëndisë, e cila rrezatonte nga lajmëtari i papritur qiellor, vërtet krijoi një ndjenjë frike në zemrat e tyre. Por lajmi që engjëlli kishte ardhur për të shpërndarë, nuk kishte asgjë për t’u pasur frikë. Ai kishte ardhur për të njoftuar një mrekulli, për të sjellë lajmin e mirë themelor, për t’iu thënë atyre se shëlbimi i njerëzimit me plot kuptimin e fjalës kishte filluar. Asnjë lajmëtar tjetër më parë ose që në atë kohë nuk kishte sjellë lajme më të lumtura. Biri i Vetëmlindur i Atit po niste udhëtimin e Tij në vdekshmëri: “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. Ato ishin me të vërtetë lajme të mira gëzimi të madh.

Secili nga ne has çaste në jetën e vet kur gëzimi i madh që engjëlli premtoi, mund të duket i pakapshëm dhe i largët. Të gjithë ne u nënshtrohemi dobësive dhe vështirësive të jetës – sëmundjes, dështimit, problemeve, zhgënjimit dhe, në fund, vdekjes. Ndërkohë që shumë njerëz janë të bekuar për të jetuar në siguri fizike, të tjerë sot nuk e kanë këtë bekim. Shumë hasin vështirësi të mëdha për të përmbushur kërkesat e jetës dhe barrën fizike dhe emocionale që ato mund të sjellin.

Dhe prapëseprapë, pavarësisht nga vështirësitë e jetës, mesazhi i Zotit për secilin nga ne është i njëjtë sot siç ishte për barinjtë që ruanin [kopenë] dy mijë vjet më parë: “Mos druani”. Ndoshta fjalët e engjëllit për të mos pasur drojë ndoshta janë më shumë mrekullisht me vend për ne sot sesa ishin për të qetësuar frikën e barinjve atë natë të parë Krishtlindjeje. A mundet që ato të kenë pasur gjithashtu si synim që ne të kuptojmë se për shkak të Shpëtimtarit, frika nuk do triumfojë asnjëherë? për të përforcuar se ajo frikë më e fundit asnjëherë nuk justifikohet? për të na kujtuar se asnjë problem tokësor nuk duhet të jetë i përhershëm, që asnjë prej nesh nuk është përtej shëlbimit?

Dhurata më e këndshme e dhënë për Krishtlindje do të jetë përherë dhurata që Vetë Shpëtimtari ynë na dha: paqja e Tij e përsosur. Ai tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27). Madje edhe në një botë ku paqja duket e largët, dhurata e paqes e Shpëtimtarit mund të jetojë në zemrat tona pavarësisht nga rrethanat tona. Nëse e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, frika e përhershme largohet përgjithmonë. E ardhmja jonë është e sigurt. Ai është “një gëzim [i] madh për të gjithë popullin”. “Mos ki frikë”, na kujtoi profeti Isaia, “sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10).

Për shkak të Shpëtimtarit që lindi dy mijë vite më parë në Bethlehem, ka shpresë – dhe shumë më tepër. Ka shëlbim, çlirim, fitore dhe triumf. “E gabuara do të dështojë, e drejta do të mbizotërojë” (“I Heard the Bells on Christmas Day”, Hymns, nr. 214). Nuk është çudi që një kor engjëjsh u shfaqën papritur si një theksim qiellor për lajmërimin e engjëllit për lindjen e Shpëtimtarit, duke kënduar: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”. Asnjë mesazh nuk mund të ishte më bindës. Asnjë mesazh nuk u mbush ndonjëherë me më shumë mirëdashje kundrejt njerëzve.

Qoftë kjo periudhë një periudhë paqeje dhe gëzimi për të gjithë ne, “sepse [atë ditë] në qytetin e Davidit lindi për [ne] një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër