Takime Shpirtërore për Krishtlindje
O Ejani ta Adhurojm’ Atë – dhe Planin!


10:27

O Ejani ta Adhurojm’ Atë – dhe Planin!

Si shumë prej jush, burri im i këndshëm, Krejgu, dhe unë e duam tërësisht muzikën e shenjtë të Krishtlindjes. Nëse do të bënit një listë të këngëve tona të parapëlqyera, afër kreut do të ishte sigurisht “O Ejani Besnik’”. Fjalët e saj “t’g’zuar[a]” dhe “triumfues[e]” na bëjnë thirrje, “ejani”, “shihni” dhe “adhuro[ni]” Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin – “Mbret[in e] engjëjve”1 Ndihem e sigurt që, si shpirtra para lindjes duke mësuar për planin e shpëtimit, ne jo vetëm që pamë e adhuruam, por edhe lëshuam britma gëzimi kur Ai vullnetarisht dhe përulësisht e ofroi veten e Tij si Shpëtimtarin e botës.2 Në pesë nga fjalët më domethënëse të shqiptuara ndonjëherë, Ai përulësisht tha: “Ja ku jam, dërgomë mua”3.

Së bashku me Apostullin Pjetër, Presidenti Monson na ka këshilluar shpesh që të “j[emi] gjithnjë gati për t’u [dhënë] … shpjegime për shpresën që është [brenda nesh]”4. Teksa tregoj dy kujtime vetjake për Krishtlindjen, unë shpresoj se ju mund ta kuptoni arsyen përse kam shpresë në Shpëtimtarin, në “Perëndi[në, Atin tonë të Përjetshëm, i cili] e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”5, dhe në planin e përsosur dhe të lavdishëm të Atit për lumturinë.

Kujtimi Numër 1 i Krishtlindjes

Kur isha 14 vjeçe, familja jonë jetonte në Zelandën e Re. Babai im ishte një burrë i ri në të 30-at kur u thirr të shërbente atje si një president misioni.

Krishtlindja erdhi dhe pesë motrat e vëllezërit e mi dhe unë ende po përpiqeshim të mësoheshim me shtëpinë tonë të re larg nga vendlindja. Ishte një sfidë për mua – një adoleshente e papjekur – që të isha larg shtëpisë, shoqërisë dhe familjes. Isha e trishtuar, ngaqë më merrte malli për pamjet, tingujt dhe festimet e njohura të Krishtlindjes – muzikën, dritat, pemën e Krishtlindjes, dëborën dhe veçanërisht familjen. Më merrte malli për kushërinjtë, tetot e xhaxhallarët e dashur, të cilët e dija se shpejt do të mblidheshin te shtëpia e gjyshit Ker në Solt-Lejk-Siti për festimin e përvitshëm të Krishtlindjes nga familja Ker.

Ishte vigjilja e Krishtlindjes në vitin 1966. Isha bashkuar pa dëshirë me familjen time dhe misionarët për një mbrëmje familjare në shtëpinë e misionit, e bindur që kjo mbledhje, të paktën, do të ishte një zëvendësues shumë i paktë për festimin e familjes Ker, për të cilin më kishte marrë kaq shumë malli. Nuk e kujtoj me saktësi se në cilin çast ra telefoni, por ajo telefonatë menjëherë e ndryshoi zemrën time rinore, duke më mbushur me dhembshuri për babin tim të dashur dhe keqardhje që kisha qenë kaq e përqendruar te vetja.

Telefonata ishte nga xhaxhai im, Xhoja, duke na lajmëruar që gjyshi ynë i dashur, vetëmohues, punëtor dhe mbajtës i besëlidhjeve sapo kishte pësuar një hemorragji të rëndë cerebrale dhe dergjej pa ndjenja në spital. Kujtime më erdhën në mendje për këtë patriark që pëlqente bërjen e fotografive, muzikën, argëtimin, të cilin ne të gjithë e donim kaq shumë! Babi ishte tronditur dukshëm teksa kthehej nga telefonata, por ai e mblodhi veten, drejtoi supet dhe dha dëshminë e tij të zjarrtë për planin e Atit dhe besimin e tij në rolin jetik të Shpëtimtarit në të. Dëshmia e tij ma preku zemrën time të lënduar.

Fatkeqësisht, gjyshi nuk u shërua. Me të shpejtë ai vdiq të nesërmen. Ishte dita e Krishtlindjes në Zelandën e Re, por vigjilja e Krishtlindjes, dita e parapëlqyer e vitit për gjyshin, në Solt-Lejk-Siti. Vdekja e tij ishte përvoja ime e parë e humbjes së dikujt kaq të afërt e kaq të dashur për mua. Edhe pse vajtova për humbjen e tij, unë u bekova dhe u ngushëllova nga njohuria ime për planin e lavdishëm të lumturisë. U ndjeva e siguruar që do ta shihja gjyshin sërish, në qoftë se do të jetoja sipas mënyrës që kishte jetuar ai. Nuk besoj se e kuptova tërësisht, në këtë çast në jetën time, pjesën jetike që Shpëtimtari dhe shlyerja e Tij luajtën në bërjen të mundur për mua që të bashkohesha me njerëzit e mi të dashur një ditë. Por unë dija mjaft sa të gëzohesha në planin. Dija mjaft sa ta adhuroja Atë, lindjen e të cilit ne festonim.

Që nga ajo Krishtlindje shumë kohë më parë, unë kam mësuar më shumë për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Biri i Perëndisë … erdhi këtu si Biri i Vetëmlindur për të përmbushur një mision, për të qenë si një Qengj i vrarë përpara themelimit të botës, që t’i sillte shpëtim gjithë njerëzimit. Duke e dhënë jetën e Tij, Ai hapi portën … dhe na mësoi udhën me anë të së cilës mund të fitojmë jetë të përjetshme. … Kjo ishte se kush qe Jezusi në tërë madhështinë e Tij.”6

Kujtimi Numër 2 i Krishtlindjes

Një kujtim tjetër prekës i Krishtlindjes ndodhi në vitin 1984, duke shkaktuar që të rritej në mënyrë domethënëse mirënjohja ime për Shpëtimtarin dhe planin e tij të lavdishëm të shpëtimit. Unë isha 32 vjeçe, e martuar me bashkëshortin tim të dashur besnik dhe nëna e katër fëmijëve të bukur, të vegjël, të moshës tre deri në dhjetë vjeç. Gjashtë javë para Krishtlindjes, morëm lajm nga doktori që na e tundi botën tonë kur ai shpalli diagnozën kancer. Krejgu dhe unë vështruam njëri-tjetrin në mosbesim, që të dy duke mbajtur lotët, duke pyetur veten se çfarë do të sillte e ardhmja. Megjithatë, ndjenja e menjëhershme pasuese ishte ajo “paqe [e ëmbël] … që ia tejkalon çdo zgjuarsie”7, për shkak të besimit tonë në Jezu Krishtin dhe planin e Atit.

Edhe pse Krejgu po shërbente si peshkop i lagjes sonë në atë kohë, ne vendosëm t’ia tregonim lajmin vetëm familjes sonë, me qëllim që t’i mbanim gjërat sa më normale që të ishte e mundur për fëmijët tanë të vegjël. Gjatë atyre gjashtë javëve përpara Krishtlindjes, unë udhëtova me makinë pothuajse çdo ditë përmes dëborës dhe akullit për trajtimet e mia në spital – ndërkohë që nënat e motrat tona vetëmohuese na ndihmonin me radhë në shtëpi. Ishte një kohë e mundimshme, por unë e sjell ndërmend atë Krishtlindje me fjalë të pamjaftueshme për ta shprehur thellësinë e mirënjohjes sime për flijimin shlyes të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe për “planin e mëshirshëm të Krijuesit të madh”8.

Duke e kuptuar ndoshta më mirë se kurrë më parë se sa e brishtë ishte jeta, plani i Atit Qiellor për lumturinë u bë më vetjak se ndonjëherë më parë. Krishtlindja ishte e ndryshme atë vit. Edhe pse unë e dua gjithçka rreth Krishtlindjes, të vetmet gjëra që dukeshin se kishin rëndësi, ishin martesa ime e përjetshme, familja ime dhe besimi e dëshmia ime për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe planin.

Një ditë, teksa pushoja në shtëpi, duke pyetur veten rreth së ardhmes së katër fëmijëve tanë të vegjël, unë shfletova revistën Friend [Miku] dhe më ra në sy një pjesë muzikore. U ula në piano dhe vajtova teksa këndoja dhe e ndjeva mesazhin e këngës të ma përshkonte zemrën time të brishtë. E dija se kisha nevojë t’ia mësoja këtë këngë jo vetëm qindra fëmijëve të Fillores në lagjen tonë, ku po shërbeja si udhëheqëse e muzikës në Fillore, por më e rëndësishme, katër fëmijëve të shtrenjtë që jetonin në shtëpinë tonë.

Si i tregoi Ati botës për dashurin’, mir’sin’?

Birin dërgoi, foshnjë t’vogël, me paqe, shenjtëri.

Si na e tregoi Ati rrugën që duhet ndjekur?

Birin dërgoi me njerëz t’ec’ në tok’, që t’mund të dim’.

Si i tregoi Ati botës për flijimin, vdekjen?

Birin dërgoi për ne të vdes’ dhe të ngrihet në jet’.

Çfar’ po kërkon Ati prej nesh? Çfar’ thon’ shkrimet e shenjt’?

Beso, jeto si Bir’ i Tij, ndihmo kë në udh’ gjen.

Ç’kërkon Ai? T’rrojm’ si Biri. 9

Kjo këngë e frymëzuar më dha një ide të shpejtë lidhur me mënyrën se si mund t’ia tregoja Atit tim Qiellor mirënjohjen time për Birin e Tij dhe për planin e Tij. E ndjeva që, edhe nëse mund të mos më lejohej privilegji që t’i shihja fëmijët tanë të rriteshin në pjekuri, nëse ata mund të arrinin të dinin, kuptonin e jetonin doktrinën e thjeshtë, por të thellë, që përmbahej në këtë këngë të shenjtë, ata mund të bëheshin dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.

Pati një shpirt të veçantë që qëndroi mbi shtëpinë tonë atë vit, duke na bekuar me paqe e dashuri për njëri-tjetrin që nuk do ta harroj kurrë. Ndihesha sikur fëmijëve tanë iu dha një ndjenjë e jashtëzakonshme e shenjtërisë atë Krishtlindje. Kurrë më parë dhe kurrë që nga ajo kohë, ata nuk e kanë interpretuar ngjarjen e lindjes së Krishtit me kaq nderim, habi dhe dashuri që i tejkaloi vitet e tyre të brishta. Teksa ishim të munduar në rrethanat tona, ne dukej se i ndienim më fort mbresat shpirtërore, teksa përsiatnim dhe jepnim falënderime për dhuratën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe për planin tonë të lavdishëm të Atit Qiellor për shpëtimin.

Unë shpesh kam pyetur veten se si njerëzit mund të jetojnë pa shpresën që vjen nga kuptueshmëria e planit të shpëtimit dhe rolit qendror të Shlyerjes së Shpëtimtarit në atë plan. Plot mirënjohje ia shtoj dëshminë time asaj të profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, i cili dëshmoi fuqimisht: “Për Atë që e çliroi secilin prej nesh nga vdekja e pafundme, madje Jezu Krishtin, unë dëshmoj se Ai është një mësues i së vërtetës – por Ai është më shumë se një mësues. Ai është Shembulli i jetës së përkryer – por Ai është më shumë se një shembull. Ai është Shëruesi i Madhërishëm – por Ai është më shumë se një shërues. Ai që e shpëtoi ‘batalionin e humbur’ të njerëzimit është Shpëtimtari i mirëfilltë i botës, Biri i Perëndisë, Princi i Paqes, i Shenjti i Izraelit – madje Zoti i ngritur – që shpalli: ‘Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin’ [DeB 110:4].”10

Ndërsa e marrim parasysh vuajtjen e Tij që nuk arrijmë ta kuptojmë, për ne, sigurisht mes gjashtë fjalëve më të trishtuara që Shpëtimtari ynë shqiptoi ndonjëherë, ishin këto: “A doni edhe ju të largoheni?”11 Kur kohët janë të vështira, ne mund të bëjmë zgjedhje për t’u larguar nga Ai dhe për t’u ndeshur të vetëm gjatë fatkeqësive tona, ose mund të bëjmë zgjedhjen për t’u kthyer tek Ai dhe te plani i Atit, duke kuptuar që ne nuk do të “vuajmë më nga ndonjë pikëllim, por që çdo gjë të përfshihe[t] vetëm në gëzimin për Krishtin”12. Lutja ime për secilin prej nesh është që ta pranojmë ftesën e himnit të shenjtë të Krishtlindjes “ejani ta adhurojm’ [atë]” dhe Atin tonë Qiellor për planin e Tij të lavdishëm dhe të përsosur! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.