Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Drita dhe Jeta e Botës


9:41

Drita dhe Jeta e Botës

(3 Nefi 11:11)

Rrëfimi më i njohur dhe më i dashur i lindjes së Shpëtimtarit gjendet në kapitullin e dytë të Llukës në Dhiatën e Re. Mbushem me mirënjohje çdo herë që lexoj rreth Jozefit dhe Marisë duke udhëtuar për në Bethlehem, rreth grazhdit të thjeshtë, lindjes së përulur të Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve duke shpallur “gëzim të madh për të gjithë popullin” (Lluka 2:10).

Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme jep në Librin e Mormonit një rrëfim shoqërues të rëndësishëm të lindjes së Shpëtimtarit. Mesazhi im e nxjerr në pah këtë përshkrim shtesë të Krishtlindjes së parë. Teksa e marrim parasysh këtë episod së bashku, vëllezër e motra, ju ftoj ta përfytyroni veten në këto ngjarje dhe jo thjesht të dëgjoni fjalët.

Lutem që Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë t’i përshtatni këto shkrime të shenjta me veten dhe familjen tuaj (shih 1 Nefi 19:23) dhe do t’jua mbushë zemrën tuaj me shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes.

Samuel Lamaniti

Rrëfimi ynë fillon në tokën e Zarahemlës pak vite përpara lindjes së Shpëtimtarit. Samuel Lamaniti erdhi mes popullit për të predikuar pendim dhe për të profetizuar për Krishtin. Tani ju lutem përpiquni të përfytyroni sikur ju jeni 10 vjeç dhe pjesëtar i një turme duke dëgjuar një profet të Perëndisë të parathotë ngjarje të së ardhmes.

Samueli shpalli: “Vini re, unë po ju jap një shenjë; pasi pesë vjet më shumë vijnë dhe vini re, atëherë vjen Biri i Perëndisë për të shëlbuar të gjithë ata që do të besojnë në emrin e tij.

Dhe vini re, këtë do t’jua jap si një shenjë në kohën e ardhjes së tij; pasi vini re, në qiell do të ketë drita të mëdha, kaq sa natën para ardhjes së tij nuk do të ketë errësirë, aq sa do t’i duket njeriut sikur të ishte ditë.

Prandaj, do të ketë një ditë dhe një natë dhe një ditë, si të ishin një ditë dhe nuk do të kishte natë; dhe kjo do të jetë për ju si shenjë. …

Dhe vini re, do të lindë një yll i ri … ; dhe kjo gjithashtu do të jetë një shenjë për ju (Helamani 14:2–5).

Lindja e Shpëtimtarit

Teksa koha kalonte, “profecitë e profetëve filluan të përmbusheshin më plotësisht; pasi filloi të kishte shenja më të mëdha dhe të bëheshin mrekulli më të mëdha mes popullit” (3 Nefi 1:4).

Ju lutem tani përfytyroni që pesë vjet kanë kaluar dhe ju tani jeni pothuajse 15 vjeç. Ju mund t’i kujtoni qartësisht profecitë e Samuelit teksa merrni parasysh rrethanat e tanishme në të cilat jetoni.

“Por, pati disa që filluan të thonin se kishte kaluar koha, që të përmbusheshin fjalët që tha Samuel, Lamaniti.

Dhe ata filluan të gëzonin mbi vëllezërit e tyre, duke thënë: Vini re, koha kaloi dhe fjalët e Samuelit nuk u përmbushën; prandaj gëzimi juaj dhe besimi juaj në lidhje me këtë gjë, qenë të kotë.

Dhe ndodhi që ata bënë një potere të madhe në tërë vendin; dhe njerëzit që besuan, filluan të pikëllohen shumë, që për ndonjë shkak, ato gjëra që u thanë mund të mos vërtetoheshin.

Por vini re, ata pritnin të palëkundur atë ditë dhe atë natë dhe atë ditë që do të ishin si një ditë e vetme, sikur të mos kishte natë, kështu që të mund të dinin se besimi i tyre nuk kishte qenë i kotë.

Tani ndodhi që qe një ditë e caktuar nga ata që nuk besonin, që të gjithë ata që besonin në ato tradita duhej të vriteshin, në qoftë se nuk do të vërtetohej shenja që u dha nga profeti Samuel” (3 Nephi 1:5–9).

Vëllezër e motra, a mund të fillojmë madje ta kuptojmë se si mund të kishte qenë të pritnim shenjën e ardhjes së Tij dhe gjithashtu të përballeshim me afatin e tmerrshëm të vdekjes? A do të qëndronim ju dhe unë të fortë e të palëkundur në besim, apo do të lëkundeshim e mpakeshim?

Atëherë, me të vërtetë, shenja e lindjes së Krishtit, e parathënë nga Samueli, u dha. Në një klimë të përndjekjes fetare dhe në një moshë të njomë pothuajse 15-vjeçare, ju do të mahniteshit një mbrëmje teksa dielli perëndoi, por nuk pati errësirë.

“Dhe njerëzit filluan të çuditen meqë nuk pati errësirë, kur ra nata. …

Dhe ata filluan të dinin se Biri i Perëndisë do të vinte së shpejti; po … të gjithë njerëzit … ishin jashtëzakonisht kaq të mahnitur, sa ranë përdhe. …

Dhe ndodhi që gjithë atë natë nuk pati errësirë, por kishte kaq dritë sikur të ishte mesditë. Dhe ndodhi që dielli lindi përsëri në mëngjes, … dhe ata e dinin se ajo qe dita që Zoti do të lindte, për shkak të shenjës që qe dhënë.

Dhe ndodhën, po, të gjitha gjërat, edhe më e vogla, sipas fjalëve të profetëve.

Dhe ndodhi gjithashtu që u shfaq, sipas fjalës, një yll i ri” (3 Nefi 1:15, 17, 19–21).

Dita që Jezusi u lind, ishte një ditë e çlirimit për besimtarët në Botën e Re. Drita, si shenja e lindjes së Shpëtimtarit, me të vërtetë e shpëtoi jetën e tyre.

Vdekja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit

Tani, vëllezër e motra, përfytyroni se më shumë se 30 vjet kanë kaluar dhe ju po i afroheni tani moshës 50-vjeçare. Ju ende mund të mbani mend plot gjallëri mësimet e dhëna nga Samueli dhe përvojat tuaja si adoleshentë kur u dha shenja e lindjes së Zotit.

Një nga shenjat e vdekjes së Krishtit, e parathënë nga Samueli, ishte tri ditë errësire të thellë (shih Helaman 14:27; 3 Nefi 8:3).

“Dhe ndodhi që mbi gjithë faqen e tokës pati një errësirë të plotë, kaq sa banorët që ishin në të, që nuk kishin rënë, mund të ndienin avullin e errësirës.

Dhe për shkak të errësirës nuk ishte e mundur të kishte dritë, as qirinj, as pishtarë; as nuk mund të ndizej zjarr … , kështu që nuk kishte mundësi fare të kishte ndonjë dritë;

Dhe as që shihej ndonjë dritë, as zjarr, as ndonjë dritë e zbehtë, as dielli, as hëna, as yjet, pasi kaq të rënda qenë mjegullat e errësirës që ishin mbi faqen e tokës.

Dhe ndodhi që zgjati për hapësirën e tri ditëve që nuk u pa dritë” (3 Nefi 8:20–23).

Si mund të kishte qenë të përjetonim këto tri ditë të errësirës së papërshkrueshme dhe më pas, pak kohë më vonë, të mblidheshim me grumbullin e 2.500 njerëzve tek tempulli në tokën e Begatisë? A mund ta përfytyroni madhështinë e çastit kur Shpëtimtari zbriti nga qiejt dhe shpalli: “Vini re, unë jam Jezu Krishti. … Unë jam drita dhe jeta e botës”? (3 Nefi 11:10–11; shkrimi kursiv i shtuar).

Dretjuar këtij kuvendi të veçantë në tempull, fjala e parë që Shpëtimtari përdori për ta përshkruar veten e Tij, ishte “drita”. Samueli parashikoi një shenjë drite. Shenja e dritës u dha në lindjen e Shpëtimtarit. Për njerëzit në grumbullin e mbledhur, errësira e tmerrshme dhe frika ishin shpërbërë nga drita e vërtetë, madje Jezu Krishti.

Rrëfimi i Krishtlindjes së parë në Librin e Mormonit na ndihmon të mësojmë dhe të kuptojmë më tërësisht se Jezu Krishti është “drita që shkëlqen në errësirë” (shih DeB 10:57–61). Në çdo stinë të jetës sonë, në të gjitha rrethanat që mund të hasim dhe në secilën sfidë me të cilën mund të përballemi, Jezu Krishti është drita që e shpërbën frikën, jep siguri e drejtim dhe shkakton paqe e gëzim jetëgjatë.

Shumë prej traditave tona mbresëlënëse dhe jetëgjata të Krishtlindjes përfshijnë lloje të ndryshme të dritave – dritat në pemë, dritat brenda dhe jashtë shtëpive tona, qirinjtë mbi tavolinat tona. Na kujtofshin dritat e bukura të çdo stine festimesh për Atë që është burimi i të gjithë dritës.

Prap’ n’udh’t e tua t’errta

Ndrin Drit’ e përjetshme.

Shpresat, frika e gjith’ kohës

Mblidhen në Ty sonte.

(“O Qyteza e Bethleh’mit”, Himne, nr. 127).

Unë dëshmoj që Jezusi u lind në Bethlehem, në mënyrë ngadhënjimtare e përmbushi misionin dhe shërbesën e Tij në vdekshmëri dhe si Zoti ynë i ringjallur, Ai jeton sot. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.