Zemërgjeri
A nuk është një privilegj i mrekullueshëm këtë mbrëmje të bukur që të gëzojmë praninë e Profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson?
Krishtlindja është më e rralla e stinëve – stina kur ne i shohim të tjerët me sy të ripërtërirë, kur ne i hapim zemrat tona pak më shumë kundrejt bukurisë që na rrethon, dhe i ndihmojmë të tjerët me pak më shumë mirësi e dhembshuri.
Si të rritur, nëse jemi me fat, herë pas here mund të kapim për pak kohë një grimcë të asaj se si mund të ndihemi po të ishim edhe një herë fëmijë.
Mendimi se dikush që e duam, po bën diçka të veçantë për ne – dhe ngazëllimi ynë rreth gjësë së veçantë që po planifikojmë të bëjmë për ta – na e ngroh zemrën dhe na mbush me dashuri dhe pritshmëri. Shtojini kësaj dritat shkëlqyese, zbukurimet e këndshme, skenat mahnitëse të lindjes së Krishtit dhe nuk është çudi që Krishtlindja është një kohë kaq e dashur e vitit.
Dhe më pas, sigurisht, është muzika. Asgjë nuk e thekson kuptimin e thellë dhe shpirtin fisnik të stinës sa një këngë Krishtlindjeje. Qofshin meloditë të gëzueshme, të mendueshme apo nostalgjike, ka diçka rreth Krishtlindjes që frymëzon muzikë të lavdishme. Këto harmoni të mrekullueshme të Krishtlindjes i lartësojnë shpirtrat tanë dhe na kujtojnë për arsyen e gëzimit tonë.
Sot ne jemi shumë fatlumë të kemi mundësinë të dëgjojmë muzikën qiellore të luajtur nga Orkestra te Sheshi i Tempullit dhe Kori Mormon i Tabernakullit.
Muzika e luajtur nga ky grup është kaq sublime sa dëshiroj të mendoj që engjëjt e qiellit me raste vënë veshin për të dëgjuar dhe madje këndojnë me ta.
Kënga e Kambanave për Krishtlindje
Kori sapo këndoi një nga meloditë më të bukura, të shkruara ndonjëherë për Krishtlindjen, magjepsësen “Këngë të Kambanave për Krishtlindje”, e cila u këndua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1921.
Në zanafillë, ajo nuk ishte aspak një këngë Krishtlindjeje. Bazohej në një këngë folklorike njëshekullore ukrainase, të njohur si “Skedrik”, shpesh e përkthyer si “Zemërgjeri”.
Familjet ukrainase e këndonin këtë këngë në fillim të vitit të ri. Teksti origjinal tregon për një dallëndyshe që fluturon në shtëpinë e familjes dhe parashikon fatin e mirë, të mrekullueshëm që i pret ata gjatë vitit të ardhshëm.1
Më pëlqen ndjenja e kësaj historie.
E dua mesazhin e saj të shpresës dhe optimizmit.
A s’është ky mesazhi i Krishtlindjes? Edhe kur bota mund të shfaqet tërësisht e zymtë – kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, kur zemrat tona përmbyten me zhgënjim dhe shqetësim, madje në mes të trishtimit dhe hidhërimit – ne këndojmë “botës gëzim” dhe “njer’zve mir’si”2 për shkak të Krishtit, i cili erdhi “për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë”3.
Një Kohë Zemërgjerësie
Sa e përshtatshme, pra, që një nga këngët tona të dashura të Krishtlindjes që sapo e dëgjuam, në zanafillën e saj titullohej “Zemërgjeri”. Krishtlindja është, në fund të fundit, një kohë zemërgjerësie.
Të frymëzuar nga ai shpirt, ne nganjëherë harxhojmë orë duke kërkuar dhuratën e përsosur për t’ua dhënë shoqërisë sonë dhe familjeve tona. Ne kërkojmë mënyra për të qenë më të dobishëm dhe më të gëzuar. Ne nxitemi të kalojmë pak më shumë kohë me njerëzit që i duam. Ne bëhemi më të vetëdijshëm për njerëzit nevojtarë dhe shpesh japim nga vetja jonë më me zemërgjerësi për t’i ndihmuar ata. E gjithë kjo është jehona jonë e papërsosur, por e përzemërt, e zemërgjerësisë së Shpëtimtarit tonë, lindjen e të cilit kërkojmë ta nderojmë.
Por ne të gjithë e dimë se mjaft shpesh shpirti i Krishtlindjes mund të mbulohet dhe madje të humbet nga ritmi i çmendur dhe shtytjet për blerjet, faturat dhe oraret e ngarkuara plot.
Nuk dua që të nxit sjellje si të Grinçit, por më lejoni të them se disa nga kujtimet e mia më të shtrenjta të Krishtlindjes janë shkëmbimi i dhuratave, humbja në zhurmën e turmave dhe frekuentimi i ngjarjeve të gëzueshme, të vogla e të mëdha, që i sjellin njerëzit së bashku në këtë kohë të vitit.
Po, ka shumë arsye për t’u kënaqur me këto gjëra. Por sigurisht ka edhe shumë më tepër.
Prandaj e ftoj secilin prej nesh për të gjetur, gjatë kësaj stine të Krishtlindjes, një çast në qetësinë e shpirtrave tanë për të dalluar dhe ofruar mirënjohje të përzemërt ndaj “Zemërgjerit”.
Marrshim parasysh mëshirën mirëdashëse, bamirëse dhe të pakufishme të Atit tonë në Qiell.
Teksa bëjmë pazar për dhurata – teksa i japim dhe i marrim ato – gjetshim kohë gjithashtu për të menduar qetësisht për dhuratat e begata që Perëndia i ka derdhur mbi ne, fëmijët e Tij.
Dhurata e Mirënjohjes
Hamendësoj se është natyra njerëzore që i merr gjërat si të mirëqena – madje edhe gjërat me vlerë të madhe. Ky është një nga mësimet që e mësojmë prej historisë së dhjetë lebrosëve në kohën e Jezusit. Të goditur me një sëmundje gjithëpushtuese, që i kishte ndarë ata nga shoqëria, familja dhe jeta vetë, këta lebrosë të vuajtur u përgjëruan për shërim dhe e gjetën atë nga Biri i Perëndisë.
Siç e dini, pas kësaj mrekullie të lavdishme nëntë nga lebrosët shkuan në punën e tyre duke u gëzuar për fatin e tyre të mirë.
Vetëm njëri u kthye.
Vetëm njëri nga të dhjetët gjeti kohën për të shprehur mirënjohje. Vetëm njëri nga të dhjetët, “si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar.”4
Shprehje të tilla të përulura të mirënjohjes së kulluar mund të duken po aq të rralla sot, sikurse ishin në këtë ngjarje. Por kur ndodhin, ato e prekin zemrën tonë dhe na frymëzojmë të numërojmë vetë bekimet tona.
Një shembull për të cilin mësova, përfshinte një burrë që jetonte në Afrikë. Për shkak të një paaftësie, ky burrë nuk kishte qenë kurrë në gjendje të ecte. Ishte i detyruar ta kalonte shumicën e kohës në shtëpinë e prindërve të tij. Ai nuk mund të punonte; nuk mund të dilte jashtë me shokët e tij; nuk mund të bënte as edhe gjërat e thjeshta që ne i marrim kaq shumë si të mirëqena.
Pastaj ai dëgjoi diçka të mrekullueshme! Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po sillte karrige me rrota për invalidët te një veprimtari jo larg nga shtëpia e tij!
I kërkoi një shoku ta çonte te veprimtaria dhe atje ai pa teksa duzina burrash, grash dhe fëmijësh invalidë uleshin në karriget e reja shkëlqyese me rrota.
O sa donte të ulej në njërën prej atyre karrigeve! Si do të ndryshonte jeta e tij për një çast, në qoftë se mund të lëvizte përreth me anë të vetë fuqisë së tij!
Priti në radhë derisa më së fundi, erdhi radha e tij.
Dy burra e ngritën në karrige dhe, për herë të parë në jetën e tij, ai ishte në gjendje të lëvizte lirisht!
Fillimisht ai lëvizi përreth me ngurrim. Por teksa e mësoi përdorimin e karriges me rrota, ai po lëvizte me më shumë kurajë.
Kthehej, vërtitej dhe nxitonte. Ai përshëndeste me entuziazëm me të dyja duart teksa kalonte me të shpejtë shokun e tij.
Fluturonte!
Pamja në fytyrën e tij ishte një pamje gëzimi.
Megjithatë, pas njëfarë kohe, ai me ngadalë e ktheu karrigen tek të tjerët dhe me një shprehje dorëzimi të qetë ai u përgatit të ndihmohej për t’u zbritur nga karrigia.
“Çfarë po bën?” e pyeti shoku i tij.
Burri qeshi dhe mblodhi supet. “E ka radhën dikush tjetër tani”, tha ai.
Misionari humanitar i Kishës u ul në gjunjë pranë tij dhe i tha: “Kjo karrige me rrota është e jotja”.
Burri nuk mund ta besonte. Kishte hamendësuar që kjo veprimtari ishte vetëm për të treguar se si ishte të ecje në një karrige me rrota.
“A është vërtet e imja?” pyeti ai.
“Po.”
“Por unë s’kam para.”
“Është e jotja. Është një dhuratë nga njerëz që të duan.”
Kur filloi ta kuptonte realitetin e asaj që po ndodhte, ky burrë i përulur vështroi nga shoku i tij.
Vështroi nga misionari.
U përpoq t’i mbante lotët, por ishte e kotë. Dhe teksa qante, ai qeshte me një gëzim të plotë për atë që ndiente.
Shoku i tij dhe misionari derdhën lot me të.
“Faleminderit”, tha ai me një pëshpërimë.
Ai i përqafoi ata të dy, u rehatua në karrigen e tij dhe më pas me një “klithmë” gëzimi, u largua sërish me një buzëqeshje të madhe.
“Unë mund të fluturoj!” bërtiti ai teksa me të shpejtë ecte para-mbrapa në trotuar.
Ky burrë e kuptonte mirënjohjen.
Hiri i Perëndisë
A kemi ndier ndonjëherë mirënjohje të tillë të kulluar, të padyshimtë? Gjatë kësaj stine të Krishtlindjes dhe gjatë gjithë vitit, unë lutem që ne do ta kujtojmë Zemërgjerin – Perëndinë tonë, Atin tonë, Bariun dhe Këshilltarin tonë të dashur.
Sepse Ai është Dhuratë-Dhënësi!
Ai është Zemërgjeri!
Kur ne, fëmijët e Tij, lutemi për bukë, Ai nuk do të na japë një gur.5 Përkundrazi, Ai na dhuroi dhurata kaq të madhërishme dhe kaq të çmuara sa ato e kapërcejnë aftësinë tonë për t’i kuptuar tërësisht dhe madje për t’i përfytyruar. Ai na dha:
-
Paqe.
-
Gëzim.
-
Begati.
-
Mbrojtje.
-
Përgatitje.
-
Përmbushje.
-
Shpresë.
-
Vetëbesim.
-
Dashuri.
-
Shpëtim.
-
Jetë të përjetshme.
Këtë sezon të Krishtlindjes ne festojmë sot dhuratën më të madhe të të gjithave, atë që i bën të mundura të gjitha dhuratat e tjera – lindjen e një foshnje në Bethlehem. Për shkak të Tij, “varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin. Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë.”6
Unë plot gëzim i jap falënderime Perëndisë për zemërgjerësinë e Tij.
Ai na shpëtoi nga vetmia, zbrazëtia dhe padenjësia.
Ai i hap sytë tanë dhe veshët tanë. Ai e ndryshon errësirën në dritë, hidhërimin në shpresë dhe vetminë në dashuri.
Ai na çliron nga një e kaluar e skllavërisë dhe egoizmit dhe e hap shtegun drejt një të tashmeje të qëllimit dhe një të ardhmeje të përmbushjes.
Ky është Ai të cilin e adhurojmë.
Ky është Perëndia ynë.
Ky është Zemërgjeri.
Ky është Ai që i do fëmijët e Tij kaq tërësisht sa Ai dha Birin e Tij të Vetëmlindur që të gjithë ata që e ndjekin Atë, nuk do të humbasin, por do të kenë jetë të përjetshme.7
Për shkak të Jezusit, Krishtit, ne kurrë nuk duhet të ndihemi si të huaj përsëri. Ne do të ngrihemi me të drejtët kur Ai të kthehet! Dhe për shkak të jetës së Tij të përsosur dhe flijimit të Tij të përjetshëm, një ditë ne mund të qëndrojmë me engjëjt e qiellit dhe do të marrim me ta një dhuratë të përjetshme.8
Kujtofshim, në këtë stinë të Krishtlindjes, Atin tonë zemërgjerë në Qiell dhe i dhënshim falënderime të ndiera dhe të përzemërta Perëndisë së Plotfuqishëm, i cili u ka dhënë të gjithë fëmijëve të Tij krahë për të fluturuar. Kjo është lutja ime e përulur dhe e sinqertë dhe ky është bekimi im i përzemërt për të gjithë në këtë kohë Krishtlindjeje dhe gjithmonë, në emrin e Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit, amen.