Biblioteka
Të Rrethuar nga Zjarri


Të Rrethuar nga Zjarri

Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë•4 gusht 2015

Vëllezër e motra, jam mirënjohës për mundësinë që t’ju flas në këtë transmetim. Ne jemi bekuar shumë që jemi këtu.

Dëshiroj të dini diçka që e ndiej në zemrën time, një dashuri të madhe për ju, të cilën e di se është një dhuratë nga Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht. E di se Ata ju duan dhe unë e di se Ata duan që unë t’ju shikoj sipas mënyrës se si Ata ju shohin dhe që t’ju dua sipas mënyrës që Ata ju duan. Dhe kështu Ata më kanë bekuar me këtë dhuratë. Lutem që ju do ta ndieni dashurinë e Tyre dhe dashurinë time sot.

Gjithashtu lutem që Fryma e Shenjtë do të jetë me ne kur marrim parasysh së bashku rrjedhojat e një mesazhi të thjeshtë. Mesazhi më ka ardhur mua personalisht, por e ndiej se duhet ta ndaj mesazhin edhe me ju. Ja cili është: Çfarëdo niveli të shpirtshmërisë që e gëzojmë tani në jetën tonë; çfarëdo shkalle të besimit në Jezu Krishtin që e kemi tani; çfarëdo force të zotimit e përkushtimit, çfarëdo shkalle të bindjes ose shpresës apo dashurisë hyjnore që ne e kemi; çfarëdo niveli të aftësisë dhe zotësisë profesionale që mund të kemi fituar, nuk do të jenë të mjaftueshme për punën që shtrihet përpara.

Vëllezër e motra, ju dhe unë kemi nevojë të jemi shumë më të mirë se sa jemi tani. Shkrimet e shenjta na mësojnë se bota tani është dhe do të jetë në rrëmujë. Ligësia dhe errësira do të shtohen. Prapëseprapë, në atë botë në errësim do të ketë dritë të shtuar hyjnore. Zoti Jezu Krisht ka një vepër të madhërishme për ne që ta bëjmë me brezin që po rritet. Ajo është një vepër më e madhërishme nga ç’kemi kryer ndonjëherë më parë. Zoti po punon me fuqi për ta forcuar mësimdhënien dhe të mësuarin në Kishën e Tij të vërtetë dhe të gjallë. Ai po e përshpejton punën e Tij dhe Ai po e përgatit tokën, mbretërinë e Tij dhe ne për kthimin e Tij.

Kjo e gjitha është pjesë e një modeli të bukur që e shohim nga fillimi i Rivendosjes. Në vitin 1820, Perëndia, Ati, iu shfaq me Birin e Tij, Jezu Krishtin, djaloshit Jozef Smith. Që nga ajo ditë në Korijen e Shenjtë, Jezu Krishti i ka ngritur Kishën e Tij dhe popullin e Tij rresht pas rreshti, parim pas parimi, hap pas hapi.

Ja se çfarë ka thënë Ai:

“Sepse unë do të ngre për veten time një popull të kulluar, që do të më shërbejë në drejtësi”1.

“Që vepra e mbledhjes së bashku të shenjtorëve të mi të mund të vazhdojë, që unë të mund t’i ngre ata në emrin tim mbi vende të shenjta; sepse koha e të korrës ka ardhur dhe fjala ime duhet të përmbushet.”2

“Populli im duhet të provohet në gjithçka, që ata të mund të përgatiten për të marrë lavdinë që unë kam për ta, madje lavdinë e Sionit.”3

Ky është modeli i Zotit: Ai po ngre, po lartëson dhe po e përgatit popullin e Tij dhe Kishën e Tij. Ky model është i dukshëm në kohën tonë në thirrjen e Presidentit Tomas S. Monson për ne të gjithë që të ngrihemi e të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë. Dëgjojini ftesat e tij për ne që të bëjmë më shumë dhe që të bëjmë më mirë në veprën e shpëtimit. Dëshiroj t’ju lexoj citime nga disa biseda të Presidentit Monson, të cilat i ka dhënë në konferenca të përgjithshme që nga koha kur u bë Presidenti i Kishës.

“Ne sërish e bëjmë atë ftesë të përzemërt: Kthehuni. Ne ju drejtohemi juve me dashurinë e pastër të Krishtit. … Atyre që janë të plaguar në shpirt ose që hasin vështirësi e ndiejnë frikë, ne ju themi: ‘Lejonani t’ju ngremë, t’ju bëjmë të gëzuar dhe t’jua qetësojmë frikën tuaj’.”4

“Nëse ndonjë prej jush ka rrëshqitur në vetëkënaqësi lidhur me vizitat tuaja të mësimit të shtëpisë … , më lejoni t’ju them se nuk ka kohë si koha e tanishme që ta përkushtoni përsëri vetveten.”5

“Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxisim, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë.”6

“Duke hyrë në fuqi menjëherë, të gjithë të rinjtë e denjë e të aftë, që kanë marrë diplomën e shkollës së mesme ose të barasvlerëshmen e saj, … do të kenë mundësinë të rekomandohen për shërbim misionar duke filluar nga mosha 18 vjeç në vend të moshës 19 vjeç. …

… Të rejat e afta e të denja, që kanë dëshirë të shërbejnë, mund të rekomandohen për shërbim misionar duke filluar nga mosha 19 vjeçe në vend të moshës 21 vjeçe.”7

“Sfida [jonë] është që të jemi shërbëtorë më të dobishëm në vreshtin e Zotit. Kjo gjen zbatim për të gjithë ne, cilado qoftë mosha jonë dhe jo vetëm për ata që po përgatiten për të shërbyer si misionarë me kohë të plotë, pasi secilit prej nesh i vjen urdhri për të shpërndarë ungjillin e Krishtit.”8

“Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të bashkohen së bashku, të punojnë së bashku, të mundohen së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij.”9

“Të dëshiruarit nuk do ta bëjë këtë gjë. Zoti pret të menduarin tonë. Ai pret veprimin tonë. … Ai pret përkushtimin tonë.”10

“Unë ju dëshmoj që bekimet tona të premtuara janë përtej çdo mase. Edhe pse retë e stuhisë mund të mblidhen, edhe pse shirat mund të derdhen mbi ne. … Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që mund të na mundë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.”11

Vëllezër e motra, kjo është thirrja e profetit për ne. Në Sistemin Arsimor të Kishës ajo do të thotë që neve na nevojiten shërbëtorë të besuar të Zotit, të përgatitur për të vepruar në seminaret e institutet, në kolegjet dhe universitetet e Kishës dhe në shkollat e Kishës. Çdo detyrë, çdo thirrje, çdo person në Sistemin Arsimor të Kishës është i rëndësishëm dhe secili prej nesh, duke më përfshirë edhe mua, duhet të jetë më i mirë sesa kemi qenë ndonjëherë.

Unë mendoj se ka dy arsye:

Arsyeja numër 1: Ne duhet ta edukojmë brezin e ri në mënyrë më të thellë dhe më të fuqishme sesa e kemi bërë ndonjëherë më parë ose sesa dikush e ka bërë ndonjëherë më parë.

Të mësuarit e thellë sjell “një rritje në … fuqinë për të ditur, për të bërë dhe për t’u bërë”12. Ajo do të thotë dituri e shtuar, por ajo do të thotë edhe kuptueshmëri e shtuar shpirtërore. Do të thotë aftësi dhe zotësi e shtuar për të vepruar. Do të thotë forcë e shtuar e karakterit, duke përfshirë integritetin moral, kurajën dhe mirësinë.

Të mësuarit e thellë është në thelb një përvojë shpirtërore. Brezi i ri do të mësojë me thellësi vetëm për aq sa fuqitë shëlbuese dhe forcuese të Krishtit të veprojnë në jetën e tyre, duke i pastruar, shenjtëruar dhe kualifikuar ata për të marrë hirin e Tij dhe dhuratat që Ai i ka përgatitur për ta. Ata duhet të punojnë me zell dhe të kërkojnë të mësojnë, por gjithashtu duhet të pastrohen nëpërmjet gjakut shlyes të Krishtit, me qëllim që të mund të marrin më shumë dritë dhe të mësohen nga Fryma e Shenjtë.

Mësimdhënia e frymëzuar që çon drejt të mësuarit të thellë, është gjithashtu një përvojë shpirtërore. Neve gjithashtu na nevojitej Shlyerja e Shpëtimtarit për të vepruar më fuqimisht në jetën tonë. Na nevojitet të kualifikohemi për dhuratat pastruese e shenjtëruese dhe bekimet e Shpirtit të Shenjtë dhe t’i marrim ato dhurata e bekime, me qëllim që ne të mund ta ndihmojmë brezin e ri që të mësojë më thellësisht.

Brezit të ri i nevojitet ky i mësuar i thellë, sepse bota me të cilën do të përballen, do të jetë si e madhërishme ashtu edhe e tmerrshme – do të ketë dritë e fuqi të shtuar nga qielli dhe do të ketë madje më shumë ligësi, rrëmujë dhe pështjellim të tmerrshëm. Atyre do t’iu duhet të rrënjosen në të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit, ungjilli do të duhet të jetë thellë në zemrat e tyre dhe atyre do t’iu duhet çfarë Presidenti Rasëll M. Nelson e ka quajtur besimi i patundur në Krishtin: “Përse na duhet një besim kaq i patundur? Sepse përpara kemi ditë të vështira. Në të ardhmen rrallë do të jetë e lehtë apo në modë që të jesh shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme. Secili prej nesh do të provohet. Apostulli Pal paralajmëroi se në ditët e mëvonshme, ata që e ndjekin Zotin me zell, ‘do të përndiqen’ [2 Timoteut 3:12]. Pikërisht ajo përndjekje mund ose t’ju dërrmojë deri në dobësi të heshtur, ose t’ju motivojë për të qenë më shembullorë dhe më të guximshëm në jetën tuaj të përditshme.”13

Arsyeja numër 2: Unë besoj se të rinjtë që do të na vijnë, do të jenë gati – dhe do të duan të marrin – më shumë sesa u japim atyre tani. Për më tepër, disa që vijnë do të kenë më shumë nevojë, sepse shtëpitë e tyre nuk u kanë siguruar as atë që dëshirojnë, as atë që iu nevojitet.

Nuk dua të them që të rinjtë kanë nevojë të enden nëpër shtigjet e ndërlikimit dhe të spekulimit. Atyre do t’iu duhen të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit, të dhëna mësim me dashuri të shtuar dhe me fuqi të shtuar nga Fryma e Shenjtë.

Më lejoni t’ju jap një shembull për një doktrinë të qartë e të thjeshtë që studentët tanë nevojitet ta mësojnë akoma më thellësisht. Gjatë shtatë viteve të fundit, UBJ-Ajdahoja ka kërkuar një kurs mbi familjen si pjesë të programit të tyre për Bazat Themelore. (Një kurs i tillë është pjesë e serive të reja Themeltare, i kërkuar prej të gjithë studentëve të institutit, kolegjit dhe universitetit për Sistemin Arsimor të Kishës.) Ngaqë të gjithë studentët e UBJ-Ajdahos e marrin këtë kurs, trupi mësimor ka pasur një pamje të asaj që është në mendjet dhe në zemrat e studentëve rreth doktrinës së martesës, sikurse paraqitet në proklamatën mbi familjen.

Ajo që kanë gjetur mësuesit, ka qenë shqetësuese. Shumë studentë, ndoshta 40 deri në 50 përqind, kanë në rastet më të mira një kuptueshmëri të paplotë dhe në rastet më të këqija një kuptueshmëri të gabuar për këtë doktrinë shumë jetike. Këta janë të rinj e të reja të mira, aktive, shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të cilët janë diplomuar nga seminari dhe të cilët nuk e kanë mësuar mjaftueshëm doktrinën e martesës as në shtëpi ose në seminar, apo në Shkollën e së Dielës ose në klasat e Të Rejave apo në klasat e kuorumeve të priftërisë dhe, në disa raste, as edhe në misionet e tyre.

Studentët jo vetëm që kanë nevojë për një dituri më të mirë për doktrinën e martesës, ata kanë nevojë ta kuptojnë atë në zemrën e tyre. Atyre iu nevojitet një dëshmi shpirtërore e vërtetësisë së saj dhe ata nevojitet të veprojnë mbi atë dëshmi në mënyrën që ata të përgatiten tani për të qenë bashkëshortë ose bashkëshorte dhe nëna ose etër në një familje të përjetshme.

Atyre gjithashtu iu nevojitet të dinë se si të flasin rreth doktrinës së martesës me miqtë e tyre dhe me njerëz të tjerë që mund të mos i kenë bindjet e tyre. Dhe atyre iu nevojitet të rriten në aftësinë e tyre për të bërë dallimin midis së vërtetës dhe gabimit. Atyre iu nevojitet besim i shtuar te Jezu Krishti dhe iu nevojitet shpresë më e madhe tek Ai.

Kjo është ajo që i nevojitet brezit të ri. Dhe kështu, çfarë na nevojitet neve të bëjmë?

Secili prej nesh nevojitet të bëjë atë që Zoti e dëshiron të bëhet në jetën tonë. Shpresoj që përvoja vijuese do të jetë e dobishme për ju, ndërkohë që përsiatni dhe luteni rreth asaj që Zoti dëshiron që ju të bëni:

Shumë vite më parë, gjatë një kohe shumë të vështirë në jetën tonë, unë u ndjeva i sulmuar nga kundërshtari. Në atë përvojë Zoti ma bëri tepër të qartë se duhej të bëja më shumë dhe të isha më i mirë. Më lejoni t’ju jap një përmbledhje të shkurtër.

Suja dhe unë ishim të martuar për mbi 30 vjet. Ne kishim qenë aktivë dhe të përfshirë në Kishë gjatë gjithë jetës sonë. Ne shërbenim në Kishë; ne e frekuentonim tempullin çdo javë; ne luteshim me fëmijët tanë, i studionim shkrimet e shenjta me ta dhe mbanim mbrëmje familjare të shtëpisë. Përpiqeshim të ishim shenjtorë të mirë të ditëve të mëvonshme. Dhe prapëseprapë, Zoti më tha: “Ti duhet të bësh më shumë”.

Një natë pata një ëndërr të tmerrshme. U ngrita me shumë ankth e shqetësim dhe rashë në gjunjë e iu luta Atit tim në Qiell për ndihmë. Teksa lutesha, më erdhi në mendje një fragment nga Efesianëve, kapitulli 6: “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore”14.

Në mëngjes e kërkova shkrimin e shenjtë dhe lexova këto vargje:

“Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit.”15

Kur i lexova fjalët “vishni gjithë armatimin e Perëndisë”, ndjeva një dëshmi të fuqishme të Shpirtit se kjo ishte përgjigjja ndaj lutjeve të mia. Më nevojitet të vishja të gjithë armatimin e Perëndisë, çdo pjesëz të tij.

Dhe kështu, Suja dhe unë folëm për kuptimin që mund të kishte ajo gjë dhe u lutëm për udhërrëfim. Mësova se na duhej t’i bënim vetes dy pyetje. Unë besoj se këto janë pyetjet përgjigjet e të cilave do të na drejtojnë të bëjmë atë që nevojitet për të bërë që të përgatitemi për atë që shtrihet përpara. Ja ku janë: 1) Çfarë po bëj që duhet ta ndaloj së bëri? dhe 2) Çfarë nuk po e bëj që duhet të filloj ta bëj?

Teksa i bëmë këto pyetje gjatë lutjes, ne morëm shumë përgjigje të veçanta. E ndryshuam mënyrën se si e kalonim kohën tonë, çfarë mjetesh të medias i lejonim në shtëpinë tonë, mënyrën se si shërbenim në tempull, se si i studionim shkrimet e shenjta, se si i shërbenim Zotit dhe shumë, shumë gjëra të tjera. Na nevojitej ta shtonim shpirtshmërinë tonë. Nëpërmjet këtij procesi të pendimit, Zoti Jezu Krisht na u afrua dhe na e ndryshoi jetën tonë. Ne e ndiem mëshirën e Tij, hirin e Tij, dashurinë e Tij dhe fuqinë e Tij. Nëpërmjet fuqisë së Tij të pashoqe, Ai i ndryshoi zemrat tona e mendjet tona dhe na ngriti tek Ai. E di se, nëse nuk do ta kishim dëgjuar atë që morëm dhe nuk do të kishim vepruar sipas saj, unë nuk do të isha thirrur të shërbeja në UBJ-Ajdaho dhe nuk do të isha duke qëndruar këtu përpara jush sot. Ishte një çast vendimtar në jetën tonë.

Vëllezër e motra, unë e di se po u flas shenjtorëve të denjë të ditëve të mëvonshme, të cilët i mbajnë besëlidhjet. Unë e di se ju jeni vërtet, vërtet të mirë dhe shumë, shumë të mirë në atë që bëni. Prapëseprapë e di nga vetë përvoja ime që na nevojitet t’i bëjmë vetes këto dy pyetje rregullisht. Na nevojitet të ndryshojmë dhe të pendohemi, me qëllim që Shlyerja e Krishtit të mund të veprojë edhe më fuqishëm në jetën tonë. Nëse e bëjmë këtë, Ati ynë Qiellor do të na bekojë me fuqi më të madhe shpirtërore. Unë e di që kjo është e vërtetë.

Dhe ai, besoj, është kyçi kryesor për t’u përgatitur për mundësitë dhe përgjegjësitë e madhërishme që shtrihen përpara nesh. Ka shumë gjëra praktike që do të na nevojitet t’i bëjmë. Do të na nevojitet të mendojmë shumë, të planifikojmë e veprojmë dhe të këshillohemi e përgatitemi për të bërë gjithçka që mundemi. Por do të jetë fuqia e Frymës së Shenjtë që do të sjellë të mësuarin e thellë, të dalluarin më të madh dhe fuqinë shëlbuese e forcuese të Krishtit në jetën e studentëve tanë.

Brezit të ri i nevojiten të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit, të dhëna mësim dhe të mësuara vetë me dashuri të shtuar, me fuqi shpirtërore më të madhe dhe me ndikim më të thellë në jetën e tyre. Unë besoj se ndikimi do të vijë ngaqë ungjilli i Jezu Krishtit do të jetë i rrënjosur më fuqimisht në zemrën tonë dhe në mendjen tonë dhe ngaqë Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm. Jeta jonë do t’i pasqyrojë më plotësisht e më tërësisht mësimet e Shpëtimtarit. Më pas – kur administrojmë programe ose zhvillojmë programe mësimore apo vëmë në zbatim metodat e reja, ose marrim në punë ose thërrasim e trajnojmë mësues të rinj, apo i këshillojmë studentët, apo planifikojmë për godina të reja, ose hapim një zonë të re apo hyjmë në një klasë për t’u dhënë mësim fëmijëve të Perëndisë – ne do të marrim zbulesën që na nevojitet dhe do ta bëjmë punën me dashurinë e pastër të Krishtit nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Brezi i ri do të mësojë thellësisht dhe ata do të ngrihen drejt përgjegjësisë!

E dimë se kjo do të ndodhë. E dimë se si përfundimisht kjo do të ndodhë. Zoti Jezu Krisht do të vijë dhe populli i Tij e Kisha e Tij do të përgatiten për ta pranuar Atë.

Kur mendoj për ju dhe për atë që do të bëni në mbretërinë e Perëndisë, unë mendoj për atë përvojë të mrekullueshme në 3 Nefi 17, kur Shpëtimtari i mblodhi fëmijët rreth Tij. Dëshiroj ta përfytyroni atë skenë në mendjen tuaj, sepse ju jeni në atë skenë. Prindërit i sjellin fëmijët e tyre të çmuar te Shpëtimtari. Ai i mbledh ata rreth Vetes; Ai është në qendër. Ai lutet për ta dhe prindërit e tyre në një mënyrë të mrekullueshme dhe Ai i bekon fëmijët një e nga një. Atëherë engjëj zbresin nga Qielli “sikur të ishin në … një zjarr”16 dhe u shërbejnë fëmijëve dhe ai zjarr i shenjtë i rrethon fëmijët.

Në një kuptim të fuqishëm, kjo është ajo që bëjmë në seminar dhe në institut. Me të vërtetë, ky është Sistemi Arsimor i Kishës. Prindërit i sjellin fëmijët e tyre te ne. Shpëtimtari është në qendër, thelbi i çdo gjëje që u ndodh fëmijëve. Ai lutet për ta dhe për ne; Ai është Avokati ynë tek Ati. Ne jemi engjëjt – ju jeni engjëjt – të cilët u shërbejmë atyre fëmijëve në zjarrin e shenjtë. Kjo, të dashur vëllezërit e motrat e mia, është cilët duhet të jemi.

Dhe kjo është cilët do të jemi, sepse ka një Perëndi në qiell. Ai është Ati ynë. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit. Ai jeton! Unë jap dëshmi për emrin e Tij të Shenjtë. E kam parë Atë të veprojë, e njoh mëshirën e Tij dhe hirin e Tij dhe e kam ndier dashurinë e Tij. Ai e ka të gjithë fuqinë për të na pastruar nga mëkati, për ta ndryshuar zemrën tonë dhe për të na ngritur e për të na forcuar që të bëhemi gjithçka që Ai na dëshiron të bëhemi. Unë e di se, nëse kthehemi te Krishti, i cili gjithmonë qëndron me krahët e Tij të shtrirë drejt nesh, Ai do të na bekojë për të qenë më të mirë dhe për të bërë më shumë në këtë, në punën e Tij të shenjtë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënimet

  1. Doktrina e Besëlidhje 100:16.

  2. Doktrina e Besëlidhje 101:64.

  3. Doktrina e Besëlidhje 136:31.

  4. Tomas S. Monson, “Shohim Pas dhe Ecim Përpara”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 90.

  5. Tomas S. Monson, “Barinj të Vërtetë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 68.

  6. Tomas S. Monson, “Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 69.

  7. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 4–5.

  8. Tomas S. Monson, “Ejani Bij t’Perëndis’”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 66.

  9. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 4.

  10. Tomas S. Monson, “To the Rescue”, Ensign, maj 2001, f. 49.

  11. Thomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 92.

  12. Kim B. Clark, “Learning and Teaching: To Know, to Do, and to Become” (këshilla të dhëna trupës pedagogjike në mbledhjen e tyre, UBJ–Ajdaho, 6 shtator  2011), byui.edu/presentations.

  13. Rusëll M. Nelson, “Të Përballosh të Ardhmen me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 35–36.

  14. Efesianëve 6:12.

  15. Efesianëve 6:10–11.

  16. 3 Nefi 17:24.

Shtyp në Letër