Së Pari [Kërko] të Fitosh Fjalën Time
Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë•4 gusht 2015
Parathënia
Jam mirënjohës që jam këtu dhe, së bashku me ju, unë kënaqem që jam pjesë e kësaj pune.
Gjatë përgatitjes për sot, e mbajta bisedën time para familjes sime dhe u kërkova përshtypjen e tyre … dhe ajo ishte pothuajse e gjitha e dobishme. Përshtypja që jam pak ngurrues t’jua tregoj sot – dhe që jam i sigurt se askush prej jush nuk e ka marrë ndonjëherë në klasë – është që Enin, bijën tonë 12-vjeçare, e zuri gjumi gati në gjysmë të bisedës. Prandaj, që të dy, ajo dhe unë po shpresojmë që kjo do të shkojë pak më mirë sot.
Në secilin prej dy viteve të shkuar, Vëllai Çad Ueb na ka ftuar t’i ndihmojmë studentët tanë për të pasur një përvojë të studimit të shkrimeve të shenjta në një mënyrë që e thellon besimin e tyre te Shpëtimtari.1 Vitin e kaluar më shumë studentë se ndonjëherë më parë i lexuan shkrimet e shenjta. Ata kaluan më shumë se 9 milionë orë2 në studimin vetjak të shkrimeve të shenjta. Ju faleminderit sinqerisht për përpjekjet tuaja!
Sot ne do të donim ta ripërtërinim atë ftesë. Ju lutemi, a do ta ndihmoni secilin student të seminarit dhe të institutit që të ketë një përvojë domethënëse duke studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë? Dhe ndërkohë që do të ketë sigurisht pjesë të Dhiatës së Vjetër që janë sfiduese për studentët tanë për t’i lexuar e kuptuar, unë çiltërsisht besoj se nuk është e nevojshme që ne të afrohemi tinëzisht nga pas studentëve tanë dhe ta “pëshpëritim [Dhiatën e Vjetër] në veshët [e tyre]”3.
Vëllai Ueb gjithashtu na ftoi të diskutonim mënyrën “se si mund të jemi akoma më të përqendruar në shkrimet e shenjta që i japim mësim”4. Ai bëri një seri pyetjesh rreth rolit që luajnë shkrimet e shenjta në mësimdhënien tonë. Shumë prej jush i kanë marrë parasysh ato pyetje me kujdes. Ju faleminderit! Sot, a mund të flasim për një çast rreth rolit që luajnë shkrimet e shenja në përgatitjen tonë për të dhënë mësim?
Në maj të vitit 1829, Jozef dhe Ema Smithi po jetonin në Harmoni të Pensilvanisë. Hajrëm Smithi kishte ardhur për vizitë dhe shpresonte të mësonte rreth rolit të tij në Rivendosjen që po shpalosej. Profeti i kërkoi Zotit dhe atij iu kujtua nga Ai se fjala “është e gjallë dhe e fuqishme, më e mprehtë se sa një shpatë me dy tehe”5. Shpëtimtari më pas i dha mësim Hajrëmit, dhe neve, një parim e një përparësi, ndërkohë që Ai vendosi një radhitje të rëndësishme për mësuesit: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit”6.
Ta Fitojmë Fjalën: Ajo Duhet të na Digjet Përbrenda Fillimisht
Përpjekjet tona për të dhënë mësim nuk fillojnë me përgatitjen e një mësimi ose marrjen parasysh se si mund të jepet, apo madje me shqyrtimin e programit mësimor. Përpjekjet tona për të dhënë mësim vërtet fillojnë ad fontes, ose “te burimi”7. Nuk ka përgatitje më të mirë për mësimdhënie sesa, sikurse tha Presidenti Marion G. Romni, të pirët thellësisht nga burimi ku uji del nga nëntoka.8 Nëse duam t’i japim mësim me fuqi shkrimet e shenjta, nëse duam që studentët tanë ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e një fragmenti, ai sigurisht duhet të fillojë me një emocion vetjak, të gjallë brenda nesh.9
Presidenti Romni këshilloi: “Që të bëhemi mësues të efektshëm të ungjillit … ne duhet të punojmë e studiojmë … derisa mësimet [e Zotit] të bëhen mësimet tona. Më pas ne do të përgatitemi që të flasim me fuqi dhe bindje. Nëse zgjedhim të ndjekim ndonjë shteg tjetër të përgatitjes … ne do të përfundojmë në dhënien e vetë ideve tona ose të disa ideve të një njeriu tjetër dhe ne [nuk kemi asnjë siguri për sukses].”10
Ta Fitojmë Fjalën: Për Çfarë të Kërkojmë në Studimin Tonë
Ndërsa ju dhe unë kërkojmë ta fitojmë fjalën në një mënyrë që shkrimet e shenjta të na digjen përbrenda, a mund të përmend dy ide të thjeshta që duhet të jenë standardi në veprimtarinë tonë?
Së pari, ka një hierarki mes të vërtetave dhe të mësuarit për ta dalluar këtë hierarki do të na bekojë ne dhe do t’i bekojë studentët tanë.
Së dyti, shkrimet e shenjta përmbajnë lidhjet, modelet dhe temat11, duke përfshirë simbole dhe shëmbëlltyra, mes të cilave më të rëndësishmet tregojnë drejt Shpëtimtarit.
Hierarkia e së Vërtetës
Për ta filluar, Plaku Nil A. Maksuell shkroi për një “shtresëzim mes të vërtetave” dhe se disa të vërteta janë të denja për besueshmërinë tonë, që është një fjalë që sugjeron besnikëri, ose bindje dhe ndershmëri:
“Diçka mund të jetë si e vërtetë ashtu edhe e parëndësishme. … Ne nuk duhet vetëm të dallojmë midis faktit dhe trillimit, por të dimë se cilat fakte janë të denja për besueshmëri.
Ungjilli i Jezusit e thërret vëmendjen tonë për realitetin që ka një shtresëzim mes të vërtetave; disa të vërteta janë thjesht dhe përjetësisht më të rëndësishme sesa të tjerat!”12
Shumica e fragmenteve të shkrimit të shenjtë përfshijnë njëfarë mase të hollësisë dhe hollësitë e frymëzuara që përfshihen, do të hedhin dritë mbi parimet13 që kanë për qëllim t’i shpjegojnë14.
Ne duhet të jemi studentë të shkëlqyer të të dyjave, si të hollësive ashtu edhe të doktrinës në shkrimet e shenjta. Është e rëndësishme të kuptojmë se hollësia e shkrimit të shenjtë, e dhënë mësim në mënyrë të veçuar nga doktrina dhe e mbështetur mbi vetë meritat e saj, thjesht informon. Mësimdhënie e tillë “nuk do të na bëjë dëm nëse shpirti gjendet atje, as nuk do të na ndihmojë nëse ai nuk gjendet”15. Nga ana tjetër, mësimdhënia që përfshin vetëm histori personale, këndvështrime vetjake dhe ndjenja të krijuara nga diskutimi, por së cilës i mungon përmbajtja e domosdoshme nga shkrimet e shenjta për të dhënë mësim të vërtetën dhe për të frymëzuar, në po atë mënyrë nuk godet në shenjë. Studentëve tanë do t’iu shërbehet më mirë nga mësuesit, të cilët janë studentë të shkëlqyer të shkrimeve të shenjta dhe të cilët e kuptojnë rolin thelbësor të Frymës së Shenjtë.16
I kam dëgjuar disa njerëz të flasin për “mësimdhënien shpirtërore”, së cilës i mungon dituria. Dhe i kam dëgjuar të tjerë të flasin për mësimdhënien plot dituri, së cilës i mungon shpirti që kthen në besim. Të vetëm, as mësimdhënia shpirtërore as thjesht dituria nuk i plotësojnë kërkesat e posaçme të arsimimit fetar. Vëllai Robert J. Methjus dikur tha: “Fjala ‘religion [fe]’ vjen nga një fjalë [latine] që do të thotë ‘të lidhesh’. Ajo lidhet me fjalën ligament, i cili i lidh muskulin me kockën. Feja ka për qëllim ta lidhë personin që e ka atë, tek Perëndia dhe tek gjërat e shenjta dhe të shenjtëruara.”17 Dhe kjo është çfarë arsimimi fetar duhet të bëjë për studentët tanë.
Hollësia e shkrimit të shenjtë shpesh vë në dukje të vërtetën e çmuar. Kur e vërteta jepet mësim me anë të dëshmisë, ajo fton zbulesën dhe Fryma e Shenjtë e zbaton Shlyerjen në jetën tonë18, duke e shtuar kthimin në besim te Shpëtimtari19 dhe zotimin tonë për ta ndjekur planin e Atit Qiellor.
Dhiata e Vjetër sigurisht përfshin “histori dramatike, zakone mahnitëse dhe stile letrare të bukura”20. Është e rëndësishme për ne që të kujtojmë, dhe për mësimdhënien tonë që të përçojë, se këto hollësi nuk janë qëllimi për fragmentin. Sikurse na është mësuar: “Shkrimet e shenjta janë shkruar për të ruajtur parimet”21. Këto parime të ungjillit “janë thelbi i zbulesave dhe qëllimi për zbulesat”22.
Më së fundi, edhe mes parimeve, ka një rend, sepse “parimet themelore të fesë sonë janë dëshmia për profetët dhe apostujt lidhur me Shpëtimtarin”23.
Veçimi i hollësive prej parimeve, si edhe të mësuarit për ta dalluar hierarkinë që ekziston, madje mes këtyre parimeve, do të jetë puna e një jete të tërë. Nëse e japim mësim çdo hollësi të historisë dhe të ligjit, dhe nëse e japim mësim çdo element të endjeve të Izraelit dhe e humbasim mesazhin e planit të Atit Qiellor dhe të Shlyerjes së Shpëtimtarit në Dhiatën e Vjetër24, ne nuk do ta kemi dhënë mësim mesazhin e Dhiatës së Vjetër.25
Pali sigurisht po më përshkruante mua dhe ndoshta disa prej studentëve tanë, kur tha se një vel mbetet “pa u hequr në leximin e dhiatës së vjetër”. Më pas ai dha një kyç për këtë dilemë kur tha se ky “vel anulohet në Krishtin” dhe se “kur [zemrat tona] të kthehen te Zoti, veli do të hiqet”26.
Nëse mësimdhënia jonë do të përqendrohet te Shpëtimtari27 dhe nëse mund ta ndihmojmë mendjen dhe zemrën e studentëve tanë që të kthehen tek Ai, veli do të hiqet në leximin e tyre të Dhiatës së Vjetër. Dhe, ndoshta më me rëndësi, teksa studentët tanë mësojnë ta kërkojnë Shpëtimtarin në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta, ata do të mësojnë një mësim paralel dhe do të fillojnë të mësojnë që ta kërkojnë Atë dhe gjithashtu dorën e Atit Qiellor në vetë jetën e tyre.
Një Shembull i Kësaj Hierarkie
Më lejoni të ndaj një sugjerim që do të na ndihmojë në dallimin e së vërtetës në shkrimet e shenjta: Zgjidhni një fragment, lexojeni atë dhe bëjini pyetjen vetes: “Cilat janë hollësitë në fragment?” Nënvizoni njerëzit, vendet, kohën dhe rrjedhën e ngjarjeve. Shihni kontekstin më të gjerë për fragmentin dhe nënvizoni të gjithë hollësinë kontekstuale që mund të gjeni. Sikurse e sugjeron manuali ynë, shënoni “thyerjet e natyrshme”28 ku toni ose përmbajtja ndryshon.
Tani shiheni fragmentin sërish dhe këtë herë pyeteni veten: “Cilat janë parimet ose të vërtetat që përmblidhen për zbatim29 dhe cila, nëse kuptohet, do të ‘[çonte] drejt bindjes’?”30 Studiojeni kontekstin më të gjerë doktrinor të fragmentit. Shenjojeni secilin parim ndryshe nga si i shenjuat hollësitë. Nëse parimet nënkuptohen31, përdorni kohë për t’i shkruar ato.
Ta bëni këtë me një përpjekje të ndërgjegjshme, do të jetë e vështirë fillimisht. Do të kërkojë përqendrim dhe kohë. Pjesë e bekimit të vënë në dispozicion në këtë disiplinë është që na fton për të bërë vazhdimisht pyetjen: “Cilat janë hollësitë në këtë fragment dhe cilat janë parimet që ato kanë për qëllim të na i mësojnë?”
Siç e kemi thënë tashmë, disa parime janë thjesht më të rëndësishme sesa të tjerët; ata ftojnë më shumë frymëzim, jetë dhe shpëtim, sepse ata tregojnë drejt Shpëtimtarit. Prandaj, shiheni sërish fragmentin, këtë herë përmes një këndvështrimi të ndryshëm, dhe bëni pyetjen: “Si është formuluar ky fragment32 që të më tërheqë vëmendjen drejt Shpëtimtarit? Çfarë ka atje që çon drejt një kuptueshmërie më të madhe, drejt mirënjohjes për Të dhe planin e Atit Qiellor dhe drejt mbështetjes tek Ai dhe tek ai plan?”
Më së fundi, me kujdes merrni parasysh atë që kanë thënë profetët modernë që do t’i shtonte ide, kuptueshmëri dhe frymëzim fragmentit.
Pas studimit në këtë mënyrë, kur i kthehemi vërtet programit mësimor, kuptueshmëria, sugjerimet dhe drejtimi shtesë, të dhëna atje, do të ndërthuren me këndvështrimin, frymëzimin dhe përvojën që e kemi pasur me shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Programi mësimor atëherë e pohon, përmirëson dhe e përforcon përgatitjen tonë për ta shpallur fjalën me fuqi.
Për shembull, kur ta studiojmë librin e Ruthit këtë vit, ne mund të shohim një histori të dhembshur të humbjes dhe besnikërisë. Ose, duke e marrë parasysh këtë hierarki të së vërtetës, ne mund të vëmë re se Ruthi kishte humbur bashkëshortin e saj, se ajo udhëtoi drejt Bethlehemit33 dhe ishte në Bethlehem ku ajo takoi Boazin. Më pas ne mund të vëmë re se Boazi u kujdes për nevojat e Ruthit, i dha asaj bukë dhe një gotë me uthull34, u bë ndërmjetësi i saj te porta e qytetit35 dhe atëherë, si i afërmi i saj, që fjalë për fjalë përkthehet “shëlbues”36, e bleu Ruthin37, e mori për bashkëshorten e tij38 dhe nuk mund të rrinte i qetë derisa të mund të thoshte: “U krye”39. Duke e ditur këtë, ne mund të fillojmë të ndiejmë dëshminë që ka për qëllim dashurinë dhe shëlbimin, si edhe lartësimin dhe frymëzimin nga të kuptuarit që i Afërmi i Madhërishëm40 bën po të njëjtën gjë për secilin prej nesh.
Ky është vetëm një shembull i thjeshtë i hetimit të shkrimeve të shenjta. Mësuesi i kujdesshëm më pas do ta ndihmojë secilin student për të mësuar që të ketë të njëjtën përvojë studimi për veten e tij ose të saj, ndërkohë që studenti bëhet i mbështetur shpirtërisht te vetja.41
Vëllezër e motra, në secilën faqe të shkrimit të shenjtë, ne bëjmë një zgjedhje që e ndikon fuqinë e mësimdhënies dhe të të mësuarit në klasat tona. Zgjedhja është kjo: Te cilat të vërteta do ta kthejmë mendjen, zemrën dhe besimin e studentëve tanë? Kjo zgjedhje sjell një ndryshim të jashtëzakonshëm në pjesën e fjalës që ata e marrin në të menduarin dhe të jetuarin e tyre.42 Nëse nuk jemi të zellshëm lidhur me këtë, nëse unë zgjedh që ta lejojmë grupimin më të vogël të së vërtetës që ta “mbizotërojë mësimdhënien time”, atëherë, sikurse dha mësim Presidenti Henri B. Ajring: “Unë tashmë pothuajse e kam nxjerrë veten jashtë betejës për ta ndihmuar një student t’i bëjë ballë detit të fëlliqur”43.
Lidhjet, Temat dhe Simbolet
Së bashku me njohjen e kësaj hierarkie të së vërtetës, një ide e dytë, e thjeshtë, që mund të ndihmojë në marrjen e fjalës nga ana jonë është që shkrimet e shenjta janë të mbushura me lidhje, tema dhe simbole. A mund t’ju jap një shembull të shkurtër të secilës nga Dhiata e Vjetër?
Lidhjet
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi se “një lidhje është një marrëdhënie ose një hallkë midis ideve, njerëzve, gjërave ose ngjarjeve”44.
Një lidhje që mund ta vëmë re, është ajo që Dhiata e Vjetër është plot me histori të suksesit e dështimit që jepen mësim duke i krahasuar pranë e pranë: Kaini dhe Abeli, Jozefi dhe vëllezërit e tij, Jakobi dhe Esau, Abigaila dhe Nabali e shumë të tjerë.
Presidenti Ajring vuri në dukje këtë kyç: “Në përshkrimin e dështimit gjendet shëmbëlltyra e udhës drejt suksesit. … Ciklet e përsëritura të rënies shpirtërore dhe të rigjetjes … mund të jenë shpresëdhënëse dhe udhëzuese për studentët tuaj.”45
Temat
Plaku Bednar gjithashtu shpjegoi se “temat janë cilësi ose ide të ndërthurura, të përsëritura dhe bashkuese, si fijet thelbësore të endura përgjatë një teksti”46. Një temë që mund ta vëmë re këtë vit, gjendet në këtë frazë: “Dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj”47.
Gjatë plagëve që e paraprinë çlirimin e tyre, si edhe mrekullive që e pasuan atë, fëmijëve të Izraelit iu thuhet se nëpërmjet këtyre gjërave ata “do të mëso[jnë] që unë jam Zoti”48.
Vrasja e Goliathit49, shërimi i Naamanit50, Elija dhe priftërinjtë e Baalit51 dhe përvojat e shenjta dhe solemne të Danielit me mbretin Nebukadnetsar52, të gjitha shënohen me qëllimin e shpallur “që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael”53.
Përgjatë librave të Psalmeve54, të Isaias55 dhe të Ezekielit56, në 17 libra të Dhiatës së Vjetër dhe mbi 80 herë të ndryshme, Jehova e përsëriti, theksoi dhe dha siguri që Izraeli dhe ne duhet ta shohim Atë dhe dorën e Tij në ngjarjet dhe mësimet e Dhiatës së Vjetër, kështu që ne dhe fëmijët tanë “[të mund të dimë] që nga lindja në perëndim … që … [u]në jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër”57.
Teksa studiojmë tema të shkrimeve të shenjta në klasat e reja themeltare të institutit58, shkrimet e shenjta do të jenë “thurur së bashku në mënyrë të tillë që, ndërsa [ne e] studiojmë me zell njërin, [do të] tërhiqe[mi] drejt tjetrit”59.Nëse shkrimet e shenjta vetë janë studimi qendror i këtyre klasave, ata do të “rriten së bashku” dhe do t’i sjellin studentët “në njohurinë e besëlidhjeve të [tyre]”60. “Procesi i kërkimit dhe i përcaktimit të temave të shkrimeve të shenjta”, tha Plaku Bednar, “na çon drejt … të vërtetave të përjetshme që e ftojnë dëshminë pohuese të Frymës së Shenjtë. … Kjo metodë e marrjes së ujit të gjallë nga rezervuari i shkrimeve të shenjta është metoda më kërkuese dhe më e saktë; ajo gjithashtu prodhon lartësimin më të madh shpirtëror.”61 Ajo do të kërkojë më shumë nga ne si mësues, jo më pak.62
Simbolet dhe shëmbëlltyrat e Krishtit
Nga modelet e shumta në Dhiatën e Vjetër63, në mënyrë të veçantë një model e fton vëmendjen dhe përpjekjen tonë. Sigurisht, ai është të kërkuarit e dëshmive për Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Plaku Brus R. Mek-Konki tha: “Është … me vend që të kërkoni ngjashmëri për Krishtin kudo dhe t’i përdorni ato në mënyrë të përsëritur për t’i mbajtur Atë dhe ligjet e Tij si më kryesoret në mendjen tonë”64.
Fillimi i renditjes së simboleve dhe shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit është pothuajse i ngjashëm me numërimin e pikave të ujit në një lumë ose pjesëzave të dritës në një ditë me diell. Pas gjithçkaje, “çdo gjë që është dhënë nga Perëndia nga fillimi i botës ndaj njeriut, janë shenja që e tipizojnë atë”65.
Krijimi66, gjarpri prej brozi67, manaja68, çlirimi i Izraelit nga skllavëria egjiptiane nëpërmjet gjakut të një qengji, të lyer në arkitraun dhe shtalkat e dyerve të shtëpive69 dhe i gjithë ligji i Moisiut, me sistemin e tij të flijimeve dhe kujtuesve, projektohen në mënyrë të vetëdijshme dhe të dukshme si “mësuesi ynë për te Krishti”70.
Gatishmëria e Abrahamit71 për të flijuar Isakun72; titujt e Melkizedekut73 duke përfshirë “Princi i paqes”74; shpëtimi nga ana e Jozefit të po atyre vëllezërve që e shitën atë75; dhe çlirimi prej Moisiut76 i fëmijëve të Izraelit i bëjnë këto figura të “atij që duhej të vinte”77.
Adami ishte një burrë i pamëkat78, i cili, ndërkohë që ishte në kopsht, zgjodhi vullnetarisht79 ta jepje jetën e tij që ne të mund të jetonim80.
Mbreti “mendonte ta vendoste [Danielin] mbi tërë mbretërinë”, “sepse ai kishte një frymë më të lartë”81. “Prefektët dhe satrapët”82, njerëzit në pozita të autoritetit, të cilët e urrenin Danielin, “kërkuan të gjenin një pretekst kundër [tij] … por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst”83. Atëherë këta njerëz të ligj “u mblodhën … [e] u konsultuan bashkë”84 dhe ndërkohë, Danieli shkoi në vendin ku ai dëshironte të shkonte85 dhe atje u lut86. Pasi e mësoi gjithë këtë, mbreti “d[onte] në zemër të vet ta çliro[nte Danielin]”87. Dhe atëherë, pasi Danielin e dërguan drejt vdekjes së tij të sigurt, [ata] “sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës”88. Vetëm për t’u pasuar nga zgjimi i mbretit “shumë herët dhe [vajtja] me nxitim në gropën e luanëve”89 për të zbuluar atje se një engjëll kishte qenë i pranishëm90 dhe se “Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim”91.
Alfred Edershaimi tha se e tërë Dhiata e Vjetër ka për “qëllim që të tregojë drejt Krishtit. … Nuk është vetëm ligji, i cili është një mësues për [Të], as simbolet, që janë shëmbëlltyrat e [Tij], as edhe profecitë, që janë parashikuar për [Të]; por e tërë historia e Dhiatës së Vjetër është plot me Krishtin. … Një gjë rrjedh nga kjo: vetëm që … studimi i Shkrimeve të Shenjta mund të jetë i mjaftueshëm ose i dobishëm nëpërmjet asaj që mësojmë për ta njohur [Shpëtimtarin].”92
Gjatë gjithë orëve tuaja mësimore dhe madje në shtëpitë e familjet tuaja, ju lutemi, a do të shpenzoni kohë për t’i pyetur studentët dhe fëmijët se çfarë po mësojnë dhe se si i ndihmon kjo ata që t’i kuptojnë Atin Qiellor e Shpëtimtarin dhe të mbështeten tek Ata? Dhe që nga dita e parë fare e klasës, ju lutemi, a do t’u mësoni studentëve tuaj që me dëshirë të kërkojnë për këta dëshmitarë të madhërishëm që janë qëllimi i ndërgjegjshëm i këtyre autorëve të frymëzuar?
Përfundimi
Vëllezër e motra, shkrimet e shenjta kanë një rol të pazëvendësueshëm në mësimdhënien tonë, si edhe në përgatitjen tonë për të dhënë mësim! Kujtoni këtë paralajmërim nga Presidenti Romni:
“Ne urdhërohemi t’ua japim atë që e marrim nga Zoti (shkrimet e shenjta) atyre që u japim mësim. Nganjëherë [ne mund] të përpiqemi të japim mësim pa marrë fillimisht. …
“… [Ne mund të duam] të shkojmë e të predikojmë përpara se [t’i japim] Zotit mundësinë për të [na] përgatitur.”93
Sipas kësaj fryme, a mund t’u shtoj disa pyetje atyre që i morëm nga Vëllai Ueb vitin e shkuar dhe a mund të ftoj të gjithë ne që t’i marrim parasysh ato në përgatitjen tonë për të dhënë mësim?
•A fillon përgatitja ime për orën mësimore me hetimin e shkrimeve të shenjta?
•A gjej unë kënaqësi94 në shkrimet e shenjta që po i jap mësim sot, dhe a janë ato “një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia”95?
•A i kuptoj si hollësitë ashtu edhe doktrinën që shkruesi i frymëzuar dëshironte që unë t’i vija re dhe t’i kuptoja?
•A i kam hetuar fjalët e profetëve për theksimin, këndvështrimin dhe dëshminë e tyre rreth një fragmenti?
•Dhe në çdo rast, a i kam kërkuar e gjetur mënyrat se si fragmenti dëshmon për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij?96
Qoftë fjala më e mprehtë sesa një shpatë me dy tehe97 në klasat tona, sepse shkrimet e shenjta digjen brenda nesh! Paçim vendosmërinë për t’i dalluar hollësitë nga doktrina e denjë për besueshmëri! Dhe i ndihmofshim studentët tanë që të mësojnë për t’i zbuluar dëshmimet e bukura të shkrimeve të shenjta për planin e Atit Qiellor dhe për Birin e Tij më të Dashur!98
Unë ia shtoj dëshminë time dëshmive tuaja, veçanërisht për dashurinë e Atit Qiellor99, e shfaqur dhe e vënë në dispozicion nëpërmjet Shlyerjes së mrekullueshme të Birit të Tij. Dhe unë shpreh mirënjohjen time për privilegjin mbresëlënës të të qenit pjesë e Rivendosjes së mrekullueshme, e cila ndihmon për ta bërë të njohur emrin e Tij në të gjithë tokën përgjithmonë”100. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 6/15. 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i “First Seek to Obtain My Word”. Albanian. PD10054335 101