Biblioteka
Kujtoni dhe Veproni


Kujtoni dhe Veproni

Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë•4Gusht 2015

Në një konferencë të përgjithshme, Plaku Marlin K. Xhensen tha: “Nëse u kushtojmë vëmendje të kujdesshme përdorimeve të fjalës kujtoj në shkrimet e shenjta, ne do të dallojmë se të kujtuarit sipas mënyrës që Perëndia e ka synim, është një parim themelor dhe shpëtues i ungjillit”. Si shërben të kujtuarit si një “parim themelor dhe shpëtues”? Plaku Xhensen vazhdoi duke thënë: “Kjo është e tillë ngaqë këshillimet profetike për të kujtuar janë shpesh thirrje për të vepruar: për të dëgjuar, për të parë, për të bërë, për t’u bindur, për t’u penduar”1.

Ne kemi një shembull të kësaj gjëje të shënuar në Librin e Mormonit. Helamani i kishte quajtur bijtë e tij Nefi e Lehi dhe u tha atyre përse:

“Vini re, unë ju dhashë emrat e prindërve tanë të parë, që dolën nga toka e Jeruzalemit; dhe këtë gjë e bëra, që kur ju të kujtoni emrat tuaj, të mund të kujtoni ata; dhe kur t’i kujtoni ata, ju mund të kujtoni veprat e tyre; dhe kur t’i kujtoni veprat e tyre, ju mund të dini siç është thënë dhe gjithashtu shkruar, që ato qenë të mira.

Prandaj, bijtë e mi, unë do të doja që ju të bëni atë që është e mirë.”2

Kjo është një mënyrë se të kujtuarit mund të shërbejë si një parim themelor dhe shpëtues. Kjo mund të na ndihmojë të veprojmë në mënyra të duhura dhe të drejta. Për atë arsye ne nxitemi në Kishë që t’i kujtojmë ata që kanë shkuar përpara nesh: njerëzit në historitë tona familjare, njerëzit në historinë e Kishës, njerëzit në shkrimet e shenjta dhe, më e rëndësishmja, të kujtojmë Vetë Shpëtimtarin.

Një e re judease, e cila vdiq gjatë përndjekjeve të Luftës  II Botërore, dha një përshkrim të bukur të mënyrës se si njerëzit e së kaluarës mund ta bekojnë jetën tonë. Ajo shkroi: “Ka yje drita e të cilëve është e dukshme nga toka edhe pse ata janë shuar prej kohësh. Ka njerëz shkëlqyeshmëria e të cilëve vazhdon ta ndriçojë botën edhe pse ata nuk janë në mes të të gjallëve. Këto drita janë veçanërisht të ndritshme kur nata është e zymtë. Ata e ndriçojnë udhën për njerëzimin.”3

Ky parim gjithashtu zbatohet për historinë e seminareve dhe të instituteve. Ka shumë në historinë tonë që ia vlen të kujtohet. Më së fundi, një histori e Seminareve dhe Instituteve të Fesë është shkruar. Ne jemi të lumtur që të shpallim se në një të ardhme të afërt një kopje e shtypur ose në internet e kësaj historie do të jetë në dispozicion për secilin prej jush. Ne shpresojmë se ajo do të lexohet dhe bëhet një burim i rëndësishëm në studimin tonë individual dhe kolektiv. Kjo histori mund të na ndihmojë të mësojmë nga individët që i bënë Seminaret dhe Institutet e Fesë organizatën që ajo është sot. Ne qëndrojmë mbi supet e tyre dhe gëzojmë një trashëgimi të pasur që ata na e kanë lënë. Dhe, edhe pse shumë kanë vdekur prej kohësh, ata ende mund të shërbejnë si drita udhërrëfyese teksa lëvizim drejt së ardhmes. Ne shpresojmë se duke i kujtuar ata, ne do të arrijmë të kujtojmë veprat e tyre dhe të veprojmë vetë.

Për pak çaste këtë mëngjes, unë do të dëshiroja të tregoja disa ndodhi nga historia jonë. Ato tregohen me shpresën se duke kujtuar ata mbi supet e të cilëve qëndrojmë, ne do të duam t’iu përngjasojmë atyre – si dëshirave të tyre ashtu edhe përpjekjeve të tyre.

Në bisedën e tij “Udha e Shënuar e Kishës për Arsimin”, Presidenti J. Ruben Klark i Riu tha se kërkesa e parë për një arsimtar të fesë ishte një dëshmi vetjake “se Jezusi është Krishti dhe se Jozef Smithi ishte profeti i Perëndisë”4. Kjo dëshmi ka siguruar shtytjen për shumë arsimtarë besnikë të fesë dhe familjet e tyre që të ndërmarrin detyra të vështira e të parehatshme dhe të sakrifikojnë shumë nga ambicia dhe rehatia vetjake. Ata janë shembuj sikurse Presidenti Gordon B. Hinkli, i cili tha për veten e tij: “Nuk e di se si ta bëj ndonjë gjë veçse duke rënë në gjunjë dhe duke u përgjëruar për ndihmë e më pas duke u ngritur në këmbë dhe duke shkuar në punë”5. Një njeri i tillë ishte Rei L. Xhonsi, të cilit iu kërkua të fillonte programin e seminarit herët në mëngjes për Kishën.

“Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit të vitit 1950, 10 presidentë kunjesh nga zona e Los Anxhelosit u takuan me Plakun Jozef Filding Smith për të diskutuar mundësinë e ngritjes së njëfarë programi të seminarit për rininë në zonën e tyre.” Ata nuk ishin të sigurt se si ta bënin këtë përderisa udhëzimi fetar gjatë orëve të lira mësimore nuk lejohej nga shteti.

Frenklin L. Uesti, komisioneri i Kishës për arsimin, kishte dëgjuar për disa klasa seminari në Juta që po mbaheshin përpara orëve shkollore dhe e pa këtë si një zgjidhje të mundshme për kërkesën nga Kalifornia Jugore. Komisioneri “i kërkoi Rei L. Xhonsit, një drejtori të një seminari në Logan [të Jutas], nëse ai do të merrte parasysh udhëtimin për në Kaliforni që ta fillonte programin. I rehatuar në detyrën e tij të atëhershme dhe duke u vendosur në një shtëpi të sapoblerë, Vëllai Xhons shprehu dyshim nëse ai duhej të ishte burri për ta filluar programin.”

I shqetësuar që të fillohej programi, Komisioneri Uest sugjeroi që Vëllai Xhons mund ta linte familjen e tij në Logan dhe thjesht të ‘shkonte-vinte’ herë pas here nga Los Anxhelosi [një largësi më shumë se 1.120 kilometra]. Vëllai Xhons më së fundi ra dakord të lutej rreth çështjes. Pasi kaloi ca kohë duke u menduar, ai vendosi ta shiste shtëpinë e tij në Logan dhe të lëvizte në mënyrë të përhershme në Los Anxhelos për ta filluar programin.”6

Sikurse Nefi, i cili tha: “Dhe unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja”7, Rei L. Xhonsi u nis drejt Kalifornisë Jugore.

Kisha nuk i siguroi fonde për udhëtimin e tij, kështu që Vëllai Xhons gjeti një punë për të ndihmuar në lëvizjen e një numri të madh gjedhësh që i transportonte kafshët nga Juta për në Kaliforni. Më së fundi ai e zhvendosi familjen e tij në Los Anxhelos dhe ndihmoi që të organizohej një këshill vendor i arsimit. Si president kunji në atë zonë, Hauard W. Hanteri shërbeu si kryetar i këshillit dhe pjesën tjetër të historisë mund ta merrni vetë me mend.8 Ajo që filloi në vitin 1950 me 195 studentë në shtatë klasa, është bërë në 65 vjet, më shumë se një çerek milioni studentë në 136 vende.

Ai shpirt përkushtimi dhe sakrifice është shfaqur shumë shpesh në zemrat e arsimtarëve fetarë në çdo pjesë të botës. Dëgjoni këtë rrëfim nga një prej arsimtarët tanë fetarë në Mongoli, i cili e dëgjoi këshillën e udhëheqësit të tij të priftërisë dhe iu fut punës në rrethana të vështira për ta bërë atë të ndodhte:

Odgerel Oçirjavi, një i kthyer në besim në Kishë, mori një doktoratë në pylltari dhe po punonte si punonjës shkencor në Mongoli kur atij iu kërkua të punonte me kohë të plotë si bashkërenduesi i seminarit dhe institutit. Ai fillimisht nuk e pranoi ofertën, por më së fundi ra dakord. Në nëntor të vitit 2008, Vëllai Oçirjav dhe drejtori i tij i zonës, Patrik Çeuku, patën një mbledhje me presidentin e misionit. Presidenti pyeti përse klasat e seminarit herët në mëngjes nuk po mbaheshin në Mongoli. Vëllai Oçirjav u përgjigj: “President, kjo është Mongolia. Është ftohtë, errësirë, me qenë të rrezikshëm dhe pa transport publik.” Një vit më vonë ata të tre u takuan sërish dhe presidenti i misionit bëri të njëjtën pyetje. Vëllai Oçirjav përsëri u përgjigj: “Është ftohtë, errësirë, me qenë të rrezikshëm dhe pa transport publik”. Pas mbledhjes, Vëllai Çeuk e mori mënjanë Vëllanë Oçirjav dhe i tha: ‘Odgerel, kur udhëheqësi yt i priftërisë të kërkon që [ta bësh] diçka, ti duhet të veprosh sipas asaj!’ Si përgjigje, Vëllai Oçirjav tha: “Patrik, ti nuk i kupton errësirënmongoliane, të ftohtën mongoliane, qentë mongolianë dhe mungesën e transportit publik!” Kështu mbaroi bashkëbisedimi.

Pak kohë pas kësaj, Vëllai Oçirjav po lexonte Doktrinën e Besëlidhjet seksionin 85:8 dhe fraza ‘për ta bërë të qëndrueshme arkën’ i tërhoqi vëmendjen. Ai … lexoi një thënie nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei [në manualin e institutit] që tha se ata që përpiqen për ta ‘bërë të qëndrueshme arkën’, shpejt vdesin shpirtërisht. Vëllai Oçirjav më vonë shkroi: ‘Duke mos dashur që ta humbisja Shpirtin, unë fillova të punoj për një program të seminarit herët në mëngjes për Mongolinë. Çuditërisht, udhëheqësit tanë vendorë të priftërisë ishin entuziastë rreth idesë.’”9 Në shtator të vitit 2009, ata filluan me 140 studentë dhe deri në mars, 352 studentë po e frekuentonin, duke i bërë ballë me guxim dimrit më të ftohtë në 30 vjet – një dimër ku temperatura mesatare ishte minus 32 gradë celsius.

Në një konferencë të përgjithshme, Peshkopi Viktor L. Braun tha: “Në botë, shumë organizata, qeveri, madje kisha, madje familje e kanë humbur mjaft prej gjallërisë së tyre ngaqë kanë frikë t’u kërkojnë njerëzve të tyre për të sakrifikuar. Është jetike që ne të mos e bëjmë të njëjtin gabim.”10

Lejomëni të përdor një çast dhe t’ju falënderoj, në emër të administratës, për sakrificat që ju të gjithë po i bëni. Shumë prej gjërave më domethënëse që i bëni për t’i bekuar të rinjtë, nuk vihen re dhe nuk shfaqen kurrë në një reportazh. Më duket se ai shërbim dhe ajo sakrificë vazhdojnë ta gjallërojnë organizatën tonë. Ju faleminderit. Sikurse këndojmë në një prej himneve tona, sakrifica juaj “sjell[të] të qiellit bekime”11 mbi ju dhe mbi njerëzit tuaj të dashur.

Programet e suksesshme të seminarit dhe institutit gjithmonë kanë kërkuar që arsimtarët fetarë të kenë marrëdhënie të mira pune me të tjerët, duke përfshirë prindërit, udhëheqësit e priftërisë, personelin e shkollës dhe anëtarët e komunitetit. Sjellja dhe puna jonë me të tjerët gjithmonë duhet të jenë një shembull i Shpirtit të Krishtit dhe ungjillit të Tij.

Plaku Robert D. Hejls ka thënë: “Mënyra se si i trajtojmë anëtarët e familjes sonë, fqinjët, bashkëpunëtorët tanë të biznesit dhe të gjithë ata që i takojmë, do të zbulojë nëse e kemi marrë mbi vete emrin e Tij dhe nëse vërtet gjithmonë e kujtojmë Atë”12. Një shpirt i tillë u shfaq nga drejtori i institutit të parë fare, Vëllai J. Uajli Seshëns.

Pasi kishin shërbyer për shtatë vjet si presidenti i misionit të Afrikës Jugore, Vëllait dhe Motrës Seshëns iu kërkua nga Presidenca e Parë që të lëviznin në Moskau të Ajdahos për të filluar programin e institutit. “Ndërkohë që anëtarët e Kishës në [Moskau të Ajdahos] e mirëpritën Vëllanë Seshëns dhe familjen e tij, shumë grupe të komunitetit i panë ata me dyshim. Natyra e paqartë e detyrës së tij në Moskau e shtoi nivelin e mosbesimit. … Disa njerëz vendorë të biznesit madje caktuan një komitet që ta vëzhgonte atë dhe të sigurohej që ai nuk e ‘mormonizonte’ universitetin.”

Vëllai Seshëns u bashkua me disa organizata të komunitetit në një përpjekje “për t’u njohur me njerëzit që përndryshe nuk do të kishin qenë të gatshëm për të folur me të. Në një seri darkash të përdyjavshme, të mbajtura nga Dhoma e Tregtisë, ai bëri përpjekje që të ulej pranë [burrit i cili] ishte kryetari i komitetit të caktuar për ta kundërshtuar punën e tij. Në një nga këto darka, [ky burrë] tha: ‘… Ti je një njeri interesant. Unë u caktova në një komitet që të të mbanim jashtë Moskaut dhe çdo herë që të shoh, ti vjen këtu kaq miqësor sa unë të pëlqej gjithnjë e më shumë.’ Vëllai Seshëns u përgjigj: ‘Unë ndihem në të njëjtën mënyrë. Ne thjesht duhet të bëhemi miq.’ Vëllai Seshëns më vonë kujtoi se ky burrë u bë një nga miqtë e tij më të mirë gjatë qëndrimit të tij në Moskau.”13

Në Doktrinën e Besëlidhjet, Zoti tha: “Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri”14. Ne nuk mund ta bëjmë punën e një arsimtari fetar nëse nuk nxitemi nga dashuria: një dashuri për Zotin, familjet tona, studentët tanë dhe njerëzit me të cilët punojmë.

Në vitin 1978, Plaku Gordon B. Hinkli i foli personelit arsimor të Kishës dhe tha:

Qoftë dashuria ylli juaj polar. Ajo është forca më e madhe në tokë …

Kultivoni … dashuri të thellë për ata të cilëve iu jepni mësim dhe veçanërisht për ata që duket të jenë kaq të vështirë për t’u arritur. Ata kanë më shumë nevojë për ju dhe për mrekullinë që do të hyjë në jetën e tyre teksa punoni me ta me një shpirt nxitjeje dhe mirësia do t’ju sjellë gëzim e kënaqësi juve gjatë gjithë ditëve tuaja dhe forcë, besim e dëshmi atyre.”15

Me raste, ne mund ta shohim të vështirë t’i duam studentë të caktuar ose të tjerë me të cilët punojmë. Çfarë, atëherë? Ne kemi në historinë tonë rrëfimin e një administratori të mëparshëm dhe vështirësinë që ai pati për t’i dashur ata me të cilët iu kërkua të punonte. Ju lutem vini re në këtë histori se çfarë e bëri atë më së fundi të kishte dashuri.

Ndërkohë që Kisha po përhapej në mënyrë ndërkombëtare, Seminaret dhe Institutet e Fesë hasën sfidën e sigurimit të arsimit fetar në vende, kultura dhe gjuhë të reja. Në fillimin e viteve 1970, administrata e Seminareve dhe Instituteve të Fesë u ristrukturua dhe ndihmësadministratorëve iu dhanë zona ndërkombëtare për të mbikëqyrur.

Frenk Dei, njëri nga ndihmësadministratorët, kishte shërbyer si ushtar i Marinës në Luftën II Botërore. Ai kishte luftuar në zonën e Paqësorit Jugor dhe ishte mësuar që ta urrente armikun. Vëllai Dei tani shqetësohej se mund të caktohej që të punonte me njerëzit në Azi.

Ashtu siç kishte pasur frikë, Vëllai Xho J. Kristensen, komisioneri bashkërendues për arsimin, i kërkoi që ai të mbikëqyrte zonën e Paqësorit Jugor dhe të Azisë. “Kur [Vëllai] Dei po fluturonte përmes oqeanit Paqësor drejt Japonisë, ndjenjat … që [kishte nga lufta] ende ishin të ndezura në zemrën e tij, edhe pse ai lutej sinqerisht që ato të mund të shuheshin. Teksa përgatitej të ulej në tokë, Vëllai Dei u pushtua nga një frikë e madhe. Ai kaloi përmes aeroportit … dhe iu afrua [presidentit të misionit]. Teksa e hodhi vështrimin në fytyrën e presidentit të misionit, ai pa vetëm dashuri dhe u pushtua nga ndjenjat e veta të dashurisë.” Të gjitha ndjenjat e tij të mëparshme negative u zhdukën.16

Vëllai Dei tha se ai u lut sinqerisht dhe Shpirti i Zotit solli dashuri në zemrën e tij, e cila nuk ekzistonte atje në mënyrë të natyrshme. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë. Mormoni këshilloi: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri”17.

Po ai Shpirt gjithashtu mund të na nxitë e lartësojë kur kemi çaste që ndihemi të vetmuar, të pavlerësuar ose të shkurajuar.

Bobi dhe Guenda Arnoldi morën detyrën që të lëviznin në Guatemalë dhe të fillonin programin e seminarit dhe të institutit atje. Vëllai Arnold përshkroi ndjenjat që ai i pati në një udhëtim të gjatë duke u kthyer në shtëpinë e tij pasi kishte përmbushur një detyrë pune: “Ishte ora dymbëdhjetë e gjysmë e natës ose ora një e mëngjesit. Rreth asaj kohe, pata këtë ndjenjë të tmerrshme vetmie që askush në botë nuk e dinte se ku isha. Familja ime mendonte se po flija diku. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara nuk kishin ide se çfarë po bëja unë. U ndjeva i vetmuar. Teksa ngisja makinën përmes një [zone të bukur me drurë], me qiellin plot me yje të shndritshëm, e hodha vështrimin lart dhe Shpirti më pëshpëriti: ‘Unë e di se ku je ti’. Vetmia u largua dhe derdha lot shumicën e pjesës së mbetur të rrugës për në shtëpi. Ndjenja e gëzimit dhe e paqes erdhi ngaqë e dija se Ati im në Qiell ishte i vetëdijshëm për mua dhe për çfarë po bëja.”18

Nëse historia e seminareve dhe instituteve na mëson ndonjë gjë, ajo sigurisht duhet të jetë që të kemi mirënjohje për privilegjin tonë të madhërishëm të shoqërimit me rininë besnike dhe besimtare të Kishës. Në çdo cep të botës këta studentë paraqesin një shpirt besimi e sakrifice. Për shembull, një i ri ngrihej në orën 3:15 çdo mëngjes që të mund të arrinte në kohë në seminar. Udhëtimi i tij kërkonte që ai të ecte deri te stacioni i autobusit, të udhëtonte me autobus për 15 minuta, të priste për një autobus të dytë, të udhëtonte me atë autobus dhe më pas të ecte katër blloqe për te ndërtesa e Kishës. Atij iu desh shpesh ta bënte këtë në shi dhe të ftohtë. Në fund të vitit, ai kishte mbi 90 përqind frekuentim dhe asnjë ardhje me vonesë.

Ju jap edhe një shembull për mënyrën se sa të mbushur me besim dhe se sa të përkushtuar mund të jenë studentët tanë.

Stiven K. Ajba, një ndihmësadministrator i mëparshëm, shërbeu si misionar në Filipine dhe më pas u kthye disa vite më vonë për të ndihmuar në fillimin e seminarit atje. Ai tregon për vizitën te një familje që e njohu kur ishte misionar – një familje në të cilën përfshihej “një bijë dymbëdhjetë vjeçe, plot gjallëri”, e quajtur Maria. Vëllai Ajba shkroi:

“Trokita në derën e shtëpisë … së tyre me blloqe betoni … dhe nëna u përgjigj. … I [thashë] përse isha kthyer dhe i shpjegova programin e seminarit të studimit në shtëpi.

Pyeta për Marien, e cila do të kishte qenë nëntëmbëdhjetë vjeçe. Nëna hapi perden që e ndante dhomën dhe atje, e shtrirë në shtrat, si një manekin, duke peshuar rreth njëzet e pesë ose tridhjetë kilogram, ishte Maria, në fazat e fundit të sëmundjes së kancerit. Ajo u ndriçua me atë buzëqeshje të mrekullueshme dhe ata sy shkëlqyes teksa eca drejt shtratit të saj.

Më pyeti nëse mund ta fillonte studimin e saj të seminarit. Asaj i kishin mbetur vetëm gjashtë muaj jetë dhe donte të ishte e përgatitur më mirë për t’u dhënë mësim të afërmve të saj në botën e shpirtrave. I premtova se sapo materialet të mbërrinin në Manila, ajo do të ishte e para që t’i merrte ato. Kur u ktheva një javë më pas, Maria ishte gati për të studiuar.

Babai i saj, tani anëtar [i Kishës] dhe presidenti i degës, kishte vendosur pasqyra mbi kokën e saj që ajo të mund të shihte lart dhe të lexonte e të shkruante. Për shkak të gjendjes së saj të ligështuar, ajo nuk mund të qëndronte ulur. Një javë përpara vdekjes së saj, … Maria përmbushi ushtrimin e fundit të studimit në shtëpi të Librit të Mormonit – nëntë muaj pune, njëmijë faqe ose më shumë, çdo fjalë, çdo hapësirë bosh.”19

Është shpresa jonë që teksa kjo histori vihet në dispozicion, ju do ta lexoni atë, do të përvetësoni mësimet që ajo mund të na i japë dhe – më e rëndësishmja – do të jini një hallkë e fortë në zinxhirin e historisë sonë të pashpalosur.

Presidenti Diter  F. Uhtdorf tha:

“Ndonjëherë ne mendojmë për Rivendosjen e ungjillit si diçka të përfunduar, tashmë të lënë pas. … Në të vërtetë, Rivendosja është një proces i vazhdueshëm; ne po jetojmë në të pikërisht tani. …

Kjo është një nga periudhat më mbresëlënëse të historisë së botës!”

Në këtë këndvështrim, Presidenti Uhtdorf na këshilloi të mos “flemë gjatë Rivendosjes”20. Ne duhet të jemi si mirënjohës ashtu edhe të përulur që na është dhënë privilegji i shenjtë i të ndihmuarit për ta shkruar këtë kapitull në historinë në vazhdimësi të Rivendosjes.

Ne jemi të gjithë dëshmitarë të mënyrës se si Zoti po e përshpejton punën e Tij për shpëtimin. Plaku Kuentin L. Kuk tha: “Shumica e punës së rëndë në përshpejtimin e punës së shpëtimit si për të gjallët dhe të vdekurit do të bëhet nga ju të rinj[të]”21. Si arsimtarë fetarë ne mund të ndihmojmë që t’i përgatitim ata për ta bërë atë punë të rëndë. Ne mund t’i ndihmojmë ata më mirë, sikurse sugjeroi Presidenti Ajring disa vite më parë, duke kërkuar më shumë prej tyre, jo më pak.22

Ndërkohë që studentët e ngrenë më lart të mësuarin e tyre me anë të frekuentimit të rregullt në orët mësimore, me anë të leximit jashtë orëve mësimore dhe me anë të pjesëmarrjes në detyrat e caktuara, ata do të përgatiten si asnjë brez tjetër i mëparshëm.

Autori i krishterë dhe një mbrojtës i krishtërimit, C. S. Ljuis, dikur shkroi: “Ngjarjet më të rëndësishme të çdo epoke kurrë nuk përfshihen në librat historikë”23. Për më shumë se njëqind vjet, në seminaret dhe institutet kanë qenë ata njerëz që kanë punuar qetësisht dhe kanë sakrifikuar për të ndihmuar që t’i sjellin të rinjtë te Krishti. Shumica e këtyre individëve dhe historitë e tyre kurrë nuk do të përfshihen në një libër, por ne kemi sigurinë që nuk kalohen pa u vënë re. “Engjëjt në qiell në heshtje shënojnë”24 dhe ka një libër që mbahet diku tjetër, i cili do të përfshijë vërtet çdo veprim – përfshirë tuajat – që po e ndihmon Zotin në përmbushjen e veprës së Tij.

Ne kemi folur për disa çaste sot rreth historisë sonë. Por teksa kthehemi dhe e hedhim vështrimin drejt së ardhmes, do të jetë mirë të kujtojmë një koment të bërë nga Plaku Xhejms E. Talmixh. “Profecia”, tha ai, “është një anal i gjërave përpara se të ndodhin. Historia është një anal i tyre pasi të kenë ndodhur; dhe nga të dyja, profecia duhet të besohet më shumë për saktësinë e saj sesa historia.”25

Dhe çfarë thotë profecia për të ardhmen tonë? Profeti Jozef Smith na tha: “Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; … E vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur deri sa të ketë përshkruar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo klimë, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar në çdo vesh, deri sa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye.”26

Zoti e bekoftë secilin prej nesh në përpjekjet tona për ta përdorur historinë tonë që të kujtojmë – dhe të veprojmë – ndërkohë që ndihmojmë për të bërë të ndodhë ngadhnjimin e lavdishëm të veprës së Zotit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënimet

  1. Marlin K. Jensen, “Remember and Perish Not”, Ensign ose Liahona, prill 2007, f. 36.

  2. Helamani 5:6–7.

  3. Hannah Senesh, cituar në Danel W. Bachman, “Joseph Smith, a True Martyr”, në Susan Easton Black dhe Charles D. Tate Jr., bot., Joseph Smith: The Prophet, the Man (1993), f. 330.

  4. J. Reuben Clark Jr., “The Charted Course of the Church in Education”, bot. i red. (1994), f. 6.

  5. Gordon B. Hinckley, cituar nga Russell M. Nelson, “Spiritual Capacity”, Ensign, nëntor 1997, f. 16.

  6. By Study and Also by Faith: One Hundred Years of Seminaries and Institutes of Religion (2015), f. 124.

  7. 1 Nefi 4:6.

  8. Shih By Study and Also by Faith, f.125–126.

  9. By Study and Also by Faith, f. 397–399.

  10. Victor L. Brown, “The Vision of the Aaronic Priesthood”, Ensign, nëntor 1975, f. 68.

  11. “Lavdi Njeriut”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 50.

  12. Robert D. Hales, “In Remembrance of Jesus”, Ensign, nëntor 1997, f. 25.

  13. By Study and Also by Faith, f. 66–67.

  14. Doktrina e Besëlidhje 12:8, 92.

  15. Gordon  B. Hinckley, “Four Imperatives for Religious Educators” (bisedë drejtuar mësuesve të fesë, 15 shtator 1978), f. 3–4, si.lds.org.

  16. Shih By Study and Also by Faith, f. 237–238.

  17. Moroni 7:48.

  18. Robert B. Arnold, cituar në By Study and Also by Faith, f. 244.

  19. Stephen K. Iba, “Our Legacy of Religious Education” (bisedë e padatuar dhe e pabotuar), 8; germëzimi dhe pikësimi të standardizuara.

  20. Diter F. Uhtdorf, “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?” Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 59, 62.

  21. Kuentin L. Kuk, “Rrënjët dhe Degët”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 46.

  22. Shih Henry B. Eyring, “Raising Expectations” (transmetim satelitor i trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 4 gusht 2004), si.lds.org.

  23. C. S. Lewis, The Dark Tower and Other Stories (1977), f. 17.

  24. “Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 34.

  25. James E. Talmage, The Great Apostasy (1958), f. 35.

  26. Joseph Smith, në History of the Church, 4:540.

Shtyp në Letër