Biblioteka
Dita e Shabatit


Dita e Shabatit

Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë•4Gusht2015

Është kënaqësi të jem me ju sot dhe të na jetë dhënë mësim kaq mirë deri tani. Është vërtet gëzim të jesh këtu. Shpresoj që ju të gjithë ta dini dashurinë time për ju dhe vlerësimin e respektin tim të thellë për secilin prej jush dhe për gjithçka që ju bëni. Është veçanërisht një kënaqësi të jem me bashkëshorten time, Kristin. Sot është përvjetori ynë i 25-të i martesës, kështu që menduam se do të ishte zbavitëse ta festonim atë së bashku me 98.000 miqtë tanë më të ngushtë. Është me të vërtetë një gjë e mrekullueshme ajo që ju dhe bashkëshortet/ët tuaj bëni në këtë organizatë. Faleminderit për të gjithë ndihmesën tuaj dhe faleminderit që jeni këtu. Është e mrekullueshme të jesh pjesë e kësaj vepre me të gjithë ju.

Lidhur me konferencën më të fundit të përgjithshme të Kishës, u dha një trajnim për Autoritet e Përgjithshme mbi respektimin e Shabatit dhe bërjen e tij një kënaqësi. Kuorumet kryesuese të Kishës janë bashkuar në një përpjekje të madhe mbarëbotërore për të dhënë mësim mbi rëndësinë e respektimit të ditës së Shabatit në kishë dhe në shtëpi. Kjo është dhënë mësim në këshillat e zonave, të bashkërendimit e të kunjeve. Presidentët e kunjeve i kanë trajnuar peshkopët dhe së bashku ata do të vazhdojnë t’i mësojnë anëtarët e kunjeve dhe të lagjeve të tyre.

Trajnimi që u Jepet Udhëheqësve të Kishës

Një numër videosh të shkurtra nga trajnimi i Autoriteteve të Përgjithshme janë vënë në dispozicion dhe do të vendosen në faqen tonë të internetit.1 Shpresoj që ju do t’i shikoni, rishikoni dhe përdorni me kujdes këto burime të rëndësishme. Sot unë do të doja që ju të shikoni pjesë të dy prezantimeve nga ai trajnim. Së pari, ju do të dëgjoni nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Ai do të ndiqet nga Plaku M. Rasëll Ballard.

Presidenti Rasëll M. Nelson: “Të dashur motra e vëllezër, unë shpreh dashurinë dhe admirimin tim të thellë për secilin prej jush. … Presidenca e Parë është përqendruar këtë mëngjes në shqetësimin e madh që ne të gjithë kemi për ata që kanë humbur, janë të panjohur apo më pak aktivë. Ndërsa ne ndalemi te ai problem, ne do të donim të merreshim me parandalimin e atyre lloj problemesh. Dhe prandaj, në sesionin e sotëm dhe të nesërm ne do të përqendrohemi shumë te ndërtimi i besimit në Perëndi, te ndërtimi i besimit në Zotin Jezu Krisht, te ndërtimi i besimit në Shlyerjen e Tij. … Si një prej Apostujve të Tij të shuguruar, jam vërtet mirënjohës për këtë detyrë që më kanë dhënë të flas për këtë temë. Urdhërimi i Zotit për ta shenjtëruar ditën e Shabatit dhe për ta mbajtur atë të shenjtë është një detyrë që ne e marrim shumë seriozisht dhe në kuptimin e mirëfilltë të saj. Nëse mund ta bëjmë me të vërtetë atë – nëse mund ta bëjmë me të vërtetë atë – ne do t’i ndihmojmë anëtarët tanë të ndërtojnë besimin te Zoti dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besim tek Ai dhe Kisha e Tij. … Ndërsa ne mësojmë më mirë se si ta shenjtërojmë ditën e Shabatit, besimi do të rritet kudo në botë.”

Plaku M. Rasëll Ballard: “Pra, vëllezër dhe motra, ne sigurisht ju urojmë mirëseardhjen në këtë trajnim të rëndësishëm të konferencës së përgjithshme. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve kanë harxhuar shumë orë gjatë disa prej muajve të kaluar duke rishikuar kërkimet që janë në dispozicion lidhur me doktrinën e parimet e Kishës, të cilat e rritin besimin tonë te Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht dhe Shlyerja e Tij. Siç jeni në dijeni, ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar rreth kthimit të përhershëm në besim, mbajtjes së besëlidhjeve, familjeve shumëbrezëshe dhe forcimit shpirtëror të anëtarëve të Kishës. Nga të gjitha ndryshimet organizative ose në rregullore apo trajnimet doktrinore që mund të përshpejtojnë punën e shpëtimit në këtë kohë, ne kemi vendosur që lartësimi i shpirtit dhe i fuqisë së ditës së Shabatit do të ishte [mënyra] më e fuqishme për t’i afruar anëtarët dhe familjet më pranë Zotit Jezu Krisht.”

Presidenti Nelson përmendi një shqetësim rreth pasivitetit dhe nevojës për ta forcuar besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Ai premtoi që “ndërsa ne mësojmë më mirë se si ta nderojmë ditën e Shabatit, besimi do të rritet kudo në botë”.

Unë jam i sigurt se ju gjithashtu vutë re që Plaku Ballard tha: “Nga të gjitha ndryshimet organizative ose në rregullore apo trajnimet doktrinore që mund të përshpejtojnë punën e shpëtimit në këtë kohë, ne kemi vendosur që lartësimi i shpirtit dhe i fuqisë së ditës së Shabatit do të ishte [mënyra] më e fuqishme për t’i afruar anëtarët dhe familjet më pranë Zotit Jezu Krisht”2.

Roli i Seminareve dhe Instituteve të Fesë

Në këtë përpjekje mbarëbotërore, Seminaret dhe Institutet e Fesë janë udhëzuar veçanërisht nga Bordi i Kishës për Arsimimin që të ndihmojnë duke përtërirë përqendrimin tonë te mësimdhënia e parimit të respektimit të ditës së Shabatit dhe të doktrinës që shoqërohet me sakramentin, dhe për t’i mobilizuar të rinjtë dhe të rinjtë në moshë madhore të Kishës që të përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i jetojnë më mirë këto parime. Ne duhet ta bëjmë atë duke i theksuar këto parime kur ato shfaqen natyrshëm në mësimdhënien tonë të vazhdueshme të shkrimeve të shenjta dhe në përmbledhjet tona të lëndës. Çfarë mundësie të mrekullueshme që kemi për t’i bashkuar përpjekjet tona me ata që janë autorizuar të na udhëheqin si profetë, shikues dhe zbulues. Dhe duke e bërë këtë, ne do ta përmbushim më mirë synimin tonë për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit.

Për të treguar se si ne mund t’i japim mësim parimet që lidhen me Shabatin dhe sakramentin në një mënyrë që do ta rritin besimin te Jezu Krishti, unë kam përzgjedhur shembuj kryesisht nga Dhiata e Vjetër sepse shumë prej jush do të japin mësim Dhiatën e Vjetër në muajt e ardhshëm.

Dita e Shabatit

1. Shabati është një shenjë nga Zoti për ne

Një parim domethënës lidhur me ditën e Shabatit vjen nga Eksodi 31:

“Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat e mia, sepse është një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron. …

Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën … si një besëlidhje të përjetshme”3.

Ideja se Shabati është një shenjë e besëlidhjes së Perëndisë me ne është domethënëse sepse secili prej nesh përballet me një dilemë, që është se “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë”,4 dhe ne e dimë se “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”5. Zgjidhja, siç thuhet te Doktrina e Besëlidhje 60:7, është, “Unë jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë”. Dhe kjo bëhet, natyrisht, nëpërmjet Jezu Krishtit, figurës qendrore në planin e Atit për shëlbimin. Ose siç dha mësim Apostulli Pal: “[Ne] u ble[më] me një çmim”6.

Ai çmim ishte jeta, vuajtja dhe vdekja e Birit të përsosur të Perëndisë. Dhe cila është prova e blerjes? Cila është fatura e pagesës? Shabati është një shenjë e përhershme e përmbushjes së besëlidhjes së Perëndisë me fëmijët e Tij, shenja se Ai është në gjendje të na bëjë të shenjtë.

2. Shabati është një shenjë e jona për Zotin

Shabati nuk është vetëm prova e blerjes, shenja se Zoti do të na shenjtërojë. Ai është gjithashtu një shenjë e jona për rreth mënyrës se si ne ndihemi për atë që Ai ka bërë për ne – për mënyrën se si ne ndihemi rreth sakrificës së Tij dhe për mënyrën se si ne ndihemi rreth besëlidhjeve tona.

Presidenti Nelson, në konferencën më të fundit të përgjithshme të Kishës, dha mësim: “Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta.”7

Çdo zgjedhje që lidhet me Shabatin është vetjake; ajo është një ofertë vetjake, një shenjë e mirënjohjes sonë që Ai është i gatshëm të na bëjë të shenjtë. Pa dashur të sugjeroj një listë të gjërave që duhen bërë dhe nuk duhen bërë, do të doja të thosha se unë jam dëshmitar i të rinjve dhe të rinjve në moshë madhore kudo në botë që zgjedhin ta mbajnë ditën e Shabatit të shenjtë. Shumë kanë zgjedhur të mos punojnë të dielën; të tjerë kanë vendosur synimin që të mos studiojnë të dielën. Një e re në Tajlandë rrezikoi të humbiste miqtë për shkak se ajo zgjodhi të mos merrte pjesë në veprimtaritë shoqërore në Shabat (një koncept që miqtë e saj nuk e kishin dëgjuar më parë). Unë njoh një lojtar futbolli ambicioz në Kaliforni që, përkundrejt trysnisë së madhe nga bashkëmoshatarët dhe trajnerët dhe duke vënë në rrezik mundësi të çmuara burse, ka vendosur të mos marrë pjesë në ngjarje sportive të organizuara në Shabat.

Jam i bindur se Zoti do t’i nderojë këta të rinj të mrekullueshëm sepse ata e kanë nderuar Atë duke zgjedhur ta mbajnë të shenjtë ditën e Tij. Ne mund t’u mësojmë studentëve tanë se qëndrimet dhe veprimet tona në Shabat janë një shenjë për Zotin rreth mënyrës se si ne ndihemi për besëlidhjet tona dhe se “mbajtja e një Shabati të vërtetë është simbol i mbajtjes së të gjithë besëlidhjes”8.

3. Shabati është një kënaqësi

Një parim tjetër nga Dhiata e Vjetër:

“Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua, dhe nga të folurit për problemet e tua:

[atëherë] do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti”9.

Eksodi 16 është një ilustrim i bukur i këtij parimi. Kur fëmijët e Izraelit u ankuan rreth urisë së tyre dhe donin të ktheheshin te “tenxhere[t] me mish” të Egjiptit, Zoti tha:

“Unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.

Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë.”10

Ka të paktën dy parime të tjera në ato vargje. Një parim është që Zoti po e provon bindjen tonë për Shabatin. Parimi tjetër është që Zoti ruan dhe përgatit një udhë që ne të jemi në gjendje t’i mbajmë urdhërimet e Tij. Mendoni për mënyrën se si kjo e përmbush premtimin që Shabati të jetë një kënaqësi. Nëse ju punuat çdo ditë, duke mbledhur mana për të mbetur gjallë dhe një ditë Zoti tha: “Nuk ke pse të punosh sot, por unë prapëseprapë do të të ushqej sikur të kesh punuar”, a nuk do të ishte kjo një kënaqësi?

Dëgjova një variant bashkëkohor të kësaj historie të treguar nga Motra dhe Plaku Biçer, një çift misionarësh që shërbyen në Afrikë. Ata shkruan:

“Ne jetojmë në një pjesë shumë të varfër të Kenias, në kufi me Ugandën. Një nga presidentët e degëve, … është një fermer që jeton në një tokë që zotërohet nga të afërm të tij. Ai është një baba i ri me një familje të vogël. …

… Ai ka anëtarë të degës së tij që i thonë … se nuk mund të vijnë në Kishë të dielën sepse … druhen të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të frikës se fqinjët do t’i vjedhin të korrat e tyre. … [Ky] është një shqetësim shumë i VËRTETË. … Në fakt, njerëzit … presin që të mbjellin kur fqinjët e tyre mbjellin, kështu që e pakësojnë mundësinë që të korrat e tyre të vidhen. …

[Ata gjithashtu thonë] se nuk mund të vijnë në Kishë të dielën sepse duhet të punojnë … ngaqë janë kaq të varfër.

[Presidenti i degës] vazhdoi: “Unë u them atyre: ‘Unë largohem nga shtëpia çdo të diel dhe qëndroj në Kishë për orë të tëra gjatë ditës. Nuk punoj në Shabat. Kur kthehem në shtëpi, shpesh gjej që fqinjët e mi kanë vjedhur [misrin], pulat e mia, vezët e tyre, frutat e mia për shkak se janë të uritur e ngaqë nuk kanë ushqim. Por, ende zbuloj se kur vjen koha e të korrave, unë bekohem për shkak se toka ime prodhon më shumë se toka e tyre – edhe pse ata punojnë çdo të diel. Toka ime prodhon më shumë dhe unë jam i bekuar ngaqë e mbaj ditën e Shabatit të shenjtë’”.

Duke dëgjuar komentin e [këtij presidenti dege], [një tjetër president dege], tha: ‘Mund të dëshmoj për të njëjtën gjë. Unë kam 0.8 hektarë me [misër]. Fqinji im punon 4 hektarë. Ai punon çdo të diel. Unë nuk punoj. Kur vjen koha e të korrave, unë kam me bollëk. Fqinji im vjen tek unë për ushqim sepse nuk ka mjaftueshëm. Edhe unë jam i bekuar nga të jetuarit e ligjit të Shabatit’”11.

Rrugët e Zotit janë më të larta se rrugët tona – dhe kështu është aritmetika e Tij. Është e ndryshme nga e jona. A nuk është kjo e vërtetë edhe për të dhjetën? Me të dhjetën, 10 minus 1 nuk është e barabartë me 9. Zoti na bekon me atë që na nevojitet [madje] dhe më shumë. Kjo është e vërtetë edhe për Shabatin. Ka shtatë ditë në javë, por të punuarit gjashtë nga shtatë ditë në fakt na jep më shumë, jo më pak, nga gjërat që me të vërtetë na nevojiten. Ju pothuaj mund ta dëgjoni Zotin të thotë: “Pastaj më vini në provë për këtë gjë … në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”12.

Jo vetëm që Shabati është një ditë çlodhjeje nga puna fizike, ajo është gjithashtu një ditë përtëritjeje shpirtërore. Ajo është një ditë prehjeje nga përkujdesjet e botës.

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim se prehje e Zotit do të thotë “të hysh në njohurinë dhe dashurinë e Perëndisë, duke pasur besim në qëllimin e tij dhe në planin e tij, … të mos shqetësohesh nga çdo erë doktrineje ose nga mashtrimi e dinakëria e njerëzve që rrinë në pritje për të mashtruar”13. (Mendoni për fuqinë e atij premtimi në raport me përparësinë tonë për t’i ndihmuar studentët tanë ta kërkojnë të vërtetën dhe ta dallojnë të vërtetën nga gabimi.)

Dhe duhet të përmend një bekim tjetër shumë të rëndësishëm që gjendet në këto referenca të shkrimeve të shenjta. Eksodi 31 përdor frazën “për të gjithë brezat tuaj”,14 dhe Isaia 58 bën premtimin se Zoti do të të “jap të hash trashëgiminë e Jakobit”15. Ndërsa ju i studioni këto vargje dhe trajnimin e dhënë nga udhëheqësit tanë të Kishës, ju do ta kuptoni se një nga bekimet më të mëdha të mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë do të jetë për fëmijët tuaj dhe për nipat e mbesat tuaja. Çdo e diel është një mundësi për t’u mësuar fëmijëve tuaj atë që ju e keni përparësi në jetë dhe se ju jeni të gatshëm të sakrifikoni synimet tuaja vetjake me qëllim që të mbani urdhërimet e Zotit.

Çfarë bekimi do të jetë kjo për ta. Kjo do t’ju ndihmojë të krijoni familje shumëbrezëshe dishepujsh besnikë të Jezu Krishtit. Duke i ditur këto dhe bekime të tjera që lidhen me Shabatin, si mund të mos jetë ai një kënaqësi?

4. Shabati na mban të panjollosur nga bota

Një parim tjetër që lidhet me ditën e Shabatit, gjendet te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 59: “Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë”16.

Ka shumë mundësi në Dhiatën e Vjetër për ta dhënë mësim këtë parim. Për shembull, ndërsa ju jepni mësim besëlidhjen e Abrahamit ju do të keni mundësinë që t’u mësoni të rinjve tanë të jenë në botë, por të mos jenë nga bota. Një mundësi tjetër do të vijë ndërsa ju jepni mësim 1 Samuelin 8.

Presidenti Spenser W. Kimball e përdori këtë kapitull për të shpjeguar një mësim të thellë. Ai tha:

Zoti dhe profeti i tij Samuel u zhgënjyen dhe u hidhëruan. … Por populli kërkoi me këmbëngulje një mbret ‘që ne të mund të jemi si të gjitha kombet.’ …

Ne nuk jemi kaq të ndryshëm sot! Ne duam lavdinë dhe kotësinë e botës, duke mos kuptuar gjithmonë ndëshkimet e marrëzisë sonë. Joanëtari [kërkon argëtimin në Shabat; ne duam të argëtohemi] edhe pse, në shumë raste, kjo do të thotë braktisje e veprimtarive të Shabatit dhe thyerje e ditës së shenjtë të Zotit. Bashkëkohësit tanë bëjnë martesa pagane – ne duhet ta përqafojmë çdo stil dhe model të tyren, edhe pse ata përlëvdojnë botën dhe lënë në harresë seriozitetin e martesës së vërtetë. …

Stilet krijohen nga njerëzit që janë të rëndomtë e të përqendruar te dëshira e tyre për para dhe kalojnë nga njëri skaj te tjetri për t’i nxjerrë jashtë mode veshjet tona të tanishme. … Ne më mirë të vdesim se sa ‘të mos veshim modën e fundit’. … ‘Ne duhet të kemi një mbret si edhe kombet e tjera!’

Zoti thotë se ai do të ketë një popull të veçantë, por ne nuk duam të jemi të veçantë. …

Kur, o kur, shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të qëndrojnë të vendosur mbi këmbët e tyre, të krijojnë vetë standardet e tyre, të ndjekin modelet e duhura dhe ta jetojnë jetën e tyre vetjake të lavdishme në përputhje me modelet e frymëzuara të Ungjillit.”17

Ndërsa të rinjtë tanë hasin vështirësi me filozofitë e traditat e botës dhe standardet e stilet e botës, ndihmojini ata të shohin se ne duhet të jemi një popull i veçantë, i lirë nga ndikimet e botës.18 Ndihmojini ata të shohin se mbajtja e [ditës] së Shabatit të shenjtë është një mënyrë për ta bërë këtë, një mënyrë për ta mbajtur veten të panjollosur nga bota.

Sakramenti

Qëllimet e sakramentit

A mund të kalojmë te pika tjetër dhe të flasim për disa minuta lidhur me qëllimet e sakramentit?

Ne e marrim sakramentin në kujtim të trupit dhe gjakut të Birit. Kjo është arsyeja që Vetë Zoti dha për sakramentin kur Ai personalisht e filloi atë si në Tokën e Shenjtë edhe në kontinentet amerikane.19 Kjo duhet të jetë një pjesë domethënëse e përvojës sonë çdo javë. Sakramenti është një mundësi që ta kujtojmë Atë dhe gjithçka që trupi i Tij dhe gjaku i Tij përfaqësojnë në lidhje me Ringjalljen e vërtetë, shëlbimin nga mëkatet tona dhe hirin që është i mjaftueshëm për t’u bërë ballë të gjitha sfidave të jetës.

Ne i dëshmojmë Perëndisë, Atit të Përjetshëm, se ne jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Birit të Tij dhe të mbajmë urdhërimet e Tij, pra duke përtëritur të gjitha besëlidhjet tona. A mund ta përfytyroni sikur secili prej nesh ta bënte atë çdo javë? Mbledhja e sakramentit do të ishte një banket shpirtëror, duke e arritur kulmin me premtimin e Zotit se ne do ta “kemi Shpirtin e tij me ne”, duke sjellë shpresë, shërim, forcë, ngushëllim dhe falje.20

Ne të gjithë kemi nevojë për falje e shërim dhe disa prej nesh kanë nevojë të falin dhe t’i lënë të shkojnë ndjenjat e hidhura që i kemi mbajtur për një kohë tepër të gjatë. Shlyerja dhe sakramenti na japin një mundësi që ta bëjmë atë tani.

Ekzistojnë mundësi që t’i japim mësim qëllimet e sakramentit kudo në shkrimet e shenjta dhe në të gjitha klasat tona. Unë do t’ju sugjeroja që ne të kërkojmë të paktën dy mënyra të veçanta për ta bërë këtë. E para, sa herë që ne japim mësim një simbol të Shpëtimtarit ne kemi mundësinë të japim mësim qëllimet e sakramentit. Dhe e dyta, kurdoherë që ne japim mësim parime që kanë lidhje me besëlidhjet, ne kemi mundësinë që t’i zbatojmë ato parime në sakrament.

A mund të ndaj vetëm një shembull për secilën nga këto dy lloje mundësish (sërish, nga Dhiata e Vjetër)?

1. Simbolet dhe shenjat na drejtojnë te Jezu Krishti

Shembulli i parë, i cili ilustron përdorimin e simboleve dhe të shenjave për Shpëtimtarin, është nga Levitiku, kapitulli 1. Atje Zoti u mëson fëmijëve të Izraelit t’i sjellin vullnetarisht një ofertë Zotit. Oferta qe një kafshë që duhej të ishte një mashkull pa të meta, i cili do të pranohej të bënte shlyerjen për personin që vinte të adhuronte. Pastaj personi e vriste kafshën dhe priftërinjtë do ta spërkatnin gjakun rreth e rrotull mbi altar.21

Është e thjeshtë ta shohim simbolizmin dhe lidhjet e tij me sakramentin dhe të kuptojmë se ndërsa personi po bëhej i/e shenjtë, Vetë Zoti do të duronte vuajtjet, pikëllimet dhe mëkatet e tij apo të saj. Unë mendoj se është një paradoks i goditur që të drejtët janë ata “rrobat e të cilëve do të jenë bërë të bardha nëpërmjet gjakut të Qengjit”22. Por “Zoti do t[a] ketë rrobën e tij të kuqe”. Sepse, ashtu si tha Ai: “Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe i njollosi tërë veshjet e mia”23.

Çfarë pamje – ta shikosh Zotin me të kuqe, i rrethuar nga engjëj të veshur me të bardha. Për shkak të vuajtjes së Jezu Krishtit “edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi”24.

Më pas, oferta pritej në copa – koka, të brendshmet, këmbët dhe dhjami.25 Koka përfaqësonte mendimet tona; të brendshmet, zemrën tonë, ndjenjat tona; dhe këmbët, veprimet tona. Simbolizmi na kujton sakramentin ndërsa ne zotohemi ta duam Perëndinë “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën [tonë]”26.

Me fjalë të tjera, ashtu si Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Sakrifica e vërtetë, vetjake kurrë nuk ishte vendosja e një kafshe mbi altar. Në vend të kësaj, ajo ishte një gatishmëri për ta vendosur kafshën brenda nesh mbi altar dhe për ta lënë atë të digjej!”27

Ne gjithashtu mund ta përdorim rolin e priftërinjve, bijve të Aaronit,28 për t’u mësuar të rinjve tanë domethënien e funksionit që ata kanë gjatë sakramentit. Mësojuni priftërinjve tanë se ata janë bijtë e Aaronit, se ata duhet të veçohen nga bota, se ata përfaqësojnë Shpëtimtarin. Mësojuni mësuesve të Priftërisë Aarone se ata qëndrojnë në vend të Jozefit nga Arimatea, duke përgatitur trupin e Krishtit. (Disa prej jush kanë pasur përvojën e shenjtë të përgatitjes së një trupi për varrim. A mund ta përfytyroni përvojën e shenjtë të Jozefit nga Arimatea?29) Ndihmojini të rinjtë tanë të kuptojnë se mbledhja e sakramentit është një shërbesë përkujtimore në kujtim të Shpëtimtarit.

Një president kunji ia mësoi këtë ide një kuorumi mësuesish. Tani, presidenti i tyre 15-vjeçar i kuorumit të mësuesve bën që i gjithë kuorumi i tij të vijë 30 minuta përpara mbledhjes së sakramentit çdo të diel, ku ata lexojnë nga shkrimet e shenjta dhe luten së bashku dhe pastaj si kuorum përgatitin sakramentin.

Ne gjithashtu mund t’u mësojmë dhjakëve tanë funksionin që ata kanë. A mund të përfytyroni sikur jeni një bartës arkivoli në shërbesën përkujtimore të Shpëtimtarit?

Ndihmojini të gjithë ata të dinë se ata po e nderojnë priftërinë e tyre në mënyra që e ndihmojnë secilin prej nesh ta përdorë gjakun e Gjetsemanit dhe të marrë faljen dhe shërimin që ai jep.

2. Mësimdhënia rreth besëlidhjeve na jep mundësinë të japim mësim për sakramentin

Një mundësi tjetër do të jetë mësimdhënia për sakramentin ndërkohë që ne japim mësim parimet që lidhen me besëlidhjet.

Një shembull i kësaj gjendet në librin e Oseas, i cili përdor simbolet e një bashkëshorti, nuses së tij, tradhtisë së saj dhe të një prove të besëlidhjeve të martesës me qëllim që të na mësojë marrëdhënien tonë të besëlidhjes me Atin tonë Qiellor. Zoti i tha Oseas: “Merr një grua për prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë”30. Kështu Osea e mori Gomeren si gruan e tij. Por pasi e mori, siguroi për të dhe tregoi dashurinë e tij për të, ajo u kthye te mënyra e mëparshme e jetesës dhe e tradhtoi atë.

Si do të ndiheshit po të ishit Osea? Dhe prapëseprapë, dëgjoni për mënyrën se si reagon Osea ndaj kësaj tradhtie:

“Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t’i flas zemrës së saj.

“Atëherë do t’i jap vreshtat e saj.”31

Dhe pastaj në rrëfimin e shkrimit të shenjtë ndodh një ndryshim në referencë nga Osea dhe Gomeri te Zoti dhe Izraeli besëlidhës, kur Ai na thotë: “Dofejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri”32.

Të shikoja mënyrën se si u ndie Osea rreth besëlidhjeve të tij dhe të kuptoja se kjo ishte mënyra se si ndihet Zoti rreth besëlidhjeve të Tij me ne, më ka bekuar shumë.

Unë mësova ta doja këtë histori fillimisht për shkak të një bisede nga Presidenti Henri B. Ajring. Disa prej jush do të kenë qenë atje kur ai tha këtë rreth përvojës së tij të dhënies mësim nga Dhiata e Vjetër në seminar: “Për më shumë arsye se sa mund të shpjegoj, gjatë atyre ditëve që jepja mësim mbi Osean, unë ndjeva diçka të re, diçka më të fuqishme. Kjo nuk ishte një histori rreth një marrëveshjeje biznesi midis ortakëve. … Kjo qe një histori dashurie. Kjo qe historia e një besëlidhjeje martese të lidhur nga dashuria, dashuria e palëkundur. Ajo çka ndjeva atëherë dhe është rritur me kalimin e viteve, ishte se Zoti, me të cilin jam i bekuar të kem bërë besëlidhje, më do mua dhe juve dhe ata të cilëve ne u japim mësim, me një qëndrueshmëri me të cilën unë vazhdimisht mahnitem dhe të cilën unë dua me gjithë zemrën time ta imitoj.”33

Ka shumë më tepër te kjo histori, por po jua lë juve ta rishikoni bisedën e jashtëzakonshme të Presidentit Ajring, të dhënë në simpoziumin e SAK-ut në vitin 1995. Ajo që po them është se ne kemi një mundësi për të dhënë mësim mbi besëlidhjet. Dhe kur ne e bëjmë, le t’i ndihmojmë studentët tanë të ndiejnë atë që ndieu Presidenti Ajring: se Perëndia na do dhe se Ai kënaqet të na bekojë nëpërmjet besëlidhjeve tona. Kur ne arrijmë të kuptojmë se ordinancat dhe besëlidhjet janë simbole të dashurisë së Perëndisë dhe të dëshirës për të na ekzaltuar, ne ndryshohemi përgjithmonë nga sakramenti.

Përfundimi

A mund ta përfytyroni atë që do të ndodhte nëse të rinjtë dhe të rinjtë në moshë madhore të Kishës do të merrnin pjesë në mbledhjen e sakrametit çdo javë dhe do ta kujtonin vërtet Shpëtimtarin, duke ndier mirënjohje për Shlyerjen e Tij, duke i dëshmuar Atit se ata do ta mbanin emrin e Shpëtimtarit çdo ditë dhe do të përpiqeshin t’i mbanin urdhërimet e Tij dhe do të jetonin denjësisht për dhuratën e Frymës së Shenjtë? Dhe pastaj, gjatë javës, të merrnin pjesë në klasat e seminarit dhe të institutit, që përqendrohen te roli qendror i Shpëtimtarit në planin e Atit tonë të dashur Qiellor dhe u kujtojnë atyre zotimin e tyre për të qenë dishepuj të Jezu Krishtit? Dhe po sikur në shtëpitë e tyre ata të flisnin për këto gjëra me prindërit e tyre dhe së bashku të planifikonin që ta bënin Shabatin qendrën e javës së tyre?34 Ne vështirë se mund t’i përfytyrojmë bekimet që Zoti ka në ruajtje për ne.

Më lejoni ta mbyll me dëshminë time se nëse duhet ta japim mësim këtë doktrinë me fuqi, ne së pari duhet ta jetojmë atë. Nëse do ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë dhe do ta kujtojmë Shpëtimtarin ndërkohë që i përtërijmë besëlidhjet tona çdo të diel, Shabati do të bëhet një kënaqësi për ne dhe do të na bekojë ne dhe familjet tona për breza të tërë. Dhe në mënyrë domethënëse do ta forcojë aftësinë tonë për t’i frymëzuar studentët tanë të dashur që ta kuptojnë se mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë do t’i ndihmojë ata t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit. Kjo do ta thellojë vlerësimin dhe zotimin e tyre ndaj besëlidhjeve të tyre si dishepuj të Shpëtimtarit të botës.

E kujtofshim gjithmonë Atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër