Biblioteka
Ju Jeni Dëshmitarët e Mi


Ju Jeni Dëshmitarët e Mi

Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 4 Gusht 2015

Shpirti këtu është kaq i shenjtë dhe unë, ashtu si ju, jam mirënjohëse për gjithçka që kam mësuar.

Në një nga letrat e fundit të Mormonit, ai dha mësim:

“Pasi vini re, Perëndia, duke ditur të gjitha gjërat, pasi është nga përjetësia në përjetësi, vini re, ai dërgoi engjëj, për t’u shërbyer fëmijëve të njerëzve, për t’u treguar në lidhje me ardhjen e Krishtit; dhe në Krisht do të vinte çdo gjë e mirë. …

Prandaj, nëpërmjet shërbimit të engjëjve dhe nëpërmjet çdo fjale që doli nga goja e Perëndisë, njerëzit filluan të ushtrojnë besim në Krisht; dhe kështu, me anë të besimit, ata u mbështetën në çdo gjë të mirë”1.

Për mendimin tim, ju, mësuesit e seminarit dhe të institutit, herët në mëngjes dhe në kohën e lirë, në shtëpi, në kisha, në shkolla, kolegje dhe universitete, ju jeni midis engjëjve që Perëndia i ka dërguar për t’u shërbyer fëmijëve të Tij, në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë besim në Krisht dhe të mbështeten në çdo gjë të mirë. Unë shpreh mirënjohje për ju që e jepni mësim doktrinën e Tij të pastër me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Faleminderit që jeni atje nga mëngjesi në mbrëmje, herët dhe vonë, duke shpallur fjalën e Perëndisë, e cila është “fuqia e Perëndisë për shpëtim”2. Unë shpreh mirënjohje për bashkëshortet/ët tuaj të mrekullueshëm, gratë tuaja dhe burrat tuaj, të cilët janë gjithashtu engjëj në ndikimin e tyre dashamirës dhe përkrahës.

Është një privilegj i shenjtë dhe i lavdishëm të shpallësh fjalën e Perëndisë – të qëndrosh si një nga dëshmitarët e Tij dhe të japësh mësim të vërtetën e përjetshme. Profeti Isaia ia shpalli fjalën e Zotit të gjithë popullit të Tij të besëlidhjes:

“Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti. …

Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër. …

… prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi”3.

Është një privilegj i shenjtë ta ndihmosh brezin e ri të mësojë fjalën e Perëndisë, që edhe ata të mund të ushtrojnë besim dhe të bëhen dëshmitarë të Krishtit.

Të rinjtë dhe të rejat që ulen në klasat e seminarit dhe të institutit përreth botës, kanë bërë besëlidhje që ta duan dhe t’i shërbejnë Perëndisë dhe të qëndrojnë si dëshmitarë të Tij. Me anë të besimit të tyre në Krisht, ata janë pagëzuar dhe kanë marrë Frymën e Shenjtë me qëllim që ta dinë të vërtetën dhe “të fl[asin] … me gjuhën e engjëjve”4. “[Ata] j[anë] fëmijët e profetëve; … nga shtëpia e Izraelit; … [ata] j[anë] nga besëlidhja që Ati bëri … , duke i thënë Abrahamit:. Dhe në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës.”5

Nëpërmjet besimit çdo i ri dhe e re ka aftësinë të flasë në emër të Krishtit, me anë të Shpirtit, dhe “të qëndro[jë] si dëshmitar[/e i/e Tij] në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”6.

Sot, le të marrim parasysh atë që mund të ndodhë në një klasë seminari apo instituti për ta ndihmuar brezin e ri të bëhet me të vërtetë dëshmitar i Perëndisë. Ata me siguri kanë dëshirën për ta bërë këtë.

Në maj të këtij viti, në përgatitje për ngjarjen Face to Face Facebook me Plakun Dejvid A. Bednar dhe bashkëshorten e tij, Suzanën, të rinjtë dërguan mbi 11.000 pyetje nga mbarë bota. Shumë pyetje kërkonin se si t’u përgjigjeshin miqve dhe pjesëtarëve të familjes për të shpërndarë, përkrahur dhe për t’i mbrojtur mësimet e ungjillit të Krishtit. Ata donin të dinin se çfarë të thoshin dhe çfarë të bënin. Plaku Bednar shpjegoi se ai dhe bashkëshortja e tij nuk do të ishin në gjendje t’u përgjigjeshin të gjitha pyetjeve, duke thënë se ata nuk ishin as mjaft të zgjuar as me mjaft përvojë. Por ai u tha të rinjve se ndërkohë që ata ndërvepronin me njëri-tjetrin, duke e kërkuar shoqërinë e Frymës së Shenjtë, ata do të merrnin mendime dhe ndjenja, përshtypje dhe frymëzim me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.7

Fryma e Shenjtë është mësuesi. Është detyra e Tij hyjnore që të japë mësim, të dëshmojë dhe të qëndrojë si dëshmitar i Atit dhe i Birit8 dhe të zbulojë të “vërtetën e të gjitha gjërave”9.Çfarë dhurate e madhërishme për të rinjtë që të marrin një njohuri të caktuar me anë të Shpirtit se Perëndia është Ati i tyre dhe se Ai i njeh ata, i do ata dhe ka një plan të madhërishëm për ta! Çfarë dhurate e madhërishme për të rinjtë që të marrin një njohuri të caktuar me anë të Shpirtit se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se nëpërmjet besimit tek Ai dhe te Shlyerja e Tij, ata mund të pendohen dhe pastrohen nga i gjithë mëkati, të shërohen nga e gjithë dhembja dhe vuajtja dhe t’u jepet mundësia të rriten, përparojnë dhe të marrin fatin e tyre hyjnor! Shpirti është gjuha e dashurisë së Perëndisë. Ne e predikojmë ungjillin me anë të Shpirtit, në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat tona të mund të marrin me anë të Shpirtit,10 që ata të mund ta shohin, ndiejnë, njohin dhe të dëshmojnë për Shpëtimtarin dhe të qëndrojnë si dëshmitarë të Tij, ashtu si profetët e kanë parashikuar.11

Vëllezër e motra, unë kam shumë për të mësuar rreth mësimdhënies dhe të nxënit, por këtë e di: Profetët, shikuesit dhe zbuluesit e ditëve tona janë duke na treguar se ne mund të japim mësim dhe të mësojmë së bashku me një fuqi më të madhe kthyese në besim dhe me një qëllim që lidhet më shumë me të. Kohët e fundit në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo të Jutës, unë i vëzhgova Apostujt e Zotit tek zbatonin parimet e mësimdhënies dhe të të nxënit që e lejuan Frymën e Shenjtë t’i fliste zemrës dhe mendjes së presidentëve të misioneve dhe bashkëshorteve të tyre, më vete dhe në mënyrë vetjake, t’u përgjigjej pyetjeve të tyre dhe të derdhte mbi ta frymëzimin për t’i plotësuar nevojat e tyre. Udhëheqësit e Kishës nuk qëndruan thjesht në foltore për të dhënë fjalime, ashtu siç është me vend në disa rrethana. Ata treguan modele të vendosura nga Zoti për të mësuarin me anë “të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”12. Zoti udhëzon: “Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë”13.

Qëllimi i të nxënit, ashtu siç e përshkruan Zoti, është që ta ftojë Shpirtin të jetë mësuesi, në mënyrë që të rinjtë tanë të mund të frymëzohen me përgjigje për pyetjet e tyre dhe ta kenë Frymën e Shenjtë për t’u “treg[uar atyre] të gjitha gjërat që [ata] duhet të bë[jnë]”14.

1. Përgatitini që të Mësojnë

Së pari, përgatitini që të mësojnë. Shumica e asaj që ne bëjmë në jetë, kërkon përgatitje paraprake. Për të marrë një arsimim të përjetshëm, ne duhet të bëjmë më shumë se sa thjesht të dukemi në klasë. Shpëtimtari i mësoi popullit nefit se ata duhet t’i meditojnë fjalët e Tij dhe të luten për të marrë kuptueshmëri.15 Kur ishte djalë i ri, Jozef Smithi pa në vegim Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin sepse ai i hetoi shkrimet e shenjta dhe i mendoi fjalët, “herë pas here”16. Presidenti Jozef F. Smith mori vegimin e shëlbimit të të vdekurve ngaqë ai përsiati mbi vargjet e shkrimeve të shenjta që kishte lexuar dhe studiuar.17

Madje përpara hyrjes në klasë, ne i ftojmë studentët të luten dhe të mendojnë mbi fjalët e Krishtit, që mendja dhe zemra e tyre do të përgatitet për ta marrë njohurinë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Zoti tha: “Së pari [kërko] ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit.”18

2. Ndërveproni për t’i Lartësuar

Së dyti, ndërveproni për t’i lartësuar. Duke siguruar mundësi për pjesëmarrje në klasë, ne u japim të rinjve një mundësi për të folur. Ndërsa ata mësojnë së bashku nga fjalët e profetëve, u përgjigjen pyetjeve të frymëzuara, diskutojnë mbi mendimet dhe përshtypjet e tyre dhe u përgjigjen pyetjeve e shqetësimeve të bashkëmoshatarëve të tyre, Shpirti i Zotit e ndriçon mendjen e tyre dhe e zgjeron kuptueshmërinë e tyre.19 Ata mësojnë të flasin në emër të Zotit “me kujdes e detyrimin e Shpirtit”20. Të treguarit e gjërave që Shpirti i Zotit u ka mësuar atyre i ndihmon ta mposhtin frikën dhe ta forcojnë njëri-tjetrin në mbrojtje të standardeve të larta morale dhe të drejtësisë. Ata përgatiten t’u përgjigjen atyre që do ta vinin në pikëpyetje besimin e tyre, do t’i përqeshnin ata ose do t’i akuzonin se janë të dalë mode ose mendjengushtë.

Është interesante të vërehet se sa herë në shkrimet e shenjta një profet i sapothirrur u ndie i papërshtatshëm për të folur. Enoku thirri: “Unë … jam veçse një djalosh dhe të gjithë më urrejnë”21. Por Zoti nuk duket tepër i shqetësuar për dobësinë ose pengesat. Ai i përgjigjet: “Shko e bëj siç të kam urdhëruar. … Hape gojën tënde dhe ajo do të mbushet e unë do të t’i jap fjalët”22.

Zoti pret nga të gjithë ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, që të qëndrojnë si dëshmitarë të Tij. Ai thotë: “Hapini gojët tuaja e ato do t’ju mbushen dhe ju do të bëheni sikurse Nefi i lashtësisë.”23

Rreth Nefit të lashtësisë, ati Lehi shpjegoi: “Nuk ishte ai, por ishte Shpirti i Zotit që ishte në të, që hapi gojën e tij të fliste, kështu që ai nuk mund ta mbyllte atë”24.

Përveç shtëpisë, nuk ka vend tjetër më të mirë për t’i fuqizuar të rinjtë të flasin në emër të Zotit “me seriozitetin e zemrës, në shpirtin e zemërbutësisë”25 sesa me bashkëmoshatarët e tyre në klasat e seminarit dhe të institutit. Ne i ftojmë ata të ndërveprojnë që të lartësohen, që ata të mund të “j[enë] gjithnjë gati për t’[i]u përgjigjur … kujtdo që [i]u kërkon shpjegime për shpresën që është në [ta], por me butësi e me druajtje”26.

3. Ftojini që të Veprojnë

Së treti, ftojini që të veprojnë. Është në të jetuarin e ungjillit që fjalët e thëna nga një i ri ose e re tingëllojnë të vërteta. Ftesa për të vepruar është një ftesë që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për të vepruar “pa … hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë”27. Ajo është një ftesë për të rinjtë tanë që ata t’u përgjigjen nxitjeve të Shpirtit dhe t’i zbatojnë parimet e ungjillit në mënyra praktike. Shpëtimtari dha mësim: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e [Perëndisë], do ta njohë … doktrinë[n]”28. Për të qenë dëshmitarë të Perëndisë, të rinjtë tanë duhet të jetojnë në harmoni me atë që dinë.

Ashtu si ju, unë e kam parë besimin e rinjve tanë që e kuptojnë se çfarë do të thotë “të përfshihen me zell … dhe të bëjnë shumë gjëra … e të shkaktojnë shumë drejtësi”29. Një shembull i tillë ishte në një udhëtim pionierësh i kohëve të fundit ku unë mora pjesë.

Të rinjtë tërhoqën karroca dore përgjatë një pjese të shtegut të dikurshëm të pionierëve në Uajoming të SHBA-së. Ata mbërritën në kodrën Grejvëll “e tatëpjeta më e gjatë dhe më e thepisur … qëkurse [u larguan] nga Lagjet Dimërore”30. Vite më parë, më 9 korrik 1847, kompania e Brigam Jangut e pionierëve të hershëm vuri zinxhirë të rëndë në rrotat e qerreve të saj që të mos rrëshqitnin, me qëllim që të bënin zbritjen. Por për familjet e të rinjve pionierë që tërhiqnin karrocat e dorës atë ditë, disa anëtarë të secilit grup e udhëhiqnin karrocën nga përpara ndërsa shumica i kapeshin nga prapa, që ta mbanin për të mos dalë jashtë kontrollit nga animi gjatë të tatëpjetës së thepisur.

Ishte frikësuese. Themeli ishte i paqëndrueshëm dhe i pabesë dhe të kapeshe pas atyre karrocave kërkonte të gjithë forcën që ata kishin. Unë nuk mund t’i ndihmoja gjithsesi, kështu që qëndrova në fund të kodrës për të parë, me një lutje të zjarrtë në zemrën time se gjithçka do të shkonte mirë.

Duke kapërcyer me vështirësi gurë të mëdhenj zhavorri, karroca e parë e dorës e bëri zbritjen të sigurt. Pikërisht kur u ktheva që të shikoja karrocën tjetër të zbriste poshtë, unë pashë katër të rinj që vrapuan pranë meje duke u kthyer në kodër. Sytë e mi u mbushën me lot dhe zemra ime u mbush me mirënjohje kur kuptova se sapo karroca e tyre ishte e sigurt në tokën e rrafshuar, pa thënë as edhe një fjalë, këta të rinj besnikë vrapuan sërish për të ndihmuar karrocën tjetër. Ata ndihmuan pa pushim në punën për t’i zbritur poshtë të sigurta të gjitha karrocat e dorës. Përpjekjet e tyre i frymëzuan disa [të rinj] të tjerë që të bënin të njëjtën gjë dhe pas pak, të gjitha karrocat e dorës ishin udhës për në vendin ku do të vendoseshin çadrat në mbrëmje.

Ajo çka të rinjtë tanë nuk kuptuan ishte se shembulli i tyre i drejtë në kodrën Grejvëll dhe në shumë raste të tjera dëshmie përgjatë udhës, si me fjalë dhe me vepra, ishte një dëshmi për një të ri që nuk është anëtar i besimit tonë. Xheku më vonë tregoi se ndërsa udhëtonte, ai mësoi se mormonët nuk janë hipokritë ashtu siç e kishte menduar. Ai e pa dhe e ndjeu se ata janë të vërtetë. Ata e jetojnë atë që besojnë. Xheku e ndjeu Shpirtin dhe planifikon të marrë mësimet misionare.

Të rinjtë tanë nuk kanë pse të ngasin karroca dore tatëpjetë kodrave shkëmbore për të qenë dëshmitarë të Perëndisë, por ata shpesh hasin kundërshtim të madh ndërsa përpiqen me guxim të qëndrojnë për të vërtetën dhe drejtësinë. Mësuesit në klasa mund ta ndihmojnë çdo të ri dhe të re të ushtrojë besim në Krisht dhe të marrë Frymën e Shenjtë. Ndihmojini ata të përgatiten duke u ushqyer me fjalët e Krishtit. Ndërveproni për t’i lartësuar duke thënë fjalët e Krishtit. Dhe ftojini të veprojnë duke iu bindur fjalëve të Krishtit, kështu që ata të mund të mbushen me Shpirtin e Zotit. Dhe, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ata mund të jenë dëshmitarët e Krishtit që thonë atë që Ai do të thoshte, që bëjnë atë që Ai do të bënte dhe bëhen madje siç është Ai.

Dëshmoj se Perëndia është Ati ynë dhe se dashuria e Tij për secilin prej nesh është e përsosur. Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i shenjtë i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe se dashuria e Tij për ne është e përsosur. Dëshmoj se me dashuri të përsosur, Ati dhe Biri iu shfaqën Profetit Jozef Smith dhe rivendosën në tokë ligjet dhe ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit. Presidenti Tomas S. Monson është një profet i vërtetë që udhëheq sot Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dëshmoj se ndërsa ne ushtrojmë besim në Krisht dhe e marrim Frymën e Shenjtë, ne të gjithë mund të qëndrojmë së bashku si dëshmitarë të Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër