Takime Shpirtërore 2016
Të Bërit e Personit që Keni Lindur për t’u Bërë


Të Bërit e Personit që Keni Lindur për t’u Bërë

Një Mbrëmje me Presidentin Rasëll M. Nelson

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 10 janar 2016 • Universiteti “Brigam Jang” – Havai

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, jemi shumë të kënaqur që jemi me ju në këtë ditë Shabati. Ne ju duam! Dhe ne besojmë tek ju! Ndërsa ju jap disa ide, unë lutem që ju do ta përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes për ta ftuar Frymën e Shenjtë që t’ju mësojë.1

Së pari, Gëzuar Vitin e Ri! Është një vit krejtësisht i ri. A vutë disa qëllime vjetore për Vitin e Ri? Dhe, a i keni thyer tashmë gjysmat prej tyre? A do të donit që ky të ishte pikërisht viti më i mirë i jetës suaj? Viti kur i përmbushni – më mirë sesa i keni përmbushur ndonjëherë më parë – qëllimet vjetore që kanë më tepër rëndësi për ju? Do të doja të flisja me ju për diçka që besoj se mund të ndihmojë. Shihni nëse mund ta gjeni se çfarë është:

Mendoni për gruan e cila, për 12 vite, duroi një sëmundje të pashërueshme. Ajo zgjati dorën për të prekur rrobën e Shpëtimtarit. Kjo ishte mundësia e saj e vetme për t’u shëruar.2

Mendoni për burrin në pellgun e Betesdës i cili, për 38 vite, vuajti nga një sëmundje dhe kurrë nuk kishte qenë i pari që të hynte në ato ujëra shëruese.3

Mendoni për dishepujt e Shpëtimtarit të cilët, me dallgët që iu kërcënonin jetën duke u përplasur nëpër varkën e tyre të vogël të peshkimit, i thirrën Shpëtimtarit: “A nuk merakosesh që ne po marrim fund?”4

Çfarë kishin të përbashkët këta njerëz?

Ata ishin të dëshpëruar! Të dëshpëruar që Shpëtimtari t’i shëronte ata, t’i ndihmonte ata, t’i pastronte ata, t’i udhërrëfente ata, t’i mbronte ata dhe t’i shpëtonte ata! Ata ishin të dëshpëruar që Jezu Krishti t’i ndihmonte të bënin gjërat që ata kurrë nuk do të mund t’i bënin vetë. Ata ishin të dëshpëruar për të pasur forcën dhe fuqinë e Shpëtimtarit në jetën e tyre. A e njihni atë ndjenjë? Më besoni, unë po.

Ndoshta keni qenë të dëshpëruar për të kryer një detyrë se po afrohej shpejt afati i fundit – ose tashmë i kishte kaluar. Ndoshta keni qenë të dëshpëruar që të kishit dikë që me të vërtetë t’ju kuptonte, t’ju donte me të vërtetë. Ndoshta ju jeni tani të dëshpëruar për t’u pranuar në një universitet ose për të gjetur një punë apo një vend për të jetuar, të dëshpëruar për të zënë miq të rinj dhe për të gjetur shokun apo shoqen tuaj të përjetshme.

Epo, ja ku është lajmi i mirë: Dëshpërimi faktikisht mund të jetë një shtytës i mrekullueshëm.

Qartazi Profeti Jozef Smith përjetoi dëshpërim të thellë në burgun në Liberti. Ai iu përgjërua Zotit: “O Perëndi, ku je ti?”5 Për shkak të një dëshpërimi të tillë të thellë shpirtëror, Profeti mori disa nga zbulesat më madhështore të kësaj periudhe ungjillore.

Kur jemi të dëshpëruar për t’u udhërrëfyer nga qielli, ne punojmë më fort se kurrë për të qenë në harmoni me qiellin. Kur jemi të dëshpëruar për të qenë të shëndetshëm fizikisht, ne hamë dhe bëjmë ushtrime fizike sipas rrethanave. Pa justifikime! Kur jemi të dëshpëruar për të pasur më shumë para, ne të etur e zbatojmë ligjin e Zotit për financat – i cili, sigurisht, është e dhjeta!

Merreni parasysh qasjen e Presidentit Xhorxh Q. Kenon për të dhjetën kur ai ishte një i ri i varfër. Kur peshkopi i tij komentoi mbi shumën e madhe të së dhjetës që Xhorxhi i ri e i varfër po paguante, Xhorxhi tha diçka të tillë: “Oh, peshkop, unë nuk po paguaj të dhjetën e asaj që marr. Po paguaj të dhjetën e asaj që dëshiroj të marr”. Dhe pikërisht vitin tjetër Xhorxhi fitoi saktësisht shumën e parave për të cilën ai kishte paguar të dhjetë në vitin e mëparshëm!6

Kur jemi të dëshpëruar për t’u bërë personi që kemi lindur për t’u bërë, largpamësia jonë ndryshon. Ne zgjohemi nga humbja shpirtërore e kujtesës që kundërshtari e administron me kaq zgjuarsi, dhe papritmas ne shohim gjëra për veten, të tjerët dhe jetën tonë që nuk i kemi parë kurrë më parë. “Qejfi” dhe “argëtimi” i botës fillojnë të duken thuajse qesharakë, ndoshta edhe të rrezikshëm nga ana shpirtërore. Ne fillojmë t’i kuptojmë dredhitë dhe grackat e kundërshtarit ashtu siç janë në të vërtetë – tundime që na bëjnë ta harrojmë identitetin tonë të vërtetë dhe vendmbërritjen tonë.

Ne fillojmë ta kalojmë kohën tonë ndryshe. Koha në Facebook nuk duket magjepsëse as sa gjysma e kohës në tempull. Ne e përjetojmë vetë të vërtetën e thellë të dhënë mësim nga një president i urtë tempulli: “Kur hyjmë në tempull, ne e lëmë botën e shtirur”7. Ne bëhemi shumë më të interesuar për të vërtetat e përjetshme që Zoti do të na mësojë në shtëpinë e Tij të shenjtë, sesa për komentet e bujshme më të fundit në mediat shoqërore, që mund të jenë kaq të përcipta dhe mpirëse për trurin.

Një studente e shkëlqyer në UBJ më tha se zbuloi një lidhje të zhdrejtë midis asaj se sa e sigurt dhe e lumtur ndihej në vetvete dhe sasisë së kohës që shpenzonte në rrjetet shoqërore. Ajo e pakësoi kohën e saj në Facebook dhe tha: “Ndiej sikur kam një përfytyrim më të mirë dhe një mendje më të kthjellët për të përsiatur tema dhe kam një bashkëbisedim të thellë me të tjerët. Tani mund të ndiej një prani më të fortë të Shpirtit në jetën time, e cila është pikërisht gjëja më e mirë që mund të kërkoja.”

Kur ne jemi të dëshpëruar për të qenë vetvetja, ne e përdorim teknologjinë në mënyrën e duhur. Nëse nuk dini si ta bëni këtë, ju nxit të shkoni në LDS.org dhe ta mësoni.

Kur jemi të dëshpëruar për të qenë dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit që kemi lindur për t’u bërë, ne papritmas gjejmë guximin dhe vendosmërinë për të hequr nga jeta jonë çdo gjë dhe gjithçka që është jo e shenjtë dhe e papastër. Gatishmëria jonë për të ndjekur këshillën e udhëheqësve tanë ndryshon. Ne kërkojmë këshillë dhe jemi të etur për ta ndjekur atë. Përulësia e largon krenarinë dhe arrogancën. Shkrimet e shenjta bëhen “burimi i parë” i yni për përgjigje dhe për ngushëllimin që mund të kuptojmë se po e kërkojmë kaq shpesh në internet.

A do të jeni të gatshëm të provoni një eksperiment për 30 ditë?

Gjunjëzohuni përditë dhe falënderojeni Atin tuaj Qiellor për shkrimet e shenjta. Bëjini Atij pyetjen e vetme për të cilën keni më shumë nevojë të merrni përgjigje atë ditë. Lutuni që ta keni Frymën e Shenjtë me ju teksa lexoni. Më pas hapni shkrimet tuaja të shenjta dhe lexoni derisa ta gjeni përgjigjen.8 Provojeni këtë për 30 ditë dhe shihni se çfarë ndodh.

Kur jemi të dëshpëruar për t’u zhvilluar derisa të bëhemi njerëzit që Perëndia dëshiron që ne të bëhemi, ne mund ta kuptojmë se një barrë e panevojshme po na mban prapa. Ajo barrë mund të jetë dhembja shpirtërore që përherë shoqëron zgjedhjet e këqija dhe mëkatin për të cilin nuk jemi penduar. E vërteta është se mëkati për të cilin nuk jemi penduar, është si një magnet për më tepër mëkate!Kështu, në qoftë se ju keni nevojë të pendoheni, filloni tani. Kur ne, ashtu si babai i mbretit Lamon, dëshirojmë të heqim dorë nga të gjitha mëkatet tona9 (edhe nga mëkatet tona të parapëlqyera), atëherë zvarritja largohet, turpërimi zhduket dhe ne jemi të gatshëm, madje të etur, të shkojmë – faktikisht, ndihemi sikur vrapojmë – te peshkopi ynë për ndihmën që na nevojitet për t’u penduar vërtet.

Tani, ka shumë pak garanci në këtë jetë, por ja tek është njëra: Ka 100 përqind garanci se, nëse ne do të pendohemi me të vërtetë, Shpëtimtari do të na pastrojë dhe shërojë – tërësisht, krejtësisht dhe plotësisht!

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Fuqia e Shlyerjes [së Shpëtimtarit] mund t’i fshijë pasojat e mëkatit brenda nesh. Kur pendohemi, hiri i Tij shlyes na shfajëson dhe na pastron (shih 3 Nefi 27:16–20). Është njësoj si të mos ishim dhënë, si të mos kishim rënë në tundim.”10

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë ju premtoj se kjo është e vërtetë! Dhe, qoftë nëse janë mëkate të mëdha për të cilat nuk jemi penduar, apo dobësi të mundimshme që vazhdojnë të na pengojnë, çdonjëri prej nesh ka nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit që të bëhet njeriu që ka lindur për t’u bërë. Është thjesht e pamundur të bëhet pa forcën e Tij dhe fuqinë e Tij.

Fatmirësisht, Shpëtimtari e ka paguar çmimin për çdo dhuratë të Shpirtit që do të kemi nevojë ndonjëherë për të na ndihmuar.11 Është në dorën tonë që ta zbulojmë me lutje se për cilat dhurata kemi nevojë. Ne mund të kemi nevojë për dhuratën e disiplinës së vetes ose të gëzimit. Ndoshta kemi nevojë për dhuratën e durimit, ose dhuratën për t’u shëruar apo dhuratën për të falur. Ndoshta kemi nevojë për dhuratën për t’i pasur ndjenjat tona seksuale në harmoni me ligjet e përjetshme. Ndoshta e kuptojmë se nuk mund të jetojmë as edhe një minutë më shumë pa dhuratën e besimit të palëkundur te Zoti ynë Jezu Krisht. Kur jemi të dëshpëruar për cilëndo dhuratë të Shpirtit, kjo është koha kur ne do të lutemi më në fund me gjithë fuqinë e zemrës sonë për atë dhuratë.12 Dhe lajmi i mirë është se çdo dhuratë shpirtërore që marrim, na çon edhe një hap më pranë vetes sonë të vërtetë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura që ju dua, e vërteta është se një ditë ju dhe unë do të kemi secili një intervistë të veçantë ballë për ballë me Vetë Shpëtimtarin. Kur kjo ngjarje të bëhet përfundimisht e vërtetë për ne, do të jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që duhet për të qenë të përgatitur!

Ndaj tani një pyetje teksa e mbyll: Po sikur të mësonit se Shpëtimtari tashmë është kthyer në këtë tokë – se Ai, si pjesë e Ardhjes së Tij të Dytë, tashmë është takuar me disa nga pasuesit e Tij të vërtetë në disa mbledhje të mrekullueshme, të mëdha13 – mbledhje për të cilat bota, përfshirë CNN-në dhe shkruesit në internet, nuk dinin asgjë. Po të zbulonit se Shpëtimtari ishte tashmë në tokë, çfarë do të donit të bënit me dëshpërim sot dhe çfarë do të ishit të vullnetshëm dhe të gatshëm për të bërë nesër?

Lutem që këtë vit ju do të keni disa çaste dëshpërimi të dhembshëm, që do t’ju shtyjnë më tej përgjatë shtegut për t’u bërë burri ose gruaja që keni lindur për t’u bërë. Ju vetë jeni të mahnitshëm! Asnjëherë mos u mjaftoni me më pak. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Plaku Riçard G. Skot dha mësim: “Zoti nuk do t’ju detyrojë të mësoni. Ju duhet ta ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes për ta autorizuar Shpirtin që t’ju mësojë” (21 Principles: Divine Truths to Help You Live by the Spirit [2013], f. 95–96).

  2. Shih Mateu 9:20–22.

  3. Shih Gjoni 5:2–9.

  4. Marku 4:38.

  5. Doktrina e Besëlidhje 121:1.

  6. Shih George Q. Cannon, “The Doctrine of Tithing”, Deseret Evening News, 19 gusht 1899, f. 11.

  7. Douglas L. Callister, cituar në Sheri Dew and Virginia H. Pearce, The Beginning of Better Days: Divine Instruction to Women from the Prophet Joseph Smith (2012), f. 65.

  8. Shih Wendy Watson Nelson, Change Your Questions, Change Your Life (2010), f. 139.

  9. Shih Alma 22:18.

  10. D. Todd Christofferson, “That They May Be One in Us”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002,f.  71.

  11. Shih 1 Korintasve 12–14; Moroni 10; Doktrina e Besëlidhje 46. Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim se dhuratat e renditura te shkrimet e shenjta të mësipërme janë vetëm sugjerime; ato janë veç fillimi i dhuratave shpirtërore të vëna në dispozicion (shih Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 314–315).

  12. Shih Alma 22:15–18.

  13. Shih Bruce R. McConkie, The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man (1982), f. 575.