Të Bërit Mijëvjeçaristë të Vërtetë
Një Mbrëmje me Presidentin Rasëll M. Nelson
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 10 janar 2016 • Universiteti “Brigam Jang” – Havai
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ky vit i ri do të jetë me siguri një vit plot ngjarje. Në ditët e tij të para, Uendi dhe unë i dhamë tashmë lamtumirën e fundit motrës sime të dashur, Marxhorit, e cila u largua nga kjo jetë e vdekshme. Ne u kemi uruar mirëseardhjen në familjen tonë dy foshnjave – Uejd Riçard Uokerit dhe Ajzak Rasëll Mek-Donout. Dhe tani ne kemi privilegjin të flasim me ju të rinj në moshë madhore të mrekullueshëm në të gjithë botën. Jemi shumë mirënjohës për ju.
E çmoj thellësisht mesazhin e rëndësishëm të Uendit dhe shembullin e saj frymëzues! Unë, gjithashtu, falënderoj me mirënjohje për praninë Plakun Kim B. Klark, i Të Shtatëdhjetëve dhe Komisioner i Arsimit të Kishës; bashkëshorten e tij, Sunë; dhe Çad H. Uebin, administrator i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, dhe bashkëshorten e tij, Kristin.
Unë ju sjell përshëndetje dhe dashuri nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ne jemi plot falënderim për përkushtimin tuaj ndaj Zotit dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Jemi mirënjohës për çdo herë që ju ngriheni dhe e thoni haptas të vërtetën – veçanërisht kur ajo nuk është e përhapur.
Shumë njerëz ju drejtohen juve si Mijëvjeçaristë. Do ta pranoj se, kur studiuesit ju drejtohen me atë fjalë dhe e përshkruajnë atë që studimet e tyre nxjerrin në pah për ju – pëlqimet dhe mospëlqimet tuaja, ndjenjat dhe prirjet tuaja, pikat tuaja të forta dhe dobësitë tuaja – nuk ndihem rehat. Ka diçka në mënyrën se si ata e përdorin termin Mijëvjeçarist që më bezdis. Dhe sinqerisht, jam më pak i interesuar për ato që ekspertët kanë për të thënë rreth jush sesa për ato që Zoti më ka thënë rreth jush.
Kur lutem për ju dhe e pyes Zotin se si Ai ndihet për ju, ndiej diçka tejet të ndryshme nga ajo që thonë studiuesit. Mbresat shpirtërore që kam marrë rreth jush, më bëjnë të besoj se termi Mijëvjeçarist mund të jetë në fakt i përsosur për ju! Por për një arsye shumë të ndryshme nga ajo që ekspertët mund të kuptojnë ndonjëherë.
Termi Mijëvjeçarist është i përsosur për ju nëse ai term ju kujton se kush jeni në të vërtetë dhe cili është në të vërtetë qëllimi juaj në jetë. Një Mijëvjeçarist i Vërtetë është dikush të cilit iu mësua dhe që e dha mësim njëmend ungjillin e Jezu Krishtit para vdekshmërisë dhe që bëri besëlidhje me Atin tonë Qiellor atje për gjëra të guximshme – madje gjëra të guximshme moralisht – të cilat ju do t’i bënit ndërsa do të ishit këtu në tokë.
Një Mijëvjeçarist i Vërtetë është një burrë apo grua të cilit apo të cilës Perëndia i mirëbesonte mjaftueshëm sa ta dërgonte në tokë gjatë periudhës ungjillore më kërkuese në historinë e kësaj bote. Një Mijëvjeçarist i Vërtetë është një burrë apo grua që jeton tani për të ndihmuar në përgatitjen e njerëzve të kësaj bote për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe mbretërimit të Tij gjatë mijëvjeçarit. Mos u gaboni për këtë fakt – ju u lindët për të qenë një Mijëvjeçarist i Vërtetë.
Pyetja është: “Si mund të qëndroni dhe të jetoni si një Mijëvjeçarist i Vërtetë?” Kam katër rekomandime.
Mësojeni se Kush Jeni në të Vërtetë
Rekomandimi im i parë: Mësojeni se kush jeni në të vërtetë.
Shpenzoni kohë për të menduar me lutje rreth këtyre fakteve:
-
Ju jeni një bir apo bijë e zgjedhur e Perëndisë.
-
Ju jeni krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij.
-
Ju morët mësim në botën e shpirtrave që të përgatiteshit për çdo gjë dhe gjithçka që mund të hasnit gjatë kësaj pjese të fundit në këto ditë të mëvonshme.1 Ato mësime qëndrojnë brenda jush!
Ju po jetoni në “or[ën] e njëmbëdhjetë”. Zoti ka deklaruar se kjo është hera e fundit që Ai do t’i thërrasë punëtorët në vreshtin e Tij për t’i mbledhur të zgjedhurit nga të katër cepat e tokës.2 Dhe ju u dërguat për të marrë pjesë në këtë mbledhje. Në mënyrë të përsëritur e kam parë nga afër ndikimin e fuqishëm të Mijëvjeçaristëve të Vërtetë teksa ata i sjellin të tjerët te njohuria e së vërtetës. Kjo është pjesë e identitetit tuaj dhe e qëllimit tuaj si fara e Abrahamit!3
Disa muaj më parë, Uendi dhe unë patëm një përvojë mbresëlënëse në Siberinë e largët. Mes atyre që po udhëtonin me ne në ditën tonë të përgatitjes në Irkutsk, ishin presidenti i misionit, Gregori S. Brinton; bashkëshortja e tij, Selli, dhe djali i tyre misionar i kthyer, Semi, i cili e kishte bërë misionin e tij në Rusi. Ne vizituam liqenin e bukur Bajkal dhe një treg në brigjet e tij.
Kur u rikthyem në furgon, vumë re se Semi nuk ishte. Disa çaste më vonë ai u kthye, i shoqëruar nga një grua në moshë të mesme që quhej Valentina. Me rusishten e saj të lindur, Valentina thirri me entuziazëm: “Dua të takoj nënën e këtij të riu. Ai është kaq i edukuar, inteligjent dhe i dashur! Dua të takoj nënën e tij!” Valentina u tërhoq nga fytyra e ndritshme, e mbushur me dritë e Semit.
Semi e njohu Valentinën si me nënën, ashtu edhe babanë, i dha asaj një fletëpalosje rreth Shpëtimtarit dhe i organizoi gjërat që misionarët ta vizitonin atë. Kur misionarët u rikthyen më vonë me një kopje të Librit të Mormonit, ajo premtoi ta lexonte. Disa gra që punojnë në të njëjtin vend, ishin gjithashtu të emocionuara për librin e ri që kishte marrë Valentina. Ne nuk e dimë ende fundin e kësaj historie por, për shkak të dritës së dallueshme që rrezatonte Semi, Valentina dhe disa nga mikeshat e saj janë njohur me ungjillin.
Mijëvjeçaristët e Vërtetë, ashtu si Semi, e dinë se kush janë në të vërtetë. Ata janë dishepuj të devotshëm të Jezu Krishtit që e mbërthejnë në mënyrë instiktive çdo mundësi për të ndihmuar veten dhe të tjerët që të përgatiten për mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit tonë.
Prandaj, rekomandimi im i parë është ta mësoni vetë se kush jeni në të vërtetë. Pyeteni Atin tuaj Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit, se si ndihet Ai rreth jush dhe misionit tuaj këtu në tokë. Nëse pyetni me qëllim të vërtetë, me kalimin e kohës, Shpirti do t’ju pëshpëritë të vërtetën që ju ndryshon jetën. Shënojini ato mbresa dhe rishikojini ato shpesh dhe ndiqini ato me saktësi.
Unë ju premtoj se, kur të filloni të kuptoni edhe një pjesëz të mënyrës se si Ati juaj Qiellor ju shikon dhe të gjërave që Ai po mbështetet tek ju që t’i bëni për Të, jeta juaj nuk do të jetë më kurrë e njëjta!
Priteni dhe Përgatituni të Arrini të Pamundurën
Rekomandimi im i dytë: Priteni dhe përgatituni të arrini të pamundurën.
Perëndia u ka kërkuar përherë fëmijëve të Tij të besëlidhjes që të bëjnë gjëra të vështira. Për shkak se ju jeni bij dhe bija të Perëndisë që i mbani besëlidhjet, që jetoni në pjesën e mëvonshme të këtyre ditëve të mëvonshme, Zoti do t’ju kërkojë juve të bëni gjëra të vështira. Mund të jeni të sigurt për këtë – provat abrahamike nuk ndaluan me Abrahamin.4
E di sa shkurajuese mund të jetë kur ju kërkojnë të bëni diçka që duket shumë përtej aftësisë suaj. Kisha qenë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve vetëm për 19 muaj kur Presidenti Spenser W. Kimball ndërroi jetë. Në mbledhjen e parë të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve pas shugurimit të Presidentit Ezra Taft Benson, ai u dha detyra të posaçme Të Dymbëdhjetëve. Udhëzimet e tij për mua përfshinë: “Plaku Nelson, ti duhet të hapësh vendet e Europës Lindore për predikimin e ungjillit”.
Ishte viti 1985. Gjatë atyre viteve të ngurta nga ana politike të cilave u drejtohemi si Lufta e Ftohtë, jo vetëm që qyteti i Berlinit ndahej nga një mur me plot kuptimin e fjalës, por e gjithë Europa Lindore ishte nën zgjedhën shtypëse të komunizmit. Kishat u mbyllën dhe adhurimi fetar ishte rreptësisht i kufizuar.
Kisha kaluar shumë kohë nga jeta ime profesionale duke hapur zemra për të kryer ndërhyrje që shpëtonin jetë, por nuk kisha asnjë përvojë që do të më bënte të besoja se unë mund të hapja vende për predikimin e ungjillit. Dhe prapëseprapë, një profet më kishte dhënë një detyrë, ndaj unë i hyra bërjes së asaj që më dukej tërësisht e pamundur.
Prej fillimit, më dolën pengesa në udhën time. Mbërrita në shumicën e vendeve duke mos e ditur ku të shkoja. Edhe kur isha në gjendje të gjeja emrin e një zyrtari të përshtatshëm të qeverisë, nuk ishte e pazakontë që një mbledhje të anulohej në minutën e fundit apo të shtyhej. Në një vend, kur një takim u shty për dy ditë, tundime të shumta u vunë qëllimisht në udhën time për të më vënë në provë – përfshirë gracka për para në tregun e zi dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Në një rast tjetër, mbledhja u hap me kërkesën që unë të largohesha menjëherë!
Por Zoti është në gjendje ta bëjë vetë punën e Tij5 dhe unë pata privilegjin të shihja shpalosjen e një mrekullie pas një tjetre – gjithnjë, dhe vetëm, pasi i kisha vënë mendimet e mia më të mira, përpjekjet e mia më të guximshme dhe lutjet e mia më të zjarrta në detyrë.
Njohja e Kishës u bë nga disa prej atyre vendeve përpara se të shembej Muri i Berlinit. Më vonë erdhën të tjera. Në vitin 1992, pata mundësi t’i raportoja Presidentit Benson se Kisha tashmë ishte vendosur në çdo vend të Europës Lindore!
Si Mijëvjeçaristë të Vërtetë tek të cilët Zoti mund të mbështetet, edhe ju do ta bëni historinë! Do t’ju kërkohet të pranoni detyra sfiduese dhe të bëheni një mjet në duart e Zotit. Dhe Ai do t’jua mundësojë juve që ta arrini të pamundurën.
Si do ta arrini të pamundurën? Duke bërë çfarëdo gjëje të nevojshme për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti me anë të rritjes së kuptueshmërisë suaj për doktrinën e dhënë mësim në Kishën e Tij të rivendosur dhe me anë të kërkimit me ngulm të së vërtetës. Si Mijëvjeçaristë të Vërtetë, me spirancë të hedhur te doktrina e pastër, kur t’ju kërkohet të bëni gjëra të pamundura, do të jeni në gjendje të bëni një hap përpara me besim e ngulm të paepur dhe ta bëni me gëzim gjithçka që është në fuqinë tuaj për t’i përmbushur qëllimet e Zotit.6
Do të keni ditë kur do të jeni krejtësisht të shkurajuar. Pra, lutuni për guxim që të mos dorëzoheni! Do t’ju nevojitet ajo forcë sepse do të bëhet gjithnjë e më pak e përhapur të jesh një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Mjerisht, disa që mendonit se ishin miqtë tuaj, do t’ju tradhtojnë. Dhe disa gjëra thjesht do të duken të padrejta.
Megjithatë, unë ju premtoj se, teksa e ndiqni Jezu Krishtin, do të gjeni paqe të qëndrueshme dhe gëzim të vërtetë. Teksa i mbani besëlidhjet tuaja me përpikëri më të madhe dhe teksa e mbroni Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë sot, Zoti do t’ju bekojë me forcë dhe urtësi për ta arritur të pamundurën.
Mësoni se si të Keni të Drejtën e Përdorimit të Fuqisë së Qiellit
Rekomandimi im i tretë: Mësoni se si të keni të drejtën e përdorimit të fuqisë së qiellit.
Çdonjëri prej nesh ka pyetje. Përpjekja për ta mësuar, për ta kuptuar e për ta njohur të vërtetën është një pjesë jetike e përvojës sonë në vdekshmëri. Një pjesë e madhe e jetës sime është kaluar duke bërë kërkime. Edhe ju do të mësoni më së miri duke bërë pyetje të frymëzuara.
Pikërisht në këtë çast disa prej jush po mundohen të dinë se çfarë duhet të bëjnë me jetën e tyre. Të tjerë nga ju mund të pyetin veten a u janë falur mëkatet e tyre. Shumica prej jush po e pyetin veten kush dhe ku është partneri i tyre i përjetshëm – dhe ata që nuk po e pyetin veten, duhet ta bëjnë.
Disa mund ta vënë në dyshim arsyen pse Kisha i bën disa nga gjërat që bën. Ndoshta shumë prej jush nuk janë të sigurt se si të marrin përgjigje për lutjet e veta.
Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij qëndrojnë gati për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja nëpërmjet administrimit të Frymës së Shenjtë. Por është në dorën tuaj që të mësoni se si të kualifikoheni për ato përgjigje dhe si t’i merrni ato.
Nga mund t’ia nisni? Fillojeni duke shpenzuar më shumë kohë në vende të shenjta. Tempulli është një vend i shenjtë. E tillë është ndërtesa kishtare, ku bëni besëlidhje të reja sakramenti çdo të diel. Ju ftoj gjithashtu ta bëni apartamentin tuaj, fjetoren tuaj, shtëpinë tuaj apo dhomën tuaj një vend të shenjtë ku mund të tërhiqeni të sigurt nga shpërqendrimet e errëta të botës.
Lutja është çelësi. Lutuni për të ditur çfarë duhet të ndaloni së bëri dhe çfarë të filloni të bëni. Lutuni për të ditur çfarë t’i shtoni mjedisit tuaj dhe çfarë t’i hiqni në mënyrë që Shpirti të jetë me ju me bollëk.
Përgjërojuni Zotit për dhuratën e të dalluarit. Pastaj jetoni dhe punoni për të qenë të denjë ta merrni atë dhuratë, kështu që, kur të ndodhin ngjarje pështjelluese në botë, ju do ta dini saktësisht se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. 7
Shërbeni me dashuri. Shërbimi me dashuri ndaj atyre që kanë humbur udhën apo që janë të lënduar në shpirt, e hap zemrën tuaj për zbulesë vetjake.
Shpenzoni më tepër kohë – shumë më tepër kohë – në vende ku Shpirti është i pranishëm. Ajo do të thotë më tepër kohë me miq që po kërkojnë ta kenë Shpirtin me vete. Shpenzoni më tepër kohë të gjunjëzuar në lutje, më tepër kohë me shkrimet e shenjta, më tepër kohë me punën për historinë familjare, më tepër kohë në tempull. Ju premtoj se, teksa i jepni vazhdimisht Zotit një pjesë bujare të kohës suaj, Ai do ta bëjë më frytdhënëse pjesën e mbetur të saj.
Ne mbështetim 15 burra të cilët janë shuguruar si profetë, shikues dhe zbulues. Kur del një problem sëmbues dhe ato duket se bëhen çdo ditë e më sëmbuese – këta 15 burra kacafyten me problemin, duke u përpjekur t’i kuptojnë të gjitha degëzimet e rrjedhave të ndryshme të veprimit dhe kërkojnë me zell ta dëgjojnë zërin e Zotit. Pas agjërimit, lutjes, studimit, përsiatjes dhe këshillimit me Vëllezërit e mi rreth çështjeve serioze, nuk është e pazakontë që unë të zgjohem gjatë natës me mbresa të mëtejshme rreth problemeve për të cilat jemi të shqetësuar. Dhe Vëllezërit e mi kanë të njëjtën përvojë.
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve këshillohen së bashku dhe tregojnë gjithçka që Zoti na ka drejtuar që ta kuptojmë e ndiejmë, më vete dhe bashkërisht. Dhe pastaj ne e vështrojmë Zotin të ndikojë te Presidenti i Kishës për ta shpallur vullnetin e Vet.
Ky proces profetik u zbatua në vitin 2012 me ndryshimin e cakut më të ulët të moshës për misionarët dhe përsëri me shtesat e fundit në manualin e Kishës, që rrodhën nga ligjërimi i martesës mes të njëjtës gjini në disa vende. Të mbushur me dhembshuri për të gjithë, dhe veçanërisht për fëmijët, ne u munduam shumë ta kuptonim vullnetin e Zotit për këtë çështje. Duke qenë gjithnjë të ndërgjegjshëm për planin e Perëndisë për shpëtimin dhe për shpresën e Tij për jetën e përjetshme për secilin nga fëmijët e Tij, ne morëm parasysh larminë dhe ndërthurjet e panumërta të ngjarjeve të mundshme që mund të ndodhnin. Ne u takuam në mënyrë të përsëritur në tempull ndërkohë që agjëronim dhe luteshim dhe kërkuam drejtim dhe frymëzim të mëtejshëm. Dhe atëherë, kur Zoti e frymëzoi profetin e Tij, Presidentin Tomas S. Monson, që ta deklaronte mendjen e Zotit dhe vullnetin e Zotit, secili prej nesh gjatë atij çasti të shenjtë ndjeu një pohim shpirtëror. Ishte privilegji ynë si Apostuj që ta mbështetnim atë që i ishte zbuluar Presidentit Monson. Zbulesa nga Zoti për shërbëtorët e Tij është një proces i shenjtë dhe po kështu është privilegji juaj i marrjes së zbulesës vetjake.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju keni po aq qasje te mendja dhe vullneti i Zotit për jetën tuaj vetjake sa kemi ne Apostujt për Kishën e Tij. Ashtu si Zoti na kërkon neve që të kërkojmë e përsiatim, të agjërojmë e lutemi, të studiojmë e të kacafytemi me pyetje të vështira, Ai kërkon që ju të bëni të njëjtën gjë ndërsa kërkoni përgjigje për vetë pyetjet tuaja.
Ju mund të mësoni ta dëgjoni zërin e Zotit nëpërmjet pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë.8 Sado të dobishëm që mund të duken Google-i, Twitter-i dhe Facebook-u, ata thjesht nuk i japin përgjigjet për pyetjet tuaja më të rëndësishme!
Miqtë e mi të dashur e të rinj, ju mund ta dini mendjen dhe vullnetin e Zotit për vetë jetën tuaj. Nuk keni pse ta pyetni veten a jeni atje ku Zoti ka nevojë që të jeni ose a jeni duke bërë atë që Ai ka nevojë që ju të bëni! Ju mund ta dini! Fryma e Shenjtë do t’ju tregojë “të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”9.
Ndiqini Profetët
Rekomandimi im i katërt: Ndiqini profetët!
Në vitin 1979, ndërkohë që po shërbeja si president i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, u ftova të ndiqja një seminar të Përfaqësuesve Krahinorë gjatë të cilit Presidenti Spenser W. Kimball dha një fjalim frymëzues rreth hapjes së dyerve të kombeve të mbyllura në atë kohë për Kishën, të tilla si Kina. Ai i sfidoi të gjithë të pranishmit që ta studionin gjuhën mandarine në mënyrë që ne të mund t’i ofronim aftësitë tona profesionale për t’i ndihmuar njerëzit në Kinë.
Mua, sfida e Presidentit Kimball m’u duk si një urdhër profetik. Prandaj, po atë natë e pyeta bashkëshorten time, Dentxelin, a do të ishte e gatshme ta studionte gjuhën mandarine me mua. Ajo pranoi dhe ne gjetëm një mësues që të na ndihmonte. Sigurisht që ne nuk mësuam ta flisnim gjuhën mandarine shumë mirë, por mësuam mjaftueshëm sa, kur unë u ftova pikërisht vitin e ardhshëm (nëpërmjet një sërë ngjarjesh fare të papritura) që të shkoja në Kinë si një profesor vizitor për të dhënë mësim për ndërhyrjen me zemër të hapur, isha në një pozitë më të mirë për ta pranuar ftesën.
Po kaloj me të shpejtë gjashtë vite deri në 1985-ën, vitin pasi isha thirrur në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Një ditë, mora një kërkesë të ngutshme për të shkuar në Kinë që të kryeja një ndërhyrje me zemër të hapur për një yll të famshëm të operës, që konsiderohej në mbarë Kinën si një hero kombëtar. U shpjegova se përgjegjësia ime kishtare me kohë të plotë më ndalonte të shkoja, por mjekët në Kinë m’u përgjëruan që të shkoja sakaq për ta kryer ndërhyrjen që do të shpëtonte një jetë.
E diskutova çështjen me presidentin e kuorumit tim dhe me Presidencën e Parë. Ata ndien mbresën se, si një nder për njerëzit e Kinës, unë duhet ta bëja udhëtimin dhe ta kryeja ndërhyrjen.
Ashtu bëra. Fatmirësisht, ndërhyrja qe një sukses! Rastësisht, ajo qe ndërhyrja e fundit me zemër të hapur që kam kryer ndonjëherë. Ishte në Xhinan, Kinë, më 4 mars 1985.
Tani, duke kaluar me të shpejtë sërish, këtë herë deri në tetor 2015, vetëm tre muaj më parë. Uendi dhe unë u ftuam të ktheheshim në Universitetin e Shkollës së Mjekësisë Shandong në Xhinan. U mahnitëm kur u mirëprita ngrohtë si “një mik i vjetër” i Kinës dhe u ribashkova me kirurgët të cilëve u kisha dhënë mësim 35 vite më parë. Një çast kulmor i vizitës sonë qe takimi me djalin dhe nipin e atij ylli të famshëm të operës. Të gjitha këto përvoja të mahnitshme u mundësuan për një arsye: Unë ia vura veshin këshillës së një profeti për ta studiuar gjuhën mandarine!
Profetët shohin përpara. Ata i shohin rreziqet sfilitëse që kundërshtari ka vendosur ose do t’i vendosë më vonë në shtegun tonë. Profetët i parashikojnë edhe mundësitë dhe privilegjet e mëdha që i presin ata të cilët dëgjojnë me qëllim që të binden. E di se kjo është e vërtetë! E kam përjetuar vetë këtë pa pushim.
Zoti na ka premtuar se Ai nuk do ta lejojë kurrë profetin të na çojë në drejtim të gabuar. Presidenti Harold B. Li shpalli: “Juve mund të mos e pëlqeni atë që vjen nga autoriteti i Kishës. Ajo mund të kundërshtojë pikëpamjet tuaja politike. Ajo mund të kundërshtojë pikëpamjet tuaja shoqërore. Ajo mund të ndërhyjë disi në jetën tuaj shoqërore. Por, nëse ua vini veshin këtyre gjërave, si nga goja e Vetë Zotit, me durim e besim, premtimi është se ‘portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij’ (DeB 21:6).”10
Ju mund të mos e kuptoni gjithnjë çdo deklaratë të një profeti të gjallë. Por, kur e dini se një profet është një profet, mund t’i aviteni Zotit me përulësi dhe besim e të kërkoni dëshminë tuaj vetjake për çfarëdo që të ketë shpallur profeti i Tij.
Rreth vitit 41 pr. K., shumë nefitë u bashkuan me Kishën dhe Kisha lulëzoi. Por filluan të zhvilloheshin edhe lidhje të fshehta dhe shumë prej udhëheqësve të tyre dinakë u fshehën mes popullit dhe qe e vështirë të zbuloheshin. Teksa populli u bë gjithnjë e më tepër krenar, shumë nga nefitët “u tall[ën] me atë që ishte e shenjtë, duke mohuar shpirtin e profecisë dhe të zbulesës”11.
Po ato kërcënime janë mes nesh sot. Realiteti i zymtë është se ka “shërbëtorë të Satanit”12 të fshehur mes nesh në të gjithë shoqërinë. Ndaj jini shumë të kujdesshëm rreth faktit se këshillën e kujt zbatoni.13
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju u lindët për të qenë Mijëvjeçaristë të Vërtetë! Ju jeni një brez i zgjedhur14, i paracaktuar nga Perëndia për të bërë një punë mbresëlënëse – për të ndihmuar në përgatitjen e njerëzve të kësaj bote për Ardhjen e Dytë të Zotit.
Tani, si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë e bekoj secilin prej jush, si t’i kisha vendosur duart e mia mbi kokët tuaja, me mundësinë për t’u bërë Mijëvjeçaristët e Vërtetë që u lindët për t’u bërë. Ju bekoj që të keni dëshirën dhe aftësinë ta mësoni identitetin dhe qëllimin tuaj të vërtetë, që ju do t’i prisni dhe do të përgatiteni për të bërë gjëra “të pamundura”, që ju do të jeni të patrembur në përpjekjet tuaja për të mësuar se si të keni të drejtë përdorimi të fuqive të qiellit që t’ju ndihmojnë t’i zgjidhni problemet tuaja dhe t’iu përgjigjen pyetjeve tuaja. Dhe ju bekoj që t’i ndiqni profetët me saktësi, që të ndieni paqe në zemrën tuaj teksa e bëni këtë. Ju bekoj që ta dini dhe ta ndieni se sa shumë ju do Zoti dhe se sa besim Ai ka tek ju.
Unë e dua dhe e mbështet Presidentin Tomas S. Monson në këtë punë të shenjtë të Perëndisë së Plotfuqishëm. Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi populli i Tij! Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 11/15. Miratuar për përkthim: 11/15. Përkthim i “Becoming True Millennials”. Albanian. PD60000934 101