E Vërteta e Rivendosur
Një Mbrëmje me Plakun Riçard J. Meinis
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 1 maj 2016 • Salt Lake Tabernacle [Tabernakulli i Solt-Lejkut]
Vëllezër dhe motra, më pëlqen shumë ta dëgjoj historinë e kthimit në besim të bashkëshortes sime Nensi dhe se sa shumë ndikuan Vegimi i Parë i Jozef Smithit dhe Libri i Mormonit te dëshmia fillestare dhe kthimi i saj në besim. Unë kam qenë gjithmonë mirënjohës për mundësinë që kam pasur të luaj rolin e një misionari, që t’i paraqes asaj ungjillin e Jezu Krishtit disa vite pas kthimit nga misioni im kohëplotë. Siç mund ta përfytyroni, unë habitem se si erdhën gjërat për ne të dy. Jeta jonë në Kishë dhe në familje nënkupton gjithçka për ne.
Unë e vlerësoj sinqerisht këtë detyrë nga Presidenca e Parë për t’ju folur juve këtë mbrëmje. Unë e ndiej se ka rëndësi për ju që ta dini se unë e kam ndier ndikimin dhe nxitjen e Frymës së Shenjtë gjatë përgatitjes së këtij mesazhi dhe shpresoj se ajo që do të ndaj do të jetë me dobi shpirtërore për ju.
Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme ka qenë parashikuar dhe parathënë nga profetët gjatë gjithë historisë. Për shkak të këtij fakti, Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit nuk duhet të vijë si befasi për ata që i studiojnë shkrimet e shenjta. Ka duzina e duzina thëniesh profetike nëpër gjithë Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re dhe Librin e Mormonit që parathonë dhe shenjojnë qartësisht drejt Rivendosjes së ungjillit. Shembuj nga Dhiata e Vjetër gjenden te Ligji i Përtërirë,1 Isaia,2 Jeremia,3 Ezekiel,4 Danieli,5 Amosi6, and Malakia.7 Shembuj nga Dhiata e Re gjenden te librat e Mateut,8 Marku,9 Veprat e Apostujve,10 Romakëve,11 Efesianëve,12 2 Thesalonikasve,13 dhe Zbulesa.14 Shumë profeci të tjera që shenjojnë drejt Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit gjenden nëpër gjithë Librin e Mormonit. Shembujt gjenden te 1 Nefi,15 2 Nefi,16 Jakobi,17 dhe 3 Nefi.18
Një nga shembujt e mi të parapëlqyer të këtyre profecive lidhur me Rivendosjen vjen nga libri i Danielit në Dhiatën e Vjetër. Mbreti Nebukadnetsar i Babilonisë e rrethoi dhe pushtoi Jerusalemin afërsisht në vitin 586 Pr.K. Pasi pushtoi Judenë, mbreti Nebukadnetsar udhëzoi një nga mjeshtrit e tij, të quajtur Ashpenaz, të mblidhte disa nga fëmijët e Izraelit për të shërbyer si këshilltarë në pallatin e tij. Mbreti përmendi se ky grup të zgjedhurish duhet të jetë “pajisur me urti, që të kishin njohuri dhe të mësonin shpejt, që të ishin të aftë të shërbenin në pallatin e mbretit”19.
Midis këtij grupi të zgjedhurish ishin Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria. Ju mund ta mbani mend se gjatë kohës së robërisë, këtyre të rinjve u qenë dhënë emra të rinj babilonas si Beltshatsar, Shadrak, Meshak dhe Abed-nego si pjesë e një kthimi intensiv në kulturën babilonase.
Mbreti Nebukadnetsar gjeti këtë mundësi për t’u këshilluar me këta katër të rinj judeas. Shkrimet e shenjta na informojnë se “mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t’i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij”20.
Një natë ndërsa flinte, mbreti pa një ëndërr. Ai ishte shqetësuar nga ëndrra dhe donte të dinte shpjegimin. Ai vendosi të provonte këshilltarët e tij duke u bërë një kërkesë shumë të pazakontë. Ai thirri së bashku magjistarët, astrologët dhe shtriganët dhe i urdhëroi që së pari t’i tregonin ëndrrën e tij dhe pastaj t’ia shpjegonin. Ai ishte krejtësisht serioz me kërkesën e tij. Mbreti Nebukadnetsar u tha atyre: “Po të mos ma bëni të njohur përmbajtjen e ëndrrës sime dhe interpretimin e saj, do të priteni copa-copa”21.
Kur të diturit e mbretit nuk qenë në gjendje t’i tregonin ëndrrën dhe për këtë arsye ishte e qartë se edhe nuk mund t’a shpjegonin ëndrrën, ai u inatos në kulm dhe urdhëroi që të gjithë të diturit e Babilonisë të vriteshin, përfshirë Danielin dhe shokët e tij. Danieli, sidoqoftë, ishte në gjendje të organizonte një dëgjesë nga mbreti dhe e bindi t’i jepte pak kohë dhe ai do ta shpjegonte ëndrrën e tij.
Danieli u kthye në shtëpi dhe ua tregoi lajmin shokëve. Ata i kërkuan Zotit në lutje që t’ua zbulonte sekretin e vegimit të mbretit, në mënyrë që ata dhe pjesa tjetër e të diturve të Babilonisë të mos vdisnin. Shkrimet e shenjta tregojnë përfundimin e asaj kërkese: “Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit”22.
Pas përlëvdimit dhe falënderimit të Perëndisë, Danieli kërkoi Ariokun, komandantin e rojës së mbretit, dhe i tha: “Mos i vrit njerëzit e ditur të Babilonisë! Më ço përpara mbretit dhe do t’i jap mbretit interpretimin tim”23.
Arioku e çoi me nxitim Danielin përpara mbretit dhe i tha: “Gjeta midis Judejve robër një njeri që do t’i njohë mbretit interpretimin”24.
Kur Danieli u paraqit te mbreti, mbreti i bëri Danielit këtë pyetje: “A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?”25
Danieli u përgjigj duke thënë:
“Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t’i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët.
Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.”26
Danieli atëherë ia zbuloi ëndrrën mbretit Nebukadnetsar. Ai tha:
“Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme.
Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi,
këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.
Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi.
Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.”27
Pasi i tregoi përmbajtjen e ëndrrës mbretit Nebukadnetsar, Danieli vazhdoi pastaj t’i bënte mbretit shpjegimin e ëndrrës. Danieli deklaron:
“Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë.
Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë.”28
Danieli vazhdoi t’i shpjegonte mbretit mbretëritë e ndryshme që do të pasonin mbretërinë e tij, të cilat paraqiteshin nga gjoksi dhe krahët prej argjendi, barku dhe kofshët prej bronzi, këmbët prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.
Tani vjen profecia lidhur me Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe krijimin e mbretërisë së Perëndisë në ditët e fundit. Danieli deklaron:
“Në kohën e këtyre mbretërve [duke iu referuar ditëve të fundit], Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë,
pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt.”29
Vëllezër dhe motra, Rivendosja dhe, si rrjedhojë, rritja e Kishës dhe ungjillit të Jezu Krishtit, në këto ditë të fundit, është fillimi i përmbushjes së kësaj profecie të hollësishme të treguar nga profeti i lashtë Daniel.
Tani le të kalojmë me shpejtësi rreth 2.400 vite pas mbretërimit të mbretit Nebukadnetsar te koha që i parapriu menjëherë Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Më lejoni t’ju tregoj pak nga konteksti historik që çoi te Vegimi i Parë i Jozef Smithit.
Gjyshi i Jozef Smithit, Asael Smithi, ishte regjistruar si ushtar në ushtrinë amerikane gjatë Luftës Revolucionare dhe dëshmoi me sytë e vet lindjen e një kombi të ri.
Prindërit e Jozef Smithit, Jozef Plaku dhe Lusi Meku, qenë ende fëmijë kur u miratua Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 1788-ën, përfshirë Amendamentin e Parë në vitin 1791, që garantonte se qeveria nuk do ta kontrollonte kishën dhe kisha nuk do ta kontrollonte qeverinë.
Feja në Shtetet e Bashkuara, për këtë arsye, u çmonopolizua dhe me fenë të pagarantuar nga shteti, burrat dhe gratë amerikane qenë të lirë të zgjidhnin çfarëdo kishe ose asnjë.
Asael Smithi më vonë iu gëzua ushtrimit të lirë të fesë në kombin e ri. Ai deklaroi: “[Perëndia] na ka drejtuar nëpërmjet një revolucioni të mrekullueshëm dhe na ka sjellë në tokën e premtuar të paqes dhe lirisë”30.
Si pasojë e Revolucionit Amerikan, ndryshimet në transport, komunikacion dhe industri ndihmuan të krijohej një kulturë republike në kombin e ri. Bankat u krijuan për të financuar ndërmarrje në ekonominë e tregut të lirë, të hapur.
Bashkë me ndryshimet në shoqërinë dhe kulturën amerikane, nga fundi i viteve 1790 filloi një seri rigjallërimesh fetare që zgjati me dekada, e njohur nga historianët si Zgjimi i Dytë i Madh. Këto rigjallërime përfshinin takime kampi në qiell të hapur, predikim entuziast e emocional dhe kthime në besim numrash të mëdhenj njerëzish. Përfituesit më të mëdhenj të Zgjimit të Dytë të Madh ishin baptistët dhe metodistët, që e hodhën poshtë doktrinën popullore kalviniste të paracaktimit siç jepej mësim në kishat me bashkësi të pavarura të asaj kohe. Kalvinistët e përfytyronin Perëndinë si një sovran arbitrar që i paracaktonte në mënyrë misterioze burrat dhe gratë që do të shpëtoheshin. Për kalvinistët, burrat dhe gratë, si pasojë e Rënies, qenë tërësisht mëkatarë pa moral dhe të pafuqishëm për të zgjedhur shpëtim nëpërmjet Krishtit.
Gjatë Zgjimit të Dytë të Madh, sidoqoftë, baptistët dhe metodistët predikonin një Perëndi më dashamirës dhe e theksonin shpëtimin si zgjedhje individuale. Kjo pikëpamje për shpëtimin vetjak vinte në një shkallë të madhe nga teologjia arminiane ose nga doktrinat e teologut holandez Jakobus Arminius. Arminiusi dhe udhëheqës të mëvonshëm fetarë në Amerikë, besonin në mirësinë e Perëndisë, që u jepej individëve me aftësinë për të zgjedhur Krishtin dhe që Ai ishte i fuqishëm për të shpëtuar të gjithë ata që zgjidhnin të shpëtoheshin.31
Ishte nëpërmjet këtyre nocioneve kundërshtuese për shpëtimin që u drejtua angazhimi fetar i familjes së Jozef Smithit. Gjyshi dhe babai i Jozef Smithit, Asaeli dhe Jozef Plaku, u pajtuan me pikëpamjen arminiane të një Perëndie dashamirës dhe të dashur. Asael Smithi shkroi më vonë: “Jezu Krishti mund t’i shpëtojë të gjithë si dhe cilindo”32. Asaeli dhe Jozef Plaku e identifikonin veten si universalistë dhe besonin që Perëndia do ta shëlbonte të gjithë njerëzimin pa përjashtime – thelbësisht e kundërta e asaj që mendonin kalvinistët se shpëtimi ishte për të përzgjedhurit.
Biografia fetare e Lusi Mekut ishte e panjohur deri në vitin 1802, kur ajo u prek nga një sëmundje e rëndë dhe i premtoi Perëndisë se do të bënte më të mirën e vet për t’i shërbyer Atij, nëse do t’i kursehej jeta. Pasi e mori veten nga sëmundja, Lusi Meku më vonë shkroi: “Unë thashë vetëm pak mbi temën e fesë edhe pse ajo ma pushtoi mendjen tërësisht”33. Jozef Plaku dhe Lusi Meku do të lëviznin më në fund nga qyteti në qytet duke kërkuar si shpëtim material edhe shpëtim shpirtëror.
Gjatë kësaj kohe të paqëndrueshme lëvizjeje nga qyteti në qytet, Jozef Smith i Riu u lind në Sharon të Vermontit, më 23 dhjetor të 1805-ës. Përfundimisht familja Smith u vendos në Palmira, Nju-Jork, pastaj në afërsi të Mançesterit. Familja Smith gjeti një skenë fetare aktive pranë shtëpisë së saj të re. Baptistët, presbiterianët dhe metodistët të gjithë përjetonin një rritje të rëndësishme në zonë gjatë viteve 1816 deri 1821, e cila çoi në formimin e një bashkësie të re presbiteriane, ndërtimin e një shtëpie të re mbledhjesh për metodistët dhe kthimin në besim të qindra burrave dhe grave.
Lusi Meku provoi presibiterianizmin, por sipas fjalëve të saj “gjithçka ishte zbrazëti”. Atëherë ajo provoi metodizmin, por Jozef Plaku e shkurajoi që të vazhdonte, pasi ai dhe babai i tij, Asaeli, nuk kishin shumë besim te doktrinat që ata jepnin mësim. Ndërkohë që qëndronin pa kishë, Smithët u përpoqën t’u mësonin në shtëpi parime të krishtera fëmijëve të tyre, përfshirë leximin e Biblës dhe lutje vetjake.34
Jozef Smith i Riu mori pjesë në disa mbledhje fetare rigjallëruese me familjen e vet kur ishte fëmijë i vogël. Ai u ndikua shumë nga mësimet dhe diskutimet e babait të vet, i cili kërkoi midis sekteve rigjallëruese dhe nuk mundi të gjente ndonjë që të ishte organizuar sipas rregullit të lashtë të Jezu Krishtit dhe Apostujve të Tij. Jozefi do të mbante vesh dhe përsiaste gjatë studimit të Biblës në familje. Nga mosha 12-vjeçare ai filloi të shqetësohej për mëkatet e veta dhe mirëqenien e shpirtit të tij të pavdekshëm, që e bëri të kërkonte vetë në shkrimet e shenjta.
Kur ishte 14 vjeç, Jozefi i Riu shënoi:
“Një ditë po lexoja Letrën e Jakobit, kapitulli i parë dhe vargu i pestë, që thotë: Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here, duke e ditur që, nëse ndonjë njeriu i nevojitej urtësi nga Perëndia, mua më duhej.”35
Jozefi përfundimisht vendosi t’i kërkonte Perëndisë.
Jozefi shkroi apo diktoi katër rrëfime të njohura si Vegimi i tij i Parë. Përveç kësaj bashkëkohësit e tij shënuan kujtimet e tyre për çka dëgjuan të thoshte Jozefi rreth vegimit; njihen pesë rrëfime të tilla. Është një bekim që i kemi këto anale. Ato e bëjnë Vegimin e Parë të Jozefit vegimin më të mirëdokumentuar në histori. Unë ju nxit të vizitoni faqen history.lds.org për të mësuar më shumë rreth rrëfimeve dhe për të parë se si ato e plotësojnë njëra-tjetrën për të krijuar një tablo më të plotë.
Artikulli me temën e ungjillit “First Vision Accounts” [“Rrëfime për Vegimin e Parë”] thotë: “Rrëfimet e ndryshme të Vegimit të Parë tregojnë të njëjtën histori, edhe pse natyrisht ato ndryshojnë në theksime dhe hollësi. Historianët presin që kur një individ ritregon një përvojë në mjedise të shumta për grupe të ndryshme dëgjuesish, përgjatë shumë viteve, secili tregim do të theksojë aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të pashoqe. Vërtet, ndryshime të ngjashme me ato të rrëfimeve për Vegimin e Parë ekzistojnë në shumë rrëfime në shkrimet e shenjta për vegimin e Palit në rrugën për në Damask dhe përvojën e Apostujve në Malin e Shpërfytyrimit. Prapëseprapë, me gjithë ndryshimet, një vijueshmëri bazë mbetet në të gjitha rrëfimet për Vegimin e Parë. Disa kanë dhënë si argument në mënyrë të gabuar se çdo ndryshim në ritregimin e historisë është provë e trillimit. Përkundrazi, të dhënat e pasura historike na mundësojnë të mësojmë më shumë rreth kësaj ngjarjeje të pazakontë sesa do të mundnim nëse do të ishte jo aq mirë e dokumentuar.”36
Unë do të doja të shqyrtoja shkurtimisht me ju katër rrëfimet që ishin shkruar apo diktuar nga Jozef Smithi.
I pari, rrëfimi i vitit 1832 është rrëfimi më i hershëm i shkruar mbi Vegimin e Parë. Ai është pjesë e një autobiografie gjashtëfaqëshe, shumica e së cilës u shkrua nga vetë Jozefi. Ky dokument ka qenë në zotërim të Kishës qysh kur u shkrua. Pas udhëtimit të shenjtorëve për në perëndim të Amerikës Veriore, ai mbeti i paketuar në një sënduk për disa vite dhe mandej përgjithësisht ishte i panjohur gjersa u botua në një tezë masteri në vitin 1965. Qysh atëherë ka qenë botuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë në LDS.org dhe te Joseph Smith Papers [Dokumente të Jozef Smithit]. Në këtë dokument Jozefi tregon hidhërimin që nuk po dinte se ku ta gjente faljen nga Shpëtimtari. Ai dëshmoi: “Zoti hapi qiejt mbi mua dhe unë pashë Zotin”37, që disa e kanë interpretuar sikur do të thotë se ai iu referua shfaqjes së vetëm një qenieje hyjnore, edhe pse, kur lexohet në dritën e dokumenteve të tjera, kjo frazë mund të kuptohet se do të thotë që Perëndia, Ati hapi qiejt dhe i zbuloi Birin e Tij, Jezu Krishtin, Jozefit.
Ky rrëfim thekson shumë bukur Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe shëlbimin vetjak që Ai i ofroi Jozefit. Pjesërisht aty thuhet: “Zoti hapi qiejt mbi mua dhe unë pashë Zotin dhe ai më foli duke thënë: ‘Jozef, biri im mëkatet e tua të janë falur. … Unë u kryqëzova për botën që të gjithë ata që besojnë në emrin tim të mund të kenë jetë të përjetshme’.” Jozefi dëshmoi se ai përjetoi gëzim dhe dashuri por nuk mund të gjente asnjë që ta besonte. “Shpirti im qe mbushur me dashuri dhe për shumë ditë unë mund të ngazëlloja me gëzim të madh dhe Zoti ishte me mua, por nuk mund të gjeja asnjë që do ta besonte vegimin qiellor. Sidoqoftë, unë i përsiata këto gjëra në zemrën time.”38
Pastaj, rrëfimi i vitit 1835 është përshkrimi i Jozefit për vegimin e vet Robert Methjuit, një vizitor në Kirtland në vitin 1835. Ai u shënua në ditarin e Jozefit nga shkruesi i tij. Ai nuk ishte përfshirë në botimet e hershme të historisë së Jozefit dhe për herë të parë u botua te BYU Studies [Studime nga UBJ] në vitet 1960. Në këtë rrëfim, Jozefi dëshmon se së pari Perëndia iu shfaq atij dhe mandej ai pa Shpëtimtarin gjithashtu: “Unë i thirra Zotit në lutje të fuqishme. Një shtyllë zjarri u shfaq mbi kokën time; ajo zbriti atë çast mbi kokën time dhe më mbushi me një gëzim të papërshkrueshëm. Një personazh u shfaq në mes të kësaj shtylle flake, që u përhap kudo përreth dhe përsëri asgjë nuk dogji. Një tjetër personazh u shfaq shpejt si i i pari. Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur”. Në këtë rrëfim, Jozefi shënoi gjithashtu: “Unë pashë shumë engjëj në këtë vegim”39.
Tjetër, rrëfimi i vitit 1838 është rrëfimi i mirënjohur dhe vjen nga Historia në Dorëshkrim e Jozefit. Skica e parë u shkrua pasi Jozefi u arratis nga Kirtlandi në fillim të vitit 1838 dhe skica e dytë pak pas ikjes së tij nga Misuri në vitin 1839. Pra, ai ishte shkruar në kohën e një kundërshtimi të madh. Ai u botua për herë të parë në vitin 1842 te Times and Seasons [Kohë dhe Stinë]. Ai përfshiu gjithashtu Perlën me Vlerë të Madhe në vitin 1851, që fillimisht ishte një pamflet për shenjtorët britanikë, pastaj më vonë u sanksionua si shkrim i shenjtë për të gjithë shenjtorët në vitin 1880.
Skica të shumta të këtij rrëfimi janë botuar te Joseph Smith Papers [Dokumente të Jozef Smithit]. Si rrëfimi i vitit 1835, çështja qendrore e këtij rrëfimi është se cila kishë është e drejtë. Si histori e Kishës dhe jo thjesht e Jozefit, ky rrëfim “përqendrohet te vegimi si fillimi i ‘ngritjes dhe përparimit të Kishës’”40. Prandaj, ai nuk përfshin informacionin rreth faljes vetjake që përmendet në dy rrëfimet e mëparshme.
Dhe më në fund, rrëfimi i vitit 1842 është në përgjigje të një kërkese për informacion nga Xhon Uentuorthi, botues i Chicago Democrat [Demokrati i Çikagos]. Jozefi i shkroi atij një letër që përfshiu jo vetëm Nenet e Besimit, por gjithashtu një përshkrim të Vegimit të tij të Parë. Letra u botua te Times and Seasons [Kohë dhe Stinë] në vitin 1842. Me lejen e Jozefit, ai u botua përsëri në vitin 1843 nga historiani Izrael Daniel Rup në librin e tij rreth kishave të krishtera në Shtetet e Bashkuara. Ky rrëfim synohej për një grup dëgjuesish që nuk i njihte besimet mormone. Ai u shkrua gjatë një periudhe qetësie fatlume nga kundërshtia me të cilën përballej Profeti.
Si edhe në rrëfimet e tjera, Jozefi përmendte pështjellimin që përjetonte dhe paraqitjen e dy personazheve në përgjigje të lutjes së tij: “Unë isha zhytur në një vegim hyjnor dhe pashë dy personazhe të lavdishëm që i përngjanin saktësisht njëri-tjetrit në karakteristika dhe pamje, të rrethuar nga një dritë e shkëlqyer që e mbulonte diellin e mesditës. Ata më treguan se të gjitha entitetet fetare ishin duke besuar në doktrina të pasakta dhe se asnjë prej tyre nuk njihej nga Perëndia si kisha dhe mbretëria e Tij. Dhe unë u urdhërova shprehimisht të ‘mos shkoj pas tyre’, duke marrë njëkohësisht një premtim se plotësia e ungjillit duhej të më bëhet e njohur në një të ardhme.”41
Është bekim t’i kesh këto rrëfime mbi Vegimin e Parë të Jozefit! Si Ungjijtë e veçantë të Dhiatës së Re, që të kombinuar përshkruajnë në mënyrë më të plotë jetën dhe shërbesën e Krishtit, secili nga rrëfimet që përshkruan Vegimin e Parë të Jozefit shton një hollësi dhe këndvështrim unik te tërësia e përvojës. Ato së bashku tregojnë historinë e qëndrueshme dhe të harmonishme të Jozefit. Ato të gjitha theksojnë se kishte pështjellim dhe grindje midis kishave të krishtera, se Jozefi dëshironte të dinte se cila (nëse kishte) ishte e drejtë, se ai kërkoi në shkrimet e shenjta dhe u lut, se një dritë zbriti nga qielli dhe se qenie hyjnore u shfaqën dhe iu përgjigjën lutjes së tij.
Le të kthehemi prapa tani dhe të shohim në hollësi variantin e 1838-ës të rrëfimit të Jozef Smithit për Vegimin e Parë, që është sanksionuar si shkrim i shenjtë. Ajo është përvoja më e fuqishme e të mësuarit që mund të ketë dikush në tokë. Kjo përvojë ndryshoi jetën e Jozefit, ajo ka ndryshuar jetën time dhe unë e di se ajo ka ndryshuar apo do të ndryshojë jetën tuaj kur ju shkoni te Zoti për konfirmimin e vërtetësisë së saj.
“Me kalimin e kohës erdha në përfundimin se unë ose duhej të mbetesha në errësirë dhe ngatërresë ose përndryshe duhej të bëja ashtu siç udhëzon Jakobi, që është, t’i kërkoja Perëndisë. Me kalimin e kohës arrita në përfundimin ‘t’i kërkoja Perëndisë’, duke përfunduar se, nëse ai u jepte urtësi atyre që iu mungonte urtësia dhe e jepte lirisht e pa qortuar, unë mund ta provoja.
Kështu, në përputhje me këtë, vendosmërinë time për t’i kërkuar Perëndisë, unë u tërhoqa në pyll për t’u përpjekur. Ishte në mëngjesin e një dite të bukur, të kthjellët, në fillim të pranverës së njëmijetetëqindenjëzetës. Ishte hera e parë në jetën time që kisha bërë një përpjekje të tillë, sepse në mes të gjithë shqetësimeve të mia, unë kurrë nuk kisha bërë përpjekje për t’u lutur me zë.
Pasi isha tërhequr tek vendi ku kisha vendosur më përpara për të shkuar, pasi pashë përreth meje dhe mësova se isha vetëm, rashë në gjunjë dhe fillova t’i tregoj dëshirat e zemrës sime Perëndisë. Sapo kisha filluar ta bëja këtë, kur papritur u mbërtheva nga një fuqi që më pushtoi të tërin dhe që kishte një ndikim kaq të mahnitshëm mbi mua, sa të ma lidhte gjuhën, kështu që unë nuk mund të flisja. Errësira e thellë më rrethoi dhe m’u duk për njëfarë kohe sikur fati im ishte shkatërrimi i menjëhershëm.
Por, duke i ushtruar të gjitha fuqitë e mia për t’i thirrur Perëndisë që të më çlironte nga fuqia e këtij armiku që më kishte mbërthyer dhe pikërisht në çastin kur isha gati të zhytesha në dëshpërim e ta braktisja veten në shkatërrim – jo në një shkretim të përfytyruar, por fuqisë së njëfarë qenieje reale nga bota që nuk shihej, e cila kishte fuqi të tillë të mrekullueshme sa nuk e kisha ndier kurrë më parë në ndonjë qenie – pikërisht në këtë çast paniku të madh, unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kohën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.
Sapo u shfaq ajo, unë e gjeta veten time të çliruar nga armiku që më mbante të mbërthyer. Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. “Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!
Qëllimi im i vajtjes për t’i kërkuar Zotit ishte të dija se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti, që unë të mund të dija me cilin të bashkohesha. Si rrjedhim, sapo e zotërova përsëri veten, aq sa të isha në gjendje të flisja, atëherë u kërkova Personazheve që qëndronin mbi mua në dritë, se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti (sepse në këtë kohë kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se të gjithë ishin gabim) – dhe me cilin të bashkohesha.
Mora përgjigjen se unë nuk duhej të bashkohesha me asnjë prej tyre, sepse ata ishin të gjithë të gabuar.”42
Siç thuhet në dokumentin “First Vision Accounts” [“Rrëfime për Vegimin e Parë”] që gjendet te LDS.org, “Jozef Smithi dëshmoi në mënyrë të përsëritur se përjetoi një vegim të pazakontë të Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. As e vërteta e Vegimit të Parë as argumentet kundër tij nuk mund të provohen vetëm nga kërkimi historik. Njohja e së vërtetës së dëshmisë së Jozef Smithit kërkon që çdo kërkues i zellshëm i së vërtetës ta studiojë analin dhe pastaj të ushtrojë besim të mjaftueshëm në Krisht për të pyetur Perëndinë në lutje të sinqertë, të përulur nëse anali është i vërtetë. Nëse kërkuesi kërkon me synim të vërtetë që të veprojë sipas përgjigjes së zbuluar nga Fryma e Shenjtë, vërtetësia e vegimit të Jozef Smithit do të përshfaqet. ‘Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja’” [Joseph Smith—Historia 1:25].43
Sipas Presidentit Jozef F. Smith, “Ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në botë, që nga ringjallja e Birit të Perëndisë nga varri dhe ngjitja e tij lart, ishte ardhja e Atit dhe e Birit tek ai djalosh, Jozef Smithi”44.
Vëllezër dhe motra, është një përvojë mahnitëse si dhe ndriçuese të analizosh atë që ne mësojmë në të vërtetë nga kjo përvojë e shenjtë, mbresëlënëse e Jozef Smithit. Unë do të doja të ndaja me ju disa shembuj të vërtetash që mësojmë nga Vegimi i Parë i Jozef Smithit lidhur me natyrën e përjetshme të Atit tonë Qiellor; Birit të Tij, Jezu Krishtit; realitetin e Satanit dhe luftën midis së mirës dhe së keqes, si dhe aspekte të tjera të rëndësishme të planit të madh të shpëtimit.
Ne mësojmë që shkrimet e shenjta janë të vërteta dhe mund të mësohen një për një dhe të zbatohen në jetën tonë.
Ne mësojmë se përsiatja e shkrimeve të shenjta sjell fuqi dhe mprehtësi mendimi.
Ne mësojmë se vetëm njohuria nuk mjafton; të vepruarit sipas asaj që dimë çon te bekimet e Perëndisë.
Ne mësojmë ta vëmë besimin tonë në Perëndi dhe të shikojmë tek Ai për përgjigje ndaj pyetjeve më të rëndësishme të jetës dhe të mos e vendosim besimin tonë te njeriu.
Ne mësojmë se lutjeve u jepet përgjigje sipas besimit tonë të palëkundur dhe sipas vullnetit të Atit Qiellor.
Ne mësojmë mbi realitetin e ekzistencës së Satanit dhe se ai ka fuqi të vërtetë të ndikojë në botën fizike, përfshirë ne.
Ne mësojmë se fuqia e Satanit është e kufizuar dhe më e dobët sesa fuqia e Perëndisë.
Ne mësojmë se Satani nuk do të ndalet para asgjëje që të shkatërrojë punën e Perëndisë dhe se Satani duhet ta ketë ditur rëndësinë e Jozef Smithit në rolin e tij si Profet i Rivendosjes.
Ne mësojmë se mund ta mposhtim Satanin duke iu lutur Perëndisë dhe duke vënë tërë besimin dhe besën tonë në Zot.
Ne mësojmë se atje ku ka dritë, errësira duhet të largohet.
Ne mësojmë se Perëndia, Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë dy qenie individuale të veçanta dhe të ndryshme, që përngjajnë me njëri-tjetrin në karakteristika dhe pamje.
Ne mësojmë se jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Ne mësojmë se Krishti është ringjallur.
Ne mësojmë se Perëndia na njeh personalisht dhe është në dijeni të nevojave dhe shqetësimeve tona. Ai e thirri Jozefin me emër.
Ne mësojmë për marrëdhënien që ekziston midis Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht. Jezusi varet nga Ati i Tij dhe Ati komunikon me të vdekshmit këtu në tokë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit.
Ne mësojmë se Jezu Krishti është shumë i dashur për Atin e Tij, duke e quajtur Jezusin si Birin e Tij të Dashur.
Ne mësojmë se Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit në formën që Ai e organizoi fillimisht, nuk gjendej në tokë në kohën e Jozef Smithit, duke e vërtetuar realitetin e Braktisjes së Madhe të parathënë nga Apostulli Pal.
Ne mësojmë se kur kujdesemi sa duhet për të pranuar drejtimin e Perëndisë në jetën tonë, Ai do të zbulojë një drejtim të përpunuar për ne. Në kohën e Jozefit të gjitha kishat dhe sektet ishin të gabuara.
Ne mësojmë se çdo periudhë ungjillore merr vegime, bekime dhe lavdi të Perëndisë.
Ne mësojmë këndvështrime të mprehta për mënyrën se si Perëndia i zgjedh profetët e Tij.
Ne mësojmë se Perëndia zgjedh të pastërtit në zemër, që janë të drejtë dhe kanë dëshira të drejta për të bërë punën e Tij, duke vërtetuar mësimin nga Bibla se Perëndia sheh zemrën dhe nuk zgjedh bazuar në pamjen e jashtme ose gjendjen apo pozitën shoqërore.
Vëllezër dhe motra, Vegimi i Parë është çelësi për të zbuluar shumë të vërteta që kanë qenë të fshehura për shekuj. Le të mos i harrojmë apo të mos jemi mirënjohës për shumë të vërteta të çmueshme që kemi mësuar nga Vegimi i Parë i Jozef Smithit.
Shfaqja e Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht, Jozef Smithit nisi periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Ne duhet ta ndajmë këtë ngjarje të shenjtë dhe gjërat që kemi mësuar prej saj me të gjithë ata që i duam dhe kujdesemi.
Këtu janë dy pyetje që mund t’i merrni parasysh, t’u përgjigjeni dhe t’i ndani në mediat shoqërore duke përdorur etiketimin #LDSdevo.
-
Çfarë të vërtetash keni mësuar nga Vegimi i Parë i Jozef Smithit?
-
Si ju është përgjigjur Zoti kur keni kërkuar për të vërtetën dhe përgjigje për pyetjet që keni pasur?
Unë jam i emocionuar të lexoj atë që keni për të ndarë në lidhje me këtë çështje domethënëse dhe këto pyetje të rëndësishme.
Më lejoni ta përfundoj duke ndarë me ju një të vërtetë tjetër që e mësova si rrjedhim i përqendrimit te Vegimi i Parë i Jozef Smithit ndërsa u jepja mësim misionarëve kohëplotë.
Disa vite përpara pata privilegjin të shërbeja në Presidencën e Zonës së Filipineve. Anëtarët e Presidencës së Zonës kishin për të folur me radhë në takime shpirtërore që bëheshin në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Manila. Misionarë kohëplotë të thirrur rishtas erdhën në Manila nga rreth 14 vende të ndryshme nga e gjithë Azia dhe vendet përreth Oqeanit Paqësor.
Ndërsa detyrës sonë në Filipine po i afrohej fundi, ne iu gëzuam një mundësie të fundit për t’u folur misionarëve në një takim shpirtëror në QTM. Unë nuk do të harroj kurrë që isha ulur në podium duke vështruar mbi bashkësinë te këta misionarë të mrekullueshëm kohëplotë. Unë po lutesha për frymëzim që të isha në gjendje të ndaja me ta diçka që do t’i ndihmonte të kuptonin rëndësinë e madhe të punës me të cilën do të merreshin. Ndërsa po mendoja se çfarë mund të thosha, sytë e mi u tërhoqën nga një pikturë në murin e auditorit. Ishte një pikturë që edhe mund ta keni parë varur në shtëpinë tuaj të mbledhjeve. Ishte piktura e mirënjohur nga Del Parson kushtuar Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Ajo ka Jozef Smithin 14-vjeçar të gjunjëzuar në Korijen e Shenjtë, duke marrë udhëzime nga Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti.
Unë e fillova mesazhin tim për misionarët duke treguar me gisht nga piktura e Vegimit të Parë e Del Parsonit dhe duke u shpjeguar atyre se Jozef Smithi, në atë çast kohor, i gjunjëzuar në Korijen e Shenjtë, duke u lutur për drejtim në jetën e tij, përfaqëson të gjithë kërkuesit që kërkojnë të vërtetën, të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Përse? Sepse ai pati të njëjtën përgjigje që kanë pasur të gjithë kërkuesit e ndershëm dhe të sinqertë. Kur kërkonte të dinte prej Zotit se cili nga të gjitha sektet ishte i drejtë, ai në fakt po kërkonte për të vërtetën. Ai po kërkonte për qëllimin e tij në jetë. Ai po kërkonte për planin e madh të Atit Qiellor për shpëtimin.
A kishte ndonjë misionar të autorizuar në tokë në kohën e lutjes nga zemra të Jozefit për përgjigje ndaj pyetjes së tij? Jo, nuk kishte. Prandaj, në atë çast hyjnor, Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, u shfaqën dhe iu përgjigjën kërkesës së djalit Jozef dhe Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit filloi.
Ashtu si Jozef Smithi, kërkuesit që me shumë gjasa do t’i bëjnë dhe mbajnë zotimet e tyre dhe përfundimisht do të përparojnë drejt pagëzimit, janë ata që kërkojnë aktivisht për të vërtetën dhe qëllimin e tyre këtu në tokë. Ky nuk është vetëm një mësim i rëndësishëm për misionarë kohëplotë, por gjithashtu për ne që të mësojmë ndërsa ndajmë ungjillin. Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë se shumë nga ata që kërkojnë për drejtim dhe qëllim në jetë përfaqësohen nga grupmosha pjesëmarrëse në këtë takim shpirtëror. Ata janë miqtë tuaj dhe shokët tuaj. Bashkëshortja ime, Nensi, ishte një nga ato në brezin e moshës suaj që po kërkonte për të vërtetën dhe qëllimin e saj në jetë.
Miq të mi të rinj, çfarë bekimi të pabesueshëm kemi ne të gjithë që kemi lindur në një kohë kur ungjilli i Jezu Krishtit ka qenë vendosur në tokë në plotësinë e tij! Unë jap dëshminë time se Jozef Smithi u vizitua nga Perëndia, Ati dhe Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, në atë ditë të mrekullueshme pranvere në vitin 1820. Unë jap dëshmi se informacioni i shenjtë që Ata ndanë dhe që Jozefi e mori me përulësi ishte i gjithë në përmbushje të deklaratave profetike të thëna nga profetë të hyjnorë gjatë gjithë historisë së tokës. Unë gjithashtu dëshmoj se liritë fetare të siguruara nga krijimi dhe themelimi i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës ndihmoi të përgatitej udha për Rivendosjen. Unë më tej dëshmoj për vërtetësinë e fjalëve të Presidentit Gordon B. Hinkli lidhur me Vegimin e Parë, kur ai tha: “Jozef Smithi mësoi në ato minuta, sado të gjata apo të shkurtra, më shumë rreth natyrës së Perëndisë sesa të gjithë teologët e mësuar të të gjitha kohërave kanë mësuar ndonjëherë”45. Çfarë mundësie e jashtëzakonshme është për të gjithë ne që të ndajmë dëshmitë tona për rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme!
Vëllezër dhe motra, e vërteta është rivendosur, në emër të Jezu Krishtit, amen.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 3/16. Miratuar për përkthim: 3/16. Përkthimi i “The Truth Restored”. Albanian. PD60001510 101