Takime Shpirtërore 2016
Gjetja e Qëllimit Tim


Gjetja e Qëllimit Tim

Një Mbrëmje me Plakun Riçard J. Meinis

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 1 maj 2016 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Unë jam shumë e lumtur që jam këtu sonte me bashkëshortin tim dhe jam mirënjohëse për mundësinë që kam t’ju flas juve.

Kur bashkëshorti im më tha fillimisht se do të fliste për Rivendosjen e ungjillit dhe veçanërisht për Vegimin e Parë të Jozef Smithit, ne biseduam mbi mënyrën se si kishte ndikuar kjo temë në jetën time dhe se si përvoja ime mund të ketë një ndikim pozitiv për forcimin e besimit tuaj.

Unë jam një e kthyer në besim në Kishë dhe do të doja t’ju tregoja përvojën time më të çmuar – historinë e kthimit tim në besim.

U rrita në një shtëpi shumë të dashur dhe kam prindër të mrekullueshëm. Ne nuk shkonim shpesh në Kishë, por si anëtarë të kishës presbiteriane, ne merrnim pjesë në kishë për Krishtlindje dhe Pashkë, dhe ndonjëherë nëna ime më çonte në shkollën e së dielës. Atje e fitova fillimisht dëshminë time për Shpëtimtarin. Më pëlqente shumë kur dëgjoja histori për Jezusin. E dija se Ai ishte disi i veçantë.

Kur isha një vajzë e vogël, e ndieja nevojën që ta bëja lutjen në mbrëmje pranë shtratit tim. Unë e dija se Ati Qiellor më dëgjonte.

Në fillimet e moshës sime 20-vjeçare, unë po dilja në takime dhe po kaloja shumë vështirësi, zhgënjime dhe shkurajime që sjellin ndonjëherë takimet. Mbase disa prej jush kanë ndier po të njëjtat ndjenja, por ka një ndryshim. Ju keni ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në jetën tuaj. Çfarë bekimi i madh është ky. Ungjilli ju jep qëllim dhe forcë. Ju jep shpresë. Gjatë kësaj kohe në jetën time, unë e dija se më mungonte diçka. Ndihesha sikur nuk kisha ndonjë qëllim apo drejtim të vërtetë në jetën time. Fillova të shkoja në kisha të ndryshme duke shpresuar se do të gjeja ndonjë përgjigje. Po kërkoja diçka që t’i jepte disi kuptim jetës sime, por thjesht nuk e dija se ku ta gjeja atë.

Një herë, kur po kaloja një ditë tepër të vështirë, vendosa që të bëja një lutje. Ndaj u gjunjëzova në anë të shtratit tim – diçka që nuk e bëja zakonisht – dhe ia derdha zemrën time Atit Qiellor, duke i kërkuar ndihmë Atij dhe duke e pyetur nëse Ai mund të më jepte njëfarë drejtimi në jetën time. U ndjeva paksa më mirë dhe më pas vazhdova me veprimtaritë e mia të zakonshme ditore.

Pak ditë më vonë lutja ime mori përgjigje. Një misionar i kthyer erdhi në jetën time. Emri i tij ishte Riçard Xhon Meinis. Ai më kërkoi të dilja në një takim dhe ai bëri atë që bëjnë misionarët e mirë që janë kthyer: Ai më pyeti nëse dija ndonjë gjë rreth Kishës dhe nëse e kisha lexuar ndonjëherë Librin e Mormonit.

Fill pas kësaj ai më dha për të lexuar një kopje të Librit të Mormonit. Fillova ta lexoja, dhe një nga gjërat që ma tërhoqi vëmendjen menjëherë ishte titulli i faqes, që thotë: “Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. Nuk ia kisha idenë që Libri i Mormonit fliste për Jezusin.

Unë fillova gjithashtu që të merrja mësimet me misionarët dhe një dritë u ndez në jetën time. Kur misionarët më mësuan për djaloshin Jozef që u vizitua nga Perëndia Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, të cilët janë dy qënie më vete, më tingëlloi si diçka e vërtetë që e kisha ndier dhe besuar gjithnjë, por në kishën time nuk mësohej kjo gjë. Vegimi i Parë ishte një pjesë e rëndësishme e kthimit tim në besim. Ndjeva një lidhje me Jozef Smithin ngaqë ai pati të njëjtën pyetje që kisha dhe unë: Ku ta gjej të vërtetën? Ati Qiellor iu përgjigj lutjes së tij të sinqertë dhe Ai iu përgjigj lutjes sime. Vazhdova t’i merrja të gjitha mësimet dhe në zemrën time e dija se ajo që po më mësohej ishte e vërtetë.

Misionari i kthyer Riçard Xhon Meinisi më pagëzoi atë verë. Ne vazhduam të dilnim në takime dhe një vit më vonë u martuam në Tempullin e Mantit, në Juta.

Tanimë, ky ishte në të vërtetë vetëm fillimi i kthimit tim në besim. Ashtu si me shumë prej nesh, kthimi në besim është një proces. Dëshmitë tona kanë nevojë të ushqehen dhe të forcohen çdo ditë duke i lexuar shkrimet e shenjta, duke bërë lutjen tonë, duke shkuar në Kishë, duke marrë pjesë në tempull dhe duke e ndjekur profetin tonë.

Shkrimet e shenjta duhet të jenë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Kur isha e re, [ende] nuk isha anëtare e Kishës, m’u kërkua të zgjidhja një shkrim të shenjtë për ta mësuar përmendsh. Zgjodha Fjalët e Urta 3:5–6:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”

Nuk mund t’ju tregoj se sa herë ka ardhur ky shkrim i shenjtë në mendjen time kur kisha nevojë për pak ndihmë nga lart. Nëse thjesht do ta vendosim besimin dhe mirëbesimin tonë te Zoti, duke e ditur se ne nuk i kuptojmë të gjitha ato që ndodhin në jetën tonë dhe kujtohemi për ta falënderuar Atë për bekimet e shumta që kemi, Ai do të na e tregojë udhën. Tani kjo mund të mos ndodhë në kohën kur [duam] ne, por unë e di se Ati Qiellor e ka një plan për secilin prej nesh.

Një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera gjendet te Doktrina e Besëlidhje 123:12: “Sepse ka shumë vetë akoma mbi tokë, mes të gjitha sekteve, grupimeve dhe besimeve, të cilët janë të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve, me anë të së cilës ata rrinë në pritje për të mashtruar, dhe të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë.”

Është shumë e rëndësishme për ne si anëtarë të Kishës që t’i ndihmojmë dhe ta ndajmë ungjillin me të tjerët. Ka kaq shumë njerëz sikurse unë që po e kërkojnë të vërtetën, por nuk dinë se ku ta gjejnë atë.

Dy vendimet më të rëndësishme që kam marrë në jetën time ishin që u pagëzova dhe u martova në tempull me bashkëshortin tim. Unë jam shumë mirënjohëse që e kam ungjillin në jetën time. Të gjithë e dimë se herë-herë jeta nuk është e lehtë. Thjesht na duhet të mbajmë mend fjalët e Plakut Xhefri R. Holland. Ai tha:

“Mjeshtri i Qiejve dhe i Tokës është atje për t’ju bekuar. …

Mbështetuni tek Ai. Mbështetuni fort tek Ai. Mbështetuni tek Ai përgjithnjë.”1

Unë e di se Ati Qiellor është i vërtetë. Ai na do. Ai i dëgjon lutjet tona. Unë e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ai vdiq për çdonjërin nga ne dhe na dha dhuratën e madhe të pendimit, e cila na lejon të bëjmë ndryshime në jetën tonë, që çdo ditë të jemi më të mirë. Unë e di se kemi një profet të gjallë, Presidentin Tomas S. Monson dhe unë e di se Profeti Jozef Smith e pa Atin dhe Birin, dhe na dha Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.

Është lutja ime që ju do të vazhdoni t’i forconi dhe t’i ushqeni dëshmitë tuaja çdo ditë duke i bërë ato gjëra që na janë mësuar të bëjmë, nga Shpëtimtari dhe nga profetët tanë. Është lutja ime që ju do të vazhdoni t’i mirëbesoni Zotit dhe ta dini që Ai e di se kush jeni dhe se Ai do ta drejtojë shtegun tuaj.

I them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Jeffrey R. Holland, “Because She Is a Mother”, Ensign, maj 1997, f. 36–37.