Transmetimet e Trajnimeve
Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve


Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për Vitin 2021

E martë, 19 janar 2021

Vëllai Çad H. Ueb: Faleminderit që u bashkuat me mua. Ky është Vëllai Rori Bigëlou. Ai është bashkëadministratori ynë mbi vënien në funksionim, përgjegjësi në Ndërtesën e Zyrave të Kishës të tilla si burimet njerëzore, financat dhe godinat fizike. Ky është Adam Smithi, bashkëadministratori ynë për mësimdhënien, i cili punon me nënsektorët tanë si Trajnimet dhe Programet Mësimore, dhe Shërbimet për Studentët, dhe të tjerë.

Teksa fillojmë, dua të marr vetëm një minutë kohë për të dhënë pak kontekst dhe largpamësi se ku shpresojmë të shkojmë. Pikërisht tani, në Seminaret dhe Institutet (SeI), ne jemi duke bërë një punë të mrekullueshme për të plotësuar nevojat e shumë prej studentëve tanë të tanishëm. Por realiteti është se ata që po marrin pjesë, janë zakonisht ata që marrin pjesë në mënyrë aktive dhe janë anëtarë të përkushtuar të Kishës. Të tjerët në përgjithësi nuk po ndikohen, dhe e vërteta është se, regjistrimet në të gjithë botën në programet SeI po zvogëlohen.

Shpresa jonë më e madhe është që ta ndryshojmë këtë. Shpresojmë që SeI të mund të luajë një rol më domethënës në nevojën e ngutshme për të “mbledhur” një brez të tërë të rinjsh e të rejash dhe të rinjsh në moshë madhore. Ju e mbani mend se Presidenti Nelson dha mësim që mbledhja e Izraelit është puna më e rëndësishme në botë. Sigurisht, ajo përfshin punën misionare dhe punën në tempull, por Presidenti Nelson tha që ajo përfshin gjithashtu ndërtimin e besimit dhe të dëshmisë në zemrat e atyre të cilëve u shërbejmë. Ai tha se çdo herë që ne bëjmë ndonjë gjë që e ndihmon dikë të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e tij me Perëndinë, ne po mbledhim Izraelin.

Ne shqetësohemi se po humbasim disa nga të rinjtë e të rejat tona dhe të rinjtë tanë në moshë madhore. Në vend që të flitet me termat e të qenit të humbur apo të gjetur, shkrimet e shenjta më shpesh i referohen kësaj si të shpërndarë dhe të mbledhur. Ka disa njerëz që po hasin vështirësi me besimin. Por ne e dimë se ku janë ata; ata nuk janë të humbur për ne. Por ata janë të shpërndarë nga ndikimet e botës dhe mund ta kenë larguar veten nga bashkimi me ne. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme dhe një nevojë të ngutshme për të ndihmuar në “mbledhjen” e kësaj pjese të Izraelit.

Mënyra se si do ta bëjmë këtë, është duke krijuar përvoja që çojnë në kthim në besim, lidhje dhe përkatësi, dhe duke i bërë ato përvoja të arritshme për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Dhe ne do ta bëjmë këtë ndërkohë që qëndrojmë të vërtetë ndaj fillesave tona. Ne nuk po kërkojmë të ndryshojmë thjesht për hir të ndryshimit. Ne do të vazhdojmë ta japim mësim ungjillin siç gjendet në shkrimet e shenjta, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Por, për t’i krijuar këto përvoja, ne kemi nevojë të bëjmë disa përshtatje.

Ne kemi nevojë të kalojmë:

  • Nga të folurit dhe të treguarit, te përfshirja dhe të ftuarit.

  • Nga ajo që t’u themi studentëve se ku duhet të jenë, te vajtja për t’i takuar atje ku janë.

  • Nga lavdërimi vetëm i asaj që është ideale, te nderimi për vështirësinë gjithashtu.

  • Nga aktivitetet shoqërore, te ndërveprimi kuptimplotë shoqëror.

  • Nga një përqendrim te kreditet e klasës dhe diplomimi, te një përqendrim në rritjen shpirtërore dhe bërjen shpirtërorë.

  • Nga nxënës pasivë mbi të cilët veprohet, te pjesëmarrës aktivë që janë mjete të Frymës së Shenjtë.

Ne do të takohemi me administratorët e programit, drejtorët tanë të seminarit, drejtorët e instituteve dhe bashkërenduesit për të ndihmuar në përcaktimin e përvojave dhe pritshmërive më të qarta për mësimdhënien dhe të mësuarit, për të siguruar trajnime dhe këshillime, dhe për të siguruar njësi matëse për të na ndihmuar që të dimë nëse po ia dalim mbanë.

Trajnimet dhe burimet që do të merrni dhe ndryshimet që do të bëhen, të gjitha do të bëhen me synim mbledhjen e Izraelit – duke krijuar përvoja që i plotësojnë nevojat e të gjithë të rinjve e të rejave dhe të rinjve në moshë madhore dhe duke i bërë ata shumë më të arritshëm. Ne do të përqendrohemi te ky synim për të paktën tri vitet e ardhshme. Në atë pikë, ne do të vlerësojmë përparimin tonë dhe do të bëjmë përshtatje të mëtejshme.

Ftesa ime për secilin prej jush është që të bashkohet me Presidentin Nelson në punën më të madhe në tokë – nevojën e ngutshme dhe mundësinë për të mbledhur Izraelin, për të mbledhur ata që do ta lënë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre. Gjëra të jashtëzakonshme do të ndodhin, madje mrekulli. Çfarë bekimi do të jetë të jemi pjesë e saj.

Pra, përpara se t’ju pyes për disa nga ndryshimet te Seminaret dhe Institutet, a mund t’ju pyes thjesht: “Çfarë nuk do të ndryshojë kurrë?”

Vëllai Rori Bigëlou: Epo, një gjë që mendoj se do të mbetet e njëjtë, është objektivi ynë i përgjithshëm. Ne ekzistojmë për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rinjtë në moshë madhore që ta kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit. Ne duam t’i ndihmojmë ata të kualifikohen dhe të përgatiten për bekimet që i presin. Dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Përqendrimi ynë në përgjithësi do të jetë tek ata dhe ne do t’i duam ata. Ata kanë rëndësi. Dhe ne duam ta ndihmojmë secilin prej tyre që të ketë përvojën e duhur në Seminare dhe Institute.

Vëllai Adam Smith: Thjesht do të shtoja se ne gjithmonë do të përqendrohemi te nevoja e studentit, të cilën ju e përmendët – se kemi nevojë të jemi me të vërtetë të vetëdijshëm për atë që u nevojitet nxënësve tanë në përvojën në klasë, se shkrimet e shenjta janë thelbësore për atë që ne bëjmë për të ndihmuar të plotësohet ajo nevojë, dhe Shpëtimtari është thelbësor në të gjithë atë përvojë.

Unë gjithashtu mendoj se dy gjëra të tjera që nuk do të ndryshojnë kurrë, është se ne do të jemi gjithmonë besnikë ndaj përparësive profetike dhe drejtimit që marrim nga profetët dhe apostujt. Dhe ne gjithmonë do të përpiqemi fort ta kemi Frymën e Shenjtë me vete në jetën tonë vetjake, kur përgatitemi dhe veçanërisht kur jemi në një klasë me studentët.

Vëllai Ueb: Faleminderit që e thatë këtë. Mendoj se kjo është me të vërtetë domethënëse. Ato gjëra që janë më të rëndësishme, nuk do të ndryshojnë kurrë. Thelbi i asaj që jemi, nuk do të ndryshojë kurrë.

Duke folur për atë që po ndryshon, ky transmetim është i ndryshëm. Kështu që ne kaluam nga Një Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm në këtë periudhë të vitit te ky transmetim global trajnimi. Pra, a mund të flasë ndonjëri prej jush pse është bërë ai ndryshim?

Vëllai Bigëlou: Ka shumë arsye, por mendoj se do të ishte e rëndësishme të dihen dy arsyet kryesore. E para është që për një kohë të gjatë – viti 1912 kur filluam Seminarin e Granitit – ne kemi përqendruar shumë pjesë nga cikli ynë i trajnimit rreth boshtit të një kalendari akademik të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1991, gjërat ndryshuan për ne. Në vitin 1991, në fakt ne kishim më shumë studentë në institut jashtë Shteteve të Bashkuara sesa kishim brenda Shteteve të Bashkuara.

Pra, ndërsa vazhdojmë të rritemi ndërkombëtarisht, thjesht nuk kishte kuptim që ne të vazhdonim të vepronim sipas një kalendari që bazohej në kalendarin akademik të Shteteve të Bashkuara. Pra, kjo është një prej arsyeve – një dëshirë për të kaluar në atë aspekt te një kalendar që është më shumë një kalendar vjetor sesa një kalendar akademik për hemisferën veriore.

Gjëja tjetër – nëse thjesht mund të shtoj – mendoj se gjëja tjetër është një ndryshim në filozofinë tonë dhe mënyrën se si i qasemi trajnimit. Për një kohë të gjatë ishte pothuajse sikur po zhvillonim një garë stafete. Zyra qendrore përgatiste një trajnim dhe përparësitë dhe më pas, në kuvendin me drejtorët e zonave, ne ia dorëzonim atë stafetë drejtorëve të zonave. Ata pastaj, nga ana tjetër, shkonin dhe ua dorëzonin zonave të tyre në trajnimin e zonës.

Dhe ne po e shohim atë më shumë tani nëpërmjet thjerrave të një konvente drejtorësh të zonave sepse trajnimi ka më shumë të bëjë me këshillimin së bashku dhe krijimin e drejtimit së bashku. Dhe tani, zhvendosja e kuvendit tonë të drejtorëve të zonave nga prilli në tetor, na lejon të takohemi me ta në tetor dhe më pas të përgatitemi – si tani, në janar – për një transmetim të trajnimit për të gjithë botën.

Vëllai Ueb: E dini, kjo tregon edhe për një ndryshim tjetër. Aktualisht ne kemi gati gjysmën e drejtorëve të zonave që kishim dikur. Dhe kështu ata janë përfshirë në këshillat tona shumë më tepër sesa ishin më parë. Kjo më pas lejon që nevojat, në secilën prej zonave anembanë botës, të përfaqësohen më mirë në ato këshilla dhe komunikimi të rrjedhë më lirshëm, në frymën e një këshilli. Pra, mendoj se kjo është vërtet diçka domethënëse.

Mirë pra, një ndryshim tjetër për të cilin shumë njerëz po pyetin – dhe ne e vlerësojmë vërtet gatishmërinë e gjithkujt për t’iu përshtatur këtij ndryshimi ndërsa bëjmë përpara me kalendarin e ri që ndjek kalendarin vjetor të programit Eja, Më Ndiq në vend të një kalendari akademik me programin tonë mësimor. Adam, a do të doje të flisje për atë ndryshim?

Vëllai Smith: Po, me gjithë qejf. Ishte rreth marsit të vitit 2019 kur vendosëm të ndërmerrnim atë hap fillestar për ta përputhur programin mësimor të Seminareve dhe Instituteve me librin e shkrimit të shenjtë të programit Eja, Më Ndiq. Kam sjellë një citim nga Plaku Klark, të cilin dua ta lexoj fjalë për fjalë, sepse e konsideroj me shumë ndikim.

Kur kjo iu njoftua botës, Plaku Klark tha: “Profeti i Zotit u ngrit në konferencën e përgjithshme dhe tha: ‘Na duhet udhëzimi i ungjillit, i përqendruar te shtëpia, i përkrahur nga Kisha’1. Dhe ngaqë ai e tha atë, ajo ndryshoi gjithçka.”

Kështu që ne vendosëm se në vjeshtën e vitit 2019 – siç e mbani mend – ne kaluam te Dhiata e Re, në janar 2020 te Libri i Mormonit. Pra, rreth vjeshtës së vitit 2019, ne patëm disa njerëz nga programet e seminarit në orët e lira, të cilët erdhën dhe na pyetën a mund të vinin në provë diçka. Ata donin të provonin mësimdhënien e programit mësimor të seminarit në përputhje më të ngushtë me programin e leximit për manualin Eja, Më Ndiq. Dhe ne menduam se ndoshta mund të mësonim disa gjëra vërtet interesante, prandaj i ftuam që ta bënin atë.

Dhe thirrëm një ekip studiuesish që të shkonin dhe të bisedonin me studentë, prindër, mësues dhe administratorë të seminarit, dhe t’i krahasonin rezultatet e tyre dhe përvojën e tyre me ato programe që po përdornin një program mësimor nëntëmujor më tradicional – duke qëndruar të vërtetë ndaj librit të shkrimit të shenjtë, por prapë duke dhënë mësim programin mësimor të seminarit në kalendarin tonë nëntëmujor.

Epo, ajo që mësuam nga ai studim ishte – zbulova se ishte vërtet frymëzuese. Pak befasuese gjithashtu. Ajo që mësuam, ishte se studentët nuk bezdiseshin shumë nga ndonjë përsëritje. Ne gjithashtu zbuluam se të kuptuarit e studentëve për librin e shkrimit të shenjtë ishte i njëjtë në të dyja rastet.

Shqetësimi ishte se duke e ndjekur kalendarin e programit Eja, Më Ndiq, ka disa gjëra që studentët do të humbin në një klasë seminari për shkak të një pushimi në verë ose një pushimi në pranverë apo një pushimi në vjeshtë. Por u vërtetua se studentët e kuptuan njësoj librin e shkrimit të shenjtë.

Por ajo që ndryshoi, është ajo që na tërhoqi vërtet vëmendjen. Pati një rritje të ndjeshme – dhe në të vërtetë, nga ana statistikore ishte e ndjeshme – të numrit të studentëve që vinin në klasë të përgatitur për të mësuar mësimin që ishte atë ditë – një rritje të ndjeshme të numrit të studentëve që bënin komente kuptimplota, duke marrë pjesë në mënyrë kuptimplotë në orën mësimore.

Dhe ajo që m’u duk më emocionuese, ishte se kishte një rritje të ndjeshme të numrit të studentëve që i lexonin shkrimet e tyre të shenjta në shtëpi jashtë seminarit. Pra, kur e pamë atë studim kërkimor dhe e pamë krahasimin, ne me të vërtetë kuptuam se duke e bërë këtë ndryshim, do të bekonim studentë dhe do të bekonim familje. Kjo nënvizoi edhe diçka tjetër që Plaku Klark na e dha shpesh mësim kur ishte komisioneri ynë.

Ai na mësoi që t’i ndihmojmë studentët të kenë një përvojë të thellë të të mësuarit dhe të kthimit në besim ndërkohë që janë me ne. Dhe përputhja me programin Eja, Më Ndiq, mendoj se ndihmon të lehtësohet paksa barra për ta trajtuar materialin dhe të asaj që duhet të trajtojmë në një mësim. Tani, ne do të qëndrojmë gjithmonë besnikë ndaj shkrimeve të shenjta; ato do të jenë gjithmonë thelbësore. Dhe programi Eja, Më Ndiq na lejon ta kalojmë një libër të shkrimeve të shenjta nga fillimi deri në fund. Por e dimë që nuk mund t’i trajtojmë të gjitha, kështu që ne mund të përqendrohemi te nevojat e nxënësit, duke i lidhur ata me Shpëtimtarin, duke e bërë atë në shkrimet e shenjta dhe duke e bërë atë me anë të Frymës së Shenjtë.

Por ne nuk donim ta shpërfillnim faktin se këtu ka një problem, që me çdo kalendar shkollor, kudo në botë, ka gjithmonë një pushim kur ata nuk janë në shkollë, zakonisht rreth dy ose tre muaj të gjatë. Kjo do të thotë një përmbajtje shkrimesh të shenjta e dy deri në tre muajve që studentët nuk do ta marrin në seminar. Dhe si mësues të shkrimit të shenjtë, kjo na jep një arsye për t’u shqetësuar.

Pra, aty ku Zotërimi Doktrinor ka qenë gjithmonë i rëndësishëm që kur është paraqitur, unë mendoj se kjo madje hedh më shumë dritë mbi të dhe e rrit rëndësinë e tij. Nëse mësuesit do të përqendrohen që ta shpjegojnë mësimin e Zotërimit Doktrinor çdo javë, pavarësisht nga kalendari shkollor kudo në glob, studentët do të marrin elementet më jetike dhe më të rëndësishme. Mendoj se ndonjëherë, ngaqë mësuesit janë kaq të mirë dhe duan ta trajtojnë bllokun e shkrimit të shenjtë, Zotërimi Doktrinor mund të ngelet për në fund, “kur të kemi kohë për të”, dhe ne nuk kemi kurrë kohë. Ka kaq shumë gjëra për të dhënë mësim.

Dhe nganjëherë Zotërimi Doktrinor mund të shihet pothuajse si diçka periferike e asaj që bëjnë seminaret. Por, në të vërtetë, Zotërimi Doktrinor është thelbësor për atë që bëjmë. Ai me të vërtetë na ndihmon të arrijmë objektivin tonë dhe atë që profetët na kanë kërkuar të bëjmë. Pra, duke u përqendruar te Zotërimi Doktrinor, ne në të vërtetë jemi në gjendje të trajtojmë atë boshllëk të asaj që nuk trajtohet në një kalendar shkollor, dhe jemi në gjendje të përputhemi me manualin Eja, Më Ndiq në një mënyrë që i bekon studentët dhe familjet.

Vëllai Ueb: Më kujtohet kur ia treguam studimin Plakut Xhonson dhe biseduam për këtë mundësi. Që në fillim, ai parapëlqeu të përputhej me programin Eja, Ndiq, për shkak të mënyrës se si i bekon familjet dhe lidhet me studimin e tyre në shtëpi. Por ai gjithashtu ishte shumë i shqetësuar, siç ishim ne, për boshllëqet që do të krijoheshin në tema të caktuara në disa pjesë të botës për shkak të kohës kur vijnë pushimet e shkollës. Java e fundit e jetës së Shpëtimtarit mund të mos jepet mësim në seminar, ose Vegimi i Parë, apo disa ngjarje dhe parime shumë domethënëse të ungjillit.

Pra siç e thatë, kur diskutuam për mundësinë e përqendrimit te mësimet e Zotërimit Doktrinor dhe përfshirjen e tyre, edhe nëse ato nuk do të zhvilloheshin gjatë pushimeve – dhe madje krijimin e disa mësimeve përmbledhëse, disa ura për t’i ndihmuar ata të lidhen nëse kthehen nga një pushim dhe të mos kalojnë menjëherë në kalendarin e programit Eja, Më Ndiq, por të fillojnë me disa mësime lidhëse për atë që kanë humbur dhe pastaj të fillojnë programin e leximit të Eja, Më Ndiq – ne do të mund të kemi përfitimet që përshkruat nga qëndrimi në linjë me kalendarët Eja, Më Ndiq, por gjithashtu do të mund t’i heqim shqetësimet që kishim për ato që mund të humbnin. Dhe për më tepër ne gjithashtu duhet të kemi besim te familjet dhe individët që do t’i studiojnë ato pjesë kur nuk janë me ne, se do të kenë një përvojë dhe nëpërmjet Frymës së Shenjtë do të mësojnë gjërat që kanë nevojë të mësojnë. Pra, gjithsesi, ky është një shpjegim me të vërtetë i shkëlqyer. Faleminderit.

E dini, një pyetje tjetër për të cilin po pyesin shumë njerëz është ndryshimi i kërkesave për lexim – nga kërkesa për ta lexuar tekstin e kursit te zakoni i përditshëm i studimit të shkrimeve të shenjta. Pra, çfarë do të na thoni për atë vendim?

Vëllai Smith: Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm rreth kërkesave për përfundimin e seminarit dhe diplomën e seminarit: se ne e ndjekim pjesëmarrjen dhe i ftojmë ata ta lexojnë tekstin e kursit. Dhe veç kësaj kemi vlerësimin tonë të të nxënit. Dhe po i bëjmë një përshtatje të vogël kërkesës për të lexuar për përfundimin e katër veprave standarde gjatë kohës që janë në seminar, te ftesa që të kenë një zakon të përditshëm të leximit të shkrimeve të shenjta.

Ne shpenzuam shumë kohë me drejtorët tanë zonalë – madje dhe me një numër të madh të drejtorëve të rajoneve – në të gjithë botën, duke diskutuar se çfarë duam të ndodhë vërtet në jetën, mendjen dhe zemrat e studentëve për shkak të përvojave të tyre si në seminar, ashtu edhe në institut.

Dhe kur folëm rreth përvojës në seminar dhe asaj që shpresojmë se do të ndodhë në jetën e një studenti, ne biseduam për kthimin te një kërkesë për leximin e shkrimit të shenjtë në seminar. Por kuptuam se gjëja që vërtet donim të theksonim, gjëja që kishte më tepër rëndësi, ishte aftësia jonë për ta ndihmuar një student të krijojë një zakon të përditshëm që do t’i mbetet gjatë gjithë jetës.

Përsëri, kam sjellë një citim tjetër. Ky është nga manuali ynë Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, por mendoj se kjo e përmbledh këtë kaq mirë. Ai thotë: “Ka disa gjëra që mësuesit mund të bëjnë, që do të kenë një ndikim më të fuqishëm dhe më afatgjatë për mirë në jetën e studentëve të tyre sesa t’i ndihmojnë ata që të mësojnë t’i duan shkrimet e shenjta dhe t’i studiojnë ato çdo ditë”3. Pra, nëse duam që një diplomë e seminarit të simbolizojë një përvojë kuptimplotë, të thellë dhe kthyese në besim gjatë katër vjetëve, studimi i shkrimit të shenjtë duhet të jetë pjesë e kësaj.

Dhe ka plot mënyra se si mund ta matni angazhimin e studentëve me shkrimet e shenjta, por ne donim të përqendroheshim në matjen e asaj që ka më shumë rëndësi, dhe kjo është që t’i ndihmojmë studentët të krijojnë një zakon vetjak të studimit të shkrimit të shenjtë çdo ditë. Pra ne e kemi shoqëruar këtë me disa burime vërtet të mira për udhëheqësit që janë në shërbim, për të cilat shpresojmë që mësuesit dhe drejtuesit që janë në shërbim, do të kenë të drejtë përdorimi. Sepse ato e plotësojnë vërtet kërkesën duke i ndihmuar studentët të fitojnë aftësi, të vendosin synime dhe të mësojnë se si të lidhen vërtet me Atin e tyre në Qiell dhe Shpëtimtarin e tyre nëpërmjet Frymës së Shenjtë në shkrimet e shenjta. Por ne me të vërtetë mendojmë se kjo kërkesë arrin tek ajo që ka më tepër rëndësi dhe tek ajo që duam vërtet të përfaqësojë një diplomë.

Vëllai Ueb: Pra, ne ende do ta inkurajojmë leximin e tekstit të kursit. Në fakt, kërkesa për të lexuar çdo ditë, ose pritshmëria, nevojitet të jetë gjatë kursit të studimit.

Pra, ne shpresojmë që të gjithë studentët e seminarit ende do ta lexojnë materialin për kursin e studimit. Shpresojmë që ata ende do të vendosin synime për ta bërë atë kuptimplotë, ashtu siç e përmendët ju. Por kërkesa për kredit do të jetë 75 përqind e ditëve në të cilat ata janë në atë semestër. Ne nuk do të përkufizojmë se çfarë do të thotë të lexosh çdo ditë. Por teksa ata përfshihen në studimin e shkrimit të shenjtë për kursin çdo ditë, në çfarëdo mënyre, 75 përqind të kohës, kjo do të jetë një nxitje për t’i inkurajuar ata që ta kenë atë përvojë si pjesë të kohës së tyre në seminar.

Vëllai Bigëlou: Jam vërtet i lumtur që përmendët se synimi mund të jetë i ndryshëm dhe rezultati ynë i dëshiruar për individët – që ata të jenë në shkrimet e shenjta për çdo ditë. Disa pjesë të botës ku ne kemi seminar, madje nuk i kanë shkrimet e shenjta në një formë të shtypur ku mund t’i lexojnë ato. Pra, për të krijuar një standard që përshtatet për të gjithë botën – kjo na lejon ta bëjmë atë. Na lejon të themi: “Ne duam që ju ta përmirësoni marrëdhënien tuaj me Atin Qiellor nëpërmjet fjalës”. Dhe kjo do të ndodhë nga një zakon i përditshëm i studimit të fjalës së Perëndisë.

Vëllai Ueb: Prandaj shfrytëzojeni rastin çdo ditë për ta dëgjuar zërin e Tij.

Vëllai Bigëlou: E saktë.

Vëllai Ueb: Dhe gjithashtu u jep mirëbesim mësuesve, apo jo? Të punojnë individualisht me studentët për ta përshtatur përvojën e tyre sipas nevojave dhe zotësive të tyre. Dhe ne ju mirëbesojmë. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk po e përkufizojmë se çfarë do të thotë kjo më shumë nga ajo që kemi thënë.

Vëllai Bigëlou: E saktë.

Vëllai Ueb: Faleminderit. Pra, ato ndryshime sigurisht që janë shpallur dhe janë vënë në zbatim dhe ne i vlerësojmë të gjitha përpjekjet tuaja për t’i zbatuar ato në mënyrën më të mirë të mundshme për bekimin e studentëve. Një tjetër ndryshim, ose ndoshta ndryshimi më i madh, është pandemia dhe çfarë ka ndodhur gjatë muajve të fundit në klasat tona, me kaq shumë ndërprerje dhe ndryshime me mësimin në internet dhe ndryshime të tjera që janë krijuar për shkak të pandemisë. Rori, çfarë do të thoni se kemi mësuar nga pandemia dhe çfarë do të ndryshojë gjatë ecjes përpara për shkak të saj?

Vëllai Bigëlou: Mendoj se para së gjithash – dhe ju e përmendët atë në komentet tuaja kur filluat sot – është që ne kemi kuptuar se kemi njerëz të mrekullueshëm, të cilët punojnë dhe shërbejnë me ne. Dhe nëse shtoni shkollat e Kishës dhe të gjithë misionarët dhe mësuesit e thirrur dhe punonjësit me kohë të plotë, punonjësit me kohë të pjesshme, janë më shumë se 60 mijë njerëz në botë. Dhe ata janë shumë, shumë të mirë. Por mendoj se ajo që ka ndodhur me pandeminë, është se ka krijuar disi një thirrje zgjimi për ne, për një grup aftësish që ndoshta nuk i kishim.

Duke marrë parasysh rrezikun që po tregoj një përvojë vetjake, mua dhe bashkëshortes sime, rreth shtatë vjet më parë, na u kërkua të shërbenim si udhëheqës misioni në një mision në Brazil. Dhe ne shkuam pasi kishim studiuar portugalisht – kur isha i ri, shërbeva në një mision spanjishtfolës, kështu që ishte një gjuhë e re për ne – duke menduar se kishim një nivel ose aftësi të caktuar për të folur portugalisht.

Dhe më kujtohet dita e parë fare kur mbërritëm në mision dhe presidenti i misionit në ikje na çoi në shtëpi. Përgjegjësi i Godinave (PG) ishte atje dhe kur hymë në kuzhinë ai tha: “Shikoni, do t’ju duhet të porositni ujë”. Ai gati e vuri dorën te bidoni i ujit atje dhe tha: “Do t’ju duhet të merrni një shishe të re uji këtu”. Dhe më hyri tmerri, sepse kuptova që nuk dija se si të thosha shishe uji në portugalisht. Dua të them, kisha mësuar gjëra të tjera. Ne studionim; mendonim se e kuptonim. Dhe unë i thashë atij, i thashë: “A mund ta bësh atë për mua? A do ta bëje atë?” Dhe ai tha: “Patjetër”.

Ajo që ai nuk pa, ishte se kur ai bëri një telefonatë, unë ia ktheva shpinën, nxora një kartë 8x13 cm dhe shkruajta fjalë për fjalë se si të porositja ujë. E dini, mendova, familja ime do të vdesë për dy javë sepse unë mund të mos marr ujë.

Ajo përvojë ishte një çast qartësie që më tregoi se nuk e dija çfarë mendoja se e dija. Dhe unë mendoj se këtë na e ka bërë pandemia. Niveli ynë ose zotësia jonë – niveli ynë i zotësisë për të dhënë arsim fetar nëpërmjet internetit, nuk është aty ku nevojitet të jetë. Dhe disa janë përshtatur shpejt, dhe grupi i aftësive ishte thjesht i lindur, i natyrshëm tek ta, dhe ata kanë mundur ta bëjnë atë. Të tjerët ndoshta jo aq shumë.

Pra, unë mendoj se një nga gjërat që kemi mësuar dhe që kemi nevojë të vazhdojmë – ndofta kemi nevojë të vazhdojmë të përparojmë – është fraza që duhet përdorur. Kemi nevojë të gjejmë mënyra për ta përmirësuar kapacitetin tonë.

Ju përmendët diçka në fjalët tuaja të hapjes. Vazhdoj t’i referohem sërish, por mendoj se kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Nga Plaku Klark, kur ai tha: “Çfarëdo shkalle të bindjes ose shpresës apo dashurisë hyjnore që ne e kemi; çfarëdo niveli të aftësisë dhe zotësisë profesionale që mund të kemi fituar, nuk do të jenë të mjaftueshme për punën që shtrihet përpara”4.

Dhe një nga gjërat që mendoj se po del nga pandemia, për mua vetë, është një dëshirë e thellë për t’u përmirësuar, për t’u siguruar që jam duke i përmbushur pritshmëritë, pritshmëritë në rritje të Zotit në këtë botë krejt të ndryshme që kemi pikërisht tani. Pra, çfarë do t’i shkaktojë pandemia mësimit në internet? Nuk e di. Adam, çfarë do t’i shkaktojë ajo udhëzimit mësimor në internet? Mendoj se ndoshta ju jeni më i përshtatshëm për t’iu përgjigjur asaj pyetjeje.

Vëllai Smith: Epo, unë do t’i bëj jehonë asaj që thatë. Mendoj se nga pandemia mësuam dy gjëra me të vërtetë kritike, të cilat ne do t’i përdorim duke ecur përpara. Njëra është, siç e përmendët, që ne me të vërtetë punojmë me njerëzit më të mirë. Mësuesit tanë me kohë të plotë, vullnetarët tanë, janë kaq të gatshëm dhe të mrekullueshëm dhe të shenjtëruar. Ata me të vërtetë shkelën në një vend të vështirë dhe e kryen punën mrekullisht mirë.

Ne gjithashtu mësuam mundësi për t’u përmirësuar. Dhe mendoj se kemi mësuar më mirë se çfarë pyetjesh nevojitet të bëjmë për të mësuar përgjigjet që kemi nevojë të mësojmë.

Një gjë që kemi bërë në Ndërtesën e Zyrave të Kishës, është që kemi organizuar një nënsektor të Administrimit të Të Nxënit Digjital. Tani, kjo nënkupton një nënsektor me njerëz të specializuar për të na ndihmuar të përparojmë për atë që ofrohet nga Seminaret dhe Institutet në internet. Arsyeja pse e kemi quajtur atë Administrimi i të Nxënit Digjital, është sepse fjala në internet mund të nënkuptojë shumë gjëra të ndryshme. Dhe ajo që ne me të vërtetë nënkuptojmë, është çdo lloj përçimi nga largësia duke përdorur teknologjinë, qoftë kjo një konferencë hibride apo me video apo jo në sinkron – ka kaq shumë mënyra të ndryshme se si mund ta shohim atë.

Por mendoj se ajo që kemi mësuar, është se çfarë pyetjesh kemi nevojë të bëjmë. Dhe ne po fillojmë t’i bëjmë ato pyetje në mënyrë që të mund të ndërtojmë burime, një infrastrukturë dhe një program për të ndihmuar në mbështetjen e asaj që do të jetë një ofertë digjitale për zgjerimin e klasave si të seminarit edhe të institutit.

Sigurisht, kur COVID‑i të zhduket, gjë që ne të gjithë shpresojmë se do të jetë më mirë herët se vonë, kërkesa nuk do të jetë aq e lartë, por do të jetë më e lartë sesa ishte më parë, pasi kemi arritur te disa studentë tek të cilët nuk kishim arritur më parë. Ne kemi qenë në gjendje të bekojmë jetë dhe familje që nuk i kemi bekuar më parë sepse, në njëfarë mënyre, ishim të detyruar në këtë mënyrë përçimi dhe tani ne i shohim përfitimet e saj. Tani ne i dimë pyetjet që duhet të bëjmë për t’u përmirësuar, dhe po bëjmë përpjekje vërtet të bashkërenduara për t’i mësuar ato përgjigje. Dhe kështu mendoj se ka gjëra emocionuese që po na vijnë.

Vëllai Ueb: A e dini, disa njerëz kanë pyetur: “A do të vijmë ndonjëherë tek ajo pikë ku në fakt të kemi një fuqi punëtore të përkushtuar për mësimin në internet?” Dhe thjesht do të thosha se ne ende po përleshemi me ato pyetje. Ka shumë mundësi të vijë dita ku mësues të seminarit me kohë të plotë do të japin mësime ekskluzivisht në internet. Por është gjithashtu e vërtetë që të gjithë ne duhet të kemi të kuptuarit bazë se si të japim mësim në mënyrë efektive në internet. Ne të gjithë, në një pikë të caktuar, mund të thirremi për ta bërë atë. Dhe kur të thirremi, natyrisht që duam ta bëjmë sa më mirë të mundemi. Ne kemi parë disa mësues që e kanë bërë jashtëzakonisht mirë. Kemi parë mësues që i kanë katërfishuar regjistrimet e tyre në programet e instituteve sepse shpjegojnë në mënyrë kaq të efektshme në internet. Pra, më e rëndësishme sesa struktura organizative është, a mund t’i mësojmë aftësitë e nevojshme për ta përçuar mësimin në internet në mënyrë të efektshme dhe t’i bekojmë vërtet njerëzit përmes asaj metode shpjegimi?

Dhe ndërsa mësojmë më shumë rreth saj, ne do të tregojmë më shumë për këtë në mundësitë për trajnim, në mënyrë që njerëzit të mund të bëjnë më të mirën për të ofruar një përvojë arsimore të efektshme fetare. Pra, unë mendoj se këto janë komente të shkëlqyera. Faleminderit.

Vëllai Bigëlou: Kjo përshtatje për mësimdhënien në internet, nuk mendoj se është një braktisje e madhe e asaj që kemi bërë në të kaluarën. Por ne duhet të përshtatim, ndoshta edhe të punësojmë më shumë mësues instituti me kohë të pjesshme, mësues seminari me kohë të pjesshme. Interneti ofron një mundësi që njerëzit të japin mësim, duke mos pasur një ngarkesë të plotë.

Vëllai Ueb: Por askush nuk do të detyrohet t’i bëjë ato ndryshime. Thjesht do t’i bëjmë ato përshtatje ndërsa ecim përpara dhe kur të vihen në dispozicion mundësi të reja. Njërën prej arsyeve për këtë thjesht do ta përmend shkurtimisht. Ne kemi një numër në rritje të grave në fuqinë punëtore. Dhe sa mirënjohës jemi për ndihmesën që ato po japin. Dhe disa prej tyre zgjedhin, për shkak të rrethanave familjare, të duan, ndoshta, të japin mësim me kohë të pjesshme apo të japin mësim në internet ose për çfarëdo arsye.

Ju e dini, është gjithashtu e vërtetë që ndërsa kemi pasur më shumë gra në fuqinë punëtore, mundësitë e tyre për të udhëhequr janë shtuar. Thjesht po e përmend, ne kemi 10 drejtorë sektorësh në Ndërtesën e Zyrave të Kishës dhe tre prej tyre tani janë gra. Dhe ato nuk u emëruan ose punësuan në ato pozicione sepse ishin gra; ato ishin kandidatet më të kualifikuara për ato pozicione dhe po ofrojnë një ndihmesë të jashtëzakonshme në punën që po bëjmë.

Por është vetëm një shembull, teksa organizata jonë rritet, se kjo po ndodh edhe me drejtorët e rajoneve, me trupën pedagogjike apo administratorët e programit. Dhe do ta përmend këtë edhe për ata sepse është një ndryshim në fuqinë tonë punëtore dhe ne kemi nevojë të jemi të vetëdijshëm për këtë. Dhe ata që janë administratorë të programit, kanë nevojë të jenë më të vetëdijshëm për këndvështrime të ndryshme, të këshillohen së bashku dhe të mbështeten te përvoja e njerëzve dhe të përfitojnë nga këndvështrimet e tyre.

Thjesht mendoj se është diçka për të cilën kemi nevojë të jemi të ndërgjegjshëm për të përfituar nga një fuqi punëtore më e larmishme. Dhe e di që kjo është specifike për punonjësit, por është gjithashtu e vërtetë për një botë të mbushur me mësues, burra e gra, nga të gjitha llojet e formimeve të ndryshme, të cilët quhen mësues, të cilët kanë kaq shumë për të ofruar, sa ne kemi nevojë t’i dëgjojmë e t’i kuptojmë këndvështrimet e tyre dhe përvojën e tyre, që të mund t’i bekojmë studentët tanë në organizatën tonë.

Vëllai Bigëlou: Shumë njerëz mund të mos jenë të vetëdijshëm për këtë, por ne po fillojmë të krijojmë ekipe në terren. Kjo ju lejon që të keni hartues të programit mësimor nga e gjithë bota dhe individë për shërbime trajnimi, dhe ekipe për shërbime trajnimi, ndoshta nga pjesë të ndryshme të botës. Dhe po na lejon të kemi një pamje shumë më të mirë të asaj që po ndodh në botë sesa thjesht një pamje shumë të ngushtë.

Vëllai Ueb: Faleminderit. Adam, a mund të kthehemi tek ju? Kanë ndodhur shumë gjëra me Institutin e Përtërirë; shumë njerëz janë të interesuar për këtë dhe kanë dhënë ndihmesë në këtë përpjekje. Çfarë do të na thoshit me anë të një përditësimi për Institutin e Përtërirë?

Vëllai Smith: Epo, ne sigurisht i kemi kushtuar shumë kohë e burime dhe shumë drejtorë e mësues të mrekullueshëm të instituteve, kanë parë gjëra të tilla si ndryshimi i një mjedisi fizik ose ofrimi i kurseve të reja, apo edhe thjesht përshtatja e titujve të kurseve. Dhe të gjitha këto janë të mrekullueshme. Mendoj se ndoshta gjëja më e rëndësishme që po bëjmë, është se po i dëgjojmë studentët tanë të institutit, veçanërisht duke u përqendruar të dëgjojmë ata studentë që mund të jenë me ne, por nuk janë. Ndoshta ata erdhën një herë dhe nuk u kthyen, ose ndoshta nuk kanë ardhur ende në institut. Pra, ne vërtet jemi duke u përqendruar për t’i dëgjuar ata.

Mendoj se risia më e rëndësishme që mund të sjellim, sidoqoftë, është të përshtatim pak mënyrën se si japim mësim. Siç e thatë, Rori, nuk është një përshtatje e plotë; janë thjesht përshtatje të vogla, ndryshime të vogla në gjërat që i bëjmë shpesh. Dhe mendoj, Vëllai Ueb, si te fjalimi që na drejtuat qershorin e kaluar, ku theksuat krijimin e klasave të kthimit në besim, të vlerës e përkatësisë, kjo është me të vërtetë mënyra se si sjellim risi në institut.

Në fakt, unë doja të tregoja një histori që ma tregoi një drejtor zone i një mësuesi të institutit. Ai po përgatitej të jepte mësim në mbledhjen e tij të parë në Zoom të kursit të Familjes së Përjetshme. Dhe kështu në përgatitje ai e ftoi secilin nga studentët e tij që të bënte një paraqitje të vogël të vetvetes me një material filmik.

Dhe një nga studentët e tij meshkuj vendosi ta paraqiste veten e tij në klasën e institutit si homoseksual dhe tha se kishte disa probleme me qëndrimin e Kishës mbi familjen dhe martesën. Dhe ky mësues e dinte se ishte gati të fillonte dhe të jepte mësim doktrinën dhe parimet e familjes. Kështu që ai vendosi të ishte vërtet i matur, i kujdesshëm dhe plot lutje për këtë. Ai iu afrua këtij të riu me shumë çiltërsi dhe i bëri të ditur se ai donte që klasa e institutit të ishte një vend ku ai jo vetëm mund të jepte mësim doktrinën qartë dhe të jepte mësim atë që kanë dhënë mësim profetët e apostujt, por edhe një vend ku studentët mund të ndihen të sigurt dhe jo të gjykuar për të treguar shqetësimet, problemet dhe pyetjet e tyre.

Duke i zgjatur dorën e ndihmës këtij të riu, ai i tha mësuesit të tij se kishte planifikuar të qëndronte i qetë gjatë gjithë orës së mësimit, sepse kjo është ajo që ai bën zakonisht. Kur dikush, diku në një mjedis të Kishës, fillon të japë mësim për familjen, ai thjesht e shqyrton situatën dhe qëndron i qetë. Por për shkak se ky mësues e ndihmoi studentin në atë mënyrë, studenti vendosi se do të vinte në klasë dhe do të angazhohej. Dhe ora e mësimit ishte një përvojë vërtet e mrekullueshme sepse ky i ri ishte një kontribues i shkëlqyer dhe shqetësimet e pyetjet e tij ndihmuan për të ndërmjetësuar me të vërtetë një diskutim kuptimplotë, sepse ishte në një mjedis besimi ku po mësohej e vërteta dhe mund të bëheshin pyetje të vërteta, të sinqerta dhe të çiltra.

Epo, pas përvojës në klasë, studenti i shkroi këtë shënim mësuesit, të cilën ma treguan mua. Dhe mendoj se është vërtet tregues i asaj që duam njëmend të bëjmë për t’i sjellë risi institutit. Ai tha këtë:

“Thjesht dua të të falënderoj për mënyrën se si shkoi mësimi. Isha pak në siklet për këtë dhe nuk doja të thosha asgjë, por nga fundi isha gati që thjesht të thërrisja me zë të lartë ‘faleminderit’. Ai mësim ishte i mahnitshëm. E krahasoj atë me një mësim që m’u dha pasi i tregova një mësuesi seminari në shkollën e mesme se isha homoseksual, i cili më përkrahu pasi i tregova se çfarë më kishte ndodhur në një klasë tjetër. Mësimi i tij dhe mësimi yt ishin plot dashuri e përkrahje dhe e ndryshuan disi tërë jetën time. Ndiej një ringjallje të dëshirës për të qëndruar në ungjill dhe një zotim të ri për të bërë më të mirën për ta jetuar këtë model. Ai të ndryshon jetën. Faleminderit. Dhe të falënderoj që je përgjigjur për pyetjet e mia dhe dëshiron të më njohësh dhe të jesh kaq përkrahës. Po i shkruaja ndjenjat e mia për gjithçka, sepse e ndjeva Shpirtin … shumë. Unë shkrova në ditarin tim të shkrimeve të shenjta se isha shumë mirënjohës dhe plot gëzim. Tani po qaj nga lumturia. Faleminderit, vëllait yt dhe një bir i Perëndisë.”

Ne shohim se ky mësues bëri një lidhje kuptimplotë me një student, në një mënyrë që i dha atij shpresë e guxim për të ardhur te Shpëtimtari dhe për të vazhduar në shtegun e tij të besëlidhjeve. Dhe kjo ndodhi ngaqë klasa e këtij mësuesi tani është një vend i kthimit në besim, i vlerës dhe përkatësisë.

Vëllai Ueb: Më pëlqen shumë mënyra se si iu përgjigjët asaj pyetjeje. Ne do të punojmë për ndryshimet në mjedisin [e klasave] dhe përvijimet e kurseve dhe të gjitha llojet e gjërave. Dhe gjeni mënyra të reja praktike për ta përtërirë institutin me qëllim që të ftoni më shumë studentë të cilët nuk marrin pjesë aktualisht. Dhe pastaj, kur të vijnë, le të kenë një përvojë si kjo, që do t’i mbajë dhe do t’i lidhë ata me Atin Qiellor; ky është pikërisht qëllimi i të gjithë kësaj nisme, kështu që faleminderit.

Mirë, më lejoni t’ju bëj të dyve edhe një pyetje të fundit dhe na jepni përgjigjen tuaj. Ne kemi folur rreth shumë gjërave për të cilat njerëzit tashmë janë në dijeni, por diçka për të cilën ata mund të mos jenë në dijeni janë disa ndryshime që po bëhen për një manual – manualin Mësimdhënia dhe të Nxënit – dhe gjëra të tjera që lidhen me trajnimin, të cilat do të ndërthuren me manualet tona të reja. Atëherë, çfarë do t’u thoni atyre për gjërat e reja që po vijnë në lidhje me trajnimin tonë?

Vëllai Smith: Ne me të vërtetë po i shtojmë përpjekjet tona për t’u përqendruar, për ta thjeshtuar dhe për t’u bashkuar. Dhe ne jemi vërtet të emocionuar për mundësinë që kemi për të bashkëpunuar me Presidencën e përgjithshme të Shkollës të së Dielës në Sektorin e Priftërisë dhe të Familjes për të pasur një manual për mësuesit në Kishë. Mësimdhënia sipas mënyrës së Shpëtimtarit dhe Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit do të shkrihen së bashku e do të thjeshtohen, dhe do të qartësohen e do të bashkohen për të na dhënë vërtet një përkufizim të qartë të mësimdhënies, të asaj se si duhet të jetë një përvojë në klasë, të asaj që një nxënës duhet të përjetojë kur është me ne. Tani, kjo do të jetë përgjithësisht për mësuesit e thirrur dhe mësuesit e Seminareve dhe Instituteve.

Pra, për ta mbështetur atë, ne po fillojmë formimin e asaj që ne po e quajmë Biblioteka e Burimeve të Trajnimit në mënyrë që, kur një mësues lexon një përkufizim për një aftësi, atëherë ai e di se ka një vend ku mund të shkojë, ku ajo aftësi mund të modelohet e shpjegohet, ku ai mund të marrë trajnim për të dhe një ftesë për ta ushtruar e vënë atë në zbatim. Pra, ne me të vërtetë shpresojmë që t’i ndihmojmë mësuesit tanë të përcaktojnë një aftësi që ata duan ta përmirësojnë dhe të kenë burime për ta përmirësuar atë. Dhe pastaj së bashku me këtë, ne vërtet duam të gjejmë mënyra për të matur: a po bëjmë atë që shpresojmë të arrijmë? A po e përmbushim objektivin tonë në jetën e të rinjve e të rejave?

Dhe ne po shohim disa mënyra të efektshme dhe kuptimplota se si një mësues të matë dhe vlerësojë veten e tij, për të përmirësuar mënyrën se si një mësues ndihmohet nga një mbikëqyrës, i cili mund të ndërhyjë dhe ta ndihmojë atë të rritet e të zhvillohet dhe të përmirësohet, dhe gjithashtu duke i pyetur studentët tanë se cila është përvoja e tyre dhe çfarë po ndodh vërtet në jetën e tyre. Dhe ne shpresojmë që e gjithë kjo të bëhet në një frymë inkurajimi, përparimi dhe rritjeje, dhe thjesht një mundësi që ne të përdorim çdo burim në dispozicion për të qenë mësues më të mirë.

Të gjithë e dimë se po jetojmë në ditët përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit dhe ata të rinj e të reja që vijnë në klasat tona, janë ndër më të mirët që ka parë ndonjëherë kjo botë. Dhe kemi nevojë të jemi të mirë sepse ata janë shumë të mirë. Pra, ne thjesht duam të përmirësohemi.

Vëllai Bigëlou: Unë mendoj se është interesante ajo që përshkroi Adami. Është kjo ideja: A mund të përcaktojmë se çfarë është ajo që shpresojmë të ndodhë? A mund të stërvitemi për të në mënyrë që ajo ta përmbushë atë pritshmëri? Dhe për më tepër kjo matje është kritike. Ne madje kemi diskutuar për mënyrat se si të përpiqemi ta paraqitim atë matje dhe më pas të vendosim disa synime bazuar te gjendja ku janë dhe gjendja ku do të donin të ishin.

Vëllai Ueb: E dini, kur flasim për administrimin e kryerjes së detyrës apo të çfarëdo gjëje tjetër dhe e kthejmë në diçka profesionale, njerëzit mendojnë: “Epo, unë po jap mësim ungjillin dhe kjo më vë në siklet”. Të gjithë ju i doni studentët tuaj; të gjithë ju doni t’i bekoni ata. Pra, të keni dikë në krah për t’ju ndihmuar në atë përparim, në atë dëshirë për t’i bekuar studentët dhe për të qenë një pasqyrim i asaj që po ndodh në klasë dhe për t’ju ndihmuar në dëshirën tuaj për të përparuar e për t’i bekuar studentët – jo sepse të gjithë dëshironi të jeni mësues të përsosur, por sepse doni të krijoni përvojën më të mirë për studentët tuaj.

Kështu që unë mendoj se kjo është me të vërtetë një gjë emocionuese dhe mendoj se ju e shihni atë – kur shihni se çfarë po vjen, me manualin, me Bibliotekën e Burimeve të Trajnimit, madje dhe me ato që ne i kemi përmendur si matje, e gjithë kjo është një gjë me të vërtetë pozitive dhe e dobishme, për të cilën mendoj se do të kënaqeni kur ta shihni. Të paktën kjo është shpresa, apo jo?

Vëllai Smith: Po.

Vëllai Ueb: Pra, tani, a donit të thoshit diçka para se ta mbyll –

Vëllai Bigëlou: Po, një aspekt tjetër për të cilin mendoj se është kritik, dhe që është ky. Ne shpesh përqendrohemi te mësimdhënia dhe përmirësimi i mësimdhënies dhe lëmë pas dore pjesën e udhëheqjes ose pjesën administrative të të qenit një drejtor seminari ose një bashkërendues apo një drejtor rajoni, një drejtor zonal, pavarësisht nga pozicioni. Dhe ne po përpiqemi të mos e lëmë atë pas dore tani. Kemi vendosur në qendër idenë që të sigurojmë një dokument për rolin, i cili e ndihmon një drejtor të dijë se çfarë pritet prej tij. Pra, kur flasim për matje nuk ka të bëjë vetëm matje mbi mësimdhënien; është matje për udhëheqjen tuaj. Pra, kur më kërkuan të isha drejtor disa vjet më parë, unë do ta kisha mirëpritur atë për të cilën po flasim.

Sikur të mund t’i bëja punonjësit, individët në trupën time pedagogjike, ndihmësit administrativë, të thoshin: “Më ndihmo të di se si po ia dal”, bazuar në një standard, “dhe më ndihmo të di se çfarë mund të bëj për t’u përmirësuar”. Unë dua të jem udhëheqësi më i mirë që mund të jem, dhe mënyra e vetme se si do ta bëj është në qoftë se e di se ku jam, ku kam nevojë të jem dhe çfarë mund të bëj për të arritur atje. Pra, gjithçka për të cilën kemi folur është në atë kontekst, për të ndihmuar më shumë të rinj e të reja, që të rriturit e rinj të kenë një përvojë të shkëlqyer dhe më pas kjo gjen zbatim edhe për udhëheqjen time.

Vëllai Ueb: Është e rëndësishme të theksohet se disa nga këto përshtatje do të ndodhin mjaft shpejt – në muajt e ardhshëm – dhe të tjerat do të kërkojnë më tepër kohë.

Faleminderit. Epo, para se ta përmbyllim këtë pjesë të transmetimit, do të doja të them edhe një gjë tjetër për ndryshimin në përgjithësi. Ne mund të krijojmë të gjitha programet dhe burimet më të reja në botë, por asnjë prej tyre nuk do të ketë vërtet rëndësi dhe asnjë prej tyre nuk do të ketë sukses nëse nuk jemi të bashkuar dhe nëse nuk jemi në përputhje me vullnetin e Atit Qiellor. Do të kërkojë më të mirën që kemi për të dhënë. Do të kërkojë që ne ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë. Do të kërkojë që ne të jemi të gatshëm ta përqafojmë ndryshimin dhe me gëzim t’i përgjigjemi atij. Për të pasur fuqinë për të ndryshuar jetë, ne duhet të japim mësim dhe të dëshmojmë nga zemra të ndryshuara.

I bashkofshim zemrat tona duke qenë plotësisht të angazhuar në kauzën e Krishtit! Dhe u mbështetshim më plotësisht tek Ai! Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të jemi në gjendje të përshtatemi me çfarëdo ndryshimesh që mund të vijnë. Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të shohim dhe të ndryshojmë gjërat që duhet të ndryshojmë në jetën tonë vetjake dhe në mësimdhënien tonë. Dhe ne do ta përjetojmë vetë se Perëndia ynë është Perëndia i mrekullive. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 6–8.

  2. Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë (2012), f. 23.

  3. Kim B. Klark, “Të Rrethuar nga Zjarri” (fjalim dhënë në Transmetimin Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 4 gusht 2015), ChurchofJesusChrist.org.

Shtyp në Letër