Transmetimet e Trajnimeve
Një Trashëgimi Ndryshimi në SAK


Një Trashëgimi Ndryshimi në SAK

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së 2021

E martë, 19 janar 2021

Jam mirënjohës për ju dhe kam kënaqësinë të kaloj disa minuta me ju sot. Jam plot falënderim për Çadin dhe grupin e tij të talentuar e të përkushtuar, që punojnë me kaq zell për të ndihmuar në këtë punë të Zotit. Është një bekim ta kemi Motrën Xhin B. Bingham me ne sot dhe e pres me padurim mesazhin e saj. Ajo është një udhëheqëse e fuqishme e frymëzuese dhe jemi mirënjohës që ajo shërben në Bordin e Kishës për Arsimimin.

Teksa kemi qenë duke marrë parasysh ndryshime të rëndësishme te Seminaret dhe Institutet e Fesë (SeI), kam reflektuar gjithashtu mbi ndryshimet gjatë gjithë historisë së arsimimit në Kishë. Ditët e fundit, fillova të përqas ato që kanë ndodhur në arsimimin e Kishës, me historinë e vetë familjes sime. Prindërit e nënës sime u kthyen në besim në Kishë në Zvicër, kur ishin të rinj në moshë madhore, kështu që, nga ajo anë e familjes sime, brezi i nënës sime ishte i pari që u përfshi në arsimimin e Kishës. Disa prej paraardhësve të babait tim ishin anëtarë të Kishës shumë kohë më parë në këtë periudhë ungjillore. Më lejoni të tregoj disa informacione të thjeshta për disa prej atyre paraardhësve dhe gjithashtu të përmend përpjekjet e arsimimit të Kishës gjatë kohës së tyre. Ju do të vini re ndryshime nëpër vite – disa prej tyre madhore.

Sara Xhejn Enxhëlli, katragjyshja ime, ishte një vajzë e re kur familja e saj jetoi në Kirtland, Misuri dhe Navu. Ajo mbërriti në Luginën e Solt‑Lejkut në vitin 1848, kur ishte një vajzë 14‑vjeçare, dhe mori shkollim në çfarëdo shkollash të komunitetit që kishin në ato vendndodhje.

Xharvis Xhonsoni, i cili më së fundi u martua me Sarën, jetoi në Navu kur ishte adoleshent i ri. Çfarëdo shkollimi që mori, do të kishte qenë në një prej disa shkollave në qytet. Pasi shenjtorët u larguan nga Navuja dhe u drejtuan për në perëndim, ai u regjistrua si anëtar i Batalionit Mormon në moshën 17‑vjeçare. Gjatë viteve tek të rinjtë e të rejat dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Sarës dhe Xharvisit, Kisha dhe individë në komunitetet e tyre ofruan shkollim, por nuk pati një Sistem Arsimor të Kishës siç e njohim sot.

I biri i Sarës dhe Xharvisit, Reisi, është stërgjyshi im. Ai u rrit në Jutë dhe ndoqi shkollën në një qytezë që quhej Hanivill. Ndërtesa përdorej edhe për kishën, edhe për shkollën. Sharlota, që përfundimisht u martua me Reisin, ndoqi shkollën aty pranë në Kolls‑Fort, në një ndërtesë të vogël guri. Ata ishin adoleshentë nga fundi i viteve 1870 dhe fillimi i viteve 1880, disa vjet përpara se Kisha të hapte shumicën e akademive të saj. Ndërkohë që më shumë shkolla në qytezat u bënë shkolla shtetërore gjatë viteve 1880, këtyre shkollave nuk iu lejua të jepnin mësime feje. Kjo shkaktoi një zgjerim të akademive të drejtuara nga Kisha pasi Reisi dhe Sharlota e kishin përfunduar shkollimin e tyre.

Reisi la një rrëfim të propozimit të tij për martesë drejtuar Sharlotës, të cilën ai e quante Loti. Ai tha:

“Herën e parë kur e pashë Lotin, ajo ishte duke ngarë një karro për shitje ambulante. Babai i saj drejtonte një dyqan përpara shtëpisë së tyre. Ajo dukej si një luleshqerrë. Më vonë e takova në një vallëzim dhe u takuam për më pak se një vit, dhe më pas i kërkova dorën për martesë. Ajo tha: ‘Ti nuk më ke qejf mua’. Unë thashë: ‘Po të kam qejf’. U fejuam për tre muaj.”1

Jam krejt i sigurt që Reisi nuk do të kishte pasur sukses si shkrimtar dialogjesh për novela romantike, por Sharlota u martua me të gjithsesi dhe ata patën 12 fëmijë.

Njëri prej këtyre 12 fëmijëve, Alfalusi – që e thërrisnin “Alf” – është gjyshi im dhe frekuentoi Kolegjin “Brigam Jang” në Logan të Jutës. Gjyshja ime, që quhej Blansha, gjithashtu frekuentoi Kolegjin “Brigam Jang”, që ishte një nga akademitë e Kishës. Në kohën kur e frekuentuan ata, ai ishte si një shkollë e mesme dhe kolegj parauniversitar të ndërthur së bashku. Në këto akademi, studentëve iu jepeshin mësim edhe lëndë laike, edhe mësime feje dhe kishin një gamë të plotë veprimtarish. Gjyshi im luajti në skuadrat e bejsbollit dhe të basketbollit dhe gjyshja ime qe atlete e kërcimit së larti me shkop.

Seminari i parë në orët e lira filloi në Solt‑Lejk‑Siti në vitin 1912 dhe prej andej programi filloi të përhapej në qytete të tjera. Pasi këto seminare filluan të tregonin se u dhanë një themel të mirë fetar studentëve që ndiqnin shkollat publike, Kisha mori vendimin të hiqte dorë nga drejtimi i shumicës së akademive, përfshirë Kolegjin “Brigam Jang”. Për shkak të kësaj, brezi tjetër në familjen time ndoqi shkolla publike dhe seminarin.

Një nga bijtë e Alfit dhe Blanshës, Viri, është babai im. Atij i kujtoheshin mësuesit e tij të seminarit gjatë gjithë jetës së tij. Nëna ime, Uinifreda, gjithashtu ndoqi shkollën e mesme dhe seminarin dhe asaj i kujtoheshin mësuesit e saj gjithashtu.

Në vitin 1926, filloi programi i Institutit të Fesë në Moskë të Ajdahos dhe nga viti 1928, instituti i dytë u themelua në Logan të Jutës. Të dy prindërit e mi frekuentuan atë që është tani Universiteti Shtetëror i Jutës në Logan gjatë viteve 1940. Deri në atë kohë, programi i institutit ishte ngritur mirë në Logan dhe prindërit e mi u takuan fillimisht në marrëdhënie shoqërore në lidhje me një veprimtari të institutit. Ata përfundimisht u martuan dhe, pas martesës së tyre në Tempullin e Loganit në Jutë, ata e zhvilluan pritjen e tyre të dasmës në ndërtesën e institutit.

Unë u rrita në Logan të Jutës dhe ndoqa të njëjtën shkollë të mesme dhe seminar si nëna ime. Ajo shkollë e mesme ishte në fakt çfarë u bë Kolegji “Brigam Jang”. Unë gjithashtu kalova një pjesë të një viti shkollor në Montiselo të Jutës dhe isha në të njëjtën klasë seminari me një vajzë shumë të mrekullueshme, një vit më të vogël se unë. Emri i saj ishte Xhill. Në fakt, emri i saj është ende Xhill dhe, ndonëse nuk jam i sigurt a isha më i zoti në dialogun romantik se stërgjyshi im Reis, ajo prapëseprapë përfundoi e martuar me mua.

Unë e frekuentova seminarin nga fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970. Kjo është periudha kohore kur pati njëfarë shtrirjeje fillestare të seminarit dhe institutit në pjesë të ndryshme të botës. Kishte pasur përvojë me orët mësimore të seminarit herët në mëngjes dhe njëfarë eksperimentimi me seminarin me studim në shtëpi që e bëri të mundur shtrirjen nëpër botë. Këto ishin kohë sfiduese për ata që ishin në SeI. Ata po përpiqeshin t’i përshtatnin programet që ishin krijuar në mjediset e [seminarit] në orët e lira dhe në institutet në komplekset e kolegjeve, për rrethana shumë të ndryshme nëpër botë. Ata u morën me sfida të stërmëdha përkthimi dhe shtypjeje në letër në ato ditë të hershme.

Në fakt, kur isha në misionin tim në Norvegji nga fillimi i viteve 1970, seminari u paraqit atje në të njëjtin vit kur mbërrita. Më kujtohet që ndihmova një të ri, Tom Ruin, për mësimet e tij të seminarit me studim në shtëpi – diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë. Ishte hera e parë që e kuptova se seminari mund të ishte diçka ndryshe nga një orë mësimore gjatë ditës së shkollës që zhvillohej ngjitur me shkollën e mesme.

Tani po kthehem nga paraardhësit e mi te pasardhësit tanë. Fëmijët tanë frekuentuan programet e seminarit në orët e lira, me përjashtim të nja dy prej fëmijëve tanë që frekuentuan seminarin herët në mëngjes ndërkohë që ishim me detyrë në Kili. Programi mësimor kishte ndryshuar që nga koha kur Xhilli dhe unë kishim frekuentuar seminarin. Unë isha një mësues seminari i ri në moshë kur u paraqit mësimdhënia sipas radhës së shkrimeve të shenjta. Pati disa sfida për ta kuptuar se si të jepet mësim më së miri në këtë mënyrë. Nuk ishte një kalim automatik. Por rezultatet ishin pikërisht ajo që nevojitej për brezin që po i jepej mësim. Pjesëtarët e tij u njohën më ngushtë me shkrimet e shenjta dhe, si rrjedhim, ata u ndikuan më shumë nga shkrimet e shenjta në mënyrë të natyrshme dhe zhvilluan një mirëbesim tek to. Kemi disa regjistrime të prindërve të mi pak vite para se të ndërronin jetë dhe nëna ime foli për një ndryshim që kishte vënë re.

Dëgjojini komentet e saj:

“Neve nuk na dhanë mësim në seminar kaq mirë sa u japin fëmijëve tani dhe ne kurrë nuk e patëm zakonin e leximit të shkrimeve të shenjta ashtu si e kanë ata tani. Nëna ime kishte libërtha – Rrëfenja nga Shkrimet e Shenjta – dhe ajo i lexonte ato. Por nuk më kujtohet që ne t’i lexonim shkrimet e shenjta. Fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona ndoshta kanë një dëshmi edhe më të fortë ngaqë ata e kuptojnë më shumë ungjillin dhe kanë– ata fillojnë ta lexojnë atë kur janë shumë më të vegjël dhe ata vërtet i lexojnë shkrimet e shenjta. Dhe mendoj se u ka dhënë një goxha forcë atyre.”2

Disa nga nipërit e mbesat e mia tani janë në moshë për seminar dhe ata më të mëdhenj janë në moshë për institut. Ata po shohin ende ndryshime të tjera në SeI, të tilla si përputhja e asaj që jepet mësim në seminar, me atë që po studiohet në shtëpi me programin Eja, Më Ndiq. Për shkak të pandemisë së tanishme, na është dashur të mësojmë shumë mbi zhvillimin e orëve mësimore në distancë. Unë po brohoras për ju të gjithë teksa bëjmë ndryshime që do t’u përshtaten “kushteve të” brezit të ri.3 Unë brohoras me zë edhe më të lartë sepse ai brez i ri përfshin nipërit e mbesat tona.

Bërja e ndryshimeve të rëndësishme zakonisht është e vështirë. Nganjëherë drejtimi është i qartë, por realizimi mund të jetë shumë sfidues. Mendoni për bijtë e Mosias. Ata kishin një qëllim të qartë që “shpëtimi duhej t’i njoftohej çdo krijese”4 dhe “që ndoshta [ata] mund të shpëtoni[n disa] shpirtra”5. Është e lehtë të përqendrohesh vetëm te suksesi i tyre i mrekullueshëm dhe të harrosh se sa sfiduese ishin gjërat. Ata përjetuan çdo gjë. Ata u morën me mësimdhënien për 14 vjet dhe përvojat e tyre përfshinë vuajtjen e çdo heqje të drejte; mësimdhënien në rrugë, shtëpi, tempuj dhe sinagoga; dhe të qenit të dëbuar, të tallur, të pështyrë, të goditur, të zënë me gurë, të lidhur dhe të futur në burg.6 Por ata ngulmuan, e mbajtën përqendrimin e tyre dhe morën fuqinë e Zotit për të përmbushur misionin e tyre.

Kohët e fundit lexova përsëri rreth përvojave të ish‑Plakut Rasëll M. Nelson në Europë – veçanërisht në Europën Lindore – kur ai kishte përgjegjësi për atë pjesë të botës nga viti 1985 deri në 1990. Në atë kohë ai po shërbente në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Në vitin 1985, kur i dhanë përgjegjësi për Europën dhe Afrikën, atij iu dha një detyrë e veçantë që të hapte kombet në Europën Lindore (që ishin në atë kohë nën zgjedhën e komunizmit) për predikimin e ungjillit.7 Kjo detyrë iu dha katër vjet përpara se të shembej Muri i Berlinit dhe gjashtë vjet përpara se të merrte fund zyrtarisht Bashkimi Sovjetik.

Synimi i Plakut Nelson ishte i qartë, por detyra ishte shumë e vështirë. Ai ishte këmbëngulës në përqendrimin e tij në këtë detyrë të veçantë. Ai e vizitoi “ish‑BRSS‑në njëzet e shtatë herë dhe … vende të tjera të bllokut lindor disa dhjetëra herë”8. Në librin e saj Insights from a Prophet’s Life: Russell M. Nelson [Këndvështrime nga Jeta e një Profeti: Rasëll M. Nelson], Sheri Dju e përshkroi punën e tij në mënyrën vijuese:

“Atë kurrë nuk e kërkonin dhe rrallëherë ishte i mirëpritur. Shumë nga udhëheqësit e qeverive madje as që do t’i linin takim një burri që deklaronte besim në Perëndi. Gjatë kohës, atë edhe e penguan në përpjekjet e tij, edhe e ndihmuan përgjatë udhës; e trajtuan jo mirë në disa rrethana dhe me mirësjellje në të tjera; e spiunoi policia sekrete dhe më vonë e përshëndetën si mik zyrtarët që e njohën; dhe e trajtuan me dyshim në disa mjedise ndërkohë që e kërkuan për këshillim mjekësor në të tjera. Disa udhëtime u dukën tërësisht të kota, ndërsa në të tjera, u hapën dyer për të cilat ai kurrë nuk mund të kishte parashikuar ose planifikuar.”9

Pasi detyra e Plakut Nelson nuk ishte më Europa, ai dhe Plaku Ouks – që e pasoi atë në detyrë – shkuan t’i raportonin Presidentit të Kishës, Presidentit Ezra Taft Benson, që Kisha ishte themeluar tani në çdo vend në Europën Lindore.10 Motra Dju e përshkroi më tej përvojën e Presidentit Nelson:

“Kur më vonë e pyetën se çfarë mësoi nga detyra e hapjes së vendeve të Europës Lindore për predikimin e ungjillit, veçanërisht duke marrë parasysh shumë nga ndalesat dhe fillimet, mbledhjet e dështuara, ngritjet dhe uljet, Plaku Nelson u përgjigj thjesht: ‘Zotit i pëlqen përpjekja. Ai mund t’i kishte thënë Moisiut: “Do të të takoj në gjysmë të udhës”. Por Moisiut iu desh të bënte gjithë udhën deri në majë të Malit Sinai. Ai kërkoi përpjekje nga Moisiu, Jozueu dhe Jozef Smithi dhe nga të gjithë Presidentët pasues të Kishës. … A jeni të gatshëm të bëni gjëra vërtet të vështira? Pasi ta keni treguar se jeni të gatshëm të bëni pjesën tuaj, Ai do t’ju ndihmojë.’”11

Përpjekjet e drejta të Plakut Nelson ishin një mjet ndihmues për ndryshimin shumë të rëndësishëm që solli si rrjedhojë vënien e ungjillit në dispozicion të miliona fëmijëve të Perëndisë.

Mrekullitë kërkojnë punë të palodhur. Mrekullitë për të cilat jemi të etur, do të kërkojnë përpjekje të pamasë nga ana jonë.

Nganjëherë duhet kohë që t’i kuptojmë rezultatet e plota të përpjekjeve tona të palodhura për të bërë ndryshimet e nevojshme. Në disa raste, ne madje mund të mos arrijmë t’i dëshmojmë të korrat e plota të fryteve të përpjekjeve tona të ndërthurura me fuqinë e Zotit. Por përparimi ynë është vendimtar dhe ne mund dhe do të përpiqemi fort për të bërë ndryshimet që do t’ua bekojnë jetën atyre të cilëve u shërbejmë. Ai gjithashtu hedh themelin për brezin e ardhshëm – stërnipërit dhe stërmbesat tona. Xhilli dhe unë nuk kemi ende stërnipër, por shpejt ata do të fillojnë të mbërrijnë këtu në tokë dhe përpara se ta vëmë re, ata do të jenë në klasat tuaja.

Objektivi ynë në SeI është i qartë – nuk ka ndryshuar. Ne ende përpiqemi fort t’i bekojmë këta të rinj e të reja dhe t’i ndihmojmë ata “që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”12. Për shkak se po punojmë për ta arritur atë përfundim, ne jemi të hapur ndaj ndryshimeve në programet tona, përsosjes së mjeteve të komunikimit, përtëritjes së institutit dhe përpjekjeve të tjera për t’u përmirësuar. Për shkak se i duam të rinjtë e të rejat, ne jemi të gatshëm të punojmë me zell, të provojmë gjëra të reja dhe të kërkojmë udhërrëfimin dhe fuqinë e Zotit në të gjitha përpjekjet tona.

Në përpjekjet tuaja për të bekuar jetën e brezit të ri, Zoti gjithashtu ju bekoftë në sfidat që hasni ju vetë! Unë ju dua dhe dëshmoj për Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ata jetojnë.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rais A. Johnson, The Story of Rais A. Johnson, një rrëfim autobiografik.

  2. Winifred A. Johnson, regjistrim zanor, 19 shkurt 2001.

  3. Doktrina e Besëlidhje 46:15.

  4. Mosia 28:3.

  5. Alma 26:26.

  6. Shih Alma 26:28–29.

  7. Shih Sheri Dew, Insights from a Prophet’s Life: Russell M. Nelson (2019), f. 140.

  8. Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 157.

  9. Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 153.

  10. Shih Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 158.

  11. Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 157–158.

  12. Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë (2012), f. x

Shtyp në Letër