Transmetimet e Trajnimeve
Ta Japim Mësim të Vërtetën në Gjuhën e Dashurisë


Ta Japim Mësim të Vërtetën në Gjuhën e Dashurisë

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së 2021

E martë, 19 janar 2021

Motra dhe vëllezër, kjo ka qenë një mundësi e mrekullueshme për të dëgjuar e mësuar! Nuk e di sa prej jush i janë bashkuar mbledhjes, por më lejoni t’i shpreh mirënjohjen time të thellë secilit prej përafërsisht 56000 mësuesve të thirrur të seminarit dhe institutit dhe më shumë se 2200 mësuesve të punësuar nga SAK-u për t’i dhënë mësim këtij grupi shumë të rëndësishëm – brezit të ri! Falë shërbimit tuaj të shenjtëruar dhe përpjekjeve tuaja heroike, shumë nga rinia dhe të rinjtë tanë në moshë madhore të çmuar po zgjedhin të jenë besnikë dhe të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Udhëzimet dhe përvojat shpirtërore që ju jepni, janë me shumë rëndësi vendimtare për t’ua ndërtuar dëshmitë atyre. Dhe ju jap falënderim dhe duartrokitje të veçantë juve heronjve të heshtur: bashkëshorteve dhe bashkëshortëve të këtyre mësuesve. Pa përkrahjen tuaj të qëndrueshme emocionale, shpirtërore dhe të vatrës familjare, kjo përpjekje nuk do të kishte sukses. Ndaj, një falënderim të pamasë secilit prej jush, nga çdo skaj i zemrës sime!

Në fillim të një viti krejt të ri – i cili shpresojmë të gjithë se do të sjellë një frymëmarrje optimizmi ose ndoshta thjesht një psherëtimë lehtësimi nga viti i fundit – është mirë ta shohim me një sy të ri atë që po bëjmë. Sigurisht, të gjithë duam të jemi profesionalë në punën tonë, por mbi të gjitha, ne jemi të dëshiruar të sjellim një ndryshim pozitiv në jetën e studentëve tanë.

Teksa punoni me brezin e ri, ju dëshironi t’i ndihmoni studentët tuaj që ta kuptojnë origjinën e tyre hyjnore, qëllimin e tyre në vdekshmëri dhe personin që mund të bëhen. Dëshira juaj më e thellë është që t’i ndihmoni ata të ngrihen në nivelin e potencialit të tyre hyjnor. Qëllimi i pohuar zyrtarisht i Seminareve dhe Instituteve përfshin ndihmën ndaj nxënësve dhe studentëve që ata të mësojnë rreth mësimeve dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit e të mbështeten në to, dhe përgatitjen e tyre për ordinancat e priftërisë të tempullit dhe për jetën e përjetshme. Ndërsa punoni për t’i përmbushur ato qëllime, ju po i armatosni ata kundër “shigjeta[ve të] flakta të kundërshtarit”1 si dhe po i forconi ata për të qenë shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme që e presin me padurim ardhjen e Shpëtimtarit. Ju po i ndihmoni ata të përgatiten për rolet e tyre të ardhshme në familje, Kishë dhe komunitet si udhëheqës të drejtë dhe shembuj të së mirës.

Ndërsa po mendoja për temat që mund të jenë të dobishme sot, mendova për bekimin e pamasë të pasjes së programit mësimor të seminarit të përputhur me programin Eja, Më Ndiq dhe forcën që ato mund të jenë për të rinjtë e të rejat dhe familjet e tyre. Mendova për të rinjtë në moshë madhore që jetojnë larg shtëpisë, dhe mënyrën se si mund të zbatohet për ta një qasje e studimit të ungjillit në institut “e përqendruar te shtëpia”. Dhe mendova rreth mënyrave për ta bërë udhëzimin të përshtatshëm për rininë dhe të rinjtë në moshë madhore. Pasi e mora në shqyrtim, arrita në përfundimin se nëpërmjet kërkimit të zbulesës suaj vetjake dhe këshillimit me mësuesit dhe administratorët e tjerë, ju mund të gjeni përgjigje për t’i arritur ato mënyra.

Në vend të kësaj, do të më pëlqente të përqendrohesha te nja dy parime. Parimet që do të më pëlqente t’i diskutoja, janë në kategorinë: “Çfarë do të kisha dashur të dija unë kur isha mësuese seminari”. Shërbimi si një mësuese e seminarit herët në mëngjes për gjashtë vjet ishte një mundësi dhe bekim përrallor. Lagjja ku jepja mësim, përfshinte një grup të madh nxënësish që ndiqnin 10 shkolla të mesme të ndryshme. Ata qenë të shpërndarë për nga vendndodhja por të bashkuar në shoqërimin mes tyre. Do të doja të mund të thoja se isha një mësuese shembullore, por mund të them se mësova disa gjëra gjatë atyre viteve dhe do të më pëlqente t’ju tregoja vetëm dy prej tyre.

Parimi i parë që mësova, është t’u japim nxënësve “mish” shpirtëror. Rinia dhe të rinjtë në moshë madhore të këtyre ditëve të fundit kanë nevojë për “mishin” shpirtëror të ungjillit në mënyrë që t’u përgjigjen pyetjeve të vështira që ngrihen, dhe që t’i ndihmojë ata t’u bëjnë ballë trysnive që mund t’i tërheqin tutje nga shtegu i besëlidhjeve. Ata mund ta përballojnë atë. Ata kanë nevojë për të! Ne duhet të gjejmë kohën për t’u lutur e për të përgatitur – jo vetëm materialet mësimore, por edhe të gjejmë kohën për t’i njohur nxënësit ose studentët në mënyrë që të mund të kuptojmë se çfarë u nevojitet dhe më pas të dimë çfarë të përdorim nga ajo që kemi përgatitur. Ne mund t’i përgjigjemi thirrjes: “Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë [mish]”2. Më lejoni të jap disa shembuj.

Kur frekuentoja seminarin në adoleshencë në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, anëtarët e lagjes qenë të shpërndarë në një zonë të madhe gjeografike. Kishte vetëm dy nxënës të tjerë në shkollën time të mesme me numër të madh nxënësish, të cilët ishin anëtarë të Kishës përveç motrave të mia. Ndikimet e këqija në shoqëri ishin të ndjeshme. Ishte një kohë ngjarjesh të rrëmujshme dhe përçarëse, përfshirë trazirën civile të përkeqësuar nga konfliktet me figura me autoritet, kryengritjet e përhapura gjerësisht për racën, luftërat në anën tjetër të globit dhe protestat kundër luftës në vendlindjen time. Një stil jetese me “marrëdhënie seksuale të lira”, përdorimi liberal i marijuhanës dhe drogave haluçinogjene krijoi një mjedis që kremtonte individualizmin dhe trumbetonte braktisjen e normave morale. Vrasjet politike dhe ndasitë e gjera të opinionit për mënyrën se si duhej të funksiononte qeveria i ndanë njerëzit në kampe mendimi që konkurronin ashpër. Dekada e trazuar mbaroi më në fund me një lajm të mirë kur njeriu i parë shkoi në hënë.3 A tingëllon ndonjëra prej këtyre gjërave e ngjashme me mjedisin shoqëror me të cilin po përballen rinia dhe të rinjtë tanë në moshë madhore sot?

Për mua, në shkollën e mesme nisi një kohë zbulimesh dhe bërjesh të zgjedhjeve në një botë më të gjerë sesa shtëpia dhe familja ime. U ekspozova ndaj filozofive të shumta të botës dhe fillova ta vija në dyshim vërtetësinë e gjithçkaje që më ishte mësuar nga prindërit dhe mësuesit e mi besnikë të Kishës gjatë fëmijërisë sime. Mësuesja ime e parë e seminarit ishte motra Tomander, një grua flokëthinjur që nuk pranonte fjalë boshe, me një gjerësi të madhe përvojash në Kishë dhe një dëshmi të thellë për ungjillin. Ajo na sfidoi që ta lexonim të gjithë Librin e Mormonit atë vit dhe që të vinim të përgatitur çdo ditë për të diskutuar ato që kishim lexuar.

Mësimdhënia e mirëmenduar, e frymëzuar e doktrinës nga ana e motrës Tomander, ndikoi në dëshminë time tej mase. E dija pa asnjë dyshim që ajo e dinte se Kisha ishte e vërtetë, sepse ajo vinte e përgatitur mirë për t’i shpjeguar në mënyra të qarta vargjet që lexonim, dhe ajo dëshmonte për ato të vërteta. Ishte e dukshme që ajo shpenzonte kohë duke u përgatitur për të na thënë ato që ajo ndiente se do të kishin më tepër ndikim. Nuk më kujtohet asnjë lojë, festë ose qerasje, por vërtet më kujtohet që sfidohesha shpirtërisht, lartësohesha shpirtërisht dhe ushqehesha shpirtërisht çdo ditë. Jo çdo mësim të linte gojëhapur, por çdo ditë na pohonte dhe na jepte siguri ndërsa ajo u përgjigjej me durim dhe duke na dhënë zemër pyetjeve të sinqerta që bënin nxënësit. Ftesa e saj e drejtpërdrejtë dhe pritshmëritë e saj të larta sollën një ndryshim në jetën time që është i pamasë. Motra Tomander është një njeri që dua ta shoh e ta falënderoj kur të shkoj në anën tjetër të velit!

Unë bëj dallimin e atij viti me një vit kur isha në klasën me moshë më të madhe. Mësuesi i seminarit ishte zbavitës dhe miqësor, por për çudi, ndieja lidhje të mirëfilltë të pakët. Javët kalonin teksa na e jepte mësim materialin mësimor me një qasje shumë të lirshme. Dukej qartë se nxënësit nuk e merrnin seriozisht atë: vajzat më të mëdha lyenin thonjtë kur uleshin në rreshtat e fundit ndërkohë që djemtë i bënin rrengje njëri-tjetrit dhe ne të tjerët kalonim shënime lart e poshtë për t’u argëtuar. Ndonëse ishim mjaft të sigurt që ai kishte një dëshmi për ungjillin, për shkak se ai ishte një misionar i kthyer, ne mësuam të mos bënim pyetje doktrinore sepse përgjigjet e tij qenë shpesh mekanike ose të paqarta dhe nuk ishim të sigurt që ai mundej ose donte t’u përgjigjej atyre. Seminari i shërbeu një qëllimi të rëndësishëm shoqëror, por nuk ishte një përvojë shpirtërore.

Ju e dini pyetjen e Palit te 1 Korintasve: “Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?”4 Si mësues të ungjillit për brezin e ri, ne duhet të jemi “boria që jep tingull të njohur”. Në kohët e Dhiatës së Vjetër, boria ishte një shofar, briri i një dashi që kishte një tingull të thjeshtë, të pangatërrueshëm. Ajo përdorej për ta thirrur popullin e Zotit që të mblidhej për adhurim, për të lajmëruar për një rrezik që po afrohej, dhe për të sinjalizuar udhëzime në kohë lufte. Në betejat e lashta, zhurma dhe britmat e luftës krijonin kaos. Nëse udhëheqësi nuk mund të komunikonte qartë me trupat, ushtria do të pësonte një disfatë të sigurt. Kështu, u shpik “boria me tingull të njohur”. Çdo ushtar qe stërvitur për ta dalluar tingullin, ndaj edhe në çaste pështjellimi çdonjëri e dinte a të përparonte ose të tërhiqej, të sulmonte në krahun e majtë ose të djathtë.5

Motra Tomander ishte ajo bori për mua. Ne duhet të jemi ajo bori, ai zë i besuar i sigurimit të së vërtetës së përjetshme përballë vlerave ikacake, gjithnjë në ndryshim e sipër të botës. Ne duhet t’ua themi nxënësve dhe studentëve tanë të vërtetën dhe t’i ndihmojmë ata të kuptojnë arsyet e parimeve po aq sa dhe përmbajtjen. Ne mund ta bëjmë atë “me qetësi dhe butësi”6, por duhet ta bëjmë. Sikurse e formuloi një mësuese e seminarit: “Ne nuk i biem borisë në veshin e dikujt, por as nuk e lëshojmë në mënyrë të papërmbajtur mesazhin e saj; përkundrazi thirrja duhet të jetë e ëmbël dhe e sigurt dhe me tingull të njohur”7. Duke dhënë mësim në orët e mia të seminarit, mësova se po, të rinjve e të rejave u pëlqenin veprimtaritë zbavitëse të të mësuarit dhe u nevojiteshin ndërveprimet shoqërore me bashkëmoshatarët e tyre, por gjithashtu qenë të dëshiruar për përgjigje reale për pyetjet rreth ungjillit dhe ide praktike se si t’i zbatojnë parimet e ungjillit në vetë jetën e tyre.

Parimi i dytë që m’u duk thelbësor, është të krijojmë lidhje me përkujdesje të çiltër për ta. Si të krijojmë lidhje me nxënësit dhe studentët tanë në mënyra që janë të përshtatshme dhe kuptimplota? Gjuha mundet me siguri të sjellë një ndryshim. Për shembull, nëse përpiqem t’u flas kekshisht nxënësve ose studentëve që kuptojnë vetëm tagalogishten, nuk do të jem e suksesshme në përçimin e mesazhit. Fatmirësisht, ka dy gjuhë ndërkombëtare që e gjithë rinia dhe të gjithë të rinjtë në moshë madhore i kuptojnë: gjuha e Shpirtit dhe gjuha e dashurisë.

Gjuha e parë, ajo e Shpirtit, dallohet nga të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën. Sikurse dha mësim Plaku Jozef B. Uirthlin: “Nuk ka asnjë pengesë gjuhësore në Kishë. Ka një fuqi të madhe që e tejkalon fuqinë e mesazheve të përcjella vetëm nga fjalët, dhe kjo është fuqia e mesazheve që Shpirti ia komunikon zemrës sonë … pavarësisht nga gjuha ose dialekti. Ajo është një lajmëtare universale e çdo zemre në harmoni me të.”8

Shpirti komunikon nga zemra në zemër. Sikurse ua kujtoi Pali shenjtorëve në Romë: “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë”9. Teksa i kërkojmë, i mbajmë vesh dhe i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë, ne do të marrim zbulesë për mënyrat se si t’u flasim nxënësve dhe studentëve tanë nëpërmjet Shpirtit në një mënyrë që ata ta kuptojnë. Përgatitja e mirë, duke përdorur materialet e hartuara nga shkrues të frymëzuar të programeve mësimore, na ndihmon të bazohemi te doktrina bazë, e cila e dimë se ka fuqinë më të madhe për të ndryshuar zemrën dhe jetën e dikujt. Më e rëndësishmja është të kërkoni zbulesë vetjake mbi atë që duhet të shprehni dhe si ta shprehni atë që keni përgatitur. Gjuha e Shpirtit do të komunikojë shumë më tepër se ato që mund të thoni ju.

Gjuha tjetër që do t’ju ndihmojë të krijoni lidhje me nxënësit dhe studentët, është gjuha e dashurisë. Dashuria, duke qenë se gjithashtu është me origjinë hyjnore, flet nga zemra në zemër. Gjoni, Apostulli, një dëshmitar okular i Shpëtimtarit, tha këtë të vërtetë të thjeshtë: “Ne e duam atë sepse ai na deshi i pari”10. E njëjta gjë është e vërtetë dhe në marrëdhëniet dypalëshe njerëzore. Ju e keni dëgjuar thënien: “Njerëzit nuk duan t’ia dinë se sa shumë dini derisa ta dinë se sa shumë doni t’ia dini për ta”11. Si mësues, ndikimi ynë afatgjatë do të varet drejtpërdrejt nga dashuria si e Krishtit që kemi për nxënësit dhe studentët tanë.

Ju me gjasë jeni familjarizuar me konceptin “gjuhët e dashurisë”12. Këto janë mënyra për të shprehur dashurinë që do të kuptohen dhe pranohen nga të tjerët, në varësi të personalitetit të tyre dhe ndikimit të përvojave të tyre të shkuara. Njerëz të ndryshëm mund t’i përgjigjen më me gatishmëri një lloji gjuhe të dashurisë sesa një tjetre, por të gjithë nxënësit dhe studentët do ta njohin përkujdesjen tuaj të çiltër tek të paktën njëra nga tri mënyrat që do t’ju tregoj sot.

Një lloj gjuhe e dashurisë është me anë të fjalëve të përgëzimit. Këto janë fraza që të japin zemër dhe të ngrenë moralin të tilla si “Mund t’ia dalësh” ose “Po përmirësohesh vërtet” ose “Jam krenar/e që ti po punon fort”. Këto fjalë i komunikojnë një nxënësi/eje dhe studenti/eje që ai ose ajo vlerësohet dhe është i zoti/e zonja. Përgëzimi i dhembshur i Shpëtimtarit për Xhorxh Millerin, i shënuar te Doktrina e Besëlidhjet, është një shembull i mrekullueshëm i kësaj lloj gjuhe të dashurisë. Duke e përshkruar atë si një njeri “pa mashtrim”, Jezu Krishti vazhdoi duke thënë për të se atij “mund t’i besohet për shkak të integritetit të zemrës së tij; dhe për dashurinë që ai ka për dëshminë time, unë, Zoti, e dua atë”13. Shumica prej nesh nuk e mbajnë mend emrin e këtij të kthyeri të hershëm në besim, por unë mundem thjesht ta përfytyroj se si ato fjalë përgëzimi duhet ta kenë forcuar dëshminë e Xhorxhit për ungjillin e rivendosur si dhe dashurinë e tij për Shpëtimtarin e tij.

Disa nga fjalët më të fuqishme janë “Faleminderit” dhe shprehje të tjera vlerësimi. Si një mësues i vëmendshëm dhe i dashur i rinisë ose të rinjve në moshë madhore, ju mund të vini re gjëra të thjeshta që një nxënës dhe student bën për ju ose për të tjerët në klasë apo t’i mbani vesh gjërat e mira që dëgjoni se ata bëjnë në shkollë ose në komunitet, dhe të shprehni vlerësimin tuaj. Dërgimi i një pusulle për prindin e një nxënësi rreth diçkaje pozitive që keni vënë re tek adoleshenti i tyre, e shton gjithashtu ndjesinë e arritjes dhe vetëvlerësimit te nxënësi. Të gjitha këto lloje komentesh përgëzuese i ndërtojnë dhe i forcojnë marrëdhëniet, duke e shtuar ndjenjën e përkujdesjes së çiltër mes mësuesit dhe nxënësit ose studentit, e cila nga ana tjetër e zgjeron ndikimin e Shpirtit në jetën e tyre.

Një gjuhë tjetër e dashurisë është veprat e shërbimit. Të qenit i përgatitur çdo ditë me material lartësues dhe ndriçues nga ana shpirtërore është një vepër e jashtëzakonshme shërbimi dhe dashurie! Dhuratat tuaja të kohës dhe përpjekjes mund të mos njihen gjithnjë nga rinia në mënyrë të përditshme, prapëseprapë, me kalimin e kohës, ndjeshmëria e tyre shpirtërore do të rritet dhe ata do t’ju “shpallin fatlum[/e]”14 sikurse e shpall unë motrën Tomander.

Më lejoni të tregoj se si dy mësuese janë duke e demonstruar dashurinë e tyre nëpërmjet veprave të shërbimit. Një mësuese seminari në Zimbabve u thirr pikërisht përpara se pandemia të godiste në mbarë botën. Nxënësit qenë entuziastë që takoheshin përpara fillimit të shkollës çdo ditë dhe sapo ishin mësuar me orarin kur nuk u lejuan më të mblidheshin nga afër. Mësuesja u përball me një mëdyshje: shumica e nxënësve nuk kishin qasje në internet në shtëpi, kështu që një orë mësimore në internet nuk ishte e mundur. Prandaj, për t’u siguruar që studentët e saj po merrnin ushqim të përditshëm shpirtëror, ajo filloi të krijonte mësime me shkrimet e shenjta, pyetje për t’u menduar, figura me tekste dhe materiale filmike që ua dërgonte çdo ditë me WhatsApp, një platformë shoqërore lehtas në dispozicion të nxënësve të saj. Nxënësit e saj po “ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë”15 edhe në këtë kohë distance shoqërore.16 Ata i njohin dhe i vlerësojnë këto vepra shërbimi si një shprehje e dashurisë së saj. Ata përgjigjen me mbresa shpirtërore të tyret dhe e presin me padurim dozën e tyre të përditshme të udhërrëfimit dhe lartësimit shpirtëror të bazuar te shkrimet e shenjta.

Një mësuese në Norvegji ka sfidën e kundërt. Orët e saj mësimore bëhen vetëm në internet sepse nxënësit e saj janë të shpërndarë në të gjithë vendin. Gjithsesi, pavarësisht se ku është duke udhëtuar nëpër botë ose sa është ora në vendndodhjen e saj, ajo është e përgatitur për t’u dhënë mësim atyre nxënësve herët në mëngjes me dashuri dhe interes të çiltër. Pavarësisht nga largësia gjeografike midis saj dhe atyre – dhe nga fakti që rrallëherë i takon ata personalisht – ajo di diçka rreth personalitetit dhe interesave të secilit prej tyre. Qoftë nëse ua sheh fytyrat në kamera ose jo, ajo u uron mirëseardhjen atyre dhe kërkon mendim prej tyre. Ajo siguron një vend të ngrohtë sigurie ku nxënësit mund të bëjnë pyetje pa frikë se do të ndihen si të pavend. Ajo u jep atyre një dietë të pasur me ushqimin shpirtëror, të plotësuar me mundësi të vazhdueshme për ta dëgjuar dëshminë e saj për parimet e ungjillit dhe i fton ata të tregojnë nxëniet e tyre vetjake shpirtërore.17 Si ju, këto mësuese e flasin gjuhën e dashurisë nëpërmjet veprave të tyre të shërbimit të përkushtuar.

Gjuha e fundit e dashurisë rreth së cilës do të flas, është dhënia e kohës cilësore. Bërja e orës së mësimit aq me vlerë sa të mundeni – e përqendruar te përvojat shpirtërore – është një dhuratë që nuk resht së dhëni. Në vend që të shpenzoni kohë me lojëra që janë thjesht shoqërore, ose të përdorni një kohë të konsiderueshme përgatitore për të krijuar një fletushkë të hollësishme që mund të lihet në dysheme sapo të largohen nxënësit ose studentët, vëmendja juaj e përqendruar tek angazhimi i tyre në të mësuarit se si ta dallojnë Shpirtin dhe ta zbatojnë ungjillin në jetën e tyre do të sjellë shpërblimet më të mëdha se gjithçka. Teksa u përgjigjeni pyetjeve me përgjigje kuptimplota, të menduara, përpjekjet tuaja komunikojnë dashuri në një mënyrë të pagabueshme. Vlerësimi i kontributeve të nxënësit ose studentit – mbajtja vesh me kujdes e komenteve dhe pyetjeve të tyre dhe dhënia e përgjigjeve me një koment miratues – i ndihmon nxënësit ose studentët ta dinë që ju interesoheni për shqetësimet dhe nevojat e tyre në vend që të jeni të përqendruar te paraqitja e materialit që thjesht duhet ta trajtoni në tërësi atë ditë. Të qenit të gatshëm për të dalë nga tema që t’i përgjigjeni asaj pyetjeje jo të zakonshme, ose që ta përsëritni atë përgjigje të thjeshtë në një mënyrë të ndryshme derisa koncepti të kuptohet më në fund, komunikon dëshirën tuaj të sinqertë për përparimin e tyre shpirtëror dhe vetjak – me fjalë të tjera, komunikon dashurinë tuaj si të Krishtit.

Nga ana tjetër, si mësuese seminari, një nga bekimet më të mëdha për mua ishte të qenit në gjendje të studioja e mësoja më shumë rreth ungjillit nga materialet e shkëlqyera të siguruara nga Sistemi Arsimor i Kishës. Megjithatë, pikësynimi i atij studimi ishte që të isha tërësisht e përgatitur për t’u dhënë nxënësve atë që u nevojitej, jo që të isha në gjendje t’i parashtroja me entuziazëm zbulimet vetjake që po bëja. Ju keni qenë dhe do të vazhdoni të bekoheni nga mundësia juaj për të mësuar e për ta dhënë mësim ungjillin në seminar dhe institut, por nxënësit dhe studentët tuaj do të bekohen edhe më shumë nga përqendrimi juaj tek të mësuarit e tyre në vend të tuajit.

E thënë si mësuesja e seminarit herët në mëngjes për të gjithë ju, unë e kuptoj vështirësinë e manovrimit me nevojat e familjes, punësimin ose detyrimet në komunitet. E kuptoj sfidën e gjetjes së kohës së mjaftueshme për t’u përgatitur – dhe gjetjes së kohës së mjaftueshme për të fjetur – me gjithçka tjetër që keni mbi shpatulla! Unë dëshmoj që Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa pyetni, kërkoni dhe trokitni. Ndërsa luteni, studioni dhe veproni sipas nxitjeve që merrni, do të jeni në gjendje t’u jepni nxënësve dhe studentëve tuaj të çmuar mishin e ungjillit – ushqimin shpirtëror që u nevojitet për t’u bërë udhëheqësit, etërit dhe nënat që ata dëshirojnë dhe duhet të bëhen në këto ditë të fundit. Ju do të jeni në gjendje ta komunikoni të vërtetën përmes gjuhës së Shpirtit dhe gjuhës së dashurisë. Do të jeni në gjendje të krijoni lidhje me përkujdesje të çiltër, duke e demonstruar dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ta nëpërmjet fjalëve tuaja të përgëzimit, veprave të shërbimit dhe kohës cilësore që shpenzoni duke mbajtur vesh dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre kërkimore.

Vazhdofshi ta jepni mësim të vërtetën dhe të jepni dashuri në mënyra që do të ndërtojnë dëshmi për ungjillin e Jezu Krishtit te brezi i ri! Synofshi t’i përgatitni ata për ta përmbushur potencialin e tyre hyjnor teksa ata e mbledhin Izraelin në këtë ditë të fundit është lutja ime e zjarrtë dhe ftesa ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër