Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhurata e Përsosur


9:51

Dhurata e Përsosur

Një vit, rreth tri ditë para një Krishtlindjeje në fëmijërinë e vet, bashkëshorti im, Robi, i gjeti dy prej motrave të tij më të mëdha në dhomën e tyre të gjumit duke hapur fshehurazi dy prej dhuratave të tyre të Krishtlindjes. Pastaj, pasi kishin hedhur një sy brenda, motrat e tij i mbështollën përsëri dhuratat e tyre. Motrat e Robit i thanë atij: “Nëse nuk i thua mamit, ne do të tregojmë se si ta bësh këtë gjë”.

Më së fundi ai iu dorëzua tundimit, veçanërisht ngaqë kishte një kuti me përmasat e një topi basketbolli nën pemën e Krishtlindjes me emrin e tij mbi të.

Gjithsesi, dhurata u duk çuditërisht e lehtë kur ai fshehtazi e mori për ta çuar në dhomën e vet. E hapi me kujdes dhe e gjeti bosh, përveç një shënimi. Në shënim shkruhej: “E di se çfarë po bën. Mos e prish Krishtlindjen tënde. Me dashuri, mami.” Ai e mësoi mësimin e vet dhe ky ishte fundi i prapësisë së madhe për të zbuluar dhuratat e Krishtlindjes.

Merrini parasysh kujtimet tuaja, pamjet e bukura, tingujt engjëllorë dhe aromat e paharrueshme që ju vijnë ndërmend kur mendoni për Krishtlindjen. Edhe më të ëmbla janë kujtimet që shumë prej nesh që nga fëmijëria i mbartim në zemrat tona për shenjtërinë e Krishtlindjes – kremtimin e lindjes së Shpëtimtarit tonë. Ato ndjenja të shenjta kurrë nuk na largohen.

Maria dhe Jozefi me Jezusin foshnjë

I ndiejmë çdo herë që mendojmë për grazhdin e vogël në Bethlehem, ku kaq shumë profeci, të dhëna përgjatë shekujve, që të gjitha u mblodhën së bashku nën qiellin e një nate plot yje – kur Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë u soll në botë si Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve.

Ne shpesh dëgjojmë se Krishtlindja është për fëmijët, por a nuk jemi ne të gjithë fëmijë në zemër? Një ditë, një nënë dhe bija e saj nëntëvjeçare ishin duke blerë shumë gjëra për Krishtlindjen. Teksa nxitonin përmes repartit të bizhuterive në një supermarket, bija vuri re një banderolë të stërmadhe që varej mbi një vitrinë. Me shkronja të mëdha, të kuqe, banderola shpallte: “Dhurata që Nuk Mbaron Kurrë së Dhëni”.

Bija e lexoi shprehjen, vrau mendjen për një çast dhe më pas buzëqeshi. Me krenari i tha nënës së vet: “Mami, unë e di se cila është dhurata që nuk mbaron kurrë së dhëni”.

“Ou, cila?” pyeti nëna e saj teksa me të shpejtë lëvizi përmes turmës.

Me çiltërsi bija shpalli: “Është Jezusi!”

Nëna e saj gabimisht u përgjigj: “Jo, zemër. Janë diamantet.”

Isaia na kujton: “Dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë”1.

Duke përdorur një mjet kërkimi në internet, gjeta mijëra artikuj të reklamuar me frazën “Dhurata që nuk mbaron kurrë së dhëni”. Prapëseprapë, sado që përpiqemi, asnjë dhuratë materiale që japim, nuk do të zgjatë përgjithmonë.

Në dallim, më lejoni t’ju tregoj një nga kujtimet e mia të dhembshura të Krishtlindjes për dy njerëz të cilët, besoj, nuk mbaruan kurrë së dhëni. Ata ishin prindërit e mi, Aldo dhe Eleonor Harmoni.

familja Harmoni

Ishte një dimër me dëborë në qytetin tonë të vogël atë vit, por kjo nuk e bëri babin tim që të mos e çonte familjen tonë që të kërkonim pemën më të përsosur të Krishtlindjes. Pasi pema ishte në shtëpi dhe e siguruar në një mbajtëse peme, shiritat me drita, zbukurimet me engjëj dhe shiritat me varak u vendosën plot bukuri nëpër degët. Shtëpia jonë e thjeshtë ishte zyrtarisht gati që Krishtlindja të fillonte.

Katalogët e lodrave mbërritën me postën dhe motrat e vëllezërit e mi dhe unë shfletonim plot emocion faqet duke pasur dëshirë për thesare të Krishtlindjes. Aroma e bukës me xhenxhefil dhe e kekut me fruta e mbushi shtëpinë dhe dhjetori dalëngadalë u fut në kalendarin e ngjarjeve. Lamë surpriza te pragu i dyerve të fqinjëve dhe u përpoqëm t’u shërbenim familjeve që kishin nevojë për pak hare të Krishtlindjes.

Çdo natë, pasi shkoja në shtrat, nëna ime shpenzonte një sasi të tepërt kohe e mbyllur në dhomën e saj të gjumit. Gjithë sa mund të dëgjoja ishte tingulli i makinës së qepjes. Ajo qepte kaq shumë prej veshjeve tona gjithsesi, prandaj nuk mendova shumë për këtë gjë.

Por teksa po afrohej Krishtlindja, nëna ime ishte tërësisht e rraskapitur. Ajo ishte e sëmurë në shtrat ditën para Krishtlindjes. Kur mjeku i tha babait se ajo do të duhej të qëndronte në shtrat për të paktën një javë, unë isha e shqetësuar – por gjithashtu shumë e zhgënjyer. Si mund të vazhdonte Krishtlindja pa mamin? Madje si mund të ndihej si Krishtlindje? Dhe përveç kësaj, kush do ta gatuante darkën e Krishtlindjes?

Teksa babai kujdesej me dashuri për nënën time, ai e kuptoi se detyra e gatimit të darkës së Krishtlindjes binte mbi të. Përsëri, isha e shqetësuar! Edhe pse ishte një burrë shumë i urtë dhe plot dhunti, gatimi nuk ishte diçka që e zotëronte.

Dita para Krishtlindjes më gjeti në gjunjë duke u lutur që nëna ime të shërohej mrekullisht dhe që mëngjesi i Krishtlindjes të ishte siç kishte qenë gjithmonë – familja jonë e mbledhur përreth pemës së Krishtlindjes. Zhgënjimi u ndie tërësisht prej nesh në mëngjesin e Krishtlindjes kur zbuluam se nëna jonë e dashur ishte ende shumë e sëmurë në shtrat. Ndërkohë që hapnim dhuratat, u habita kur zbulova se dhurata ime e veçantë ishte një larmi veshjesh për një kukull të bërë vetë, që nëna ime i kishte qepur për mua gjatë atyre shumë netëve të vona të dhjetorit. Mezi prisja të shkoja me vrap tek ajo dhe ta përqafoja me krahët e mi. Sa shumë kishte sakrifikuar ajo për mua.

Babi i dashur, ai u përpoq me çfarëdo mënyre të mundshme që ta bënte ditën e Krishtlindjes të ndihej normale atë vit, aq sa mund të ishte normale pa mamin. Dhe ia doli. Pas darkës sonë të thjeshtë, babi im i këndshëm ra në gjumë në karrigen pranë vatrës së zjarrit ndërsa unë luaja me motrat dhe vëllezërit e mi dhe me kukullën time dhe rrobat e saj të reja. Nëna ime e shtrenjtë u shërua pas shumë pushimi dhe gjithçka ishte mirë. Por në jetën time, prindërit e mi ishin për mua një dhuratë që nuk mbaroi kurrë së dhëni.

Le ta marrim parasysh atë frazë për një çast. A nuk do të konsiderohej një dhuratë që nuk mbaron kurrë së dhëni, dhuratë e përsosur? Së pari, një dhuratë e përsosur do të zbulonte diçka rreth dhënësit të dhuratës. Së dyti, ajo do të pasqyronte diçka rreth nevojave të personit që e merr dhuratën. Dhe së fundi, dhurata, nëse ishte vërtet dhurata e përsosur, do ta ruante vlerën e saj jo vetëm me kalimin e kohës, por përgjithmonë.

A nuk i plotëson këto tri kërkesa Shpëtimtari ynë i dashur, madje Shpëtimtari i botës? A zbulon dhurata e lindjes, shërbesës dhe flijimit shlyes të Jezu Krishtit diçka rreth Dhënësit të dhuratës? Sigurisht. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin.”2 Ati ynë në Qiell sakrifikoi Birin e Tij për shkak të dashurisë së pastër për ne, fëmijët e Tij.

A tregon dhurata e Jezu Krishtit se Ati ynë Qiellor e dinte saktësisht se çfarë na nevojitej? Sërish, një përgjigje e qartë: “Po!” Ne jemi të rënë nga natyra dhe dëshpërimisht kemi nevojë për një Shpëtimtar e Shëlbues. Siç dha mësim Nefi, Jezu Krishti “nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën”3.

Dhe kërkesa e fundit për një dhuratë të përsosur? Duhet ta ruajë vlerën e saj përgjithmonë. Libri i Mormonit qartësisht na mëson se Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme dhe e përjetshme.4

A e mbani mend banderolën në repartin e bizhuterive? Ajo vajzë e vogël e dinte vetvetiu se cila është dhurata e vërtetë. Në këtë botë të zymtë, ne shohim përtej bizhuterive dhe drejt Dritës së Botës. Shpëtimtari Vetë dha mësim:

Jezu Krishti

“Prandaj, mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart.”5

“Unë jam drita që shkëlqen në errësirë.”6

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është dhurata e përsosur – dhurata që nuk mbaron kurrë së dhëni. E mbajtshim ne të gjithë këtë të vërtetë në zemrat tona këtë Krishtlindje dhe përgjithmonë. Ai jeton. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.