Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Vënia e Krishtlindjes në Qendër të Vëmendjes


9:39

Vënia e Krishtlindjes në Qendër të Vëmendjes

Më pëlqen shumë kjo kohë e vitit kur ne mblidhemi si familje dhe me njerëzit tanë të dashur për të kujtuar lindjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe për të dhënë falënderime për jetën e Tij dhe flijimin e Tij të pafund shlyes. Më pëlqejnë shumë kujtuesit e panumërt të kësaj periudhe të veçantë të cilët janë kudo, dhe unë mund të ndiej ende emocionin dhe pritjen me padurim të Krishtlindjeve nga fëmijëria ime, qofshin ato në Anglinë e ftohtë apo Arabinë e nxehtë.

Ndoshta si shumë njerëz të tjerë, javën e kaluar pata vështirësi me dritat e Krishtlindjes, duke u përpjekur të gjeja llambën e cila po bënte që një varg i tërë të mos ndriçonte. Kur më në fund llamba u gjet dhe u zëvendësua, të gjitha dritat u ndezën dhe erdhi ai lehtësim e kënaqësi që vjen nga një triumf i vogël.

Një nga gjërat që parapëlqej të bëj teksa Krishtlindja afrohet është të ulem pranë pemës sonë të Krishtlindjes, me të gjitha dritat e tjera fikur, dhe ta lë shikimin tim të mjegullohet teksa shoh pemën mbuluar me drita të vockla të bardha. Kur sytë e humbasin përqendrimin, shkëlqimi i secilës llambë zgjerohet dhe zbutet ndërsa pasqyron ngjyrën e kuqe të shndritshme të zbukurimeve. Efekti është magjepsës. Ne shpesh kemi muzikë që luhet në sfond, duke shpallur: “Botës gëzim, ka ardh’ Zoti”, 1 dhe se Ai “do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”2.

Teksa dritat vendosen në qendër të vëmendjes sime ose largohen prej saj, më vjen në mendje edhe një herë misioni hyjnor i Shpëtimtarit tonë, i cili shfaqet qartësisht në qendër të vëmendjes në këto çaste të qeta. Ai tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”3 Unë përsiat për natën e shenjtë kur Ai lindi, i mbushur me mirënjohje për dhuratën e gëzimit, shpresës dhe dashurisë së Atit që i është dërguar tokës në Birin e Tij të Vetëmlindur.4

Këto lloj çastesh të qeta të meditimit dhe reflektimit mund të jenë shumë të rralla për ne në ditët e zëna me punë përpara ditës së Krishtlindjes. Dhjetori sjell me vete festa dhe koncerte, mbledhje së bashku dhe dhurata. Oraret janë të zëna plotësisht, dhe nganjëherë pritshmëritë që i caktojmë vetes, në fakt, na largojnë nga gëzimi i kësaj periudhe në vend që të na afrojnë.

Prandaj mësimdhënia e Presidentit Nelson është jetike: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë. Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.”5

Ky është rasti i përsosur që ne të marrin në shqyrtim plot lutje se ku është përqendrimi ynë. Cilat janë shpresat tuaja në këtë periudhë Krishtlindjeje? Cilat janë dëshirat tuaja të sinqerta për veten dhe njerëzit tuaj të dashur ndërsa mblidheni së bashku në këtë ditë, më të shenjtën e të shenjtave?

Pas dy javësh e gjysmë, do të jetë dita e Krishtlindjes. Merrni në shqyrtim se çfarë keni në kalendarin tuaj për dy javët e gjysmë vijuese. Mund të ndiheni të mbingarkuar nga angazhimet e shumta dhe gjithçka që ende keni për të bërë. A është programi juaj i tejmbushur? A ka tradita dhe trysni të caktuara kulturore që ju shkaktojnë stres të panevojshëm dhe ju pengojnë që të merrni dhe reflektoni mbi gëzimin e lindjes së Krishtit? Si mund ta thjeshtoni kalendarin tuaj këtë Krishtlindje dhe të planifikoni më mirë për Krishtlindjen tjetër?

Ne duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos jemi aq të zënë me punë dhe të lodhur nga përpjekjet për të bërë më shumë, sa të humbasim përqendrimin nga periudha dhe të mos jemi në gjendje të gjunjëzohemi figurativisht në grazhd, të adhurojmë Mbretin e porsalindur dhe t’i sjellim Atij dhuratën tonë vetjake.

Nëna të reja, dhe të gjithë ne, a ndiheni të mbingarkuara? Ku është përqendrimi juaj? Ndoshta këtë vit ju nuk dërgoni kartolina për Krishtlindje ose ndoshta hiqni dorë nga disa pritshmëri të tjera të frymëzuara nga media që keni për veten tuaj. Kostoja qoftë në kohë apo para, do të heqë diçka nga aftësia juaj për t’u përqendruar te Shpëtimtari dhe për të ndier gëzimin e Tij të Krishtlindjes.

Baballarë rinj, dhe pjesa tjetër e jona, ku është përqendrimi juaj? Ndoshta këtë vit ju keni një Krishtlindje të thjeshtuar me më shumë dhurata të bëra vetë dhe dhurata shërbimi sepse trysnia dhe kostoja e përpjekjes për t’i blerë të gjitha është shumë e madhe – dhe e panevojshme – dhe do të heqë diçka nga aftësia juaj për t’u përqendruar te Shpëtimtari dhe për të ndier paqen e Tij të Krishtlindjes.

Shërbimi në tempull në kohën e Krishtlindjes mund të jetë veçanërisht domethënës. Tempulli korrigjon përqendrimin e vëmendjes sonë, rrit gëzimin tonë dhe i bashkon familjet këtu dhe në anën tjetër të velit. Merrni parasysh shërbimin në tempull në vend të një aktiviteti tjetër Krishtlindjeje, që mund të mos ju ndihmojë në përmallimin tuaj për qetësinë e Krishtlindjes. Ato ordinanca të shenjta – paqja dhe fuqia e priftërisë që ato mbartin për të gjithë ata që i duan fort ato – janë bërë të mundura vetëm për shkak të Birit të Vetëmlindur të Atit, këtij “Qengji që ishte vrarë që nga krijimi i botës”6, lindjen e të cilit ne tani e kremtojmë.

Ndërsa kjo Krishtlindje afrohet, le të bëjmë më shumë nga ato që kanë rëndësi dhe shumë më pak nga ato që nuk kanë rëndësi. Le të përpiqemi të bëjmë veprat e Jezusit të Nazaretit – të largojmë pikëllimin, të shërojmë zemërthyerit, të vizitojmë të burgosurit, të ushqejmë të uriturit, të veshim të zhveshurit dhe t’u japim zë atyre që nuk kanë zë, atyre që konsiderohen të parëndësishëm, të harruarve dhe të përçmuarve.7

Për ata nga ju që jeni në krizë këtë Krishtlindje, gjetshi dhuratën e dashurisë së Shpëtimtarit që është unike për ju. Shumë njerëz janë, në këtë çast, në grahmat e humbjes së njerëzve të dashur nga sëmundja, pleqëria apo nga ndonjë aksident i tmerrshëm. Shumë njerëz po kujtojnë humbjet e së kaluarës që ndodhën në kohën e Krishtlindjes dhe ky do të jetë një përvjetor i dhimbshëm për ju. Disa janë duke vajtuar zgjedhjet që po bëjnë njerëzit e tyre të dashur në këtë çast. Të tjerë janë të vetmuar, pa familje, duke përjetuar trazira ose për çfarëdo arsye po përballen me një Krishtlindje shumë të ndryshme nga ajo që kanë kremtuar në të kaluarën.

Besoni se ka një dhuratë të veçantë në këtë periudhë për ju. Kërkoni për çaste të qeta, të vetmuara, kur ju mund të përsiatni, të luteni dhe të ndieni mirësinë e Atij, lindja e të cilit bën të mundur çdo gëzim në çdo jetë. Premtimi është se një ditë “vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim”8. “Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë më etje … sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.”9

Jezu Krishti duke mbajtur një llambë me vaj

Gjeni kohë për të qenë të qetë, për të marrë frymë, për t’u mrekulluar. Shikoni lart. Përqendrojeni vëmendjen te dhurata e Tij e mrekullueshme – te njohuria se kush jeni në të vërtetë dhe të kuptuarit se sprovat këtu janë të shkurtra dhe se gëzimi këtu është vetëm fillimi i gëzimit që do të vijë. Mbani mend, “gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”.

“Dhe tani unë do të doja t’ju këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt, që hiri i Perëndisë, Atit dhe gjithashtu i Zotit Jezu Krisht dhe i Frymës së Shenjtë, që dëshmon për ta, të mund të jetë dhe të jetojë në ju përgjithmonë.”10 Që ne mund të themi: “Zot, t’përshëndesim, lindur k’të dit’ t’lumtur; … O ejani ta adhurojm’ [Atë]!’”11

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.