Një Ushtri Engjëllore e Kohës Sonë
Mirëmbrëma, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Ndihem i bekuar për mundësinë që t’ju flas sonte, ndërkohë që kremtojmë ngjarjen më të lavdishme në historinë njerëzore – ardhjen në botë të Birit të Perëndisë. Lindja, jeta dhe Shlyerja e Krishtit janë dhurata e Atit tonë Qiellor për ne të gjithë.
Teksa kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit në këtë kohë të gëzueshme të vitit, dashuria e vazhdueshme dhe pa mbarim e Perëndisë duket se i përshkon shpirtrat tanë më bujarisht, duke na ndihmuar ta kthejmë zemrën tonë drejt familjes, miqve dhe fqinjëve tanë dhe na ndihmon të bëhemi më të ndjeshëm ndaj atyre që mund të ndihen vetëm, të vetmuar ose që kanë nevojë për ngushëllim e paqe.
Përherë më ka lënë mbresë që, në tregimin e tij të ngjarjeve që e rrethuan lindjen e Jezusit, Ungjilli sipas Llukës jep disa shembuj ngushëllimi e paqeje që iu dhanë atyre që e patën gjetur veten në këto rrethana. Shembuj të tillë mund të shihen kur Ati ynë i dashur Qiellor i dërgoi engjëjt e Tij që të vizitonin gjatë natës barinjtë e shkëputur nga shoqëria, që t’u shpallnin atyre lindjen e Birit të Tij, dhe kur barinjtë më pas vizituan Marinë dhe Jozefin, të cilët po kujdeseshin për një foshnjë të sapolindur larg prej shtëpisë së tyre në Galile.
Udhëtimi i gjatë i Jozefit dhe Marisë nga Nazareti për në Bethlehem që të regjistroheshin për taksën, nuk ishte një rastësi e thjeshtë, pasi për shekuj ishte profetizuar nga profetë të lashtë se Shpëtimtari i botës do të lindej në Bethlehem, në Qytetin e Davidit.1 Ne shohim se Ati ynë Qiellor ishte shumë i vetëdijshëm dhe i përfshirë në çdo hollësi që e rrethonte lindjen e Birit të Tij të Vetëmlindur. “Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.”2
Kur mendoj për rrethanat shoqërore të barinjve dhe të çiftit të ri, Maries dhe Jozefit, unë vras mendjen se si shfaqja e ushtrisë engjëllore te barinjtë në fusha dhe arritja e barinjve te vendi ku po qëndronin Maria e Jozefi, sollën në jetën e tyre ngushëllim, paqe dhe gëzim.
Për barinjtë, engjëjt mund të kenë sjellë ngushëllimin e nevojshëm që Perëndia ishte i vetëdijshëm për ta dhe vuri re vlerë tek ata si dëshmitarët e parë të zgjedhur për Qengjin e sapolindur të Perëndisë. Për Marinë e Jozefin, barinjtë mund të kenë sjellë ngushëllimin mjaft të nevojshëm se njerëz të tjerë dinin për mrekullinë hyjnore, pjesë e së cilës ata ishin.3
Sigurisht, mes nesh janë barinjtë e kohës sonë – burra e gra që punojnë deri natën vonë dhe herët në mëngjes që të sigurojnë jetesën. Disa nga këta barinj të kohës sonë mund të përfshijnë rojet e sigurimit, personelin e spitaleve dhe urgjencave, punonjësit e dyqaneve të ushqimeve dhe stacioneve të karburantit të hapura gjithë natën, si dhe ekipet e transmetimit të lajmeve. Nganjëherë ata që punojnë në një turn nate mund të ndihen të izoluar nga ndërveprimet shoqërore me ata që zakonisht punojnë gjatë orëve të rregullta të ditës. Përveç kësaj, ka edhe Jozefë dhe Marie të kohës sonë që janë shpërngulur larg prej atdheut të tyre dhe që po përpiqen të përshtaten me një jetë të re, ndërkohë që kremtojnë ditë të rëndësishme si Krishtlindja, ditëlindjet, martesat dhe vdekjet.
Ndërsa i afrohemi Krishtlindjes, pyes veten nëse mund të bëhemi më shumë si ushtria engjëllore, duke i vizituar barinjtë e kohës sonë që t’u japim lajmin e mirë të Krishtit, paqen dhe ngushëllimin. Dhe pyes veten nëse mund të bëhemi më shumë si barinjtë duke iu përgjigjur thirrjes për t’u bërë vizitë dhe për t’u dhënë shërbesë Jozefëve dhe Marieve të kohës sonë në lagjet dhe komunitetet tona të banimit, që t’u japim sigurinë se Perëndia i do dhe po i vëzhgon e po kujdeset për ta.
Familja ime dhe unë në disa raste të ndryshme i përjetuam këto ndjenja të ngushëllimit e paqes që mund t’i sjellë një ushtri engjëllore e kohës sonë. Sonte do të doja të flisja për njërin nga këto raste. Në vitin 2003, u shpërngulëm nga atdheu ynë në shtetin e Jutës. Atë dimër, patëm një nga stuhitë më të mëdha të borës që Juta e kishte pasur për shumë vjet. S’kishim parë kurrë diçka të tillë në jetën tonë, ngaqë ishim rritur mes pemëve të palmave dhe plazheve me rërë. Shtëpia jonë ndodhej në cep të një kodre në Bauntifull që kishte një trotuar shumë të gjatë. Kur filloi stuhia, gruaja ime plot kurajë filloi ta hiqte dëborën nga rrugica dhe trotuaret, sepse unë kisha rrëshqitur në akull dhe kisha thyer kyçin e dorës pak ditë më parë, teksa ngjitesha rrugicës për të vizituar një nga fqinjët tanë. Ai aksident përfundoi me operacion dhe vënie në allçi të krahut për dy muaj. Ndërsa filloi të pastronte borën me presion ajri për herë të parë në jetën e saj, gruaja ime e dashur nuk e kishte idenë se duhej të ndryshonte drejtimin e tubit pas pastrimit të borës së njërës anë të rrugicës. Prandaj, kur shkoi në anën tjetër për të pastruar, tubi e kishte drejtuar atje borën. Poshtë e lart shkoi ajo, por pa dobi. Çfarë rrëmuje! Për shkak të qëndrimit të gjatë në të ftohtë, ajo mori një infeksion në të dy veshët dhe ishte gati tërësisht e shurdhët për dy muaj. Në të njëjtën kohë, djali im gjashtëmbëdhjetëvjeçar lëndoi kurrizin teksa rrëshqiste me sajë dhe iu desh të qëndronte në shtrat që të mund të shërohej dëmtimi. Pra ne ishim, njëri në shtrat, tjetra e shurdhët, njëri me krahun në allçi, dhe që të gjithë të ngrirë nga të ftohtët. Jam i sigurt që ishim goxha pamje për fqinjët tanë. Në njërin nga ato mëngjese të ftohta, herët, rreth orës 5:00 të mëngjesit, u zgjova nga tingulli i një makine që hiqte dëborën poshtë dritares sime. Hodha vështrimin jashtë dritares dhe pashë fqinjin tim nga ana tjetër e rrugës, Vëllanë Blejn Uilliams. Gati shtatëdhjetë vjeç në moshë, ai e kishte lënë shtëpinë e tij të ngrohtë e të rehatshme dhe qetësisht erdhi dhe pastroi rrugicën dhe trotuaret tona, duke ditur se nuk ishim në gjendje ta bënim vetë. Dhe po ashtu siç erdhi ai në mënyrën e tij të qetë e të thjeshtë, një mik tjetër, Vëllai Daniel Almeida, u shfaq në shtëpinë tonë që të më çonte me makinë në Solt‑Lejk për punë, pasi nuk mund të ngisja makinën me allçinë shumë të pamanovrueshme. Dashamirësisht e qetësisht ata ishin atje për mua çdo mëngjes derisa familja ime u shërua dhe ne ishim sërish në gjendje që t’i bënim gjërat vetë. Gjatë asaj periudhe të ftohtë të Krishtlindjes së 2003‑shit, këta vëllezër engjëllorë na u dërguan, ashtu si engjëjt shërbestarë iu dërguan barinjve të varfër të lashtësisë. Këta dy vëllezër ndoqën shembullin e Shpëtimtarit tonë dhe menduan për nevojat tona përpara se të mendonin për nevojat e veta.
Të dashur vëllezër e motra, jeta e Shpëtimtarit ishte shembulli i përsosur i dashurisë dhe dashamirësisë ndaj njerëzve. Ai gjithmonë e harroi veten e Tij në emër të të tjerëve. Veprimet e Tij vetëmohuese u shprehën në gjithçka që bëri çdo ditë të jetës së Tij dhe nuk u kufizuan nga një stinë e veçantë apo një ditë feste. Kur i kthejmë zemrat tona drejt të tjerëve, siç bëri Shpëtimtari, unë premtoj se do ta përjetojmë më mirë kuptimin e Krishtlindjes. Kur e bëjmë këtë gjë, unë mund t’ju siguroj se ne do të gjejmë mundësi të pakufizuara për t’u dhënë nga vetja qetësisht e dashamirësisht njerëzve që kanë nevojë për ne. Kjo do të na ndihmojë që të arrijmë ta njohim më mirë Shpëtimtarin dhe të gjejmë për veten tonë paqe në tokë dhe mirëdashje ndaj njerëzve, mirëdashje e cila, në përmasë të madhe, do të përcaktojë dashurinë, paqen dhe forcën e ripërtërirë që mund ta ndiejmë e tregojmë ndaj të tjerëve. Kur i ndjekim hapat e Shpëtimtarit, gjithmonë dëgjofshim për tingullin e këmbëve të veshura me sandale dhe e shtrifshim dorën drejt dorës së qëndrueshme të Zdrukthëtarit. Kur e kërkojmë Shpëtimtarin në gjithçka bëjmë, Krishtlindja nuk do të jetë vetëm një ditë ose një stinë, por do të jetë një gjendje e zemrës dhe e mendjes, dhe gëzimi e dashuria që ndihen në Krishtlindje do të jenë gjithmonë pranë. Unë dëshmoj se Jezu Krishti, foshnja e lindur në Bethlehem, është në fakt Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.
Gëzuar Krishtlindjen ju të gjithëve. I them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.