Ungjilli i Paqes
Në këtë periudhë Krishtlindjeje, e tërë bota e krishterë feston lindjen e Jezu Krishtit, “Princit të Paqes”. Ne të gjithë gëzohemi me shpalljen e engjëllit për atë lindje:
“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. …
Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:
‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!’”.1
Një ilustrim i mirë i mënyrës se si të krishterët e nderojnë Shpëtimtarin janë fjalët që Çarls Dikensi i shkroi për vetë fëmijët e tij:
“Fëmijët e mi të dashur, unë jam shumë i shqetësuar që ju duhet të dini diçka rreth Historisë së Jezu Krishtit. Sepse çdo njeri duhet të dijë për Të. Askush nuk jetoi ndonjëherë, që ishte kaq i mirë, kaq dashamirës, kaq bujar dhe kaq i shqetësuar për të gjithë njerëzit që vepronin gabim.”
Kjo ishte parathënia e Dikensit. Ja ku është përfundimi i tij:
“Mbani mend! – Krishterim do të thotë që të bësh mirë gjithmonë – edhe ndaj atyre që na bëjnë keq. Krishterim do të thotë që ta duam të afërmin tonë porsi veten dhe t’u bëjmë të gjithë njerëzve sikurse do të donim që ata të na Bënin neve. Krishterim do të thotë që të jemi bujarë, të mëshirshëm e falës dhe t’i ruajmë ato cilësi të heshtura brenda vetë zemrës sonë dhe kurrë të mos mburremi për to ose për lutjet tona apo për dashurinë tonë për Perëndinë, por gjithmonë të tregojmë se e duam Atë duke u përpjekur përulësisht që të bëjmë të drejtën në gjithçka. Nëse e bëjmë këtë gjë dhe i kujtojmë jetën dhe mësimet e Zotit Tonë Jezu Krisht dhe përpiqemi të veprojmë sipas tyre, ne mund të shpresojmë plot vetëbesim se Perëndia do të na i falë mëkatet e gabimet tona dhe do të na mundësojë të jetojmë e vdesim në Paqe.”2
Siç e shkroi Dikensi, “jet[a] dhe mësimet e Zotit Tonë Jezu Krisht” na çojnë drejt paqes. Apostulli Pal i quajti mësimet e Shpëtimtarit tonë “ungjilli [i] paqes”3.
Fjala paqe ka shumë kuptime të ndryshme në shkrimet e shenjta. Kur Jezusi tha: “Paqja [qoftë] me ju”, Ai dukshëm përshkroi llojin e paqes që Profeti Isaia shpalli: “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë”4. Shpëtimtari e përmbushi atë profeci. Ai shpjegoi: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua”5.
Në udhëzimet e Tij të fundit, Zoti Jezu Krisht u tha Apostujve të Tij: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”6.
Pak kohë pas kësaj, në vizitën e Tij tek të drejtët në botën e re, Shpëtimtari citoi këto fjalë të Isaias: “Dhe të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu”7.
Çfarë dha mësim Shpëtimtari ynë rreth paqes në jetën tonë si individë, gjithashtu gjen zbatim për paqen në një familje, paqen në një komb dhe paqen në botë.
Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij nuk kishin një program tjetër për paqen në botë veç atij të drejtësisë individuale. Ata nuk shtuan asnjë kundërshtim ndaj sundimit të Romës ose regjimit të tiranëve të saj vendorë. Ata predikuan drejtësi individuale dhe dhanë mësim se fëmijët e Perëndisë duhet t’i duan armiqtë e tyre8 dhe të “jeto[jnë] në paqe me gjithë njerëzit”9.
Lufta dhe konflikti janë rrjedhoja të ligësisë; paqja është produkt i drejtësisë. Bekimet e ungjillit janë universale dhe po ashtu është formula për paqen: zbatoni urdhërimet e Perëndisë.
Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim këtë:
“Paqja, për të cilën bota është e dëshiruar, është një kohë ndalimi veprimesh luftarake; por njerëzit nuk e kuptojnë se paqja është gjendja e ekzistencës që vjen te njeriu vetëm me kushtet dhe kriteret e vendosura nga Perëndia dhe në asnjë mënyrë tjetër. …
… Nëse vështrojmë nga njeriu dhe mënyrat e botës, do të gjejmë trazirë dhe rrëmujë. Vetëm nëse kthehemi te Perëndia, ne do të gjejmë paqe për shpirtin pa prehje. …
Kjo paqe na mbron ne nga trazira e botës.”10
Në zbulesën moderne ne mësojmë: “Por mësoni se ai që bën veprat e drejtësisë, duhet ta marrë shpërblimin e tij, madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”11.
Paqja është premtimi i Shpëtimtarit tonë dhe paqja është synimi ynë. Kjo paqe e premtuar është ndjenja e mirëqenies dhe qetësisë që vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Tij. Presidenti Spenser W. Kimball tha:
“Paqja është fryti i drejtësisë. Nuk mund të blihet me të holla dhe nuk mund të shitet as nuk mund të shkëmbehet. Duhet të fitohet.”12 Ne këndojmë: “Ungjilli sjell t’ëmblën paqe”13 dhe në një himn tjetër të madhërishëm ne bashkohemi duke kënduar këtë lutje melodike:
“Pastë paqe në tokë
Dhe me mua filloftë.”14
Nuk mund të kemi paqe mes kombeve pa arritur drejtësinë e përgjithshme mes njerëzve që i përbëjnë ato kombe. Në vitet e trazuara të Luftës II Botërore, Plaku Xhon A. Uidso dha mësim këtë:
“E vetmja mënyrë që të ndërtoni një komunitet paqësor, është të ndërtoni burra e gra që janë njerëz që e duan dhe e bëjnë paqen. Secili individ, nëpërmjet asaj doktrine të Krishtit dhe Kishës së Tij, mban në duart e veta paqen e botës.
Ajo më bën mua përgjegjës për paqen e botës dhe ju bën ju individualisht përgjegjës për paqen e botës. Përgjegjësia nuk mund të zhvendoset te dikush tjetër.”15
Rreth tridhjetë vjet më vonë, një tjetër udhëheqës i Kishës, Elldrixh G. Smithi, dha mësim po atë të vërtetë:
“Nëse çdo njeri do të kishte paqe brenda shpirtit të vet, atëherë do të kishte paqe në familje. Nëse ka paqe në çdo familje, atëherë ka paqe në kombin. Nëse ka paqe në kombet, ka paqe në botë.
Thjesht le të mos këndojmë: ‘Pastë paqe në tokë dhe me mua filloftë’, por le ta kemi për qëllim atë. Ta bëjmë atë synimin tim – synimin tuaj.”16
Një nga historitë e mia të parapëlqyera për Krishtlindjen u botua në gazetën Deseret News mbi 30 vjet më parë. Tregon për një vajzë 11‑vjeçare dhe atë që ajo mësoi nëpërmjet ankthit të saj, ngaqë nuk mori një dhuratë që e dëshironte, dhe paqes së saj kur mësoi kuptimin e asaj që kremtojmë me anë të dhuratave në kohën e Krishtlindjes. E tregoj këtë veçanërisht për fëmijët dhe rininë mes nesh.
Një vajzë 11-vjeçare ishte e hidhëruar ngaqë nuk e kishte marrë kukullën e re që e kishte dëshiruar për shumë kohë.
Duke u përpjekur që t’i jepte ngushëllim, nëna e saj i tha: “Ti je e rritur tashmë për gjëra si kukulla”. A ishte vërtet e rritur ajo për Krishtlindjen? Pyeti veten bija e saj. Babai i vet shpjegoi:
“Vajza ime e vogël, shumë e dashur. Ka kaq shumë dhembje dhe gëzim kur rritesh. Jo, vogëlushe, nuk je tepër e rritur për Krishtlindjen. Diçka shumë më e rëndësishme po ndodh me ty. Ti po rritesh që të kuptosh se shumë gjëra kanë kuptime më të thella dhe më domethënëse sesa ishe në gjendje t’i kuptoje si fëmijë. … E ke dëgjuar të thuhet që ne japim dhurata në Krishtlindje ngaqë barinjtë dhe dijetarët i sollën dhurata Fëmijës Krisht, por më lejo të të tregoj për dhuratën e parë të vërtetë të Krishtlindjes.”
Më pas babai i saj dëshmoi për dashurinë e madhe që Ati ynë Qiellor kishte për Birin e Tij më të madh, “i cili kishte qenë besnik ndaj Tij përmes shumë shqetësimeve e rebelimeve dhe i cili, madje e kishte ndihmuar që të krijonte botën në të cilën ne jetojmë”. Ai i tha asaj se si Ati ynë Qiellor na e kishte dhënë atë Bir, Zotin Jezu Krisht, që të ishte Shpëtimtari ynë.
Ai lexoi nga Libri i Mormonit se si ky Bir “do të vijë poshtë nga qielli mes fëmijëve të njerëzve dhe do të banojë në një tabernakull prej argjile. … Dhe vini re, ai do të durojë tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe do të jetë dhembja e tij për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij. Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, Ati i qiellit dhe i tokës” (Mosia 3:5, 7–8).
Duke e mbyllur librin, babai i saj shpjegoi:
“Edhe pse Ati ynë në Qiell e dinte se këto gjëra ishin ruajtur për Birin e Tij të dashur, Ai, në dashurinë dhe urtësinë e Tij të pafundme, ia dha Atë Bir botës. Dhe pjesa e dytë e kësaj dhurate të mrekullueshme është se Krishti, Biri, gjithashtu duke e ditur gjithë këtë, e dha veten e Tij me dëshirë që ne të mund të kemi jetë të përjetshme.”
Vite më vonë, gruaja që u rrit nga kjo vajzë e vogël shkroi këto fjalë:
“Ajo ishte nata e parë e Krishtlindjes që mund të kujtoja se nuk shkova të fle me kukullën time të Krishtlindjes mbi jastëkun tim. Kisha diçka më të mirë. Brenda zemrës sime ishte një paqe e re dhe drithëruese. Kisha gjetur një dhuratë që nuk mund të vjetrohej ose humbej, një dhuratë për të cilën nuk mund të rritesha kurrë, por një dhuratë që, me ndihmën e Perëndisë, unë duhej të rritesha për të. … Dhe u luta … që një ditë do të kisha fëmijë të vërtetë dhe atëherë do të dija pjesën tjetër të Dhuratës së Dashurisë.”17
Unë e mbyll me mësimin e dhënë prej Presidentit Rasëll M. Nelson në Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë vitin e shkuar: “Jezu Krishti është dhurata e jashtëzakonshme e Perëndisë – dhurata e Atit për të gjithë fëmijët e Tij”.18
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”19
Unë lutem që e vërteta e përjetshme do të përshkojë gjithçka bëjmë në këtë periudhë Krishtlindjeje, në emrin e Jezu Krishtit, amen.