Takime Shpirtërore për Krishtlindje
11craven


12CRAVEN-1

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë

6 Dhjetor 2020

Një Mbështjellje dhe një Përqafim Qiellor 

Nga Motra Beki Krejvën, 

Këshilltare e Dytë, Presidenca e Përgjithshme e Të Rejave 

Një nga kujtimet e mia të parapëlqyera të Krishtlindjes ndodhi kur isha gjashtë vjeçe. Ishte vigjilja e Krishtlindjes dhe po flija në shtratin e sipërm të një krevati marinar, në të cilin flija me motrën time të vogël në shtëpinë tonë në Berlin të Gjermanisë. Isha shumë e emocionuar që po vinte mëngjesi i Krishtlindjes – aq e emocionuar sa duhet të mos kem qenë në gjumë të thellë, pasi në njëfarë kohe gjatë natës u zgjova nga kambana të vogla që po tringëllinin. Më pas dëgjova kërcitjen e derës së dhomës sonë që u hap ngadalë. Dhe kur drita nga dhoma tjetër më ra në fytyrë, me të shpejtë u ngrita dhe pashë drejt derës. Çfarë pashë ishte e pabesueshme! Te pragu i derës po qëndronte Babagjyshi i Krishtlindjes. Nuk po bëj shaka – ishte ai! Ai bërtiti “Ho, ho, ho” dhe pastaj më pyeti nëse do të doja ta ndiqja në dhomën e ndenjjes për të parë pemën e Krishtlindjes me drita të ndezura. U shtanga dhe ngela tërësisht pa fjalë, por i zbrita me të shpejtë shkallët e krevatit dhe e ndoqa drejt dhomës së ndenjjes ku nëna dhe vëllai im më i madh po qëndronin pranë pemës. Teksa vështrova nëpër dhomë, nuk e pashë babanë – si ka mundësi që po e humbiste këtë gjë? Mami tha se ai po hidhte plehrat jashtë, por sa shumë kohë që po i merrte! Edhe sot ndihem keq që ai kurrë nuk e pati mundësinë ta takonte Babagjyshin. Babagjyshi më pyeti nëse kisha qenë vajzë e mirë dhe unë isha kaq e lumtur t’i raportoja se kisha qenë. Pasi u sigurova që ai i kishte provuar biskotat dhe qumështin që i kishim lënë për të, unë u ktheva në shtrat dhe, pak orë më vonë, u zgjova në mëngjesin e gëzueshëm të Krishtlindjes.

Gjyshi i bashkëshortit tim, Hiton Lanti, pati një mëngjes shumë të ndryshëm Krishtlindjeje kur ishte një djalë i vogël që jetonte në kolonitë e Meksikës në fund të viteve 1800. Ai tregon këtë ngjarje në historinë e tij: “Krishtlindja erdhi dhe ne i kishim delet në një stallë poshtë hambarit, ku ishte ngrohtë, ngaqë në atë kohë toka ishte e mbuluar me dëborë. Shkova vërtet herët në mëngjesin e Krishtlindjes për të parë nëse delet e mia ishin në rregull. Dëgjova një blegërimë në stallë që tingëllonte shumë e vockël. Shkova brenda dhe pashë se Neli kishte lindur dy qengja – binjakë. Vrapova drejt shtëpisë sa shpejt që munda … [dhe] përplasa duart dhe i thashë mamit: ‘Kam Krishtlindjen më të mirë nga të gjithë ju. Neli jonë lindi dy qengja të vegjël.’ Të gjithë fëmijët i lanë portokajtë dhe gjërat e tyre mbi tavolinë dhe vrapuan drejt hambarit për t’i parë ata qengja të vegjël që lindi Neli. Ishte mrekullia më e madhe krahasuar me gjithçka që morëm ndonjëherë për Krishtlindje.”1 Për habi, vitin e ardhshëm dhe vitet që pasuan, qengja të tjerë u lindën nga delet e Hitonit në mëngjesin e Krishtlindjes.

Kur e dëgjova këtë histori për herë të parë, zemra dhe mendja ime u drejtuan menjëherë te mendimet për një Qengj tjetër që lindi pikërisht në atë ditë të parë të Krishtlindjes: Jezu Krishtin, Qengjin e Perëndisë. Ashtu si Hitoni vrapoi që të shihte qengjat e tij të vegjël, unë i përfytyroj barinjtë duke nxituar që të shihnin Birin e sapolindur të Perëndisë. A mund të përfytyroni se çfarë duhet të kenë dëshmuar ata në atë mjedis të përulur e të shenjtë? Përfytyroj një Jozef të dashur që po kujdesej për bashkëshorten e tij, Marinë, teksa ata përsiatnin lindjen e Mesias së premtuar. Tregimi për Marinë që mbështjell foshnjën e saj të vockël me pelena, është veçanërisht prekës për mua.

Kohët e fundit ne mirëpritëm një mbesë të re në familjen tonë. Po vështroja një ditë teksa nëna e saj e mbështolli me një kuvertë të butë, të ngrohtë dhe e mbajti pranë vetes. Të mbështjellësh thjesht do të thotë ta rrethosh diçka në mënyrë të shtrënguar. Pelenat dhe kuvertat mbështjellëse janë përdorur gjatë gjithë historisë për të ngushëlluar e zbutur, dhe madje për ta qetësuar një foshnjë të shqetësuar. Teksa e vështroja nusen tonë që po mbështillte fëmijën e saj të vogël, mendova për njerëz të tjerë që mund të kenë nevojë për një mbështjellje, qoftë edhe virtuale. Një fjalë e mirë, një vesh dëgjues ose një zemër që kupton, mund ta ngushëllojë dhe zbutë shpirtin e trazuar të dikujt tjetër.

Gati tre vjet më parë, dhëndri ynë përjetoi një krizë të rëndë mjekësore. Për të gjetur përgjigje, ai iu nënshtrua shumë analizave dhe procedurave të cilat më së fundi çuan drejt një operacioni të nevojshëm në zemër. Kur dhëndri ynë u fut në operacion, bija jonë u dërgoi një mesazh vjehrrit dhe vjehrrës së saj që t’u jepte një përditësim për birin e tyre. Nga një vend tjetër shumë larg, ku ata po shërbenin në mision, vjehrra e saj u përgjigj me këto fjalë ngushëlluese: “Ju dërgojmë përqafime qiellore”.

Vetëm pak çaste më pas, një infermiere eci pranë saj, por pastaj ndaloi. Ajo vështroi sytë e mbushur me lot të bijës sonë dhe e pyeti nëse do të donte një kuvertë, por ajo nuk e pranoi, duke thënë se ishte në rregull. Infermierja u largua, por u kthye menjëherë me një kuvertë të ngrohtë. E mbështolli me të bijën tonë dhe i tha: “Ndiej se ke nevojë për një përqafim qiellor”.

Qengji i Perëndisë, gjithashtu i njohur si Bariu i Mirë, e njeh çdo njeri në tufën e Tij. Në çastet tona të nevojës, Ai shpesh dërgon engjëj tokësorë, sikurse infermieren e dhembshur për bijën tonë, që të na mbështjellin e të na rrethojnë në krahët e dashurisë së Tij.2 Ai erdhi në tokë për të sjellë paqe dhe vullnet të mirë për të gjithë njerëzit.3 Ai ngushëllon ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe vajton me ata që vajtojnë.4

Kur marr në shqyrtim mënyrat e shumta se si Zoti na do dhe kujdeset për secilin prej nesh, ndiej dëshirë të bëj më shumë për t’ua treguar atë dashuri të tjerëve. Gjithashtu uroj që t’i dalloj më mirë përqafimet dhe mbështjelljet qiellore që kam marrë, por që kam qenë e ngadaltë për t’i pranuar.

Në një botë që ka kaq shumë nevojë për paqe, fjalët tona dashamirëse, veprimet tona të dhembshurisë dhe mirësisë mund të jenë mjetet e mbështjelljes së dikujt tjetër me një kuvertë të ngrohtë. Kam arritur të kuptoj se sa më shumë veprojmë sipas nxitjeve për t’u shërbyer të tjerëve, aq më shumë kuverta qiellore na jep Zoti për t’i shpërndarë. Çfarë nxitjesh keni marrë? Kë njihni ju që ka nevojë për një përqafim qiellor? Prekja jonë vetjake ose virtuale mund të sjellë gjithë ndryshimin në jetën e një njeriu të dashur ose edhe një të panjohuri.

Lutem, ndërsa kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit tonë, që jo vetëm ta ndiejmë dashurinë, dhembshurinë dhe paqen e Tij, por që ne t’ua japim ato bekime të tjerëve. Teksa përsiat për dhuratën e Qengjit të Perëndisë, të foshnjës së mbështjellë me pelena dhe të vendosur në një grazhd, unë përsërit fjalët e Hitonit të vogël. Ai është “mrekullia më e madhe krahasuar me gjithçka që morëm [ose do të marrim] ndonjëherë për Krishtlindje”5.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Heaton Lunt, “Pacheco, in the Colonies of Mexico—Lamb Story”. Histori personale.

  2. Shih 2 Nefi 1:15.

  3. Shih Lluka 2:14.

  4. Shih Mosia 18:9.

  5. Heaton Lunt, “Pacheco, in the Colonies of Mexico—Lamb Story”. Histori personale.