Ëndrrat e Natës
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2020
E diel, 6 dhjetor 2020
Mjedisi ishte paqësor në maksimumin që mund ta japë natyra, muzgu i natës në një pranverë të hershme. Qiejt tërësisht të kthjellët, me yje duke u shfaqur fillimisht me dhjetëra, më pas me qindra dhe së fundi me mijëra. Barinjtë në fusha duke gjetur prehje nga shkëlqimi i ditës dhe lodhja prej punës së ndershme. I vetmi element i pazakontë – por i bukur në mënyrë mbresëlënëse – në këtë skenë baritore ishte një stallë buzë kodrës pranë fshatit, një në të cilën dy figura njerëzore ishin kruspulluar mbi një foshnjë të shtrirë në një grazhd, me vetëm pak kafshë shtëpiake duke dëshmuar mrekullinë që kishin parë.
Këta të tre, që nuk kishin gjetur asnjë mik apo mikpritës në qytezën e mbushur plot njerëz të Bethlehemit, ishin, së pari, një nënë virgjëreshë, e bukur dhe në moshë të re, e quajtur Maria (ndoshta nga fillimi ose mesi i viteve të saj të adoleshencës, nëse traditat e kohës ishin në fuqi), guximi dhe besimi i spikatur i së cilës janë mbresëlënës sa asgjë tjetër e shënuar ndonjëherë në shkrimet e shenjta. I dyti, bashkëshorti i saj i quajtur Jozef, më i madh në moshë se gruaja e tij e re, por, dikush që duhej të kishte qenë burri më i denjë në tokë për të rritur një foshnjë që nuk ishte biri biologjik i Jozefit, por që, më pas, do të bëhej ati shpirtëror i Jozefit. I treti, i fundit dhe më i bukuri prej të gjithëve: foshnja që do të quhej Jezus, i mbështjellë me pelena, i shtrirë në kashtën më të pastër që mund të mblidhte një baba plot ankth.
Një ironi e kësaj skene të heshtur, të papublikuar ishte fakti që asnjëherë nuk ishte lindur asnjë foshnjë rreth së cilës dihej tashmë kaq shumë, për të cilën ishte shkruar tashmë kaq shumë dhe prej së cilës pritej tashmë kaq shumë. Vërtet, njohuria se kush dhe çfarë ishte Ai, filloi në mbretëritë e qiellit përpara se të kishte lindur ndonjë njeri! Si i Parëlinduri i Atit1 në botën e shpirtrave, Ai u caktua të ishte Shpëtimtari i botës2, i parashuguruar të ishte “Qengji, që ishte vrarë që nga krijimi i botës”3. Më vonë, por prapseprapë përpara lindjes së Tij, Ai do të ishte Jehova i madhërishëm i Dhiatës së Vjetër, që ndihmoi Noeun ta shpëtojë familjen e vet në kohën e përmbytjes4 dhe vëzhgoi Jozefin që ta shpëtojë familjen e vet në kohën e zisë së bukës5. Ai ishte Jehova autoritar, emrat e të cilit do të përfshinin “i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndia i Fuqishëm, Ati i Amshuar, Princi i Paqes”6. Ai ishte Alfa dhe Omega7 në planin e madhërishëm të mëshirës, i cili përfundimisht do t’u jepte “një lajm të mirë të përulurve; … [do] të lidh[te] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, [do] të shpall[te] çlirimin e atyre që janë në robëri, [dhe do të hapte] burgu[n e] të burgosurve”8.
Për ta përmbushur këtë, Ai do të shtypte presën e verës së shëlbimit krejtësisht dhe tërësisht i vetëm, pa asnjë shoqërues njerëzor që do ta ndihmonte dhe pa asnjë shoqërues qiellor që mund ta ndihmonte Atë. Duke mbajtur të gjitha mëkatet dhe hidhërimet e vdekshmërisë, Ai do të sillte dhuratën e paimagjinueshme të shpëtimit për tërë familjen njerëzore, nga Adami deri në fund të botës. Gjatë tërë udhës së shtegëtimit të Tij, Ai do të ishte “Bariu dhe Ruajtësi i shpirtrave [tanë]”9, “Kryeprifti [i madh i] rrëfimit të besimit tonë”10, “burimi [lirishtrrjedhës] i të gjithë drejtësisë”11. Të gjitha këto detyra dhe kërkesa në vdekshmëri ende do të duhej të plotësoheshin. Por jo sonte. Jo këtë natë. Këtu Ai ishte thjesht një foshnjë në krahët e një nëne që e adhuronte, i vëzhguar nga një atë që ishte zemërbutë dhe i fortë.
Shpejt ata barinj erdhën, duke përfaqësuar më të ultën e veprimtarive tokësore, më të varfrit e njerëzve dhe të profesioneve të tyre. Më vonë erdhën mbretërit, Dijetarët nga lindja, duke simbolizuar më të lartën e arritjeve materiale, më të pasurit e njerëzve dhe të profesioneve të tyre. Mbi të gjithë – vërtet mbi të gjithë – engjëjt erdhën duke kënduar: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta”12, një mori e vërtetë e kësaj ushtrie qiellore duke përlëvduar këtë foshnjë të vogël që më së fundi kishte ardhur në tokë. Në fakt, për shekuj engjëjt e kishin shenjuar shtegun drejt këtij grazhdi. Në kohën më të fundit, një engjëll kishte ardhur te Maria me shpalljen nga qielli se çfarë ishte zgjedhur të bënte ajo dhe se çfarë ishte zgjedhur të qe ajo.13 Një engjëll erdhi te Jozefi duke i dhënë kurajën që të martohej me këtë vajzë të re, e cila tashmë në mënyrë të mistershme ishte shtatzënë, një urdhërim të cilit menjëherë dhe me besnikëri ai vendosi t’i bindej.14 Pas lindjes, një engjëll i tha çiftit të ri që të largohej me të shpejtë – të largohej nga ajo që do të ishte masakra e Herodit ndaj të pafajshmëve (atyre fëmijëve vocërrakë që ishin martirët e parë të krishterimit në Dhiatën e Re) dhe po i njëjti engjëll i tha çiftit kur mund të ktheheshin nga Egjipti, për t’u vendosur në Nazaretin e largët në vend që të vendoseshin në Bethlehem apo madje Jerusalem.15 Sigurisht, engjëjt në qiell dinin shumë më tepër sesa njerëzit në tokë lidhur me domethënien e kësaj lindjeje dhe se cili ishte misioni i këtij fëmije, pikërisht që të “mbante sëmundjet tona dhe … të m[errte] përsipër dhembjet tona, [të] tejshp[ohej] për shkak të shkeljeve tona, [të] shtyp[ej] për paudhësitë tona; [ta bënte të qartë se] ndëshkimi për të cilin kemi paqen [ishte] mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij [do të] shër[oheshim]”16.
Për mua personalisht, është e rëndësishme që kjo e gjitha shpaloset natën, në atë periudhë kur muskujt çlodhen dhe lodhja vihet në prehje, kur thuhen lutjet, kur pritet zbulesa dhe kur qeniet hyjnore ka më shumë të ngjarë të jenë pranë. Dhe një herë në vit, është nata kur fëmijët mezi mund t’i mbajnë sytë të mbyllur për shkak të ngazëllimit që praktikisht po zien brenda tyre, duke e ditur se të nesërmen do të jetë Krishtlindje. Po, sado e vështirë të ketë qenë dita jonë, ëndrrat e ëmbla të natës mund ta rregullojnë gjithçka. Siç shkroi dikur Plaku Parli P. Prat:
“Perëndia ka zbuluar shumë udhëzime të rëndësishme … nëpërmjet ëndrrave. … [Atëherë] nervat [janë] të palëkundur dhe i tërë njerëzimi i vdekshëm shtrihet i heshtur në [dremitje të qetë dhe] … organet shpirtërore … bashkëbisedojnë me Hyjninë, … [me] engjëjt dhe [me] shpirtrat e njerëzve të drejtë që janë bërë të përsosur.”17
Dhe kështu ishte këtë natë të habitjes mrekulluese ku me të vërtetë, “shpresat, frika e gjith’ kohës”18 u përmbushën në ëndrrat e Bethlehemit.
Atë natë kur në qiejt judeas,
Ylli mistik dritën e vet përhapte,
Një i verbër në gjumë trazohej
Dhe ëndërroi [se] mund të shihte.
Atë natë kur barinjtë dëgjuan këngën
E morisë engjëllore që aty pranë këndonte,
Një i shurdhër në magjinë e dremitjes trazohej
Dhe ëndërroi [se] mund të dëgjonte.
Atë natë kur në stallën e bagëtive,
Fëmija dhe Nëna flinin [pa folur],
Një i çalë i drejtoi gjymtyrët e shtrembëruara
Dhe ëndërroi [se ishte duke ecur].
Atë natë kur mbi Foshnjën e porsalindur
U përkul Maria e dhembshur,
Një lebros i neveritshëm buzëqeshi në gjumë
Dhe ëndërroi [se] ishte i panjollosur.
Atë natë kur në kraharor Nëna
Mbretin e vogël të sigurt e mbante,
Një e përdalë bëri një gjumë të ëmbël
Dhe ëndërroi [se] e dëlirë ishte.
Atë natë kur në grazhd shtrihej
I Shenjtëruari që erdhi njerëzit t’i shpëtonte,
Një burrë në gjumin e vdekjes lëvizi
Dhe ëndërroi se varr më nuk kishte.19
Lë me ju, si dhuratën time të Krishtlindjes, ëndrrat e Bethlehemit. Dhe e bëj këtë në emrin e foshnjës që i bën të gjitha ato ëndrra të bëhen realitet, madje të Zotit Jezu Krisht, amen.