Takime Shpirtërore për Krishtlindje
12nielson


12NIELSON-0

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë

6 Dhjetor 2020

Princi i Paqes

(Isaia 9:6)

Nga Plaku Brent H. Nilson,

i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve

Në një kohë tjetër dhe në një vend tjetër, shumë larg nga këtu, babai im, Norman Nilsoni, ishte një djalë shumë i ri në moshë që po kalonte vitin e dytë nga katër vjet që ai luftoi në zonën e Paqësorit gjatë Luftës II Botërore. Këtu në fotografi përpara tendës së tij, ai ishte një specialist kundërajror që jetonte në xhunglat e Papuas së Guinesë së Re. Në ditën e Krishtlindjes së vitit 1943, ai i shkroi këtë letër nënës së tij të ve në shtëpi: “Siç do ta vësh re nga data, sot është Krishtlindje. U ngrita në orën 7:00, hëngra mëngjes dhe më pas punova deri në orën 15:00, koha kur zbrita te përroi që të laja rrobat dhe të lahesha edhe vetë. Sonte për darkë hëngrëm një copë shumë të vogël gjeli deti, ca patate të ëmbla, misër, salcë dhe një ëmbëlsirë me rrush të thatë. Do të kisha dashur kaq shumë të isha në shtëpi me ty dhe familjen, duke u ulur në tavolinë dhe duke ngrënë përsëri të gjitha gjërat që i kishim kur ishim së bashku pak vite më parë. Jemi të zhgënjyer që pakot tona të Krishtlindjes nuk erdhën përpara Krishtlindjes. Ka shumë prej nesh që nuk morën asgjë për Krishtlindje. Më kujtohet që më thoshe shumë herë se kurrë nuk të merr malli për ujin, derisa të thahet pusi.”

Vitin që kaloi, bashkëshortja ime, Marsia, dhe motra ime, Suzana, shkruan historinë e katër vjetëve të shërbimit të babait tim gjatë Luftës II Botërore. Ato i përmblodhën të gjitha letrat që ai i shkroi nënës së tij në shtëpi. Duhet të them që kur e lexova këtë letër të zymtë të Krishtlindjes, isha disi mosbesues. Edhe pse kjo mund të duket gjë e vogël për ju, ngaqë ky ishte babai im, të cilin e dua, unë dëshiroja që në njëfarë mënyre t’i ndryshoja ngjarjet e asaj dite të Krishtlindjes. Thirra brenda zemrës sime: “Sa shumë vuajtje mund të durojë ky i ri nga Ajdaho?” Atij i vdiq i ati nga një infarkt kur ishte vetëm 12 vjeç. U rrit nga nëna e vet, u thirr ushtar dhe tani po jetonte në xhungël në mes të një beteje të tmerrshme. A nuk mund të merrte të paktën një dhuratë për Krishtlindje? Teksa përsiatja gjendjen e tij, e ndjeva Shpirtin të më fliste: “Brent, ti e di se si përfundon kjo histori. Babai yt përfundimisht mori dhuratën më të rëndësishme dhe vazhdoi të jetonte një jetë të mbushur me besim, ku Krishtlindja ishte koha e tij e parapëlqyer e vitit.”

Kur e lexova më tej historinë e babait tim, arrita te një nga letrat e tij të fundit që ia dërgoi nënës së tij në shkurt të vitit 1945. Gjatë atyre katër vjetëve nën udhëheqjen e gjeneralit Daglas Mek‑Arthër, ai kishte luftuar nga Daruini i Australisë deri në Papua të Guinesë së Re, deri në gjirin Lejti në Filipine dhe përfundimisht deri në Manila, ku e mbaroi shërbimin e vet ushtarak dhe u kthye në shtëpi. Shumicën e kohës që e kaloi duke shërbyer në ushtri gjatë luftës, nuk pati mbledhje të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por sapo arriti në Filipine, nga fundi i shërbimit të tij ushtarak, ai ishte në gjendje të merrte pjesë në një mbledhje të Kishës. Pasi mori pjesë në atë mbledhje, ai i shkroi këtë letër interesante nënës së vet në shtëpi: “Shkova në Kishë dje, por nuk është se më interesonin shumë bisedat. Nënë, shumë gjëra që dikur ishin kaq të rëndësishme, tani më duken shumë të vogla. Kjo nuk nënkupton besimin tim te Perëndia, ai ndoshta është më i fortë se kurrë, por unë e shoh Perëndinë si një person që është i dashur dhe që kupton, në vend të dikujt [i cili] qëndron gjithnjë mbi dikë për ta ndëshkuar për çdo gabim që bën.”

Ajo çfarë më mësoi Shpirti është që, përmes kohëve jashtëzakonisht sprovuese, ndërkohë që kishte marrë pjesë në një luftë të tmerrshme ku humbën jetën shumë ushtarë, infermierë, marinarë, pilotë dhe civilë të pafajshëm në të dyja anët, babai im gjeti dhuratën – ai gjeti shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes. Ai mësoi se kishte një Atë të dashur Qiellor që e kuptonte atë dhe po e ruante nga lart. Mësimi më i rëndësishëm jetëgjatë që ai mësoi, ishte ky: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”1. Në kohët e tij më të vështira, kur sprovat e shtynë deri në skajin e aftësive të tij për të duruar vetë, babai im gjeti një Atë të dashur, të mirë Qiellor. Gjëja që babai im gjeti, i solli paqe, gëzim e lumturi në një botë plot pështjellim, dhembje dhe vuajtje. Kur e la luftën pas, ai e solli dhuratën me vete në shtëpi.

Nuk jam i sigurt nëse do t’u kisha mbijetuar vështirësive me të cilat u përball babai im gjatë atyre tri Krishtlindjeve larg nga shtëpia, por e di se mësimi që ai mësoi dhe që unë mësova është se, dhurata e vërtetë në Krishtlindje, e dhënë nga Ati ynë në Qiell, është Shpëtimtari Jezu Krisht. Këtë Krishtlindje, për shkak të kushteve të botës, disa prej nesh e gjejnë veten në situata larg nga familja apo të izoluar prej tyre, edhe nëse ata jetojnë pranë. Disa prej nesh mund të ndihen sivjet sikurse u ndje babi im ditën e Krishtlindjes së vitit 1943. Madje mund të vrasim mendjen përse nuk morëm asnjë dhuratë apo vizitë. Por nëse e hedhim vështrimin lart dhe shohim te Perëndia e jetojmë, ne do të zbulojmë se Jezu Krishti është dhurata më e madhe. Hapja e asaj dhurate na jep çelësin drejt një jete të mrekullueshme, plot paqe.

Në kapitullin e 4‑t të Markut në Dhiatën e Re, dishepujt e Shpëtimtarit patën një përvojë frikësuese. Ata ishin në një anije me Shpëtimtarin në detin e Galilesë kur u ngrit një stuhi shumë e madhe. Dishepujt u frikësuan dhe Shpëtimtari u foli atyre, duke thënë: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?”2 Me një zë urdhërues, Shpëtimtari i bëri të qetësohen erërat dhe valët. Më pas dishepujt bënë këtë pyetje mjaft prekëse, të cilën ju kërkoj ta përsiatni në këtë Krishtlindje: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?”3 Do të përpiqem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Jezu Krishti është “Këshilltar[i] i admirueshëm, Perëndi[a] i fuqishëm, At[i] i përjetshëm, Princ[i] i [P]aqes”4. “Nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë.”5 Ai është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë; Ai është i Parëlinduri i Atit.

Isaia e përshkruan Shpëtimtarin në këtë mënyrë: “Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet … Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.”6

Është me këtë sfond që Shpëtimtari na fton të gjithëve në këtë periudhë Krishtlindjeje dhe gjithmonë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. … Sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”7 Ftesa e Tij për ne është: “Ejani”.

Shpresa ime gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje është që pavarësisht nga rrethanat tona, pavarësisht se ku jemi dhe pavarësisht nga mënyra se si mund të jemi ndarë nga familja ose miqtë, ne do të kujtojmë se Ai, Shpëtimtari Jezu Krisht, është dhurata; se kur vijmë tek Ai, Ai do t’i bëjë të lehta barrët tona; dhe që ne të mund ta zbulojmë Atë, sikurse e zbuloi babai im në mes të një lufte të tmerrshme. Shpëtimtari tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”8. Teksa mirëbesojmë tek Ai, ne do të gjejmë paqe dhe lumturi, pavarësisht nga rrethanat tona të tanishme.

Ju uroj të gjithëve një Krishtlindje të gëzuar dhe lutem që, këtë vit, teksa bota e lodhur gëzohet, ju do ta merrni dhe dalloni dhuratën që një Atë i dashur na e dha kur Ai lejoi flijimin e Birit të Tij të Vetëmlindur. Jap dëshminë time vetjake për këtë Atë të dashur Qiellor dhe Birin e Tij të përsosur, Princin e Paqes. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.