Dhuratat Hyjnore
Nga Presidenti Rasëll M. Nelson
6 dhjetor 2020
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme. Shpirtrat tanë janë lartësuar nga muzika dhe mesazhet e bukura. Motra Krejvën na i shkriu zemrat me mendimet e saj rreth përqafimeve qiellore dhe mbështjelljeve të ngushëllimit. Plaku Nilson na ka prekur teksa ka rrëfyer jetën e të atit, detyra ushtarake e të cilit e privoi nga Krishtlindja për tre vjet me radhë. Plaku Holland na ka frymëzuar ndërkohë që dha mësim rreth jetës së Shpëtimtarit të botës.
Më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar për përgjigjen tuaj ndaj ftesës sime të kohëve të fundit për t’i përmbytur mediat shoqërore me shprehje mirënjohjeje për bekimet tona të shumta. U përgjigjën miliona njerëz. Dhe jam veçanërisht mirënjohës që po vazhdoni t’i luteni çdo ditë Atit tonë Qiellor, për ta falënderuar Atë për udhërrëfimin, mbrojtjen dhe frymëzimin e Tij, dhe mbi të gjitha, për dhuratën e Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtin.
Krishtlindja zgjon kujtime të mrekullueshme. Vetëm një vit më parë, unë dhe Uendi patëm mundësinë ta kremtonim periudhën me një vogëlushe të adhurueshme, Kler Krosbin, e cila këndoi një këngë të dashur Krishtlindjeje. Më lejoni t’ju shfaq një pjesë të regjistrimit tonë të bërë për nismën “Ndriçoje Botën”1.
Sikurse na kujtoi Plaku Holland, vërtet, ajo natë e bekuar më shumë se dy mijëvjeçarë më parë, ishte një natë e shenjtëruar nga lindja e Njërit që u parashugurua për t’i sjellë paqe kësaj toke dhe për të frymëzuar mirëdashje mes njerëzve.2 Jezu Krishti u lind për ta bekuar gjithë njerëzimin, në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Edhe kur këndojmë këngën “Nat’ e Qet’”, ne e dimë se jeta e asaj Foshnjëje të Bethlehemit nuk filloi atje, as nuk mbaroi në Kalvari. Në një mbretëri paratokësore, Jezusi u vajos nga Ati i Tij për të qenë Mesia, Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i tërë njerëzimit. Ai u parashugurua për të shlyer për ne. “Ai u plagos për shkak të shkeljeve tona dhe u shtyp për paudhësitë tona.”3 Ai erdhi për ta bërë pavdekësinë një realitet dhe jetën e përjetshme një mundësi për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë.4
Kjo do të thotë se çdonjëri prej nesh do të ringjallet – përfshirë ata njerëz të dashur për ju të cilët janë larguar gjatë këtij viti të trazuar dhe të cilët tani jetojnë në anën tjetër të velit. Kjo do të thotë që secili prej nesh mund të vazhdojë të përparojë. Do të thotë që ne mund të shpresojmë për gjëra më të mira që do të vijnë.
A e keni pyetur ndonjëherë veten se përse Zoti zgjodhi të lindej atje ku lindi? Mund të kishte lindur kudo në tokë. Prapëseprapë Ai zgjodhi pikërisht tokën që Ai e bëri të shenjtë.
Jezusi u lind në Bethlehem. Ajo fjalë në hebraisht bet lehem, do të thotë “shtëpia e bukës”. Sa gjë me vend që Ai, “buka e jetës”5, do të vinte nga “shtëpia e bukës”.
Lindja e Tij ndodhi në rrethana të përulura në mes të kafshëve. Atje “Qengji i Perëndisë”6 u lind gjatë periudhës së Pashkës në mes të kafshëve që po përgatiteshin për flijimin e Pashkës. Dhe një ditë, Ai do të “[sillej] si një qengj që e çojnë në thertore”7. Ai ishte edhe Qengji, edhe Bariu.
Në lindjen e Atij që quhet “bariu i mirë”8, barinjtë ishin të parët që e morën lajmërimin për lindjen e Tij të shenjtë.9
Në lindjen e Atij që quhet “ylli i ndritshëm i mëngjes”10, një yll i ri u shfaq në qiell.11
Në lindjen e Atij që e quajti Veten “drita e botës”12, errësira u dëbua anembanë botës si një shenjë e lindjes së Tij të shenjtë.13
Jezusi u pagëzua në vendin më të ulët me ujë të freskët në botë, duke simbolizuar thellësitë në të cilat Ai do të zhytej në mënyrë që të na shpëtonte dhe prej të cilave Ai do të ngrihej mbi të gjitha gjërat – sërish, për të na shpëtuar.14 Nga shembulli i Tij, Ai na mësoi se edhe ne mund të ngrihemi nga thellësitë e sfidave tona individuale – trishtimi, dobësia dhe shqetësimet tona – për të kapur lartësitë e potencialit tonë të lavdishëm dhe të fatit tonë hyjnor. E gjithë kjo është e mundur për arsye të mëshirës dhe hirit të Tij.
Në mes të hapësirës së shkretuar, të thatë e të pluhurosur të një shkretëtire, Shpëtimtari dha mësime që mund të vlerësoheshin plotësisht vetëm nga ata që e dinin se si ishte që të të thahej goja nga etja.
Gruas te pusi, Jezusi i mësoi:
“Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”15.
Ky shkrim i shenjtë më kujton një përvojë të dhimbsur që pata me Plakun Mark E. Pitërsen.16 Ai në atë kohë ishte një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe, përpara thirrjes sime në atë kuorum, pata privilegjin ta shoqëroja për në Tokën e Shenjtë, në atë që do të rezultonte të ishte udhëtimi i tij i fundit në vdekshmëri.
Plaku Pitërsen po vuante tej mase nga kanceri. Gjatë një nate të gjatë e të dhembshme për të, bëra çmos që ta ngushëlloja. E pashë që ai qe në gjendje të hante dhe të pinte vetëm fare pak. Të nesërmen, ishte planifikuar që të mbante një fjalim të rëndësishëm.
Mëngjesi erdhi. Trimërisht, Plaku Pitërsen shkoi në bregun verior të Detit të Galilesë, ku e priste një bashkësi e madhe. Ai zgjodhi të jepte mësim nga Predikimi në Mal i Shpëtimtarit. Kur Plaku Pitërsen lexoi fragmentin “Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi”17, sytë iu mbushën me lot. I la shënimet e veta mënjanë, ngriti sytë dhe pyeti: “A e dini se si është në të vërtetë të jesh i uritur dhe i etur?” E dija se ai vërtet e dinte. Pastaj dha mësim: “Kur mundeni vërtet të jeni të uritur dhe të etur për drejtësi, atëherë mund të bëheni më tepër si Krishti”. Plaku Pitërsen ishte një shembull i gjallë i kësaj. Jo shumë kohë më pas, ai u diplomua nga kjo jetë në vdekshmëri.18
Kurdoherë që sjell ndërmend urinë dhe etjen për drejtësi, mendoj për këtë Apostull të nderuar që e përkushtoi njërin nga predikimet e tij të fundit për të dhënë mësim mbi atë që do të thotë në të vërtetë ta kërkosh Zotin Jezu Krisht, të kesh uri dhe etje për drejtësi dhe të bëhesh më shumë si Ai.
Këtë vit, unë dhe motra Nelson i filluam herët punët për porositë tona të dashurisë për Krishtlindjen për familjen tonë. Në fillim të nëntorit, Uendi njoftoi se ishim gati për Krishtlindjen. Përgjigjja ime e menjëhershme ishte: “O, mirë! Tani mund të përqendrohemi te Shpëtimtari.”
Gjatë këtij viti të pashoq, kur praktikisht çdo person në botë i ka vuajtur efektet e një pandemie globale, nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë këtë Krishtlindje sesa ta gozhdojmë përqendrimin tonë te Shpëtimtari dhe te dhurata e domethënies që ka vërtet jeta e Tij për secilin prej nesh.
Ati ynë i Dashur Qiellor “e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”19.
Biri i Perëndisë më pas na premtoi se “ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë”20. Çfarë dhuratash të patregueshme, të pakrahasueshme nga Ati dhe Biri!
E falënderoj Perëndinë për dhuratën e Birit të Tij të Dashur. Dhe e falënderoj Zotin tonë, Jezu Krishtin, për flijimin dhe misionin e Tij të pakrahasueshëm. Në ardhjen e Tij të parë, Jezusi erdhi pothuajse në fshehtësi. Por në Ardhjen e Tij të Dytë, lavdia e Zotit “do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë”21. Atëherë Ai do të “sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve”22.
Tani, si shërbëtor i autorizuar i Shpëtimtarit, do të doja të jepja një bekim mbi secilin prej jush, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. U bekofshi ju dhe familjet tuaja me paqe, me një zotësi më të madhe për ta dëgjuar zërin e Zotin dhe për të marrë zbulesë me aftësi më të madhe për ta ndier se sa Ati ynë dhe Biri i Tij ju duan, kujdesen për ju dhe janë gati t’i udhërrëfejnë të gjithë njerëzit që i kërkojnë Ata! I bashkoj fjalët e mia me ato të Moronit dhe ju “këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt, që hiri i Perëndisë, Atit dhe gjithashtu i Zotit Jezu Krisht dhe i Frymës së Shenjtë, … të mund të jetë dhe të jetojë në ju përgjithmonë”23. Për këtë unë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, amen.