Dhuratat më Pak të Dukshme
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2021
E diel, 5 dhjetor 2021
Hyrja
Kur isha e vogël, gjëja më e bukur për Krishtlindje ishte mbërritja e gjyshes dhe gjyshit Landgren. Çdo vit, ata bënin një udhë të gjatë me një veturë të vjetër për të na vizituar. Ne i donim ata dhe na pëlqenin shumë petullat suedeze të gjyshes, të bëra me salcë kosi të freskët që e sillte me vete nga një fermer në vendlindjen e saj. Ajo rrinte mbi sobë për orë të tëra, duke bërë petulla derisa ne nuk mund të hanim më asnjë kafshatë. Tani dy breza të tjerë fëmijësh janë rritur duke festuar me ato petulla suedeze. Sa herë që i bëjmë, ne kujtojmë gjyshen Landgren dhe dhuratën e saj të dashurisë.
Disa nga dhuratat më të mira janë dhuratat e kohës dhe të talenteve tona. Unë besoj se dhurata të tilla janë dhurata të shenjta.
Dhuratat
Kjo është një periudhë pritjeje për dhurata të reja. Por sonte, le të ndalemi për të menduar rreth dhuratave që ju janë dhënë tashmë, kush jua ka dhënë ato dhe përse.
Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh dhurata. Mund të mendoni se nuk jeni të talentuar, por ju keni dhurata shpirtërore nga Perëndia që të mund t’i bekoni të tjerët dhe të afroheni më pranë Tij.1
Çfarë dhuratash ju ka dhënë Perëndia?
Të them të drejtën, unë kurrë nuk e kam parë veten si një person të talentuar. Nuk jam ndonjë këngëtare, ose valltare, ose sportiste, ose artiste, ose matematiciene e mirë, ose … ose … ose … jam thjesht shumë … normale.
Me raste i kam parë dhuratat e mëdha të të tjerëve dhe vetë jam ndier e parëndësishme. Por po mësoj se sa të kota dhe madje shkatërruese janë krahasime të tilla. Më e rëndësishmja, unë kam arritur të kuptoj fuqinë e shenjtë të “dhuratave më pak të dukshme” të Perëndisë dhe t’u gëzohem atyre [duke i parë] si prova dashurie dhe mirëbesimi prej Tij.
Plaku Marvin J. Ashton dha mësim se dhuratat shpirtërore të Perëndisë përfshijnë ato që janë “më pak të dukshme”, përfshirë dhurata si “dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të mbajturit vesh; dhuntia e të dëgjuarit dhe e përdorimit të një zëri të qetë, të ulët; dhuntia e të qenit në gjendje të vajtojmë; dhuntia e shmangies së grindjes; dhuntia e të qenit dakord; … dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; dhuntia e të qenit dishepull; dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve; dhuntia e aftësisë për të përsiatur; dhuntia për të ofruar lutje”2.
A ju ndihmon kjo listë që t’i shihni dhuratat tuaja me një pikëpamje të re? Mua më ndihmon.
Këto dhurata të qeta janë po aq dobiprurëse për t’i ngritur moralisht fëmijët e Perëndisë sa edhe dhurata të tjera që ne i dallojmë dhe i përmendim më shpesh3 – dhuratat e qeta që na ndihmojnë të arrijmë qëllimet më të rëndësishme në jetë. Por, për fat të keq, ne nganjëherë stepemi dhe nuk arrijmë t’i vlerësojmë ose përdorim dhuratat tona, nga frika se nuk janë aq të rafinuara, aq të përsosura ose aq të bukura sa do të donim.
Kur nuk ia dalim që t’i vlerësojmë këto dhurata më pak të dukshme, e humbasim rastin për t’i ngritur moralisht fëmijët e Tij dhe e humbasim rastin për ta ndier dashurinë e Perëndisë.4
Luajeni Këngën e Dhuratave Tuaja
Lejomëni t’ju tregoj një dhuratë tjetër – një dhuratë nga gjyshi Landgren. Gjyshi gjithnjë donte t’i binte violinës. Megjithatë, kjo violinë mbeti e papërdorur dhe e pluhurosur në raftin e tij dhe më pas në raftin tim, për shumë vjet – muzika e këtyre telave ishte e heshtur.
Krahasojeni këtë me violinën e mbesës sime gjashtëvjeçare, Skarletës. Ajo ka një dhuratë për ta ndarë me ne sonte.
[Scarlett playing the violin]
Faleminderit, Skarlet. Ishte e bukur. Të dua.
Dhuratat tona nga Ati Qiellor kanë si qëllim që ne t’i ndajmë me të tjerët. Violina e Skarletës nuk është e shtrenjtë dhe mund të gjejmë gabime tek instrumenti apo teknika, por ngaqë i bie me gjithë zemër, ajo ka dhënë një dhuratë dhe ka sjellë gëzim.
Mos i lini dhuratat e Perëndisë për ju, madje dhuratat e Tij më pak të dukshme, që të kalojnë të papërdorura ose të pavlerësuara. Nxirrini nga rafti dhuratat që Ai jua ka dhënë. Nëse nuk i keni përdorur për shkak të dyshimit te vetja, shkundjuani pluhurin dhe provojeni. Ofrojani ato Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Dhuratat që i kemi nga Ati ynë Qiellor, kanë për qëllim të përdoren dhe të ndahen me të tjerët. Të gjitha dhuratat tuaja nga Perëndia, sado të papërsosura, kur i ofrohen Atij, sjellin gëzim dhe janë një himn përlëvdimi.
Merreni dhuntinë tuaj të mbajtjes vesh me dashuri dhe vizitoni një mik ose mike të vetmuar. A e keni dhuntinë e shmangies së grindjes dhe të të qenit dakord? Këto dhurata nuk kanë qenë kurrë më të nevojshme. Jepuani ato familjes suaj, miqve dhe fqinjëve tuaj. Thuajini dikujt që po endet, se e doni dhe ftojeni në tryezën tuaj për të ngrënë. Zhvilloni një mësim të frymëzuar. Shkruani një letër dashamirëse. Përdorini dhuntitë tuaja për të ndihmuar, për të ngritur Sionin dhe për t’i ngritur shpirtërisht njerëzit përreth jush. Perëndia ka nevojë për të gjithë llojet e njerëzve. Ai i ka dhënë të gjitha dhuratat për t’i ngritur moralisht fëmijët e Tij. Mos e lini muzikën brenda jush të mbetet e pakënduar, përqafimin të padhënë, faljen të paofruar.
Marrja e Dhuratës së Tij
Gjatë periudhës së Krishtlindjes të vitit 1832, shenjtorët e hershëm plot vuajtje, u përballën me trazirë qytetare dhe politike. Profeti Jozef sapo kishte profetizuar për një luftë civile.5 Tani kjo nuk ishte një gjendje ngazëlluese.
Por më 27 dhjetor, Jozefi mori një zbulesë tjetër – një mesazh paqeje nga Zoti.6 Në këto kohë të vështira, Zoti i kujtoi Jozefit dhuratat që Ai u kishte dhënë shenjtorëve të Tij – më e rëndësishmja, dhuratën e Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe shpresën për jetë të përjetshme.
Mënyra se si duhej të gëzoheshin në atë periudhë Krishtlindjeje ishte t’i shihnin dhe të merrnin dhuratat e Perëndisë; e para dhe më e rëndësishmja e të cilave është “dhurat[a] e pashoqe”7 e një Shpëtimtari. E njëjta gjë është e vërtetë në këtë periudhë Krishtlindjeje.
Në zbulesën që mori Jozefi, Zoti i bëri pyetjen vijuese:
“Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”8
Përfundimi
Shpresoj që secili prej nesh të mund t’i shohë dhe t’i marrë dhuratat që Perëndia na ka dhënë – por veçanërisht shpresoj që secili prej nesh të mund të gëzohet në Perëndinë, dhënësin e këtyre dhuratave.
Jam mirënjohëse për dhuratën e pashoqe të Birit të Tij – një Bir që erdhi në tokë si një foshnjë, i mbështjellë me pelena nga një nënë e re dhe i vënë në një grazhd. Një foshnjë që do të mësonte rresht pas rreshti dhe do të rritej hir pas hiri derisa të jepte jetën e Tij si flijim për mëkatet e mia. Për mëkatet tuaja. Për mëkatet e të gjithë atyre që kanë jetuar ndonjëherë dhe që do të jetojnë ndonjëherë në tokë.
Ne këndojmë fjalët e një himni shumë të dashur:
“Botës gëzim, ka ardh’ Zoti; Toka Mbretin t’pranoj’!”9
Dhurata e Jezusit, Krishtit, është dhënë dhe me çfarë vlere të madhe! Pyetja është, a do ta pranojmë ne Atë? A do ta lejojmë Atë të hyjë në jetën tonë dhe të triumfojë? Si?
Unë dëshmoj se pranimi i Mbretit tonë dhe i dhuratave të Tij do të sjellë gëzim të vërtetë – gëzim për botën dhe gëzim në botë.
“Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e … patregueshme”10 të Birit të Tij. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.