Takime Shpirtërore për Krishtlindje
“Dhe Ju Mund ta Dini Gjithashtu”


11:55

“Dhe Ju Mund ta Dini Gjithashtu”

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë

E diel, 5 dhjetor 2021

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Krishtlindja në shtëpinë e fëmijërisë sime ishte tepër e ndikuar nga traditat e atdheut të secilit prej prindërve të mi. Nëna ime kishte imigruar në Shtetet e Bashkuara nga Suedia dhe babai im nga Finlanda.1 Në përgatitje për Krishtlindje, ne e stolisnim pemën tonë të Krishtlindjes me zbukurime të bëra vetë dhe nëna gatuante, gatuante e gatuante. Për aq sa di unë, ajo kishte lidhje familjare me gjyshen Lundgren të Motrës Krejg. Kremtimet tona të Vigjiljes së Krishtlindjes fillonin me një gosti të larmishme përrallore ushqimesh të shijshme tradicionale që i kishte përgatitur nëna – qofte, sultjash; dhe bukë, torta e biskota të shumta. Festimet e Vigjiljes së Krishtlindjes përfundonin me mbërritjen e Jultomten‑it – Santa Klausit – i cili sillte dhurata për të gjithë fëmijët. Por përpara se të vinte Jultomten‑i, nëna ime gjithmonë na mblidhte vëllanë tim, motrat e mia dhe mua që të dëgjonim, ndërsa babai im lexonte historinë e Krishtlindjes në Dhiatën e Re.

Babai im ishte një burrë i heshtur, një burrë me pak fjalë si në gjuhën e tij amtare, ashtu edhe në gjuhën angleze që e mësoi në moshë të rritur. Ishte i ndershëm ndonëse nuk kishte takt dhe nuk ishte kurrë i tepruar në lavdërime. Ai kurrë nuk ishte plot imagjinatë dhe kurrë nuk i zbukuronte gjërat. Në Vigjilje të Krishtlindjes ai lexonte te Lluka 2. Ai lexonte rreth Jozefit dhe Maries që udhëtonin drejt Bethlehemit, rreth shfaqjes së engjëllit te barinjtë, lindjes së Jezusit dhe rreth Maries që përsiaste në zemër gjithçka që kishte ndodhur. Babai im nuk ndalonte te vargu 19; ai vazhdonte me rrëfimin e Maries dhe të Jozefit që e çuan foshnjën Jezus te tempulli në Jerusalem për të bërë një ofertë në përputhje me Ligjin e Moisiut.

Babai im lexonte:

“Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon …

Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si [Maria dhe Jozefi] i prunë fëmijën Jezus[,] …

[Simeoni] e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

‘Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

që ti e përgatite përpara gjithë popujve’.”2

Në atë pikë, babai im përherë ndalonte. Më pas jepte dëshminë e vet. Gjithmonë në të njëjtën mënyrë të shkurtër, me një theks të rëndë në anglisht, ai shpallte: “Unë mund të mos jem në gjendje ta mbaj atë Jezus foshnjë të vogël në krahët e mi, por unë e di, ashtu sikurse e dinte Simeoni, se ajo foshnjë ishte Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im. Ai është real dhe Ai jeton.” Pas kësaj shpalljeje, ai e vështronte secilin prej nesh me sytë e tij depërtues bojë qielli dhe thoshte me një tundje shprehëse të kokës: “Dhe ju mund ta dini gjithashtu”.

Babai dhe nëna ime e dinin se kush qe ajo foshnjë në Bethlehem dhe çfarë do të përmbushte Ai kur të rritej. Kjo njohuri i shndërroi ata. Ata nuk dëshironin vetëm që ne fëmijët t’u besonim fjalëve të tyre3, por që ne të arrinim ta dinim vetë, kështu që edhe ne të mund të shndërroheshim. I nxitur nga dëshmitë e prindërve të mi, unë e nisa udhën nëpër shtegun e besëlidhjeve me një dëshirë për ta “di[tur] gjithashtu”.

Kur isha 11 vjeç, familja jonë po jetonte në Gëteborg të Suedisë. Presidenti i misionit i ftoi gjithë të rinjtë e të rejat që të lexonin Librin e Mormonit. Teknikisht unë nuk përfshihesha në ftesë, por vëllai im ishte dhjak në atë kohë dhe ai e pranoi sfidën. Gjithmonë doja të isha si vëllai im dhe të bëja çfarë bënte ai, prandaj u bashkova me ftesën. Prindërit e mi i kishin dhënë secilit prej nesh, mua, vëllait tim dhe motrave të mia, nga një komplet të shkrimeve të shenjta dhe unë fillova të lexoja çdo mbrëmje.

Disa muaj më vonë, Presidenti Gësta Malm, këshilltar në presidencën e misionit4, i nxiti të rinjtë e të rejat që po e lexonin Librin e Mormonit, që ta pyesnin Perëndinë për vërtetësinë e librit. Vendosa që të bëja pikërisht atë gjë. Atë natë prita derisa vëllai im ra në gjumë. Dola nga shtrati, rashë në gjunjë në dyshemenë e ftohtë dhe fillova të lutem. Shpejt ndjeva sikur po më thuhej: “Të kam thënë gjatë gjithë kohës se është i vërtetë”. Me atë thënie, më erdhi një paqe e papërshkrueshme. Arrita ta dija vetë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë.5

Pikërisht siç premtohet te Parathënia për Librin e Mormonit, edhe unë “[arrita] të mësoj … nga [fuqia e Frymës së Shenjtë] se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Joseph Smithi është zbuluesi dhe profeti i tij në këto ditë të fundit dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit e ngritur sërish mbi tokë, për të përgatitur për ardhjen e dytë të Mesias”6. Ajo njohuri, e ndërthurur me dëshmitë pasuese, më shndërroi, ashtu siç i kishte shndërruar prindërit e mi.

Kjo njohuri – se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se Ai u kryqëzua për mëkatet e botës – është një dhuratë shpirtërore.7 Kjo dhuratë nuk lidhet me një detyrë të caktuar priftërie, as me një gjini të caktuar; përkundrazi, ajo është në dispozicion për të gjithë ata që kualifikohen për të. Nuk na kërkohet t’i sjellim Shpëtimtarit dhurata ari, temjani dhe mirre që të kualifikohemi për këtë dhuratë të bukur shpirtërore. Na kërkohet të japim nga vetja jonë.8 Profeti Amaleki i Librit të Mormonit iu lut popullit duke thënë: “Dhe tani … unë do të doja që ju të vini te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit dhe të merrni pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij. Po, ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij … ; dhe ashtu si Zoti jeton, ju do të shpëtoheni.”9

Teksa rritesha, i pashë prindërit e mi që t’u shërbenin të tjerëve. I pashë të mbanin besëlidhjet që i kishin bërë me Perëndinë. I pashë të kryenin me zell mësimin e shtëpisë dhe vizitat mësimore, duke u përpjekur fort që t’u jepnin shërbesë njerëzve të cilëve u shërbenin. I pashë të merrnin pjesë në ordinanca në tempull dhe të pranonin thirrje të Kishës. Çdo vit, në Vigjiljen e Krishtlindjes, babai im dëshmonte me Simeonin për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Me kalimin e viteve, babai im ua drejtoi nuseve, dhëndurëve dhe nipërve e mbesave ftesën e tij që të “dini[n] gjithashtu”.

Dekada pas përvojës sime në djalëri me Librin e Mormonit, u thirra si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë dhe u caktova të flisja në një konferencë të përgjithshme. Motra ime bëri të mundur që babai im 92‑vjeçar të mund ta shihte konferencën – dhe veçanërisht bisedën time. Pas konferencës së përgjithshme shkova në shtëpinë e tij. E pyeta: “Baba, a e pe konferencën?” Ai u përgjigj: “Ja [Po]”. E pyeta: “Baba, a më dëgjove kur fola?” Ai u përgjigj: “Ja [Po]”. Me njëfarë nervozizmi, thashë pa dashje: “Epo, baba, çfarë mendove?” Ai u përgjigj: “O, ishte në rregull. Isha pothuajse krenar.”

Pas një çasti të gjatë, ai tha: “Dejll, kam nevojë të të them diçka”. Më pas e kuptova se ndërkohë që po kërkoja një përgëzim, babai im ishte i shqetësuar për diçka shumë më të rëndësishme sesa dhënia e një lavdërimi. Ai vazhdoi: “Mbrëmë pashë një ëndërr. Ëndërrova sikur kisha vdekur dhe pashë Shpëtimtarin. Ai më mori në krahët e Tij dhe më tha se mëkatet e mia ishin falur. Dhe u ndjeva kaq mirë.” Kjo ishte gjithçka që babai im e tha me zë. Por pamja në fytyrën e tij shprehu tepër shumë; ai e njihte Jezu Krishtin. Ai e dinte se foshnja në Bethlehem, që “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”10, ishte shpëtimi i tij, se Biri i Perëndisë ishte rritur dhe kishte shlyer për mëkatet e tij. Babai im e dinte atë shumë kohë përpara kësaj ëndrre. Ëndrra ishte thjesht një mëshirë e dhembshur – një dhuratë – nga një Atë i dashur Qiellor ndaj një të moshuari, i cili ndërroi jetë dy muaj më vonë. Nga të gjitha dhuratat e Krishtlindjes që kam marrë ndonjëherë, unë kam më të shtrenjtë dhuratën e dëshmisë dhe të besimit të mishëruar nga babai dhe nëna ime.

Këtë Krishtlindje, kërkojini Atit tuaj Qiellor dhuratën shpirtërore të njohurisë për realitetin e gjallë të Shpëtimtarit të botës. Periudha e Krishtlindjes është një kohë e bukur dhe e natyrshme për të studiuar jetën e Tij dhe për t’u përpjekur fort që të imitoni karakterin dhe cilësitë e Tij. Kur e bëni këtë, ju mund të dini se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, dhe se Ai shleu për mëkatet tuaja. Kjo dituri është më e mirë dhe më afatgjatë sesa cilado dhuratë që Jultomten‑i mund t’ju sillte ndonjëherë, sepse ajo mund t’ju shndërrojë. Do të mësoni se Shpëtimtari dëshiron shumë që të rivendosë atë që ju nuk mund ta rivendosni, të shërojë plagë që ju nuk mund t’i shëroni, të ndreqë atë që është thyer në mënyrë të pariparueshme, të dëmshpërblejë për cilëndo padrejtësi që keni përjetuar, dhe t’i shërojë përgjithmonë edhe zemrat e thyera.

Ashtu si ati im tokësor, unë e di se nuk do të jem në gjendje ta mbaj atë Jezus foshnjë të vogël në krahët e mi, por unë e di, ashtu sikurse e dinte Simeoni, se ajo foshnjë ishte Biri i Perëndisë, Shpëtimtari im dhe Shpëtimtari juaj, Shëlbuesi im dhe Shëlbuesi juaj. Ai është real dhe Ai jeton. Dhe ju mund ta dini gjithashtu. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.