Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Lum Ata që Përpiqen për Paqen


10:55

Lum Ata që Përpiqen për Paqen

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2021

E diel, 5 dhjetor 2021

Përsëri, Presidenca jonë e Parë e dashur na ka ftuar të mblidhemi ndërkohë që fillojmë kremtimin tonë të Krishtlindjes. Ndërkohë që traditat dhe zakonet tona ndryshojnë anembanë kombeve, ne jemi të gjithë mirënjohës dhe të bekuar që jemi të bashkuar – duke e adhuruar së bashku Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht dhe duke kremtuar lindjen e Tij mbi dy mijë vjet më parë.

Tradita jonë e parapëlqyer në shtëpinë e familjes Baset, si edhe në shumë prej shtëpive tuaja, është të bëjmë një dramatizim të historisë së lindjes së Krishtit. Për ne, leximi i rrëfimeve nga Isaia, Lluka, Mateu, Nefi dhe Mormoni, të shoqëruara me himne të Krishtlindjes dhe të cilat gjallërohen nga një interpretim i drejtpërdrejtë që portretizon Marien, Jozefin dhe Jezusin foshnjë, kanë qenë frymëzues dhe shpirtërorë, por jo gjithmonë.

Për shembull, një Vigjilje Krishtlindjeje, tufa jonë e deleve e përbërë nga fëmijë dyvjeçarë u shndërrua në një kor të vegjlish që qanin. Dënesa e tyre shpejt u përhap te barinjtë dhe engjëjt, si edhe te vetë foshnja e mbështjellë me pelena. Vitin pasues, nuk patëm tufë delesh. Askush nuk guxonte të luante rolin e një deleje nga frika se, në njëfarë mënyre, delet do të shkaktonin të qara të frikshme dhe katastrofike. Një vit tjetër, shkopinjtë e barinjve u kthyen në shpata lufte dhe një vit tjetër askush nuk ishte i gatshëm të bëhej një dijetar apo një engjëll, duke këmbëngulur që në vend të këtyre të visheshin me kostumet e Hallouinit, si dinozaurë ose delfinë. Por ndoshta dramatizimi ynë më mbresëlënës ishte kur pikërisht fëmija i sapolindur u rrëzua nga grazhdi i tij i ngritur tepër lart nga toka dhe shumë i paqëndrueshëm, duke rënë pingul drejt vatrës së gurtë, të cilin e kapën vetëm disa centimetra përpara se të përplasej në dysheme. Më takon mua merita për atë kapje me hov, ndonëse rënia ishte plotësisht nga gafa ime gjithashtu.

Natë e qetë? Gjithçka e qetë? Shfaqjet tona të lindjes së Krishtit mund të quhen më mirë “Potere në Grazhd”. Duhet ta pohoj se kur afrohet Krishtlindja, unë shpesh pyes veten a mos ndoshta duhet të provojmë një traditë Krishtlindjeje që në fakt e fton paqen?

Paqen – atë gjendje të ëmbël dhe plot shpresë që të gjithë e dëshirojmë, jo vetëm në Krishtlindje por gjithmonë. Megjithatë, anembanë botës sot, duket sikur ajo paqe po bëhet më e vështirë për t’u gjetur. Ndërkohë që studioja Doktrinën e Besëlidhjet këtë vit, m’u kujtua një zbulesë që përshkruan kohën tonë:

“Dhe në atë ditë … i gjithë dheu do të jetë në rrëmujë, dhe zemrat e njerëzve do të mpaken”1.

Në gjendjen e sotme të rrëmujës në tokë, ku mund të gjendet kjo paqe më e madhe që e tërë bota e dëshiron?

Presidenti Rasëll M. Nelson ka shpallur:

“Ungjilli i Jezu Krishtit është pikërisht ajo që nevojitet në këtë botë të pështjelluar, grindavece dhe të munduar.

Secili prej fëmijëve të Perëndisë e meriton mundësinë për ta dëgjuar dhe pranuar mesazhin shërues dhe shëlbues të Jezu Krishtit. Asnjë mesazh tjetër nuk është më jetik për lumturinë tonë se ky – tani dhe përgjithmonë.”2

Mesazhi i Rivendosjes është mesazhi i Krishtlindjes. Drita e yllit që i udhërrëfeu barinjtë për te foshnja në grazhd, krahasohet me shtyllën e dritës që zbriti mbi Jozefin – që të dyja duke paralajmëruar lajme të mira gëzimi të madh, duke ia shpallur Krishtin botës.

Mesazhi i Isaias për botën tonë të trazuar vazhdon të jetë: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”3.

Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Njëri nga titujt më të dashur të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, është ‘Princi i Paqes’ [Isaia 9:6]. … Mbretëria e Tij do të themelohet duke përfshirë paqen dhe dashurinë.”4

Këtë vit, teksa i lexoni fjalët që gjenden te Lluka, unë shpresoj që do të merrni parasysh fjalët se “një shumicë e ushtrisë qiellore, [e] lëvdo[i] Perëndinë”, kur tha: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”5 I kam përsiatur këto fjalë dhe mendova se mund të jetë e përshtatshme që ne ta konsiderojmë këtë si një shpallje se “mbi tokë ka tani Paqe”. “Paqja ka ardhur!” – mund të kenë thirrur ata. Sepse, në mënyrë të mirëfilltë, atë mbrëmje në atë stallë të përulur, pikërisht “Princi i Paqes” erdhi në tokë.

Në atë ditë të parë të Krishtlindjes ishin engjëjt lajmëtarë që shpallën se paqja kishte ardhur. Përpara tyre Jakobi shpalli: “Ne dinim për Krishtin dhe ne kishim një shpresë të lavdisë së tij, shumë qindra vjet para ardhjes së tij; dhe se jo vetëm ne vetë kishim një shpresë të lavdisë së tij, por gjithashtu të gjithë profetët e shenjtë që ishin para nesh”6.

Sërish, Isaia profetizoi, tani për kohën tonë, kur shkroi: “Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit [ose gjithsecilit] që sjell lajme të mira[,] që njofton paqen”7.

Pra, cilët janë këta njerëz të bukur që njoftojnë paqen? Shpëtimtari u shpalli dishepujve të Tij si në Galile ashtu edhe në tokën e Begatisë: “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”8.

Përveç kësaj, mbreti Beniamin dha mësim: “Dhe tani, për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij”9.

Ju dhe unë jemi fëmijët e besëlidhjes së Jezu Krishtit, çdonjëri prej fëmijëve të Tij. Mbani mend, Ai shpalli se paqebërësit duhet të thirren fëmijët e Perëndisë. Prandaj, ne – fëmijët e Perëndisë – duhet të jemi paqebërës. Kjo është detyra jonë e besëlidhjes. Ju dhe unë sjellim ndryshim në botën e sotme të trazuar teksa përpiqemi fort të jemi paqebërës – në shtëpitë tona, në bashkësitë tona, në komunitetet tona, madje anembanë botës, nëpërmjet mirësisë sonë, nëpërmjet veprave tona të mira dhe nëpërmjet fjalëve tona – ballë për ballë si edhe në mënyrë virtuale. Le ta “njofto[jmë] paqen” me besnikëri teksa dëshmojmë për Të me fjalë dhe me vepra.

Sërish nga Lluka lexojmë:

“Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: ‘Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti’.

Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.

Mbasi e panë, përhapën atë që u ishte thënë për atë fëmijë.”10

Në të njëjtën mënyrë, “le të shkojmë” ne dhe të “përhap[im]” mesazhin e paqes “për atë fëmijë”. Ky është mesazhi që misionarët tanë u mësojnë njerëzve tanë të dashur dhe miqve tanë; ky është mesazhi i gjallë që misionarët e shërbimit e përhapin teksa shërbejnë sikurse do të shërbente Shpëtimtari. Ky është mesazhi që shpallim teksa i duam njerëzit përreth nesh, u japim atyre dhe i ftojmë që të marrin nga shpresa dhe paqja që gjenden në lajmin e mirë për Jezu Krishtin.

Pra le të kthehemi te dramatizimet e lindjes së Krishtit nga familja Baset, të cilat ne u orvatëm në mënyrë kaotike t’i bënim çdo Krishtlindje – përse këmbëngulim në ruajtjen e kësaj tradite, duke i nxitur fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona që ta rikrijojnë për ne atë natë, më të bukurën e të gjitha netëve, kur engjëjt erdhën me lajme të mira gëzimi të madh?

Përgjigjja është e thjeshtë dhe e këndshme: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”11.

Po, e shohim se e gjithë toka është në rrëmujë dhe zemrat e njerëzve po mpaken. Sidoqoftë, pavarësisht nga sfidat, përballë kundërshtimit dhe në mes të rrëmujës, vazhdofshim me këmbëngulje për të njoftuar paqe, në këtë periudhë dhe gjithmonë, teksa e përgatitim veten tonë dhe të gjithë njerëzit përreth nesh për kthimin e madhërishëm të Princit të Paqes, madje Zotit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit, Jezu Krishtit. Duke përsëritur fjalët e Presidentit Nelson: “Secili prej fëmijëve të Perëndisë e meriton mundësinë për ta dëgjuar dhe pranuar mesazhin shërues dhe shëlbues të Jezu Krishtit”.

Qofshim njoftues të paqes ndërsa kremtojmë lindjen, jetën dhe misionin e Shpëtimtarit tonë në këtë periudhë Krishtlindjeje dhe përgjithmonë është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.