Shpirti i Krishtlindjes
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë
E diel, 5 dhjetor 2021
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju në këtë takim shpirtëror mbarëbotëror për Krishtlindje. Muzika dhe fjalët madhështore na kanë prekur zemrën. Ato sollën shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes, gëzimin që vjen nga adhurimi dhe dashuria për Zotin Jezu Krisht. Ne jemi të lidhur së bashku në dashurinë dhe përkushtimin tonë për Të.
Ajo ndjenjë adhurimi rritet çdo herë që lexoj shkrimet e shenjta, të cilat më ndihmojnë të di se cili ishte Ai dhe cili është Ai. Nga ai lexim dhe ajo lutje, kam arritur ta njoh Jezusin si Jehova, i cili, nën drejtimin e Atit Qiellor, ishte Krijuesi i të gjitha gjërave. Pali e përshkroi në këtë mënyrë:
“Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,
së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.
Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,
edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.
Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: ‘Ti je Biri im, sot më je lindur’? Edhe përsëri: ‘Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir?’
Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: ‘Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë’.”1
Në lindjen e Jezusit në Bethlehem, engjëjt njëmend kënduan dhe, siç u profetizua, një yll i ri njëmend u shfaq që të ndriçonte qiellin, duke nderuar hyrjen e Birit të Perëndisë në jetën në vdekshmëri.
Ai ngrihet lart mbi ne dhe prapëseprapë ngjarjet që e rrethuan lindjen e Tij në vdekshmëri, na sjellin një ndjenjë të qenies së Tij pranë nesh. Ai zgjodhi të zbriste nga froni i Tij në krahun e djathtë të Atit për të marrë mbi veten e Tij vdekshmërinë. Ai e bëri këtë nga dashuria për çdo bir dhe bijë të Atit të Tij i cili do të lindte në botë. Ai e bëri këtë nga dashuria për ju dhe për mua.
Ai mund të kishte lindur kudo, në çfarëdo situate. Prapëseprapë, Jezu Krishti u lind në rrethana të përulura në një fshat të vockël. Barinjtë e mirëpritën Atë. Disa Dijetarë u udhëhoqën më vonë me anë të frymëzimit për ta adhuruar Atë. Udhëheqësi politik urdhëroi që Ai të vritej. Atij iu desh ta çonin në një vend të huaj që t’i ruhej jeta. Kur një engjëll u tha prindërve të Tij tokësorë se Ai mund të kthehej në atdheun e Tij, ata e çuan në Nazaret. Ai kaloi përafërsisht 30 vjet atje, duke u rritur dhe duke punuar si marangoz, përpara se të fillonte shërbesa e Tij publike.
Ju mund ta pyetni veten, siç e pyes unë, pse ishte e domosdoshme për Birin e përsosur të Perëndisë që të dërgohej në një mision të tillë. Kujtoni se si e përshkroi Ai pranimin me përulësi të thirrjes së Tij:
“Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.
Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit.
Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.”2
Jezusi e tregoi dashurinë dhe përulësinë e Tij. Pavarësisht nga pozita e Tij e fuqishme dhe madhështore me Atin e Tij, Jezusi zgjodhi si dishepuj të Tij tokësorë burra të thjeshtë, përfshirë peshkatarë, një tagrambledhës dhe një zelot.
Ai u predikoi dhe u shoqërua me lebrosë, të sëmurët, të gjymtuarit, të përbuzurit. Ai i deshi dhe i pranoi njerëzit më të ulët mes tyre, pavarësisht se kishte zbritur nga oborret qiellore. Ai u shërbeu atyre, i donte ata dhe i ngriti ata shpirtërisht.
Dashamirësia dhe vetëpërmbajtja e Tij e jashtëzakonshme u rritën madje edhe në fund të misionit të Tij tokësor. Ai u përball me kundërshtim dhe urrejtje, të cilat e dinte se ishin pjesë e misionit për të cilin Ai ishte thirrur dhe të cilin e kishte pranuar. Ai mision ishte që të vuante për mëkatet dhe lëngatat e të gjithë atyre që vijnë në jetën në vdekshmëri.
Ju i kujtoni fjalët e Jakobit teksa jepte mësim për Shlyerjen e Jezu Krishtit:
“O sa e madhe shenjtëria e Perëndisë sonë! Pasi, ai i di të gjitha gjërat dhe nuk ka asgjë që ai nuk e di.
Dhe ai vjen në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij; pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit.
Dhe ai e vuan këtë, që ringjallja të vijë mbi të gjithë njerëzit, që të gjithë të mund të qëndrojnë para tij, në ditën e madhe të gjykimit.”3
Foshnja në grazhd në Bethlehem ishte Biri i Perëndisë, i dërguar nga Ati për t’u bërë Shpëtimtari ynë. Ai ishte Biri i Vetëmlindur i Atit në mish. Ai është Shembulli ynë.
Në mënyrë që të kemi shpirtin e Krishtlindjes, ne duhet të përpiqemi të duam siç deshi Ai. Fjalët e Tij për mua dhe për ju janë: “Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”4.
Ju mund ta ndieni shpirtin e Krishtlindjes, siç e kam ndier unë, në ato fjalë. E kam ndier dritën dhe optimizmin që vijnë nga ndikimi i Frymës së Shenjtë sa herë që e kujtoj dhe përsiat shembullin e Shpëtimtarit të Botës.
Për mua, ndoshta kujtimi më i ëmbël ka qenë që Zoti qëndron gati për të na ndihmuar në çfarëdo që na ndodh. Siç dha mësim Mormoni:
“Perëndia, duke ditur të gjitha gjërat, pasi është nga përjetësia në përjetësi, vini re, ai dërgoi engjëj, për t’u shërbyer fëmijëve të njerëzve, për t’u treguar në lidhje me ardhjen e Krishtit; dhe në Krisht do të vinte çdo gjë e mirë.
Dhe Perëndia u njoftoi gjithashtu profetëve, me gojën e tij, se Krishti do të vinte.
Dhe vini re, në mënyra të ndryshme ai u tregoi fëmijëve të njerëzve gjëra që ishin të mira; dhe të gjitha gjërat që janë të mira, vijnë nga Krishti; përndryshe njerëzit do të kishin rënë dhe asgjë e mirë nuk do të mund t’u vinte atyre.
Prandaj, nëpërmjet shërbimit të engjëjve dhe nëpërmjet çdo fjale që doli nga goja e Perëndisë, njerëzit filluan të ushtrojnë besim në Krisht; dhe kështu, me anë të besimit, ata u mbështetën në çdo gjë të mirë; dhe kështu qe deri me ardhjen e Krishtit.
Dhe pas ardhjes së tij, njerëzit shpëtuan gjithashtu me anë të besimit në emrin e tij; dhe me anë të besimit ata bëhen bijtë [dhe bijat] e Perëndisë. Dhe, me aq siguri, sa Krishti jeton, ai u tha etërve tanë këto fjalë: Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e mirë duke besuar me bindje se do t’ju jepet, vini re, ajo gjë do të bëhet për ju.”5
Në këtë periudhë, shumë prej jush luten për forcë që t’i duroni sprovat që ju vënë në provë deri në atë që mund t’ju duket si limiti juaj. Unë dëshmoj se Shpëtimtari dhe Ati i kanë dëgjuar lutjet tuaja kur kërkoni lehtësim dhe atë që është e mirë për ju dhe për njerëzit që i doni dhe të cilëve u shërbeni.
Përgjigjet do të vijnë siç i erdhën Profetit Jozef Smith. Do ta dalloni lutjen e Jozefit për ndihmë si të ishte lutja juaj. Do ta ndieni dashurinë e Zotit për Jozefin dhe për ju në përgjigjen e Tij ngushëlluese ndaj thirrjes së Jozefit. Jozefi u lut:
“O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?
Për sa kohë do të frenohet dora jote dhe syri yt, po syri yt i pastër, do të shohë nga qiejt e përjetshëm gabimet e popullit tënd e të shërbëtorëve të tu dhe veshi yt të përshkohet nga thirrjet e tyre?”6
Dhe Zoti u përgjigj ashtu si mund të na përgjigjet juve dhe mua:
“Paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu.
Miqtë e tu qëndrojnë pranë teje dhe ata do të të përshëndesin përsëri me zemra të ngrohta dhe duar miqësore.”7
Unë vetë e di që premtimet janë të sigurta për ju, për mua dhe për njerëzit që i duam. Zoti i ka ndier dhembjet tona. Këtë Ai e zgjodhi ta bënte nga dashuria për ne. Ai e di se si të na ndihmojë të ndiejmë paqe në fatkeqësi, madje ndërkohë që vazhdon vënia në provë. Ai do të dërgojë miq si engjëj që të qëndrojnë përkrah jush “me zemra të ngrohta dhe duar miqësore”. Vetë zemrat tona do të ndryshojnë për mirë teksa i durojmë sprovat vetjake nëpërmjet besimit tek Ai.8 Me atë ndryshim, ne gjithmonë do të bëhemi miqtë që Zoti mund t’i dërgojë si engjëj tek të tjerët.
Si dëshmitar i Tij, unë dëshmoj se foshnja e lindur në Bethlehem është Jezu Krishti, Biri i dashur i Perëndisë. Ju premtoj se, teksa i kërkoni Atit Qiellor me besim dhe në emrin e Jezu Krishtit, Shpirti do t’ju sjellë ndjenja paqeje juve dhe njerëzve tuaj të dashur.
Ju shpreh dashurinë time me urimin tim që të mund të keni një periudhë të gëzueshme Krishtlindjeje – sivjet dhe kurdoherë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.