Toka Mbretin t’Pranoj
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2022
E diel, 4 dhjetor 2022
T’i Hapim Zemrat Tona për ta Pranuar
Paqja dhe ngrohtësia e muzikës së frymëzuar thjesht na e mbushin shpirtin.
Gëzuar Krishtlindjen!
Ishte dhjetori i vitit 1943 dhe botën e kishte gllabëruar Lufta II Botërore. Të gjithë qenë të shqetësuar për njerëzit e dashur në brigjet e largëta dhe shqetësimet në shtëpi shtoheshin nga mungesat e parave dhe të ushqimeve. Me burimet e familjes të ruajtura me kujdes, qe mahnitëse për babanë tim, Harold Hillamin, në atë kohë një djalosh 9-vjeçar, të merrte një dhuratë për Krishtlindje si një mrekulli, një tren lodër me shina. Por ky nuk ishte një tren i vjetër dosido; ky tren lëvizte krejt vetë nëpër shina. Nuk kërkohej ta shtyje. Dukej e pamundur që një dhuratë e tillë si mrekulli të ishte realitet. O, sa e çmonte Haroldi atë tren!
Pak vjet më vonë, ndërsa Krishtlindja afrohej, bota po dilte nga lufta. Prapëseprapë, kushtet ekonomike në Seint-Entonin e vogël të Ajdahos, nuk qenë përmirësuar dhe për familjen e babait tim, në fakt qenë përkeqësuar. Babai i Haroldit kishte qenë i sëmurë rëndë, për pak sa nuk humbi jetën. Nuk do të kishte dhurata për askënd atë Krishtlindje, përfshirë Haroldin dhe vëllanë e tij më të vogël, Arnoldin.
Pak ditë para Krishtlindjes, babai i Haroldit shkoi tek ai dhe e pyeti qetësisht: “Harold, a do të ishe i gatshëm t’ia jepje trenin tënd Arnoldit që ai të mund të ketë një dhuratë Krishtlindjeje këtë vit?”
A e kishte dëgjuar mirë babanë? Trenin e tij të çmuar? Kjo ishte kërkesa më e zorshme që mund t’i bënte.
Mëngjesi i Krishtlindjes erdhi dhe Arnoldi klithi nga kënaqësia kur mori një tren njësoj si ai i Haroldit.
Arnoldi shpejt vuri re se Haroldi nuk luante më me trenin e tij. Përfundimisht, Arnoldi e kuptoi se dhurata e tij e vyer nuk ishte “njësoj” si treni i Haroldit, ishte treni i Haroldit. Kur Arnoldi e kuptoi domethënien që fshihej pas kësaj dhurate, ai tren u bë i paçmuar.
Për mua, kjo histori familjare është në vetvete një dhuratë dhe jo vetëm sepse më kujton babanë tim të dashur dhe vëllanë e tij të adhuruar. Me më shumë rëndësi madje, ajo më kujton flijimin – flijimin dhe dashurinë e Birit të Dashur të Perëndisë – të Atij ditëlindjen e të cilit kremtojmë.
Jezu Krishti ishte dhe është dhurata jonë e parë dhe e përhershme e Krishtlindjes. Unë dëshmoj për këtë të vërtetë: Ai u lind, Ai jetoi dhe Ai vdiq për ne, dhe Ai jeton – ende!
Jemi shumë të bekuar që jemi marrësit e kësaj dhurate të gëzueshme! Me fjalët e një kënge të dashur të Krishtlindjes: “Botës gëzim, ka ardh’ Zoti; Toka Mbretin t’pranoj!”1
Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Duke parë gjithçka që Perëndia na ka dhënë, ne duhet të jemi mjaft të zotë për të pranuar, por nuk jemi. Neve që e konsiderojmë veten si mjaft të mbështetur te vetja e të pavarur, shpesh na duket pranimi i gjërave i sikletshëm, madje i vështirë. …
[Prapëseprapë] dhuratat e Perëndisë, ndryshe nga dhuratat sezonale, janë të përjetshme dhe nuk mbarojnë, duke qenë pjesë përbërëse e një Krishtlindjeje të vazhdueshme e cila nuk përfundon kurrë!2
Pra, si ta pranojmë në mënyrë të përshtatshme një dhuratë kaq të shtrenjtë? Si ta zgjedhim çdo ditë dhuratën e Shpëtimtarit tonë, të dashurisë së Tij dhe të Shlyerjes së Tij të pafundme?
Le t’i lëmë mënjanë pragjet e zbukuruara të dritareve dhe kallamat e pikturuara të sheqerit dhe le të mësojmë nga rolet e përulura dhe tabanët e sandaleve të pranuesve të parë të Shpëtimtarit foshnjë.
Pranojeni Shenjtërinë e Tij
Ndërsa lindja e Shpëtimtarit afrohej, Maria dhe Jozefi udhëtuan me mundime nëpër rrëmujën e Bethlehemit, por hanet qenë plot e përplot. Nuk kishte askush dhomë për ta? Nuk do t’i lejonte askush të çlodheshin? Maria e dinte se çfarë dhurate po mbartte, por askush nuk kishte vend për ta pranuar atë dhuratë, për ta pranuar Atë.
Ne nuk mund ta dimë me të vërtetë se çfarë ndien Maria dhe Jozefi në këtë pikë, por i kam imagjinuar gjithmonë ata sikur shkonin përpara me fuqi dhe mirëbesim të heshtur. Duke ia vënë veshin ftesës së engjëllit që të “mos ki[shin] frikë”3 dhe tani duke u përgatitur për lindjen e Jezusit, ata qenë në gjendje të hiqnin dorë nga çfarëdo pritshmërie për strehim të rehatshëm dhe në vend të kësaj të zinin vend në një stallë të qetë e të përulur. Por ai që duhet t’u jetë dukur si një mjedis tepër i zymtë, nuk do të mbetej i tillë. Zoti shpejt do ta mbushte atë zbrazëti me shenjtëri.
Sikurse lexojmë te vargu i famshëm te Lluka 2:7: “Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta”.
Shpëtimtari ynë – ajo dhuratë e lavdishme jete, shprese dhe premtimi – kishte ardhur në tokë.
A mund të bëjmë vend në zemrën tonë për ta pranuar Krishtin dhe për ta lejuar shenjtërinë e Tij t’i mbushë vendet tona të zbrazëta? Ashtu si Maria dhe Jozefi, mund të mirëbesojmë tek Ai edhe në mes të rrethanave nganjëherë dërrmuese. Udhërrëfimi, madje mrekullitë që vijnë në jetën tonë, ndoshta nuk do të jenë në mes të rrokopujës, as nëpër skena apo stadiume, por në vendet e qeta ku jetojmë dhe punojmë, atje ku shkojmë për ndihmë. Kudo ku dalin nevojat tona të përulura, ne mund dhe do t’i marrim përgjigjet për lutjet tona të pëshpëritura.
Pranojeni Ftesën e Tij për të Vepruar
A nuk është e mrekullueshme që disa nga pranuesit e parë të Qengjit të Perëndisë, ishin barinjtë?
Nata e mbuloi tokën kur barinjtë e mahnitur u mblodhën poshtë një prizmi të ndritshëm drite ndërsa qielli dhe toka u bashkuan në ngjarjen e jashtëzakonshme të lindjes së Shpëtimtarit.
“Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh. …
Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.’”4
Neve na pëlqen shumë që këta barinj të përkushtuar nuk e vonuan pranimin nga ana e tyre, por nxituan që të takonin Mbretin e tyre. Prej tyre, ne mësojmë se pranimi është një fjalë që tregon veprim. Lluka na tregon se barinjtë “shkuan … me nxitim dhe gjetën … fëmijën që ndodhej në një grazhd”5.
Shumë herë, mbresat tona të qeta, të vogla nga Zoti mund të mos pranohen sepse nuk përshtaten plotësisht me kalendarët ose planet, apo kohën që kemi caktuar ne. Historia e Krishtlindjes na kujton të jemi si këta barinj të përkushtuar, të cilët nuk e vonuan bërjen e asaj që nevojitej për ta pranuar Mbretin e tyre.
A e vutë re se Lluka përfshiu në tregimin e Krishtlindjes një nxitje të gëzueshme që ta pranosh Atë, do të thotë t’u tregosh të tjerëve për Të, duke shpjeguar: “Mbasi e panë [Jezusin], përhapën ato që u ish[in] thënë për atë fëmijë”6? Këta barinj morën këtë mesazh nga qielli, shkuan me nxitim dhe menjëherë paskëtaj u bënë lajmëtarë të qiellit duke i shpallur “botës gëzim[in]” e tyre dhe i ftuan të gjithë “Mbretin [e tyre] t’prano[nin]”7!
Pranojeni me Besim Durues
Tani le t’u kushtojmë vëmendje dijetarëve. Ata dallohen mes kërkuesve më të mëdhenj të Jezu Krishtit. Ata e kaluan jetën e tyre duke vëzhguar me zell për shfaqje qiellore dhe, kur ajo erdhi, ata e lanë prapa rehatinë e shtëpisë, vendeve të punës, familjeve dhe miqve për të ndjekur yllin dhe për të gjetur Mbretin e tyre.
Ndryshe nga udhëtimi i barinjve, udhëtimi i tyre ishte i vazhdueshëm, për të cilin u desh kohë. Atyre iu desh të kërkonin, të pyesnin, të prisnin dhe të niseshin dhe më pas t’i bënin këto përsëri derisa e panë fëmijën e vogël me Marinë, nënën e Tij. Ata ofruan dhurata që qenë më të çmueshmet, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan Atë.8
Shpesh kam përsiatur: Në pranimin e Krishtit nga ana jonë, a e kërkojmë Atë me zell dhe a e lejojmë Atë ta udhëheqë udhëtimin tonë drejt vendeve dhe njerëzve të panjohur për ne? Si mund ta shprehim mirënjohjen tonë nëpërmjet dhuratave dhe adhurimit që ofrojmë?
Lum Ata që e Pranojnë
Pra, kjo ishte, historia e madhërishme e Krishtlindjes.
Miqtë e mi të dashur, të bekuar janë pranuesit. Sado e dashur dhurata e trenit të babait tim dhe sado të dashura dhuratat e ëmbla të kohës dhe thesareve të bëra nga familjet anembanë, ato dhurata zbehen kur krahasohen me pranimin e dhuratës së vërtetë të Krishtlindjes – atë të Jezu Krishtit.
“Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën?”9
Merreni parasysh atë shkrim nga këndvështrimi i kësaj të vërtete të përjetshme: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”10.
Më pëlqen pa masë premtimi se kushdo që do ta pranojë vërtet dhuratën e Krishtit, të dhënë atë natë të shenjtë, do të ketë jetë të përjetshme!
Pra ne shohim se nëpërmjet përpjekjeve tona të përditshme për ta pranuar Krishtin më plotësisht, do të bëhemi sikurse na ka ftuar të bëhemi profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson: “një popull… që është i aftë, gati dhe i denjë ta presë Zotin kur Ai të vijë përsëri; një popull që e ka zgjedhur tashmë Jezu Krishtin”11.
Sa e lavdishme ta imagjinojmë atë ditë kur së bashku do të shpallim sërish: “Botës gëzim, ka ardh’ Zoti; Toka [dhe secili e çdonjëri prej nesh] Mbretin t’pranoj’!”12 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.