Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhurata më e Madhe e Krishtlindjes


9:23

Dhurata më e Madhe e Krishtlindjes

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2022

E diel, 4 dhjetor 2022

“Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: ‘Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti’.

Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.”1

Këto vargje të thjeshta të shkrimit të shenjtë në Dhiatën e Re, të shkruara nga Lluka, prodhojnë në mendjen tonë përfytyrimin e ngjarjes hyjnore të lindjes së Jezu Krishtit që sot festohet anembanë botës.

Në atdheun tonë, në Portugali, tradita e rikrijimit të kësaj ngjarjeje të shkrimit të shenjtë duke vendosur skenën e Lindjes së Krishtit, është një traditë shumë e dashur. Do t’i gjeni skenat në të gjithë shtetin në vende të ndryshme gjatë periudhës së Krishtlindjes, një traditë që shfaqet edhe në shumë shtëpi. Ngritja e një skene të Lindjes së Krishtit shpesh përfshin përpjekjen për mbledhjet e myshkut të njomë, kashtës, gurëve dhe materialeve të tjera natyrore për të krijuar një sfond të mirëfilltë të skenës së Lindjes.

Kjo traditë Krishtlindjeje e ngritjes së skenës së Lindjes së Krishtit, ishte një veprimtari shumë e gëzueshme gjatë fëmijërisë dhe rinisë sonë me prindërit tanë dhe më vonë me fëmijët tanë. Ngritja e skenës së Lindjes së Krishtit ishte një nga veprimtaritë e mia më të parapëlqyera gjatë kësaj kohe të vitit.

I mbanim në një kuti druri të gjitha statujat e vockla që i përdornim për të krijuar skenën e Lindjes dhe rrethinat e saj. Shpesh paraqitnim edhe një model të vogël të vetë fshatit tonë. Çdo vit, çdo Krishtlindje, nja dy statuja të reja ose elemente të tjera i shtoheshin koleksionit. Këto ishin statuja të vogla fshatarësh, shtëpish, fermerësh dhe kafshësh, mullinj me erë dhe ujë, si dhe elemente të tjera natyrore që imitonin kodrat, luginat, pemët e fushat. Copëza të pasqyrave reflektuese përdoreshin për të imituar lumenjtë dhe rrëketë. Nganjëherë përfshiheshin edhe ura. Dhe sigurisht, në qendër të gjithë kësaj ishin statujat më të rëndësishme, ato që përshkruhen në shkrimet e shenjta: një tufë delesh dhe “barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe … ruanin kopenë e tyre”2; engjëlli që u tha barinjve të mos kishin frikë dhe i cili njoftoi lindjen e Shpëtimtarit, duke sjellë “një gëzim të madh për të gjithë popullin”3; statujat e Marisë dhe të Jozefit të vendosura dukshëm përreth grazhdit.4 Më pas ishte ylli, që shkrimet e shenjta thonë se u dha gëzim të madh dijetarëve dhe i udhërrëfeu në udhëtimin e tyre drejt Jezusit.5

Ishte detyra e të gjithë pjesëtarëve të familjes që ta ngrinin skenën e Lindjes së Krishtit. Gjatë rrjedhës së disa ditëve ose edhe javëve, pak nga pak, kompleti [i skenës së lindjes së Krishtit] krijohej e mblidhej me të gjitha pjesët në vendin e tyre të duhur.

Gjatë gjithë periudhës, ne admironim skenën e Lindjes së Krishtit dhe kujtonim ngjarjet e përshkruara te rrëfimet e Mateut dhe të Llukës që e bëjnë kaq domethënës këtë kremtim. Histori u treguan rreth besimit të Marisë dhe Jozefit; rreth udhëtimit të tyre që dolën “nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhe[j] Bethlehem”6; dhe për përpjekjen që të gjenin një vend se ku të qëndronin atje.

Por më së fundi, dita e Krishtlindjes mbërrinte dhe statuja e vogël e foshnjës Jezus vendosej në grazhd dhe bashkëbisedimi atëherë drejtohej te rëndësia e Jezu Krishtit në jetën tonë, tek ajo që Ai bëri për ne7, dhe që Ai ishte dhurata më e madhe e të gjitha dhuratave.

Kjo këngë Krishtlindjeje e përmbledh ndjenjën e frymës së festimit:

“O Fëmijë nën kujdesin e Mari’s!

O Fëmijë kaq i pastër, i dëlir’!

Me kashtën e grazhdit i mbështjell’

Në atë ditë të parë të Krishtlindjes!

Shpresat e çdo race dhe epoke

Përqendrohen te rrëzëllitësja, fytyra jote!

O Fëmijë që tokën e mbush me lavdi!

O Fëmijë i lindur në përulësi!

Barinjtë që nga larg morën udhërrëfim,

Nën yll qëndruan me adhurim,

Dhe dijetarët në gjunjë ranë

Dhe Ty nderim të dhanë!

O Fëmijë për të cilin engjëjt këndojn’!

O Fëmijë i vogël, Mbreti ynë foshnj’!

Ç’balsam gjendet për çdo hidhërim

Brenda atyre syve plot shkëlqim!

O dhuratë e çmuar për këtë njerëzim

Qiellin të na jepte në trashëgim!”8

Shpëtimtari Vetë dëshmoi për dhuratën e Tij për ne: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”9.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”10

Çfarë dhurate e jashtëzakonshme; çfarë dhurate sublime!

“Periudha e Krishtlindjes është një kohë për të reflektuar dhe vepruar sipas bekimeve dhe mundësive që i kemi për shkak të lindjes, jetës, Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”11

Mendoj për bekimin e gjetjes së paqes dhe shpresës edhe mes sfidave dhe sprovave12; bekimin e udhërrëfimit hyjnor në kohë si të triumfit ashtu edhe të dëshpërimit13; bekimin e një këndvështrimi dhe qëllimi më të madh, duke e ditur dhe duke besuar se ka më shumë pas kësaj përvoje në vdekshmëri14; bekimin e mirënjohjes edhe kur kemi më pak për t’i plotësuar nevojat tona vetjake; bekimin e të qenit të ngushëlluar kur ndihemi të vetmuar15; dhe bekimin që të jemi në gjendje të japim edhe kur nuk kemi zotërime të shumta.

Këto dhe shumë bekime të tjera i kemi për shkak të Jezu Krishtit! Po, për shkak të foshnjës Jezus, që unë mezi prisja që ta vendosja në grazhd në ditën e Krishtlindjes në skenën tonë të Lindjes së Krishtit. Ai, që është dhurata jonë më e madhe, na dha bekime kaq të çmuara për shkak të jetës, shembullit, mësimeve dhe flijimit të Tij.

Atëherë pyes: Në këmbim, a nuk duhet t’i përdorim këto bekime për të ngritur barrët e të tjerëve, për t’i ndihmuar dhe inkurajuar që të lidhen me shpirtin e kësaj periudhe të shenjtë dhe të kremtojnë lajmin e mirë, të shpallur nga barinjtë gjatë Krishtlindjes së parë?

Krishti mund ta shndërrojë Krishtlindjen tonë përtej fjongove të mirësisë dhe dashamirësisë dhe t’i mbështjellë kremtimet tona me dashurinë hyjnore, që është “dashuria e pastër e Krishtit [që] nuk ka mbarim”16. “Ndonëse ndjenjat tona vijnë e ikin, dashuria e Tij për ne nuk ikën.”17 Dashuria e Tij vazhdon gjatë gjithë vitit dhe gjatë gjithë jetës sonë.

Ripërqendrimi i vëmendjes sonë te Krishti gjatë Krishtlindjes do të na sigurojë një përmasë më domethënëse të dashurisë së Tij në jetën tonë dhe një aftësi më të madhe për t’i dashur të tjerët rreth nesh dhe për t’u shërbyer atyre.

Kur e ruajmë shpirtin e Krishtlindjes, ne ruajmë Shpirtin e Krishtit. U përqendrofshim në këtë periudhë te Jezu Krishti, Drita e Botës, dhe e lejofshim vetë dritën tonë që të shkëlqejë këtë periudhë duke u dhënë të tjerëve dashurinë tonë, dhembshurinë tonë dhe shërbimin tonë!

Për shkak se Ai erdhi, ekzistenca jonë ka kuptim. Për shkak se Ai erdhi, ka shpresë. Ai është Shpëtimtari i botës dhe Ai është dhurata jonë më e madhe; për këtë ofroj dëshminë time. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.