Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Lajm i Mirë për Gëzim të Madh


14:6

Lajm i Mirë për Gëzim të Madh

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2022

E diel, 4 dhjetor 2022

Gëzuar Krishtlindjen! Faleminderit të gjithë atyre mesazhet, muzika dhe shërbimi i të cilëve kanë “lajmër[uar] një gëzim të madh” në këtë periudhë Krishtlindjeje.

Qindra miliona njerëz e festojnë lindjen e Jezu Krishtit gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje. E tërë bota duhet ta bëjë këtë gjë. Jeta e Tij ishte dhe është jeta më e madhërishme e jetuar ndonjëherë.

I.

Madje edhe me termat që i përdor bota, jeta në vdekshmëri e Jezusit të Nazaretit ka pasur një ndikim më të madh mbi këtë botë dhe historinë e saj sesa çdo jetë tjetër e jetuar ndonjëherë. Ai ka qenë subjekti kryesor i profetëve dhe poetëve për mijëra vjet. Veprat artistike dhe muzikore më të madhërishme të botës perëndimore i janë përkushtuar kremtimit të lindjes, jetës dhe misionit të Jezu Krishtit. Filozofët dhe teologët e kanë shpenzuar jetën e tyre duke studiuar mësimet e Tij. Ato mësime kanë frymëzuar vepra të panumërta bamirësie si shprehje të dashurisë së pastër të Krishtit.

Askush nuk ka pasur më shumë monumente të ngritura për jetën dhe mësimet e Tij sesa Zoti Jezu Krisht. Kjo, sigurisht, përfshin katedralet e madhërishme që mbulojnë peizazhin e Europës dhe të kontinentit amerikan, për shumë prej të cilave u desh më shumë se një shekull që të ndërtoheshin. Në kohët më të fundit, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka të përkushtuar dhe në funksionim 171 tempuj dhe 129 të tjerë në restaurim, ndërtim për herë të parë, projektim ose thjesht të njoftuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme më të fundit në tetor. Këto shtëpi të Zotit janë në çdo kontinent dhe në 74 kombe të botës. Atje ne e përkushtojmë jetën tonë që të ndjekim Jezu Krishtin.

Miliona njerëz e kanë dhënë jetën dhe, më e rëndësishmja, miliona njerëz e kanë modeluar jetën e tyre sipas Zotit, Perëndisë së Izraelit, Jehovës, Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë. Presidenti Gordon B. Hinkli nuk e theksoi më shumë se ç’duhej këtë pikë kur shpalli: “Shembulli i Tij i pashoq [ishte] fuqia më e madhërishme për mirësi dhe paqe në të gjithë botën”1.

II.

Ne mund të shohim një qëllim dhe simbol të rëndësishëm në njoftimin hyjnor të lindjes së Birit të Vetëmlindur të Perëndisë. Nga rrëfimet e Dhiatës së Re mësojmë se njoftimet e lindjes së Krishtit fëmijë në hemisferën lindore iu bënë tri grupeve të ndryshme, secili me karakteristika shumë të ndryshme. Ata që e morën njoftimin qiellor të lindjes, ishin më të përulurit, më të shenjtët dhe më të urtët.

Njoftimi i parë ishte për barinjtë në kodrat pranë Bethlehemit. Një engjëll dhe një kor qiellor shpallën se “lajmër[uan] një gëzim të madh [që do të jetë] për të gjithë popullin … një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”2.2 Barinjtë ndoshta u zgjodhën që ta merrnin këtë lajm të mirë sepse ishin zemërbutë e të përulur. Prandaj ata e pranuan në mënyrë të veçantë mesazhin e qiellit, të cilin e vërtetuan duke shkuar për ta parë të porsalindurin. Më pas shkrimi i shenjtë raporton se ata e “përhapën at[ë] që u ishte thënë për atë fëmijë”3.3 Puna e tyre si barinj dhe qengjat për të cilët kujdeseshin, që të dyja, parashikuan shembuj që Shpëtimtari i paraqiti në mësimet e Tij. Gjithashtu, kur Jezusi erdhi te Gjon Pagëzori në fillim të shërbesës së Tij, ai profet shpalli: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!”4

Njoftimi i dytë i lindjes së Mesias ishte në tempullin në Jerusalem për dy njerëz të shenjtë që punonin atje, jeta plot perëndishmëri e të cilëve i kualifikoi që të merrnin dëshminë e Frymës së Shenjtë. Kur Maria dhe Jozefi e sollën Jezusin foshnjë në tempull për të bërë flijimin e përshkruar për birin e parëlindur, Simeoni dhe Ana, që të dy, dëshmuan se Ai ishte Mesia. Shkrimi i shenjtë shënon se Simeoni e mori fëmijën në krahët e vet dhe bekoi Perëndinë që e lejoi të shihte “shpëtimin [e tij]”, një “dritë për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit [të tij], Izraelit”. Dhe Ana, “një profeteshë”, “erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem”5.

Një grup i tretë mësoi për këtë lindje mbresëlënëse. Bibla, siç u përmirësua pak nga Jozef Smithi, raporton se erdhën dijetarë nga lindja drejt Jerusalemit, duke thënë: “Ku është fëmija që ka lindur, Mesia i Judenjve? Sepse kemi parë yllin e tij në lindje dhe erdhëm për ta adhuruar”6.

Nga pyetja e tyre e shprehur ne nuk mund të dyshojmë se ata nuk i udhëhoqi Zoti për qëllimet e Tij të shenjta. Bibla na mëson se “asnjë njeri nuk i di gjërat e Perëndisë, përveçse ai që ka Shpirtin e Perëndisë”7. Këta dijetarë ishin nga një vend dhe kulturë tjetër, prandaj një dëshmi për ta ishte një kujtues se Mesia lindi për të gjithë njerëzit. Përveç kësaj, mund të ketë pasur edhe një qëllim tjetër. Vlera e arit dhe dhuratave të tjera që i bënë dijetarët, mund t’i ketë ndihmuar Marinë dhe Jozefin që të kryenin udhëtimin e tyre me nxitim drejt Egjiptit dhe të qëndronin atje për të shpëtuar Krishtin fëmijë kur jeta e Tij u kërcënua nga urdhri i lig i mbretit Herod.8

A nuk është interesante që ngjarja mrekullibërëse e lindjes së Krishtit dhe diçka për rëndësinë e asaj ngjarjeje iu bë e ditur vetëm atyre që ishin shumë të përulur, shumë të shenjtë dhe shumë të urtë? Siç dha mësim Plaku Xhejms E. Talmixh në librin Jesus the Christ [Jezusi Krishti]: “Vërtet Perëndia nxori dëshmitarë për veten e Tij për të gjitha klasat dhe gjendjet e njerëzve – dëshminë e engjëjve drejtuar të varfërve dhe të përulurve; dëshminë e dijetarëve për mbretin mendjemadh dhe priftërinjtë kryelartë të Judesë”9.

Sjellja ndër mend e Simeonit dhe Anës mund të na frymëzojë të jemi si ata dhe ta shtojmë dëshminë tonë për lindjen e shenjtë dhe qëllimin e saj në këtë periudhë Krishtlindjeje.

III.

Për ne nuk ka asgjë të re në kremtimin e lindjes së Krishtit. Mesazhi është i përjetshëm dhe i mirënjohur. Ai iu dha mësim Adamit. Iu predikua fëmijëve të Izraelit. Iu zbulua pasardhësve të Atit Lehi. Në mënyrë të përsëritur profetët i shpallën të vërtetat qendrore të mësimeve dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit. Në mënyrë të përsëritur ata e shpallën misionin e Tij dhe e dhanë mësim urdhrin e Tij që fëmijët e Perëndisë ta duan Perëndinë dhe njëri‑tjetrin dhe t’i shërbejnë Atij dhe njëri‑tjetrit. Të përsëritura përmes epokave, këto shpallje janë mesazhi më i rëndësishëm i gjithë përjetësisë. Për ata që e ndjekin Krishtin, këto shpallje nuk duhet të rishikohen. Ato duhet të ripërtërihen në jetën e secilit prej nesh.

Krishtlindja zgjon brenda nesh një dëshirë për ta shtrirë veten përtej lidhjeve tona të zakonshme të dashurisë e miqësisë. Shpallja qiellore për “paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”10, nuk u kufizua tek ata për të cilët ne tashmë kemi ndjenja dashurie dhe dashamirësie. Ajo shtriu mirëdashje ndaj miqve të rastit, të panjohurve, madje ndaj armiqve. Krishtlindja është edhe një kohë për të falur, një kohë për të shëruar plagët e vjetra dhe për të rivendosur marrëdhënie që janë prishur.

Krishtlindja është një kohë për të eliminuar arrogancën dhe provokimin, për ta zbutur kritikën, për të ushtruar durim dhe për të mos i theksuar ndryshimet mes njerëzve. Ne kemi nxitjen që t’u japim shoqërim të gjithë njerëzve, atyre që janë dhe atyre që nuk janë të besimit tonë, duke respektuar urdhrin që Perëndia e vuri profetin Moisi t’ua jepte fëmijëve të Izraelit:

“Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.

Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde.”11

Krishtlindja është një kohë për të kujtuar se ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati në Qiell i cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur që të gjithë të shëlbohen nga vdekja, dhe që ia ka ofruar bekimet e shpëtimit dhe të ekzaltimit të gjithë njerëzimit me të njëjtat kushte.

Si pasues të Krishtit, ne duhet të jemi më miqësorët dhe më të vëmendshmit e të gjithë njerëzve kudo. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se si të jenë dashamirës dhe të vëmendshëm ndaj gjithkujt. Sigurisht, ne duhet të shmangim të gjitha llojet e lidhjeve dhe veprimtarive që e vënë në rrezik sjelljen tonë ose e pakësojnë besimin dhe adhurimin tonë. Por kjo gjë nuk duhet të na pengojë në përpjekjet bashkëvepruese me njerëz të çfarëdolloj bindjeje, besimtarë dhe jobesimtarë.

Disa dekada më parë, Presidenti Tomas S. Monson tha këto fjalë:

“Barinjtë e lashtësisë kërkuan fëmijën Jezus. Por ne kërkojmë Jezusin, Krishtin, Vëllanë tonë më të Madh, Ndërmjetësin tonë me Atin, Shëlbuesin tonë, Vepronjësin e shpëtimit tonë; Atë që ishte në fillim me Atin; Atë që mori përsipër mëkatet e botës dhe për pasojë vdiq me dëshirë që ne të mund të jetojmë përgjithmonë. Ky është Jezusi të cilin ne e kërkojmë.”12

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kualifikohen në mënyrë të pashoqe për ta kremtuar mesazhin shpëtues të Jezu Krishtit gjatë gjithë vitit. Ne kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë, misioni i të cilit është që të dëshmojë për Atin dhe Birin.13 Ne jemi fëmijët e një Ati në Qiell i cili shpalli: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”14. Dhe profetët e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i cili është Zoti Perëndi i Izraelit, e kanë shpallur ungjillin e Tij.

“Se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia;

Se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen, të cilët Ati i kishte vënë nën fuqinë e tij dhe i kishte bërë prej atij;

I cili përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij.”15

Si rrjedhojë, në Kishën e Tij të rivendosur, ne shpallim “se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”16. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.