Për të Drejtët, Krishtlindje Do të Thotë që Gjithçka Do të Jetë Mirë
Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2022
E diel, 4 dhjetor 2022
I falënderoj Presidentin Nelson dhe Presidencën e Parë për privilegjin që të flas sonte. Familja jonë i ka festuar traditat e Krishtlindjes në vendin tonë dhe në Francë, Gjermani dhe Brazil. Kudo ku jetojmë, për të gjithë ne që besojmë te Jezu Krishti dhe e ndjekim Atë, një e vërtetë e bukur mbetet njësoj: ne gëzohemi që Ai që u thirr nga fillimi, Ai që u prit për shekuj, Ai që qe i Vetëmlinduri i Atit, Ai erdhi – në meridianin e kohës, në kushtet më të përulura – Ai erdhi. Dhe për shkak se Ai erdhi, miliarda njerëzit që kanë jetuar mbi këtë tokë, do të jetojnë përsëri dhe munden, nëse e zgjedhin, të trashëgojnë jetën e përjetshme, më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.
Brenda tregimit të bukur të lindjes së Tij në kohën e Krishtlindjes, ka shumë mësime që mund të nxjerrim.
Këtu është mësimi që do të ndaja me ju sonte: Me gjithë shqetësimin dhe pasigurinë, vështirësitë dhe telashet që na ndjekin këtu në jetën tonë në vdekshmëri, për ata që janë të drejtë, që kanë besim dhe mirëbesim te Zoti, në fund, gjithçka do të jetë mirë.
Mendoni për këta shembuj të bukur.
Një grua e drejtë që quhej Elizabeta, dhe bashkëshorti i saj, Zakaria, tani në vitet e tyre të pleqërisë, qenë të trishtuar që nuk ishin bekuar me fëmijë. Prapëseprapë ata qenë besnikë dhe mirëbesuan te Zoti.
Ndonëse shkrimet e shenjta nuk shënojnë atë që Zakaria dhe Elizabeta mund të kenë ndier dhe t’i kenë thënë njëri-tjetrit, drama muzikore Savior of the World [Shpëtimtari i Botës] na ndihmon të reflektojmë për atë që mund të kenë pasur në zemër ata. Zakaria i deklaron Elizabetës: “Ne nuk jemi zgjedhur për të pasur fëmijë. Por gjithsesi mirëbesojmë te Zoti.” Dhe më pas ata këndojnë: “Do t’i lë Perëndisë gjithë kohën, por jo që të bëjë vullnetin tim. … Dhe në mos u bëftë, t’i lë Atij gjithë kohën do të thotë se do të pres e do të shoh. … Do … ta lë Atë të më drejtojë … derisa orët e mia, derisa ditët e mia, derisa vitet e mia të mbarojnë.”1
Më pas ndodhi një mrekulli. Shkrimet e shenjta shënojnë se në tempull, engjëlli Gabriel iu shfaq Zakarias. Engjëlli deklaroi: “Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon. … Dhe do t[’i] … bë[jë] gati Zotit një popull të përgatitur mirë.”2
Zakaria u përgjigj: “Unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë”3.
Gabrieli u përgjigj: “Sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia”, “ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur … këto gjëra … do të përmbushen”4.
Mendoni për ndjenjat që mund t’i kenë kapluar Elizabetën dhe Zakarian. Prej vitesh ata qenë lutur për fëmijë, por nuk u kishte ardhur asnjë. Ata vazhduan t’i zbatonin urdhërimet dhe të mirëbesonin te Zoti. Më pas, një engjëll iu shfaq Zakarias, por pas kësaj, ai nuk mund të fliste. Ai mund ta ketë pyetur veten se ku qëndronte përpara Zotit. Por në kohën e duhur, foshnja u lind. Zakaria mundi të fliste përsëri. Dhe foshnja u bë Gjoni, profeti, i cili përgatiti udhën për Shpëtimtarin. Me gjithë pasigurinë dhe vështirësinë, për të drejtët, në fund, gjithçka është mirë.
Më tej, në historinë e Krishtlindjes, ne takojmë Marinë e dashur, e zgjedhur për të qenë nëna e Birit të Perëndisë. Dhe prapë ka shqetësim dhe pasiguri në jetën e saj. Gabrieli iu shfaq Marisë, duke i treguar për thirrjen e saj fisnike. Maria pyeti: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”5 Gabrieli shpjegoi se fuqia e Frymës së Shenjtë do të vinte mbi të dhe pushteti i Shumë të Lartit do ta mbulonte me hijen e vet, dhe ajo do të ngjizej me Birin e Perëndisë, dhe emri i Tij do të ishte Jezus.
Mendoni se çfarë gëzimi dhe lumturie duhet të ketë ndier ajo që u vizitua nga një engjëll i Perëndisë. Sa përulëse duhet të ketë qenë ndërsa ajo mendonte për faktin se do të ishte nëna e Mesias së shumëpritur. Dhe prapëseprapë, pasi ia tregoi Jozefit, nuk u zgjidh gjithçka. Jozefi ishte një njeri i drejtë dhe nuk donte ta bënte me turp Marinë, por ishte i pasigurt për shtegun e duhur që duhej të ndiqte. Gjatë shqetësimit dhe pasigurisë së tij, një engjëll i erdhi në një ëndërr: “Jozef, … mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.”6
Sigurisht, ne mund ta kuptojmë pse Maria ishte e trazuar dhe e pasigurt, duke e pyetur veten se si do të ndodhte ky bekim më se i mahnitshëm. Jozefi gjithashtu ishte i shqetësuar dhe i pështjelluar. Prapëseprapë, tani ishte e qartë se ata duhej ta bënin këtë rrugë së bashku. Sa e lumtur duhej të ketë qenë Maria kur mori vesh se një engjëll i qe shfaqur Jozefit. Sa i lumtur duhet të ketë qenë Jozefi kur mori vesh se ky ishte vullneti i Perëndisë. Me gjithë pasigurinë dhe vështirësinë, për të drejtët, në fund, gjithçka është mirë.
Por sikurse e dimë, kishin ende vështirësi përpara; gjithnjë ka. Ndërkohë që Marisë i afrohej koha për të lindur, romakët i kërkuan Jozefit të kthehej në qytetin e Bethlehemit. Maria dhe Jozefi vendosën që do të shkonin së bashku. Ne të gjithëve na pëlqen pa masë historia e bukur e Krishtlindjes. Pasi mbërritën në Bethlehem, nuk kishte vend në han. Çfarë shqetësimi duhet të ketë ndier Jozefi! Si mund të ndodhte kjo? Pse Marisë, së zgjedhur mbi të gjitha gratë, do t’i duhej ta lindte Birin e Shumë të Lartit në kushtet e një stalle? A do të ishte lindja pa probleme ose ndërlikime?
Mund të jetë dukur diçka aq befasuese, aq e padrejtë. Por foshnja u lind; Ai ishte i shëndetshëm. Ashtu siç tregohet në këngën e bukur të Krishtlindjes: “Larg në një koritë, pa shtrat e dyshek, I vogli Zot Jezus, ja kokën mbështet”7.
Përpara se nata të mbaronte, një engjëll iu shfaq barinjve në fushë duke u lajmëruar atyre një gëzim të madh. Dhe engjëjt kënduan: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”8
Barinjtë shkuan në Bethlehem për të gjetur Jezusin foshnjë. Dhe kur e gjetën Krishtin foshnjë, çfarë ngushëllimi dhe sigurie duhet të kenë ndier Jozefi dhe Maria kur e kuptuan se vështirësia që i kishte rrethuar, e kishte një qëllim. Engjëjt e kishin shpallur ardhjen e Tij dhe misionin e Tij fisnik. Pas mundimit dhe pasigurisë, për të drejtët, në fund, gjithçka është mirë.
Në botën e re, telashet, pasiguritë dhe shqetësimet i shoqëruan të drejtët po ashtu. Profeti Samuel kishte profetizuar se lindja e Shpëtimtarit do të ndodhte në të ardhmen pas pesë vjetësh dhe se do të kishte një shenjë me një natë të tërë pa errësirë. Ndërsa dita afrohej, qe planifikuar të ndodhte diçka e pamenduar. “Një ditë [qe] caktuar nga ata që nuk besonin, [të cilët deklaronin se kishte kaluar koha], që të gjithë ata që besonin [se Shpëtimtari do të vinte, do të] duhej të vriteshin, në qoftë se nuk do të vërtetohej shenja.”9 Ata që nuk besonin, i përqeshnin besimtarët: “Gëzimi juaj dhe besimi juaj në lidhje me këtë gjë, qenë të kotë”10. Imagjinojeni ankthin dhe shqetësimin e të drejtëve. Shkrimet e shenjta thonë që Nefi “u përkul përdhe dhe iu lut me gjithë fuqi Perëndisë së tij, në emër të popullit të tij”11. Dhe ndërsa Nefi po lutej, “zëri i Zotit i erdhi duke thënë: ‘Ngrije kokën dhe mos e humb kurajën, pasi vër re, koha është afër dhe në këtë natë shenja do të jepet dhe nesër unë do të vij në këtë botë’”12.
Shkrimet e shenjta shpallin: “Fjalët që i erdhën Nefit u plotësuan, … pasi vini re, me perëndimin e diellit nuk pati errësirë. … [Dhe] të gjithë njerëzit … ishin jashtëzakonisht kaq të mahnitur, sa ranë përdhe. … [Dhe] atë natë nuk pati errësirë, por kishte kaq dritë sikur të ishte mesditë. … Dhe ata e dinin se ajo qe dita që Zoti do të lindte.”13
Me gjithë vështirësitë dhe pasigurinë, për të drejtët, – për ata që mirëbesojnë te Perëndia – në fund, qoftë në këtë jetë ose kur të gjunjëzohemi te këmbët e Tij, gjithçka do të jetë mirë.14
Duke menduar rreth kohës së shenjtë të lindjes së Shpëtimtarit, pse do të priste Zoti pikërisht deri natën e fundit për t’i thënë Nefit se Ai do të lindej të nesërmen? Ai mund t’ia kishte thënë atij javë ose muaj më parë. Pse lejoi Ai që Elizabeta dhe Zakaria të plakeshin pa fëmijë përpara se t’u pohonte që profeti Gjoni do t’u lindte atyre? Dhe pse nevojitej që Maria ta vriste mendjen për vendimet që duhej të merrte, dhe që Jozefi ta vinte në dyshim vendin e tij në historinë më të rëndësishme që ekziston? Pse roli i grazhdit dhe i barinjve dhe i engjëjve duhej të mos dihej derisa ngjarjet të ndodhnin?
Në jetën para lindjes, Zoti shpalli: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”15. Dhe te Fjalët e Urta: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”16
Në periudhat tona të pasigurisë, në ditët tona të telasheve dhe vështirësive, në mundimet tona, le të jemi besnikë. Jezusi erdhi atë natë të shenjtë. Ai është Shpëtimtari i botës, Princi i Paqes, Mbreti i Mbretërve. Ai jeton dhe “shpresat, frika e gjith’ kohës mblidhen në [Të] sonte”17. Dëshmoj se, kur jemi të drejtë, të gjithë lotët tanë të pikëllimit, vështirësisë dhe pasigurisë do të thahen dhe shlyhen nga Ai, Biri i dashur i Perëndisë. “Botës gëzim, ka ardh’ Zoti.”18 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.