Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Krishti u Lind të na Shpëtojë


9:37

Krishti u Lind të na Shpëtojë

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2023

E diel, 3 dhjetor 2023

Më pëlqen shumë Krishtlindja! Tregimi nga shkrimet e shenjta, muzika dhe ndjenjat e mirëdashjes dhe bujarisë duket sikur e përmbytin një pjesë të mirë të tokës gjatë kësaj kohe të shenjtë.

Përgjatë viteve, bashkëshortja ime dhe unë kemi qenë në disa vende gjatë periudhës së Krishtlindjes. Na ka pëlqyer shumë të shohim zakonet e larmishme dhe mënyrat e ndryshme se si kremtohet Krishtlindja. Të menduarit rreth këtyre përvojave më ndihmoi të kuptoja se Krishtlindja është për cilindo. Ajo është për fëmijët, prindërit, gjyshërit, tetot, ungjit dhe kushërinjtë. Është për ata njerëz, jeta e të cilëve po shkon mirë, dhe për ata që jetojnë me sëmundje, varfëri dhe sprova. Është për ata që janë prekur nga tmerret e luftës, dhe për ata që jetojnë në rrethana paqësore dhe të begata. Është për ata që po përpiqen ta ndjekin Shpëtimtarin, për ata që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Tij, madje edhe për ata që nuk e pranojnë Atë. Është gjithashtu për ata që jetuan përpara se Ai të lindte. Krishtlindja është për cilindo!

Krishtlindja është për cilindo, sepse Perëndia dërgoi Birin e Tij për të gjithë ne dhe secilin prej nesh.1 “Sepse na ka lindur një fëmijë.”2

Për shkak se Shpëtimtari lindi, jetoi një jetë pa mëkat, shleu për ne dhe u ringjall, secili prej nesh e merr dhuratën e madhërishme të ringjalljes prej së vdekuri. As edhe një shpirti që ka jetuar ose do të jetojë ndonjëherë në tokë, nuk i mohohet kjo dhuratë e jashtëzakonshme. Përveç kësaj dhurate “syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar … ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”3.

Pavarësisht nga periudha kohore apo rrethanat, lindja e Shpëtimtarit ka qenë gjithmonë një arsye për t’u gëzuar. Ai erdhi për t’i ofruar secilit prej fëmijëve të Atit Qiellor “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”4.

Nga koha e Adamit dhe Evës, njerëzit e drejtë e kanë pritur me padurim lindjen e Shpëtimtarit, i cili e bën të mundur përmbushjen e planit të Atit për fëmijët e Tij.5 Isaia dhe Nefi profetizuan për lindjen e Tij në kontekstin e misionit të Tij.6 Lindja e Tij nuk mund të veçohet nga arsyeja se pse Ai erdhi në tokë.

Mendoni për Anën dhe Simonin, të cilët e panë foshnjën Jezus dhe kuptuan se kjo foshnjë ishte “dritë për të ndriçuar”7 gjithë botën dhe shpresa për shpengimin8. Nuk është çudi që engjëlli e shprehu mesazhin kështu: “Një gëzim [i] madh për të gjithë popullin”9. Ne gëzojmë sa herë që lind një foshnjë, por lindja e kësaj foshnje ishte ndryshe.

Jezu Krishti, vetë drita dhe jeta e botës, lindi si një foshnjë në një stallë të thjeshtë e megjithatë një yll i ri e sinjalizoi lindjen e Tij. Libri i Mormonit tregon një ngjarje të bujshme – një ditë, një natë dhe një ditë pa errësirë, e cila sinjalizoi ardhjen e Tij. Këto shenja të mrekullueshme u dhanë për të lajmëruar ardhjen e Dritës së Botës10, i cili do të na çlironte nga errësira e mëkatit dhe vdekjes. Ne mund të ndihmojmë që ta shpërndajmë dritën e Tij me botën.

Në periudhën e Krishtlindjes, edhe fëmijët e vegjël mund t’i ndiejnë ndikimin dhe pasojat e dashurisë së Shpëtimtarit tonë. Disa vjet më parë, njëra nga bijat tona, Sonja, shkroi rreth një bashkëbisedimi që ajo pati me djalin e saj pesëvjeçar.

Ajo shkroi: “Endrju më tha sonte kur po e vija në shtrat: ‘Vitin tjetër nuk do të përqendrohem kaq shumë te dhuratat, por tek ajo që do t’i jap Jezusit’. E pyeta se nga i erdhi kjo ide dhe ai më tha se i erdhi nga mësuesja e tij e Fillores. Një urra për Filloren!”11

Po. Urra për Filloren! Tani, 14 vjet më vonë, Endrju po shërben në një mision dhe po e kalon këtë periudhë Krishtlindjeje duke ua dhënë mesazhin e Jezu Krishtit të tjerëve. Ai shkroi së fundi: “Jezusi na ka dhënë gjithçka; … [dhe] do t’i marrë të gjitha mëkatet tona. Prandaj jam këtu në mision.”12

Periudha e Krishtlindjes është një kohë e veçantë për të menduar për atë që është më e rëndësishme për t’u dhënë. Mund të jemi në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët ta ndiejnë “drithërimën e shpresës”13 që vjen nga njohja e Shpëtimtarit dhe ofrimi i zemrës sonë Atij.

Vajza jonë Alisa ndërroi jetë nga kanceri disa vjet më parë dhe më pëlqen tej mase këndvështrimi i saj për Krishtlindjen, ndonëse po përballej me një parashikim të zymtë për gjendjen shëndetësore. Një vit ajo shkroi:

“Më bënë një surprizë për Krishtlindje. Një surprizë të madhe fare. … Mora një mesazh me postë elektronike pikërisht përpara Krishtlindjes nga infermieri te zyra e onkologjistit tim. Aty thuhej: ‘Gëzuar Krishtlindjen, tumori yt rezultoi pozitiv ndaj një mutacioni [të caktuar gjenetik]’. … Çfarë do të thotë kjo për mua? Ata miratuan … një mjekim … që ndërhynte në rrugët sinjalizuese të qelizës së kancerit [për disa që e kanë atë mutacion]. Nuk është një kurë, por një ilaç mrekullibërës që mund ta tkurrë … tumorin shpejt. … Për fat të keq, trupi si përfundim, gjen një mënyrë kundërvepruese dhe kanceri kthehet sërish. … Por u ndjeva sikur dikush sapo më kishte dhuruar disa muaj jetë më tepër. Dha se mund të ishin? … Një stinë vere më tepër? Një periudhë festive më tepër me fëmijët e mi? Qava kur e hapa mesazhin e postës elektronike dhe e falënderova Perëndinë për surprizën më të mirë që kisha marrë ndonjëherë.”14

Alisa mundi të kalonte më shumë kohë të vyer me familjen e saj. Ajo tregoi një përvojë që pati familja e saj ndërkohë që i çuan një dhuratë anonime një fqinji për Krishtlindje. Ajo ilustron se jo çdo hollësi e dhënies së dhuratave prej nesh mund të jetë përherë e përsosur. Ajo shkroi:

“Lamë te dera në fshehtësi … një dhuratë dje në mbrëmje. Djemtë planifikuan lëvizjet e tyre më të mira të largimit dhe vendet e fshehjes.

‘Por në rast se na shohin …’, – tha Semi seriozisht dhe dy të tjerët u afruan me ankth. ‘Bëjmë mirë të mbajmë ca topa bore në dorë.’

Xhejmsi e kuptoi. ‘Mirë. Për t’ia hedhur derës që ajo të mbyllet?’

‘Jo’, – [u përgjigj Semi], ‘t’ia hedhim në fytyrë.’”15

Alisa pati një ndërveprim më të butë me djalin e saj më të vogël, Lukën, i cili ishte vetëm gjashtë vjeç atëherë. Ajo shkroi:

“Sonte, teksa ishim shtrirë në shtratin e tij të ndriçuar nga vargje dritash ngjyra‑ngjyra mbi dritaren e tij, e pyeta … : ‘Mirë, çfarë dhurate do?’

‘Epo, mund të mendoj për diçka.’

‘Hë?’

‘Ajo mund të përdoret në të gjitha periudhat.’

‘Hë?’

Një heshtje dramatike. ‘Një përqafim dhe një puthje nga mami.’

Ajo përgjigje meritonte 100 puthje të vockla dhe përqafime të mëdha në vend. ‘Ç’thua Luka, po ti mund t’i kesh këto sa herë të duash!’

Por ndërsa po dilja nga dera, zemra m’u ndrydh paksa. Mendoj se kjo mund të mos jetë medoemos e vërtetë. Ndihem shumë mirënjohëse që këtë vit ai mund ta ketë atë gjë dhe dhuratat gjithashtu.”16

Më prekën veçanërisht shumë mendimet e Alisës rreth shpresës lidhur me Krishtlindjen. Ajo shkroi:

“Më ka magjepsur shpresa këtë periudhë. Teksa mendoj për mrekullinë e Krishtit dhe dhuratat e shumta të Perëndisë, ndiej shpresë për gjithçka dhe cilindo. Jo detyrimisht atë lloj shprese se çdo gjë do të jetë e përsosur, por se çdo gjë do të shkojë mirë dhe se, si përfundim, mirësia triumfon. Në jetën e të gjithëve ne. Mendoj se nuk është kurrë tepër vonë për mrekulli, për ndryshim, për paqe. Këtë e besoj vërtet thellë së brendshmi dhe me plot bindje. E pranoj se duket më e lehtë ta ndiej këtë shpresë për të tjerët dhe më e vështirë për ta zbatuar atë te vetja. Por po mësoj. ‘T’i besoj të gjitha gjërat, t’i shpresoj të gjitha gjërat, t’i duroj të gjitha gjërat.’ Thjesht. Bukur!”

Duke folur për djalin e saj, ajo vijoi: “Xhejmsi në Vigjiljen e Krishtlindjes luajti për mua [një këngë Krishtlindjeje dhe mua] më pëlqejnë shumë fjalët e kësaj kënge:

‘Gëzohuni të krishterë të mirë,

Me zemër, me shpirt e me zë,

Varri s’ka pse t’ju frikësojë më:

Paqe! Paqe!

Jezu Krishti u lind të na shpëtojë!

Ty të thërret dhe ne na thërret,

Të gëzojmë banesën e Tij të përjetshme:

Krishti u lind të na shpëtojë!

Krishti u lind të na shpëtojë!’”17

Ai lindi të na shpëtojë. T’ju shpëtojë ju dhe të më shpëtojë mua. Çfarë dhurate e pakrahasueshme që mund të jepet vetëm nga Ai! Pavarësisht nga rrethanat tona të tanishme, i dallofshim më plotësisht dhuratat e Tij në jetën tonë këtë periudhë Krishtlindjeje!

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.