Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Krishti, Shpëtimtari Ynë, u Lind


12:24

Krishti, Shpëtimtari Ynë, u Lind

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2023

E diel, 3 dhjetor 2023

Të dashur vëllezër e motra, Gëzuar Krishtlindjen!

Jemi mirënjohës që mblidhemi me Presidencën tonë të Parë të dashur në këtë takim shpirtëror për Krishtlindje. Kudo qofshi në këtë periudhë Krishtlindjeje, e ndjefshi dashurinë e Perëndisë teksa e kremtojmë Jezu Krishtin si zemrën e Krishtlindjes!

Krishtlindja është një kohë muzike, aromash, shijesh, pritjeje dhe bujarie. Një kohë mbledhjeje, qoftë nëse jetojmë afër apo larg.

Shpesh Krishtlindja bëhet Krishtlindje kur ua sjellim pa zhurmë gëzimin e Krishtlindjes të tjerëve. Shumë familje bëhen zëvendëse të Babagjyshit. Shumë individë e ndriçojnë botën me dritën e Jezu Krishtit.

Një kujtim Krishtlindjeje kur e risjell në mendje, është një kujtim Krishtlindjeje që përtërihet. Të mbivendosur mbi njëri-tjetrin, kujtimet e Krishtlindjes bëhen tradita, të cilat mund ta thellojnë dashurinë tonë për Jezu Krishtin, Qengjin e Perëndisë, Birin e Atit të Amshuar, Shpëtimtarin e Botës.1

Nëse keni kujtime të parapëlqyera të Krishtlindjes, i shijofshi gëzueshëm ato këtë periudhë! Nëse po krijoni ende tradita tuajat të Krishtlindjes, e thellofshin ato dashurinë tuaj për Jezu Krishtin dhe ju bekofshin çdo vit!

A mund t’ju tregoj tri tradita të parapëlqyera të Krishtlindjes të familjes Gong?

Së pari, çdo vit, Motrës Gong dhe mua na pëlqen të shohim sërish zbukurimet e Krishtlindjes që tregojnë historinë tonë familjare.

Kur ishim çift i martuar në moshë të re, Motra Gong dhe unë po kryenim studimet pasuniversitare në Angli. Jetonim në një banesë të vogël me një buxhet të ngushtë studentor. I numëronim qindarkat përpara se të blinim një pemë shtrembaluqe Krishtlindjeje saqë edhe [të vuajturit] Çarli Braunit do t’i vinte keq.

Si krijuese që ishte përherë, Motra Gong përdorte kapëse rrobash druri për të krijuar ushtarë britanikë të vegjël si zbukurime për pemën tonë të Krishtlindjes. Ajo u vinte të gjithëve nga një kapele të leshtë të zezë dhe një buzëqeshje.

Për 43 vjet, këta ushtarë britanikë prej kapëse rrobash kanë qëndruar gatitu në pemën tonë të Krishtlindjes. Ata na kujtojnë Krishtlindjen tonë të parë si çift i martuar, larg shtëpisë, si dhe çdo Krishtlindje pasardhëse.

Familja e djalit tonë bëri këto figura të vogla me kapëse rrobash prej druri. Ato ilustrojnë misionarët në mbarë botën. A ua shihni buzëqeshjet? Veshjet ndërkombëtare? Etiketat e emrit? Më thanë se njërin e kanë bërë si unë.

Zbukurimet tona të Krishtlindjes i përtërijnë kujtimet e ngrohta të miqve dhe përvojave në shumë vende. Parada e lumtur dhe e larmishme e kujtimeve të Krishtlindjes çdo vit na bën të buzëqeshim.

Profeti Alma dëshmon se toka që lëviz në mënyrë të rregullt, tregon se ka një Perëndi. Krishtlindja shenjon një pikëtrajektore të njohur në rrotullimet vjetore të tokës rreth diellit çdo 365,25 ditë. Kur ky rrotullim vjetor na çon te periudha e çmuar e Krishtlindjes çdo vit, unë mendoj për atë që shkroi autori E. B. Uajt, tek eseja “Unaza e Kohës”2.

Ai sugjeron se vetëm me anë të përvojës e kuptojmë se “koha në fakt nuk lëviz në një mënyrë rrethore aspak”. Unaza e kohës mund të duket “e formuar plotësisht, e pandryshueshme, e parashikueshme, pa fund ose fillim”. Por vetëm kur jemi të rinj imagjinojmë se mund të kryejmë një rreth të plotë dhe të mos përfundojmë më të vjetër se koha kur e nisëm.

Për mua, ardhja ime në çdo Krishtlindje disi i njëjtë dhe disi ndryshe tregon se si koha (dhe hapësira) mund të jenë njëherësh një vijë e drejtë ose një rreth. Se si një “shteg [i] ngushtë dhe [i] ngushtuar”3 dhe një “rreth i përjetshëm”4 mund të jenë përshkrime plotësuese të një realiteti besëlidhjesh me qendër te Krishti, fëmija që lindi në Bethlehem.

Në këtë mënyrë, për mua, pjesë e magjisë së Krishtlindjes është të jesh një fëmijë dhe i rritur në të njëjtën kohë. Ne gëzohemi si të rritur nga ajo që tani gëzon fëmijën që ne ishim dikur. Fëmija brenda nesh gëzon teksa krijojmë dhe rikrijojmë kujtime dhe tradita së bashku.

Një traditë e dytë e parapëlqyer e Krishtlindjes së familjes Gong, është ekspozimi i skenës prej familjes sonë të lindjes së Krishtit, paraqitje e lindjes së fëmijës së shenjtë, Krishtit.

A nuk ju pëlqen se si skenat e Krishtlindjes përqendrohen te Jezu Krishti, duke na ftuar të bëjmë edhe ne ashtu? Siç e tha një misionar i kthyer nga misioni: “Përpara misionit tim, Jezu Krishti ishte pjesë e jetës sime. Tani, Ai është jeta ime.”

Skenat e familjes sonë të lindjes së Krishtit vijnë në çdo përmasë dhe mjedis të përfytyrueshëm, të krijuar nga çdo material i përfytyrueshëm, nga çdo vend i përfytyrueshëm. Secila prej tyre dëshmon për Jezu Krishtin dhe bekimin e Tij te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull.

Ne e adhurojmë faktin që fëmijët e Perëndisë kudo i paraqesin Jezusin foshnjë, Marinë, Jozefin, dijetarët, barinjtë dhe kafshët me mjedise, veçori e hollësi që janë të njohura e lidhen me ta. Ato na kujtojnë edhe se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij; ne e shohim dashurinë e Perëndisë te veçoritë e skenave tona të lindjes së Krishtit, pavarësisht se ku bëhen.

Një traditë e tretë e parapëlqyer e familjes Gong, përveç leximit së bashku të rrëfimeve nga shkrimet e shenjta për lindjen e Shpëtimtarit tonë, është leximi si familje me zë të lartë i veprës së Çarls Dikensit “Një Këngë Krishtlindjeje”.

Nëse vë një shall dhe një kapelë cilindër, a më imagjinoni dot, për një çast, si Ebënizër Skruxhi te “Një Këngë Krishtlindjeje”?

Ka vite kur familja jonë e lexon veprën “Një Këngë Krishtlindjeje” nga fillimi në fund. Ne trazojmë çokollatën tonë të nxehtë me kërrabat e sheqerit dhe qeshim kur përmenden “mollët e Norfolkut” dhe pija “peshkopi i tymosur”. Na hipin dridhmat kur fantazma e Xhejkob Marlit vringëllin zinxhirët e tij. Ne marrim zemër kur shpirtrat e Krishtlindjes të së Shkuarës, të së Tashmes dhe të së Ardhmes e ndihmojnë Ebënizër Skruxhin të bëhet një njeri i ri.

Ka vite kur familja jonë lexon një variant të përmbledhur shkurt të veprës “Një Këngë Krishtlindjeje” nga djali ynë dhe bashkëshortja e tij për t’iu përshtatur kohëzgjatjes së përqendrimit të pjesëtarëve më të rinj të familjes.

Ka vite që, me buzëqeshje dhe humor të mirë, familja jonë lexon veç dy rreshta nga “Një Këngë Krishtlindjeje”. Aty thuhet vetëm “Eh, gjepura!” dhe “Perëndia na bekoftë, të gjithëve ne!”

Çarls Dikensi filloi ta shkruante veprën “Një Këngë Krishtlindjeje” në tetor dhe e përfundoi në fillim të dhjetorit të vitit 1843, një periudhë prej vetëm gjashtë javësh. Tirazhi i parë i botimit prej 6 000 kopjesh u publikua në Londër më 19 dhjetor 1843. Të gjitha kopjet u shitën përpara Vigjiljes së Krishtlindjes.

Ata që dokumentuan rrethanat historike të veprës “Një Këngë Krishtlindjeje”, shpjegojnë se Çarls Dikensi po shkruante në një kohë kur Anglia në periudhën viktoriane po e vinte në pikëpyetje domethënien e Krishtlindjes. Çfarë roli mund apo duhej të luante në shoqëri periudha e Krishtlindjes, pemët e Krishtlindjes, urimet për Krishtlindje, mbledhjet familjare për Krishtlindje, kartolinat e Krishtlindjes, madje edhe këngët e Krishtlindjes?

Në një kohë kur shumë u ndien të trazuar, të izoluar dhe të vetmuar, vepra e Dikensit “Një Këngë Krishtlindjeje”, trajtoi një dëshirim të thellë për miqësi, dashuri dhe vlera ankoruese të krishtera, ashtu siç Ebënizër Skruxhi gjeti paqe dhe shërim tek e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e tij.

Atëherë si edhe tani, domethënia e vërtetë e Krishtlindjes na afron më shumë te Jezu Krishti, foshnja që lindi në një grazhd. Jezu Krishti e di sipas mishit se si të na ndihmojë me një zemër të mbushur me mëshirë. Atëherë si edhe tani, Krishtlindja kremton përkatësinë në besëlidhje, vëllazërinë dhe bashkësinë në Jezu Krisht dhe me njëri-tjetrin.

Më lejoni të bëj një pyetje tjetër lidhur me veprën “Një Këngë Krishtlindjeje”. Kur mendojmë rreth Skruxhit, pse mendojmë fillimisht për një koprrac idhnak e të moshuar, dikë që e përqesh Krishtlindjen si një gjepur të madhe?

Pse nuk e vlerësojmë më shumë Skruxhin e ndryshuar? Skruxhin e ri që dërgon bujarisht gjelin e detit, më të madhin, si surprizë për Krishtlindje? Skruxhin e ri, i cili pajtohet me nipin e tij buzagaz, Fredin? Skruxhin e ri, që ia rrit pagën Bob Kraçit dhe kujdeset për Timin e Vocërr?

Le të tallen skeptikët. Skruxhi i ri “bëri gjithçka dhe më shumë”. Ai u bë njeriu më i mirë dhe miku më i mirë që ishte parë ndonjëherë.

Pra, pse nuk mbajmë mend atë z. Skruxh? A ka nga ata mes nesh, ndoshta ne vetë, që mund të bëhen një njeri tjetër po të mos i paragjykojmë ose t’i shohim si stereotip të personit që kanë qenë dikur?!

Asnjë njeri dhe asnjë familje nuk është e përkryer. Çdonjëri prej nesh ka anë të dobëta dhe faje, gjëra që do të donim t’i bënim më mirë. Këtë Krishtlindje, ndoshta mund t’i pranojmë dhe t’u ofrojmë të tjerëve dhe vetes dhuratat e çmuara të ndryshimit dhe pendimit, faljes dhe harresës që na dha Jezu Krishti.

Le të bëjmë paqe me vitin e kaluar! Ta hedhim tej angështinë emocionale dhe zhurmën, fërkimet dhe bezditë që na e koklavitin jetën. I dhënshim njëri-tjetrit mundësi të reja në vend që të fiksohemi te kufizimet tona të shkuara! Le t’i japim Skruxhit të ri brenda çdonjërit prej nesh, një mundësi për të ndryshuar.

Shpëtimtari ynë erdhi në Krishtlindje për të çliruar robërit dhe jo vetëm ata që ishin në burg. Ai mund të na çlirojë nga fantazmat e së shkuarës, të na lirojë nga zinxhirët dhe brengat prej mëkateve tona dhe të të tjerëve. Ai mund të na shëlbojë nga vetja jonë egoiste nëpërmjet rilindjes tek Ai.

“Sepse sot … lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.”5

Pra, Gëzuar Krishtlindjen!

Qofshin traditat dhe kujtimet tona të Krishtlindjes të gëzueshme dhe të ndritura!

Gëzofshim në Jezu Krishtin, për Krishtlindje dhe për çdo ditë!

Dëshmoj për Të plot gëzim, në emrin e Tij të shenjtë dhe të shenjtëruar, Jezu Krishtit, amen.