Takime Shpirtërore për Krishtlindje
“O Ejani ta Adhurojm’”


11:38

“O Ejani ta Adhurojm’”

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2023

E diel, 3 dhjetor 2023

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë gëzimi është të nisim një periudhë tjetër Krishtlindjeje kur përkujtojmë lindjen e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Zotit Jezu Krisht.

Ajo është një ngjarje e shenjtë çdo herë që lind një fëmijë. Shikojeni reagimin e njërit prej stërnipave tanë teksa e mban në krahë vëllanë e tij të vogël për herë të parë.

[video]

Nuk është çudi që në natën më të shenjtë, më shumë se 2000 vjet më parë, afër qytezës së vogël të Bethlehemit, ushtritë qiellore kënduan nga gëzimi! Një engjëll u mësoi barinjve këtë të vërtetë të mrekullueshme:

“Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin.

Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.”1

Dhe tani vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, “Ejani ta adhurojm’”2 Atë.

Si shumë prej jush, Krishtlindja ka ndryshuar për mua përgjatë viteve. Kujtimet e mia të fëmijërisë janë gdhendur gjatë periudhës së Depresionit të Madh të viteve 1930. Paratë ishin të pamjaftueshme. Dhuratat ishin kryesisht të shtrenjta.

Prindërit e mi e bënin Krishtlindjen magjike për mua dhe vëllezërit e motrat e mia. Çdo vit ne bëheshim “zëvendës të Babagjyshit” për një familje tjetër. Përgatitnim dhurata të përshtatshme dhe ua dorëzonim në Vigjiljen e Krishtlindjes. Teksa largoheshim nga shtëpia e tyre, duart përshëndetëse dhe fytyrat e tyre të përlotura na sillnin gëzimin e vërtetë të të dhënit.

Më pëlqente shumë muzika e Krishtlindjes atëherë dhe më pëlqen ende. Çdo vit, Motrës Nelson dhe mua na pëlqen shumë të dëgjojmë dhe të këndojmë Mesian nga Hendeli. Më pëlqen tepër kuptimi i fjalës hebraike hallelujah. Fjalë për fjalë do të thotë: “Lavdi Zotit, Perëndisë Jehova”3. Fjalët e kënduara në këtë oratorio, nuk gjejnë zbatim vetëm për lindjen e Zotit por edhe për mbretërimin e Tij mijëvjeçar:

“Sepse na ka lindur një fëmijë,

një djalë na është dhënë.

Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria

dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm,

Perëndi i fuqishëm,

Atë i përjetshëm,

Princ i paqes.”4

Ishte gjatë viteve të mia si i ri në moshë madhore kur fillova të fitoja një dëshmi të thellë për Perëndinë Atin dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin. Arrita të kuptoja vetë se Jezu Krishti u lind nga virgjëresha Mari, e cila ishte “një enë e çmueshme dhe e zgjedhur”5. E dija se Ai është vërtet Biri i Perëndisë6 dhe figura qendrore në të gjithë historinë njerëzore.

Thjesht mendoni për përmasën e paimagjinueshme të asaj që kreu Jezu Krishti – gjithçka sipas vullnetit të Atit të Tij! Jezusi ishte tashmë një Perëndi kur Ai zbriti që të vinte në tokë për të kryer bëmën më vendimtare për secilin prej nesh. Një bëmë që ishte mirëfilli jetëshpëtuese dhe jetëndryshuese. Një bëmë që asnjëri prej nesh nuk mund ta bënte për veten e vet.

Shpëtimtari “vuajt[i] dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”7 që Ai të dinte “sipas mishit, se si të [na] ndihmo[nte] … sipas dobësive [tona]”8.

Gjatë disa muajve të kaluar, kam mësuar shumë rreth dhembjes dhe ndikimit të saj rafinues. Zemra ime i është qasur Shpëtimtarit tonë teksa jam përpjekur ta përfytyroj nivelin e vuajtjes së Tij. Mendja ime njerëzore thjesht nuk mund ta kuptojë se si Ai i mori mbi Vete të gjitha dhembjet, të gjitha mëkatet, të gjithë ankthin dhe të gjitha mundimet e çdokujt që ka ardhur ose do të vijë ndonjëherë në jetë!

Me aktin më suprem të dhembshurisë që sfidon të kuptuarit ose përshkrimin njerëzor, Shpëtimtari iu nënshtrua një agonie shpirtërore dhe fizike të pakrahasueshme.

Ne e nderojmë Foshnjën e Bethlehemit pikërisht ngaqë Ai më vonë ofroi flijimin e pakonceptueshëm e të pafundmë në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq të Kalvarisë. Kjo ofertë e shëlbon secilin prej nesh kur zgjedhim të pendohemi dhe ta ndjekim Atë. Më pas, akti i Tij kulmor mbi tokë ishte kur Ai u ngrit nga varri ditën e tretë, duke i dhënë secilit prej nesh bekimin e padëgjuar të ringjalljes dhe jetën pas vdekjes.

Në këtë periudhë, ne shpesh këndojmë ose themi gëzueshëm: “Ju urojmë gëzuar Krishtlindjen!” Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, urimi i zemrës sime për secilin prej jush sonte ka disa elemente. Në fakt, nuk është urimi im për ju, ajo është lutja ime për ju në këtë kohë të shenjtë Krishtlindjeje.

Së pari, lutem që ju ta ndieni dashurinë e thellë dhe të përjetshme që Shpëtimtari ynë ka për ju personalisht. Jezu Krishti ju ka njohur që në botën paratokësore. Ai ju njeh dhe ju sheh tani. Ai i sheh gëzimet dhe trishtimet tuaja. Ai e ka përjetuar secilin prej tyre.

Ai ka dhembshuri të përkryer për shqetësimet tuaja dhe gëzohet sa herë që vazhdoni përpara në drejtësi, gjatë kohëve të mira e të këqija.

Lutem që ju ta fitoni vetë dëshminë tuaj vetjake që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, që Ai është plot me fuqi të perëndishme dhe që për shkak të flijimit të Tij të madhërishëm shëlbues, nuk keni kurrë pse të ndieni që duhet të përballeni të vetëm me sfidat e vështira të jetës. Kur pyetni, kërkoni dhe trokitni me zell9, ju keni qasje të vazhdueshme te fuqia e Tij për t’ju ndihmuar, forcuar dhe shëruar10.

Lutem që të përfitoni plotësisht nga Shlyerja e Shpëtimtarit duke u penduar çdo ditë, duke e bërë jetën tuaj gjithnjë e më të dëlirë dhe duke kërkuar udhërrëfim hyjnor në gjithçka që bëni. Me fjalë të tjera, lutem që ju të përjetoni gëzimin e të menduarit gjithmonë çelestialisht.

Lutem gjithashtu që ta përdorni këtë periudhë të shenjtë feste për të nisur një periudhë me adhurim edhe më të madh vetjak. Filloni t’i studioni rishtas mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Askush në këtë tokë nuk ju do siç ju do Ai. Askush këtu nuk i kupton më mirë apo i njeh vërtet trishtimet dhe dobësitë tuaja. Askush në tokë nuk e ka fuqinë që ka Jezu Krishti. Askush këtu nuk ka më shumë dëshirë që ju të bëheni gjithçka që mund të bëheni. Askush nuk i lutet Atit në emrin tuaj siç e bën Ai.

Zoti, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai është Biri i Perëndisë, i Shenjti i Izraelit. Ai është i Vajosuri.11 Nën drejtimin e Atit, Ai është Krijuesi i të gjitha gjërave që janë krijuar.12 Jezu Krishti ishte Jehova i Madh, Perëndia i Dhiatës së Vjetër.13 Ai ishte Emanueli i premtuar.14 Ai është Shembulli ynë i madh15 dhe Avokati ynë me Atin16. Për shkak të ungjillit të Tij të rivendosur, të gjitha bekimet e priftërisë së Tij janë në dispozicion për të gjithë njerëzimin teksa ata vijnë tek Ai dhe përsosen në Të.

Vëllezër dhe motra, le të jetojmë me një shpirt “aleluje”, duke i thurur lavde përherë e përgjithmonë Zotit Perëndisë Jehova! Në këtë periudhë të lavdishme Krishtlindjeje, ejani ta adhurojmë Atë, Krishtin Zot!

Unë e di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Ai e drejton Rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit të Tij. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.