Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Kujtoni, Kujtoni


9:41

Kujtoni, Kujtoni

Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë për Vitin 2023

E diel, 3 dhjetor 2023

Aty ku unë jetoj, duke filluar që nga muaji nëntor, natyra kudo rrotull meje më duket sikur fiket në përgjumje. Shushurima e gjetheve të blerta, që dikur më fëshfërinte dhe fishkëllente lehtë në muajt e pranverës dhe të verës, ua lë vendin pemëve të zhveshura dhe tingullit kërcitës të gjethnajës së rënë dhe të thatë poshtë këmbëve të mia. Zogjtë gazmorë të dikurshëm bien në heshtje dhe aroma e këndshme e petaleve dhe e gonxheve nuk ndihet më në ajër. Gjërat në botën natyrore që unë i lidh me stimulin e jetës, tërhiqen për një periudhë dhe, në të gjithë atë qetësi dhe gjithë atë boshllëk që lihet pas – ndërsa viti është duke u mbyllur në këtë mënyrë dhe pikërisht përpara se të harroj të qëndroj e gëzuar – vjen dhurata e Krishtlindjes.

Dhe në cepin tim të botës madhështore të Zotit, kujtohem. Kujtohem t’u kushtoj vëmendje pemëve që qëndrojnë përherë të blerta, duke lëshuar aroma druri, erëzash dhe toke. Kujtohem të vështroj lulet dhe frutat e pyllit që janë të kuqe flakë ose të bardha borë dhe të dëgjoj këngët e njohura të Krishtlindjes që hyjnë në zemër, banesat dhe shtëpitë e adhurimit, duke i shpallur “botës gëzim”, teksa kërkoj simbole të Krishtlindjes që “qielli dhe natyra i këndojnë” me mua dhe më ftojnë t’i kujtoj.

Një nga mrekullitë e kësaj periudhe është që duket se e gjithë bota e krishterë dhe shumë njerëz përtej krishterimit, e kalojnë këtë hark kohor duke kërkuar me qëllim emblemat e të kujtuarit gjatë Krishtlindjes dhe duke e mbushur jetën me to.

Krishtlindja është ura që ne përshkojmë për të na prirë drejt vitit të ri. Teksa kalojmë urën, na ftojnë të marrim parasysh këtë mrekulli: “Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës”1, u lind në rrethana të përulura në qytetin e Davidit, i “mbështjell[ë] me pelena, [i] shtrirë në një grazhd”2. Ndërsa bëjmë pelegrinazhin tonë të Krishtlindjes, ndoshta mund ta shohim veten si dijetarë dhe dijetare bashkëkohore, duke parë ndofta yjet mbi pemët përherë të blerta dhe dritat që xixëllojnë kudo rrotull nesh, duke “u gëzua[r] me gëzim shumë të madh”3 për shenjat përpara nesh që na e prijnë dhe drejtojnë rrugëtimin tonë drejt Jezu Krishtit, drejt Atij i cili është “drita e botës”4. Nëse e ndiejmë aromën e një erëze të caktuar pezull në ajër gjatë kësaj periudhe, ndoshta është për të na kujtuar që të sjellim me vete dhurata për t’ia dhënë “Biri[t] [të] Perëndisë [së] gjallë”5 – jo “ar, temjan dhe mirrë”6, por një sakrificë plot adhurim të “zem[rës sonë] të thyer dhe … shpirt[it tonë] të penduar”7. Dhe njerëzve mes nesh që i duan dhe kujdesen për fëmijët, ndoshta ne u ngjasojmë atyre me barinjtë e ditëve të sotme duke “rua[jtur] kopenë [tonë]”8, duke dëgjuar engjëjt tokësorë të dërguar nga Zoti me ftesën: “Mos druani”, ngaqë ata na tregojnë drejtime se ku mund të gjendet Shpëtimtari ynë9. A nuk kujtohemi pra që ta pëshpëritim këtë “gëzim të madh” në veshët e fëmijëve tanë si dëshmi? Në mënyrë që kur ata, me habi fëmije, të përgjojnë ngjyrat e Krishtlindjes: të kuqen dhe të gjelbrën, të artën dhe të bardhën, të kujtojnë flijimin e përsosur dhe të dëlirë shlyes të Shëlbuesit të tyre, Jezu Krishtit, i cili u ofron atyre dhuratën e shpëtimit dhe të jetës së re dhe të përjetshme.

Krishtlindja na lejon që të bëjmë një rrugëtim shpirtëror për në Bethlehem për të fituar një dëshmi vetjake për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe më pas ta çojmë përpara atë dëshmi dhe me gojën, këmbët dhe duart gati, ta “përhap[im] at[ë]”10 dhe të japim dëshmi për të gjitha ato që kemi arritur të dimë lidhur me Të. Ne mund ta bëjmë atë pelegrinazh drejt Shpëtimtarit me anë të të kujtuarit.

Perëndia na jep dhuratën e të kujtuarit që të mos harrojmë Dhënësin, që ne të mund të arrijmë të ndiejmë dashurinë e Tij të pakufishme për ne dhe të mësojmë ta duam Atë në këmbim. Profeti i lashtë Moroni na këshillon që të kujtojmë se “çdo dhuratë e mirë, vjen nga Krishti”11. Shpëtimtari ynë jep dhurata jo siç i jep bota, të përkohshme, të pjesshme dhe që priren të prishen me kalimin e kohës. Jezu Krishti ofron dhurata afatgjata, madje dhurata thelbësore, përfshirë:

  • Dhuratat e Shpirtit, të tilla si dituria, urtësia, dëshmia dhe besimi.12

  • Dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  • Dhuratën e jetës së përjetshme.

Teksa ne reflektojmë me kalimin e kohës në këtë jetë për “dhurata[t e] mira”, të mëdha dhe të vogla, që na kanë ardhur në jetë, a mund ta shohim vallë dorën e Zotit tek na shpëton, na forcon dhe na jep lehtësim?

Ndërkohë që nganjëherë mendja dhe zemra jonë mund të enden dhe të ikin prej Tij, qëndrueshmëria e Tij na siguron se Zoti nuk na harron, as në Krishtlindje dhe asnjëherë tjetër. Zoti ka shpallur se ne jemi gdhendur në pëllëmbët e duarve të Tij.13 Ai i mban gjithmonë premtimet. Ai i kujton besëlidhjet që ka bërë me ne dhe me etërit tanë. Ai i dëgjon dhe i kujton lutjet tona drejtuar Atit Qiellor, qoftë kur i bëjmë ato në gjunjë, apo përgjërohemi diku veçmas, apo kur kemi një lutje brenda zemrës. Ai kujtohet, siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, që të “ndërhyjë në jetën e atyre që besojnë tek Ai”14. Ai kujtohet që të na falë sa herë që pendohemi. Ai kujtohet të na flasë nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe profetëve, për të na ndihmuar që ta gjejmë gjithmonë rrugën e kthimit për në shtëpi, pavarësisht se sa larg kemi shkuar dhe për sa kohë. Dhe Ai kujtohet të na dërgojë Shpirtin e Tij që ende të përpiqet me ne kur bëjmë përpjekje për ta mbajtur premtimin tonë të shenjtë që “gjithmonë [ta] kujtoj[m]ë atë”15.

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Kur kërkoni në fjalor për fjalën më të rëndësishme, … [ajo] mund të jetë kujtoj. Ngaqë të gjithë ju keni bërë besëlidhje[,] … nevoja më e madhe që kemi, është të kujtojmë.” Ai vazhdon: “Kjo është arsyeja pse të gjithë shkojnë në mbledhjen e sakramentit çdo ditë Shabati, që të marrin sakramentin dhe [të] dëgjojnë priftërinjtë të luten që ata ‘gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre’. … Kujtoj është fjala. Kujtoj është programi”16.

Të kujtuarit e Perëndisë na frymëzon ta ndezim fuqinë e hovit tonë shpirtëror dhe na fton të veprojmë në mënyra të perëndishme. Merrini parasysh këto mësime që Presidenti Nelson na ka ftuar të kujtojmë:

  • “Lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj” dhe “jepini Atij një pjesë të mirë të kohës suaj”.

  • “Kërkoni dhe prisni mrekulli.”

  • “Jepini fund konfliktit në jetën tuaj”17 dhe jini paqebërës.18

Krishtlindja mund të jetë një mundësi që të veprojmë sipas këtyre ftesave dhe të mbështetemi lirisht te prirjet tona të natyrshme që të kujtohemi të mendojmë më shumë për Jezu Krishtin, të jemi të ndjeshëm ndaj reflektimit mbi mrekullinë e lindjes së Tij dhe të kemi një ndjesi më të madhe shoqërizimi me fëmijët e Perëndisë dhe të veprojmë sipas asaj ndjesie. Emblemat e të kujtuarit që janë karakteristika të periudhës së Krishtlindjes, shpesh dallohen kur ne:

  • Kujtohemi t’u përcjellim urimet e Krishtlindjes miqve, familjarëve dhe të panjohurve.

  • Kujtohemi të japim dhurata si shprehje të dashurisë.

  • Kujtohemi të jemi bujarë ndaj atyre që janë në nevojë dhe mikpritës ndaj atyre që hyjnë në shtëpitë tona.

  • Kujtohemi të theksojmë rëndësinë e mbledhjeve familjare dhe traditave që e bëjnë Krishtlindjen të ndryshme dhe të veçantë.

Për shumë njerëz gjatë kësaj periudhe të vitit, dashuria jonë e thellë për përgatitjen e të njëjtave vakte ushqimore, ritregimi i historive të njëjta familjare dhe zbukurimi i pemëve tona të Krishtlindjes me stoli që i ekspozojmë çdo vit, janë veprimtari domethënëse që e ruajnë dëshirën tonë të natyrshme për të kujtuar përvojat që janë të rëndësishme për ne. Vaktet e veçanta ushqimore, histori të caktuara dhe stolisjet festive mund të shërbejnë si objekte përkujtuese të kujtimeve tona të grumbulluara në vite. Edhe dëshira jonë e theksuar për të qenë më bamirës në këtë kohë të vitit, mund të na e tërheqë vëmendjen për te qëllimi ynë për t’u kujtuar që të jemi mirënjohës. Ai lloj i veçantë dashurie që na shoqëron me ardhjen e Krishtlindjes, është edhe një mundësi që na jepet për t’i përqendruar aspiratat dhe veprimet tona te Jezu Krishti: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”19. Teksa i afrohemi fundit të një viti dhe bëjmë udhën për të kaluar urën drejt një viti të ri si dijetarë dhe dijetare, si barinj syçelë, kujtoni se është nëpërmjet fuqisë së dorës së Zotit20 që ne e bëjmë këtë.

Ndaj, kudo ku jetoni në botë, kujtohuni t’u kushtoni vëmendje llojeve të simboleve që ju ftojnë ta kërkoni Krishtin. Në gjithçka që ia vëmë theksin në këtë kohë të vitit, me çdo urim që japim, për çdo person që kemi në mendje, mos harrofshim ta kujtojmë Dhënësin e vërtetë – Atë që nuk na harron kurrë dhe na jep fuqi që ta kujtojmë Atë nëpërmjet Shpirtit të Tij, në periudhën e Krishtlindjes dhe gjatë gjithë kohës! Ai i sjell “botës gëzim” dhe i fton zemrat tona që “vend t’i bëj[në] Atij”21 për të pritur Mbretin tonë. Ai është themeli i sigurt mbi të cilin ne përparojmë. Ai është Drita e Botës dhe Biri i Perëndisë së gjallë. Unë dëshmoj në emrin e Tij, madje Jezu Krishtit, amen.