Transmetimet e Trajnimeve
Përfaqësuesit e Tij


Përfaqësuesit e Tij

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së me Presidentin Ballard për Vitin 2022

E premte, 21 janar 2022

Një herë, e gjeta veten në radhë në një aeroport prapa një rabini hebre. Personi para tij ishte një burrë me pasaportë meksikane, që udhëtonte me vajzën e tij të vogël. Përpara tij ishte një amerikan me një fanellë dhe një kapelë që përfaqësonin skuadrat e tij të parapëlqyera sportive. Fillova të vrisja mendjen: “Me cilin nga këta tre individë kisha më shumë gjëra të përbashkëta?” Fillimisht mendova me amerikanin. Mbase kishim përvoja shumë të ngjashme gjatë rritjes dhe të dy mbase shpenzojmë kohë të tepërt duke vrarë mendjen për skuadrat tona të parapëlqyera. Pastaj mora në konsideratë burrin e dytë në radhë. Prej dashurisë sime për Meksikën, nuk ishte e vështirë të mendoja se mund të pëlqejmë të njëjtat ushqime dhe të njëjtat grupe muzikore mariaçi. Më tepër se kaq, ndjeva një lidhje me të teksa pashë ndërveprimin e tij me të bijën dhe mendova rreth faktit që jam babai i gjashtë vajzave. Së fundi, mendova për rabinin. Shumica që na pa në radhë, mund të mos ketë menduar që kishim shumë të përbashkëta. Por ai dhe unë kishim të përbashkët dëshirën për t’ia përkushtuar jetën tonë shërbimit të Perëndisë, për ta mësuar e dhënë mësim fjalën e Tij dhe për t’u përpjekur që të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Tij.

Duke u menduar ende për pyetjen time teksa hipa në avion, nxora një fletë letre dhe nisa të shkruaja. E fillova me fjalë të thjeshta: “Unë jam …”. Më pas shkrova gjithçka më erdhi në mendje. Unë jam një fëmijë i Perëndisë, një dishepull i Jezu Krishtit, një bashkëshort. Shkrova karakteristikat, marrëdhëniet, thirrjet në Kishë dhe detyrat në punë. Përfshiva parapëlqime si: “Jam adhurues i rrymës muzikore Motown dhe i djathit të shkrirë zviceran”. Para se të mbaroja, kisha shkruar afro 300 mënyra për t’iu përgjigjur pyetjes: “Kush jam?” Më pas i rendita përgjigjet sipas atyre që janë më domethënëse për përcaktimin e përqendrimit dhe përparësive në jetën time. Për shembull, ndërkohë që jam edhe gjysh edhe lojtar i pazoti golfi, fakti që vura të qenit gjysh nga kreu i listës dhe entuziazmin tim për golfin nga fundi, më kujton se ku nevojitet ta shpenzoj kohën dhe energjinë time dhe çfarë të zgjedh nëse ato role bien ndonjëherë ndesh.

Pak më vonë, arrita ta kuptoja më mirë pse kjo përvojë ka qenë aq domethënëse për mua kur lexova se Presidenti Henri B. Ajring ka thënë: “Mënyra si i përgjigjeni pyetjes se kush jeni do të përcaktojë pothuajse gjithçka” 1 .

Kohët e fundit po e përsiatja këtë pyetje dhe po mendoja rreth studentëve tanë. Nxora një fletë tjetër letre dhe nisa të shkruaja këtë herë duke e filluar me fjalët e thjeshta: “Studentët tanë janë …”.

Besoj se studentët tanë janë ata të cilët kanë thënë profetët se janë. Ata janë fëmijët e dashur të prindërve qiellorë, që zgjodhën të ndjekin planin e Atit dhe e mposhtën kundërshtarin e tyre me anë të besimit te Qengji i Perëndisë dhe te fuqia e dëshmisë së tyre. 2 Zoti i ruajti ata, siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson, që të vijnë në tokë “pikërisht në këtë kohë, në kohën më vendimtare në historinë e botës” 3 . Ai i zgjodhi ata që “të ndihmoj[n]ë që ta përgatiti[n] popullin e kësaj bote për … mbretërimin mijëvjeçar [të Shpëtimtarit]” 4 . “[Ata] j[anë] shpresa e Izraelit, ‘fëmij’ të premtimit sot’”! [Shpres’ e Izraelit, Himne, nr. 166]! 5

Ata janë të “uritur për gjërat e Shpirtit; … të etur për të mësuar ungjillin, dhe e duan të qartë, të papërzier. … Tani ata nuk janë dyshues, por shqyrtues, kërkues të së vërtetës.

[Ata] lakmojnë … besim … [dhe] duan të jenë vetë në gjendje ta vënë atë në veprim.” 6

Është e vërtetë edhe që disa e kanë harruar identitetin e vet si fëmijë të Perëndisë ose janë bërë tepër të përqendruar në tipare të përkohshme ose më pak të rëndësishme e dytësore. Satani është vjedhësi i madh i identitetit. Mashtrimet e tij kanë shkaktuar që disa të pështjellohen ose shpërqendrohen nga një botë e trazuar dhe në ndryshim që i përqesh besimin e virtytin dhe ku informacioni është i kudogjendur dhe urtësia është e rrallë – dita e profetizuar kur njerëzit do të “mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës” 7 , një botë që e quan “të keqen të mirë dhe të mirën të keqe” 8 , ku shumë “ec[in] në dritën e zjarrit [të tyre] dhe në shkëndijat që [ata] k[anë] ndezur” 9 , ndërkohë që e refuzojnë Dritën e Botës. 10

Sidoqoftë, ne dimë diçka tjetër rreth rinisë tonë dhe të rinjve tanë në moshë madhore. Shpëtimtari tha:

“Jeni fëmijët e profetëve; dhe jeni nga shtëpia e Izraelit; … në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës.

Së pari, Ati, më ngriti për ju dhe më dërgoi që t’ju bekoj, kështu që secili prej jush të largohet nga paudhësitë e tij; dhe kjo, sepse ju jeni fëmijët e besëlidhjes.” 11

Zoti ka premtuar se Ai do t’u vijë në ndihmë atyre, jo për t’i shpëtuar ata në mëkatet e tyre, por për t’i shpëtuar nga mëkatet e tyre. 12 Ja pse është e domosdoshme që t’i ndihmojmë studentët të arrijnë ta njohin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të kenë një kuptueshmëri të saktë për planin e përjetshëm të Atit dhe për doktrinën e vërtetë të Shpëtimtarit. Ata nevojitet ta dinë se cilët janë dhe se çfarë do të donte Zoti që të bënin 13 , dhe si ta bëjnë atë.

Besoj se ndihma për studentët që t’i dinë këto gjëra, varet nga dijenia jonë se cilët jemi ne, si njerëz që japin mësim, shërbejnë dhe japin përkrahje në seminare dhe institute. Ky mendim më shtyu të bëja një listë të tretë dhe përfundimtare. Nxora një fletë tjetër letre dhe shkrova faqe pas faqe karakteristika dhe cilësi që i vlerësoj dhe i admiroj tek të gjithë ju. Ndërsa shkruaja, e gjeta veten duke u rikthyer te një ide vendimtare. Besoj se përgjigjja më e rëndësishme për pyetjen se kush jemi, është që na kërkohet të jemi përfaqësues të Jezu Krishtit. 14

Përqendrimi i përpjekjeve tona është ndihma ndaj rinisë dhe të rinjve në moshë madhore që të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin dhe të mbështeten tek Ai dhe te flijimi i Tij shlyes. Ne e shohim Atë si shembullin tonë dhe mbështetemi tek hiri i Tij për të bërë vullnetin e Tij. Pavarësisht nga sfidat dhe pengesat vetjake, jetojmë me shpresë dhe optimizëm. Ngaqë pendohemi vazhdimisht, kemi shijuar nga dashuria dhe mëshira e Tij dhe ia zgjatim atë mëshirë të tjerëve teksa japim mësim nga zemra të ndryshuara e mirënjohëse. Ne flasim shpesh për Krishtin, ne dëshmojmë për Të, gëzohemi në mirësinë dhe madhështinë e Tij dhe i ndihmojmë të tjerët të dinë se “cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” 15 . Ne mundohemi çdo ditë që të jemi përfaqësuesit e Tij.

Kur isha misionar i ri, e mësova rëndësinë e kësaj ideje kur me shokun po trokitnim nëpër dyer. Në një shtëpi fillova: “Përshëndetje, jemi përfaqësues të Jezu Krishtit”. Përpara se të vazhdoja, burri më ndërpreu duke thënë: “Jo, nuk jeni. As nuk e dini çfarë do të thotë ajo.” Ai shpjegoi se një përfaqësues është dikush që rri në vendin e dikujt tjetër, që thotë dhe bën atë që ai person do të thoshte dhe bënte po të ishte vetë aty. E mbylli duke thënë: “Nëse jeni përfaqësuesit e Tij, atëherë jeni gati për të më thënë atë që do të më thoshte Ai po të ishte vetë këtu”. E dëgjova me kujdes dhe më pas rashë dakord se kuptimi që i dha ky burrë rolit të përfaqësuesit, ishte i saktë. Më pas e falënderova dhe e pyeta a mund ta filloja nga e para, nisur nga kjo. Pastaj i thashë: “Mirëmëngjesi. Ky është Plaku Aranda dhe unë jam Plaku Ueb. Jemi përfaqësues të Jezu Krishtit dhe kemi ardhur t’ju japim një mesazh nga Ai.”

Secilit prej nesh i është dhënë një mirëbesim i shenjtë. Kur lutemi ose e mbyllim mësimdhënien dhe dëshminë tonë në emrin e Tij, ne po pretendojmë se ajo që është thënë, përfaqëson mendjen dhe vullnetin e Tij. Për të qenë të vërtetë ndaj atij mirëbesimi, duhet të kemi një dashuri dhe kuptueshmëri të thellë për ungjillin e Tij dhe të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin për t’i njohur vërtet shkrimet e shenjta dhe doktrinën që jepet mësim aty. Ngaqë e kuptojmë se fjala e Perëndisë ka një “ndikim më të fuqishëm” se çdo gjë tjetër 16 dhe se ajo njëmend i ka përgjigjet për pyetjet e jetës, shkrimet e shenjta janë burimi parësor i përvojave tona me studentët. Ndërsa vazhdojmë të sjellim risi në metodat e mësimdhënies për t’u lidhur me më shumë studentë, nuk duhet t’i largohemi kurrë ngulitjes në thellësi të shkrimeve të shenjta.

Është po aq e rëndësishme ta përqendrojmë mendjen dhe zemrën te shërbëtorët e zgjedhur të Zotit – veçanërisht anëtarët e tanishëm të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve – duke mos kërkuar kurrë ndjesë për mësimet e tyre, duke mos i zbehur ose kundërshtuar ato me “filozofinë tonë pavarësisht nga burimi i saj ose sa e kënaqshme apo racionale duket se … është ajo” 17 . Në një botë me aq shumë zëra ndjellës dhe organizime shoqërore, është një bekim i jashtëzakonshëm ta dimë mendjen e Perëndisë përmes profetit të Tij të gjallë. Ndërsa i përputhim mësimdhënien, zotimet dhe përparësitë tona me Zotin dhe profetin e Tij, do të jemi në një themel të sigurt dhe sikurse degët e hardhisë së vërtetë, do të kemi fuqi për të sjellë më shumë fryte. 18

Nganjëherë, mësimdhënia e së vërtetës dhe shfaqja e dashurisë mund të duken se përplasen. Kjo sepse ka kopje të rreme për të dyja, gjë që mund të na ngatërrojë. Mund të ndieni sikur jeni në vijën e parë duke u përpjekur të ndihmoni për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të vështira e të ndërlikuara dhe se po të thoni të vërtetën, dikush mund të lëndohet ose fyhet. Për t’u përgjigjur në mënyrë dashamirëse e të dobishme, duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti që Ai e drejton Kishën e Tij përmes atyre që i ka shuguruar për ta udhëhequr. Ne duhet të lutemi për ndihmë e t’i nxitim studentët tanë t’i drejtohen Atit Qiellor me pyetjet dhe dyshimet e tyre. Jezu Krishti është drita për ata që bien në pështjellim dhe terr. Ai është shembulli i përsosur i mësimdhënies së bindjes me qartësi, prapëseprapë Ai është balsami i Galaadit për ata që po vuajnë nga pasojat e gabimeve të tyre. Ai është shembulli i përsosur i asaj që po përpiqemi të bëhemi si mësues që e japin mësim të vërtetën me dashuri.

Një arsye pse është aq e rëndësishme që ta pasqyrojmë dashurinë e Shpëtimtarit 19 , është kundërshtimi që hasin studentët tanë. Një studim i gjatë kohët e fundit për rininë e Kishës tregoi se ata që e kanë të vështirë ta mbajnë besimin dhe të qëndrojnë aktivë në Kishë, zakonisht përballen me një ose më shumë nga tri sfidat specifike:

  • Ndihen të gjykuar prej ndryshimeve në rrethanat e tyre, si shkurorëzimi i prindërve ose largimi i një familjari nga Kisha.

  • Ndiejnë faj dhe dëshpërim prej gabimeve që kanë bërë.

  • Ose nuk besojnë që kanë pasur përvoja shpirtërore. 20

Teksa përpiqemi të duam ashtu siç jep dashuri Shpëtimtari, do të mundemi t’i ndihmojmë studentët t’ia dalin në krye secilës nga këto situata.

Si do ta ndihmonit një të ri që po ndihet i gjykuar? 21 Mund ta nisim duke kuptuar se ndryshimet madhore në marrëdhënie dhe rrethana mund të shkaktojnë një krizë identiteti, duke i bërë studentët të vënë në dyshim se cilët janë dhe si përshtaten. Në këto çaste, mund t’i ndihmoni ata ta kujtojnë marrëdhënien e tyre të pandryshueshme me Atin e tyre në Qiell. Njoh një të re që e bazonte vlerësimin e vetes te rrethanat e saj dhe tek ajo që të tjerët mendonin për të. Ajo u ndje e humbur duke mos e ditur se kush ishte. Nisi të lutej për ndihmë. Një ditë, ajo pati një mbresë të qartë që nëse donte ta dinte se kush ishte, së pari duhet të njihte Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Ky mendim e bëri të fillonte një kërkim. Ajo nisi të studionte shkrimet e shenjta, të lutej e të shërbente, me përqendrimin te njohja e Perëndisë. Me kalimin e kohës, Zoti nisi ta zbulonte Veten para saj. Ajo ndjeu dashurinë, ngushëllimin dhe mirëkuptimin e Tij. Ndërsa arriti të njihte Atin Qiellor, ajo arriti të njihte veten dhe ta kuptonte marrëdhënien e saj me Të. Ajo mësoi për identitetin hyjnor dhe vlerën e saj si fëmijë i Perëndisë. Të kuptuarit e kësaj e ka mbushur me dritë dhe gëzim.

Mund t’i përkrahni studentët që hasin sfida, duke i ndihmuar ta dinë se Ati Qiellor i do. Mund t’ua tregoni dashurinë me kohën, ndjeshmërinë dhe gatishmërinë tuaj për t’i dëgjuar. Mund t’i kërkoni Atit Qiellor t’ju ndihmojë t’i shihni si individë dhe t’i dalloni sfidat, mundësitë dhe nevojat e tyre të pashoqe. Kur kanë pyetje ose vështirësi për dëshminë e tyre, mund t’i ndihmoni të ndihen të sigurt dhe të dinë se mund t’ju drejtohen juve dhe Zotit.

Si t’i ndihmojmë ata që mundohen nga faji dhe dëshpërimi prej gabimeve të tyre? Si Shpëtimtari, ne nuk heqim dorë prej tyre. E nderojmë mundin e tyre për të vazhduar të bëjnë atë që është e drejtë në një botë të vështirë. U mësojmë se denjësia nuk është të jesh i patëmetë. 22 Ne i ndihmojmë të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve duke dëshmuar për gëzimin e pendimit, duke i ndihmuar të dinë se ai është qendror për planin e Atit Qiellor. I ndihmojmë të dinë se Ai i do gjithsesi dhe rri gati për t’i ndihmuar.

Më pëlqen shumë mësimi i dhënë te Moisiu 4, të cilin të gjithë e studiuam javën që shkoi. Pasi Adami dhe Eva bënë shkelje, sytë iu hapën dhe ata e kuptuan se ishin të zhveshur. Orvatja e parë për të mbuluar lakuriqësinë e vet ishte qepja e gjetheve të fikut. Kur e dëgjuan zërin e Zotit në kopsht, vendosën të “fshiheshin nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve (Moisiu 4:14)”. Është interesante të dallojmë se kush u tha atyre të fshiheshin nga Perëndia. Tani, nuk dua ta quaj të parëndësishme këtë, po si do të funksiononte kjo? A mund ta përfytyroni Atin tonë në Qiell, që shkon nëpër të gjitha krijimet e veta, gjen sistemin tonë diellor, këtë planet dhe atë kopsht dhe që Ai nuk do të mund ta gjente Adamin dhe Evën midis pemëve? Në atë pikë Zoti bëri një pyetje: “Ku shkon ti?” (Moisiu 4:15). Ose nga Dhiata e Vjetër: “Ku je?” (Zanafilla 3:9). A mendoni se Ai vërtet nuk e dinte? Pra, për çfarë po pyet Ai? Mbase ishte diçka e tillë: “Tani që keni bërë shkelje, ku do të shkoni? Do të fshiheni nga unë, apo do të vini tek unë e të më lini t’ju mbuloj?” Fjala shlyerje në hebraishten origjinale është kippur, që do të thotë “të mbulosh” 23 . Ati ynë në Qiell ka një mënyrë shumë më të mirë sesa gjethet e fikut dhe pemët për t’i mbuluar mëkatet tona. Por kundërshtari pëshpërit gënjeshtra që të na shtyjë të fshihemi nga Perëndia. Ai përpiqet të na bindë se Perëndia nuk na do dhe se Ai nuk do të na falë sepse duhet të kishim ditur si të vepronim ose sepse mëkatet tona janë tepër të rënda.

Njëherë e ftova një të re të shkonte në tempull me një grup rinie. Përgjigjja e saj ishte që ajo nuk ishte e denjë të futej në tempull. I thashë se thjesht do të ecnim në rrethina dhe se do doja shumë që ajo të vinte me ne. Përgjigjja e saj qe: “Ende jo. Nuk dua që Perëndia të më vërë re tani.” Kur bëjmë gabime, ne shpesh nuk duam të lutemi, të lexojmë shkrimet ose të shkojmë në kishë. Mbase po shpresojmë që Perëndia të mos na vërë re.

Ju lutem, ndihmojini studentët tuaj ta dinë se kur bëjnë gabime, ata mund të gjejnë falje dhe paqe duke shkuar në krahët e dashur e të hapur të një Ati mëshirëplotë Qiellor që ka përgatitur një mënyrë për të na mbuluar. Ai ka përgatitur një udhë për shëlbimin tonë.

Si ta ndihmoni një student që ndien se nuk ka pasur përvoja shpirtërore? Nganjëherë të rinjtë tanë dëgjojnë histori që duken mrekullibërëse, dhe nuk e kuptojnë se Fryma e Shenjtë u flet edhe në një larmi mënyrash të thjeshta, si në rastin kur kanë një pyetje të frymëzuar ose kur mendojnë t’i shenjojnë shkrimet e shenjta. Le t’i ndihmojmë të mësojnë se si komunikon Zoti me ta individualisht dhe të mos sugjerojmë që mënyra si na flet neve Zoti është e vetmja mënyrë që Ai mund t’u flasë atyre. Le të kemi kujdes që të mos u themi studentëve se kur po e ndiejnë Frymën e Shenjtë. Vetëm ngaqë ne mund të jemi duke e ndier Shpirtin si mësues, nuk do të thotë domosdo që çdo student po ndien të njëjtën gjë në të njëjtin çast. Është mirë edhe ta kuptojmë se ata që kanë ankth e depresion, mund të ndiejnë se është e vështirë t’i kenë këto përvoja. Por Zotin nuk e kufizon sëmundja mendore. Ai e njeh dhe e kupton atë dhe mund të gjejë mënyra për ta komunikuar dashurinë dhe udhërrëfimin e Tij. Ka shumë pak gjëra që mund të bëjmë, që do t’i ndihmojnë ata më shumë sesa të mësojnë të marrin e të veprojnë sipas zbulesës vetjake.

Së fundi dëgjova një histori rreth një të riu që ndiqte një universitet prestigjioz në lindje të Shteteve të Bashkuara. Ai u regjistrua në një lëndë shumë të vështirë të logjikës. Ngaqë donte të dilte mirë, vendosi të merrte një mësues privat. Mundi të punësonte dikë që kishte qenë ndihmësprofesor dhe e kishte dhënë mësim po atë lëndë në të njëjtin universitet. Mësuesi qe shumë i dobishëm, por i riu ende kishte ankth për provimin përfundimtar. Profesori u tha studentëve se provimi do të ishte tejet i vështirë ndaj ai do t’u lejonte të merrnin një fletë dhe të hidhnin në të çfarëdo që të mendonin se mund t’u nevojitej. Studentët filluan ta bënin shkrimin sa më të vogël, duke përdorur lupa për t’i shkruar e për t’i lexuar ato që mund t’iu duheshin për provimin. Dita e provimit erdhi dhe i riu hyri në klasë. Në krah kishte mësuesin privat. Profesori i pyeti se ç’po bënin dhe i riu nxori një fletë letre bosh dhe e vendosi mbi dysheme. Më pas mësuesi privat qëndroi mbi fletë. I riu shpjegoi: “Ti the se mund të hidhja ç’të doja mbi këtë fletë. Epo, unë dua mësuesin tim privat.” Të riun e lejuan ta bënte provimin me mësuesin privat në krah, që i pëshpëriste përgjigjet në vesh.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të cilëve u është dhënë dhurata e Frymës së Shenjtë, pse do të kalonim ndonjë provë në jetë pa ndihmën që kemi në dispozicion? Faleminderit që përpiqeni fort të jeni të denjë për Frymën e Shenjtë në të gjitha aspektet e jetës suaj dhe të kërkoni ndikimin e Tij në gjithçka bëni.

Lutja ime është që rinia dhe të rinjtë tanë në moshë madhore do të arrijnë ta njohin Atin tonë në Qiell dhe se duke e ditur se kush është Ai, do ta kuptojnë se cilët janë në të vërtetë. Për shkak fuqisë së Tij për të falur, ata mund të jenë të pastër. Për shkak fuqisë së Tij për të shëruar, mund të bëhen të plotë. Dhe për shkak fuqisë së Tij për të rafinuar, mund të bëhen si Ai. Si përfaqësues të Jezu Krishtit, që jepni mësim doktrinën e Tij dhe shpërndani dashurinë e Tij, do të mund t’i ndihmoni ta kuptojnë identitetin e tyre të përjetshëm. Kjo nuk do të thotë që do të jeni gjithnjë të përsosur. Nuk keni pse të jeni. Ndërsa përpiqeni ta jepni mësim ungjillin e rivendosur me në qendër Jezu Krishtin, të përqendruar te studentët tuaj dhe të ngulitur te fjala e Perëndisë, Fryma e Shenjtë do t’i japë fjalës jetë dhe lidhje si dhe do të dëshmojë për vërtetësinë e saj. Dëshmoj se ju, familjet tuaja dhe studentët tuaj jeni fëmijë të premtimit, shpresa e Izraelit dhe njerëzit e dashur të Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Henry B. Eyring, “A Steady, Upward Course” (takim shpirtëror në universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, 18 shtator 2001), f. 8, byui.edu.

  2. Shih Zbulesa 12:11.

  3. Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), material shtesë New Era dhe Ensign, f. 12, ChurchofJesusChrist.org.

  4. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 24.

  5. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, ChurchofJesusChrist.org.

  6. J. Reuben Clark Jr., The Charted Course of the Church in Education , bot. i rish. (1994; fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 8 gusht 1938), ChurchofJesusChrist.org.

  7. 2 Timoteut 3:7.

  8. 2 Nefi 15:20.

  9. 2 Nefi 7:11.

  10. Shih Doktrina e Besëlidhje 95:6.

  11. 3 Nefi 20:25–26.

  12. Shih Alma 11:37, 40.

  13. Kjo është ideja e dhënë mësim te Moisiu 1 sikurse Zoti i zbulon Moisiut: “Unë jam Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm” (vargu 3); “ti je biri im” (vargu 4); “Unë kam një punë për ty” (vargu 6).

  14. Presidenti Bojd K. Paker tha: “Kur fillojmë të analizojmë veten dhe të dëshirojmë të përmirësohemi si mësues, çfarë modeli më të mirë mund të gjejmë … sesa të analizojmë synimet dhe metodat tona dhe t’i krahasojmë ato me ato të Jezu Krishtit?” (Teach Ye Diligently [1991], f. 22). Më vonë ai shtoi: “Unë besoj se shëmbëlltyra e Krishtit vërtet gdhendet mbi pamjen tuaj në atë masë që ju veproni, sipas sfidës dhe detyrës që keni. Dhe për të gjitha qëllimet praktike, në atë klasë, në atë kohë dhe në atë shprehi dhe me atë frymëzim, ju jeni Ai dhe Ai është ju” (“The Ideal Teacher” [fjalim drejtuar trupës pedagogjike të seminarit dhe institutit, 28 qershor 1962]).

  15. 2 Nefi 25:26.

  16. Alma 31:5.

  17. J. Reuben Clark Jr., The Charted Course of the Church in Education , ChurchofJesusChrist.org.

  18. Shih Gjoni 15:1–5.

  19. Shih 3 Nefi 18:24; Moroni 7:48; Gjoni 13:35.

  20. Studimi kërkimor tregon edhe që të rinjtë e të rejat të cilëve po u rritet shpirtshmëria, u ndodh kjo kur ndihen më pranë Atit Qiellor, kur kanë një synim shpirtëror që po përpiqen ta arrijnë, ose kur e kuptojnë se kanë një nevojë dhe besojnë se Kisha dhe besimi te Jezu Krishti mund të ndihmojnë për ta plotësuar atë nevojë.

  21. Për ta kuptuar më mirë se si të krijoni përkatësi, ju rekomandoj një bisedë nga Phillip D. Rash-i me titull “Looking to the Margins: Creating Belonging” në speeches.byu.edu.

  22. Shih Bredli R. Uilkoks, “Denjësia Nuk Është të Jesh i Patëmetë”, Liahona, nëntor 2021, f. 61–67.

  23. “Kuptimi fillestar i rrënjës ‘K-P-R’ {כ-פ-ר} – në hebraisht, nga e cila vjen ‘Yom Kippur’, do të thotë në fakt ‘të mbulosh’ dhe mund të gjendet në emrin origjinal në hebraisht të ‘Pajtuesit’ te ‘Arka e Besëlidhjes’ që në Biblën në hebraisht quhet ‘Kaporet’ {כפורת} (‘mbulesë’). Koncepti i ‘mbulesës’ në hebraishten biblike mund të kuptohet edhe në një mënyrë abstrakte si ‘mbulim mëkatesh’ që do të thotë ‘të japësh shlyerje’. Saktësisht si emri në anglisht për ditën më të shenjtë në kalendarin judeas – ‘Dita e Shlyerjes’ (‘Yom Kippur’)” (“What Is the Deeper Hebrew Meaning of ‘Yom Kippur’?”, hebrewversity.com.

Shtyp në Letër