Transmetimet e Trajnimeve
Ungjilli i Jezu Krishtit Është Mahnitës


Ungjilli i Jezu Krishtit Është Mahnitës

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së me Presidentin Ballard për Vitin 2022

E premte, 21 janar 2022

Hyrja

Më lini ta nis duke shprehur mirënjohje për gjithçka që bëni për të ngritur shpirtërisht rininë dhe të rinjtë në moshë madhore anembanë Kishës. Ju keni të ardhmen e mirëfilltë të Kishës në klasat tuaja dhe jam i frymëzuar nga mënyra si shërbeni dhe kujdeseni për studentët tuaj. Vëllezër e motra, ungjilli i Jezu Krishtit është mahnitës.

Sot do të doja të flisja për mënyrën se si mund të japim mësim më me efektshmëri rreth besimit, dëshmisë dhe natyrës mahnitëse të ungjillit të Jezu Krishtit.

Për t’ju njohur me temën time, do të përshkruaj një vepër arti që e kam admiruar prej kohësh, por që nganjëherë e kam marrë për të mirëqenë. Vite më parë, mora këshillë nga një mikeshë që ishte lektore në Muzeun e Arteve të Bukura të Bostonit. Ajo sugjeroi se kur ekspozohet një vepër arti në shtëpi, është e rëndësishme t’ia lëvizim vendin herë pas here që të mos bëhemi figurativisht “të verbër” ndaj pranisë së saj. Unë dhe bashkëshortja ime e kemi admiruar prej kohësh pikturën e Karavaxhos me titull: Thirrja e Shën Mateut. Ngaqë kjo pikturë ka qëndruar e varur në të njëjtin vend në shtëpinë tonë për disa vjet, rrallë ndaloja që ta admiroja madhështinë e saj. Këtë vjeshtë, e zhvendosa pikturën në zyrën time te zyrat qendrore të Kishës. Disi, ta shihja në një vendndodhje të re, më ka bërë të ndalem për të reflektuar sërish mbi kompozimin mahnitës dhe domethënien shpirtërore të saj. Te Lluka lexojmë për Mateun ku thuhet: “Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: ‘Ndiqmë’. Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.” 1 Është interesante që Karavaxhoja portretizon çastin teksa Krishti i ofron thirrjen, por përpara se Mateu ta vështronte në sy Shpëtimtarin. Mund ta shihni dorën e shtrirë të Krishtit dhe dritën që zgjatet tejpërtej dhomës, që bie te Mateu në fund të tryezës, i cili duart i ka ende te paratë e veta. Karavaxhoja e ka paraqitur Mateun pikërisht gjatë vendimit të tij për t’i lënë të gjitha dhe për të ndjekur Jezu Krishtin. Sa herë që ndalem për ta vrojtuar këtë pikturë, mahnitem nga mesazhi i saj.

Vëllezër e motra, ungjilli i Jezu Krishtit është mahnitës! Lindja, jeta, shërbesa, Shlyerja dhe Ringjallja e Shpëtimtarit Jezu Krisht janë historia më mbresëlënëse e treguar ndonjëherë. Aq më tepër, në këto kohë të vështira 2 , ne mund të na prijë ky mesazh mahnitës edhe kur kërkojmë t’i ndihmojmë të tjerët që kanë vështirësi. Siç dha mësim së fundmi Presidenti Nelson: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këto janë ditët e mëvonshme! Nëse ju dhe unë do t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe trysnive të ardhshme, është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë një themel të fortë shpirtëror të ndërtuar mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.” 3

Trajtimi i Pyetjeve të Studentëve mbi Besimin

Sot, shumë nga studentët tanë po përballen me sfida të besimit, të cilat i shtyjnë të vënë në dyshim ungjillin e rivendosur, vërtetësinë e Librit të Mormonit e madje edhe praninë e Perëndisë në jetën e tyre. Mesazhet digjitale armiqësore ndaj ungjillit gëlojnë. Këto burime nuk janë shkaku i të gjitha problemeve me besimin, por ato mund t’i bëjnë madhore pyetjet ekzistuese dhe të shfaqin të reja. Më lejoni të tregoj historinë e tre individëve që mund të vëreni se ngjasojnë me ato në jetën e studentëve tuaj:

Stefania: Stefania u rrit në Kishë, por gjithmonë ndihej e përjashtuar nga lagjja dhe komuniteti i shokëve të saj, për shkak të vështirësive martesore të prindërve të saj. Gjatë kohës, kjo e çoi në hidhërim, gjë të cilën e lidhi disi me vetë Kishën. Stefania filloi të kërkonte rregullisht burime antagoniste ndaj Kishës, duke u përqendruar te kritikat ndaj Jozef Smithit, por duke shpërfillur çdo provë për rolin e tij profetik. Stefania tani përfshihet në mediat shoqërore, kryesisht për të sulmuar ato që i sheh si bindje fetare të gabuara dhe anakronike të miqve të saj. Kjo vetëm sa ia ka rritur zemërimin dhe tani është më e prirur të përqafojë çdo kauzë apo grup që është antagonist ndaj Kishës.

Dejvidi: Pyetjet e Dejvidit janë të orientuara po ashtu te historia e Kishës, por situata e tij është krejt ndryshe. Ai e nisi me shumë besnikëri, por pas misionit të tij filloi të bënte pyetje rreth temave për të cilat nuk ishte fort në dijeni përpara misionit. Këto pyetje e drejtuan te burime që ishin antagoniste ndaj Kishës dhe u pështjellua për dëshminë e vet dhe atë që e besonte vërtet. Pavarësisht nga përvojat e shumta të mëparshme kur kishte marrë një dëshmi për vërtetësinë e ungjillit, Dejvi ndaloi së studiuari fjalët e profetëve të gjallë dhe ndaloi së lexuari Librin e Mormonit. Zëra të tjerë filluan t’i devijonin kërkimet shpirtërore të Dejvidit. Ai nuk ishte armiqësor ndaj Kishës, por i ngatërruar e madje i mpirë, gjë që çoi në një pjesëmarrje të ulët në institut dhe pjesëmarrje të ulët në adhurimin e së dielës.

Koni: Koni nuk kishte as armiqësinë e Stefanisë dhe as mpirjen e Dejvit. Ajo thjesht po luftonte me një sërë sfidash jetësore që lidheshin me ndarjen e prindërve të saj kohët e fundit dhe me një model keqtrajtimi verbal dhe emocional në shtëpinë e saj. Kjo traumë i la asaj shenjë dhe një nevojë për të kërkuar lehtësim. Por, në vend që ta kërkonte shërimin nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, Koni iu drejtua bashkësive laike për ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin që i nevojitej me aq dëshpërim. Ajo u bashkua me të tjerë që po vuanin nga sfidat e shëndetit mendor, problematikat e LGBTQ-së dhe me çdokënd që po përballej me zhgënjimin dhe dyshimin në jetën e vet. Koni gjeti ngushëllim në këto shoqata, por gjeti edhe pyetje të reja. Ajo dhe miqtë e saj shpesh fajësonin Kishën për mundimet e tyre, duke shpresuar se po t’i shpërfillnin ligjet e Perëndisë, dhembja e tyre do të zhdukej disi. 4 Jo vetëm që nuk mori pjesë më në Kishë dhe në institut, por filloi edhe të ndiqte një sërë sjelljesh që shpresonte se do t’ia mpinin dhembjen dhe do ta bënin të shmangte shtegun e vështirë të ndryshimit dhe të faljes së të tjerëve.

Secili prej këtyre studentëve po përballet me një krizë besimi, mirëpo natyra e asaj krize besimi është e ndryshme në thelb për secilin prej tyre. Njëra është e hidhëruar dhe në rebelim të hapur, tjetri është thjesht i ngatërruar dhe po devijon nga zëra të jashtëm dhe e treta është në kurth nga dhembja dhe po përpiqet të fshihet nga ajo që e sheh si një shteg të vështirë në Kishë. Ata pasqyrojnë gjithashtu një kategori studentësh të Brezit Z (ose Gen Z) me mosbesimin e tyre ndaj institucioneve formale, rënien e frekuentimit në Kishë dhe mbi të gjitha, një ndjesi relativizimi moral që arsyeton se nuk ka standard formal për të drejtën dhe të gabuarën. Një studim i kohëve të fundit nga Barna Group përshkroi: “Relativizimi moral nuk ka depërtuar vetëm në botëkuptimin e Brezit Z për botën, por tani është bërë opinioni i shumicës” 5 .

Si mësues të ungjillit, ne duhet të gjejmë mënyra se si t’u vijmë në ndihmë studentëve si Stefania, Dejvidi dhe Koni. Pyetjet dhe shqetësimet e tyre janë reale dhe nuk duhen shpërfillur. Duhet t’u qasemi shqetësimeve të tyre me ndjeshmëri dhe dashuri hyjnore, duke u lejuar të bëjnë pyetje në një mjedis të sigurt dhe edukues. Ne gjithashtu kemi nevojë ta zhvillojmë aftësinë tonë për t’i kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre. Burimi për Seminaret dhe Institutet e Fesë [SeI‑në] “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” thotë: “Nganjëherë ne mund të zbulojmë informacion të ri ose të kemi pyetje për sa i përket doktrinës, praktikave apo historisë së Kishës, të cilat duken të vështira për t’u kuptuar. Bërja e pyetjeve dhe kërkimi i përgjigjeve është një pjesë jetike e përpjekjes sonë për ta mësuar të vërtetën.” 6 Ky burim i SeI‑së siguron ide për mënyrën se si t’i trajtojmë pyetjet e studentëve tanë për besimin, duke u mësuar atyre 1) të veprojnë me besim, 2) t’i shqyrtojnë konceptet me një këndvështrim të përjetshëm dhe 3) të mbështeten në burime të besueshme. Kësisoj, BYU Studies kohët e fundit ka botuar një burim të shtuar që quhet “A Teacher’s Plea” [“Lutja e një Mësuesi”], ku autori i inkurajon mësuesit e fesë që të japin mësim teknikat dhe rëndësinë e burimeve tona, të shmangin thjeshtësimin e tepërt në historitë tona dhe të jenë të gatshëm që t’u japin vlerë shqetësimeve të ndiera nga shumë njerëz. 7 Po ashtu, kërkimet e fundit të Erik dhe Sara d’Evënjesë për “rikthimin në besim” na nxitin t’i ndihmojmë njerëzit që t’i kalojnë shqetësimet fetare në mënyra që nuk i largojnë nga marrëdhënia e tyre me Perëndinë. 8 Sigurisht, vetë Kisha ka krijuar një sërë Temash Ungjilli që mund të përdoren si burim për t’i kuptuar e për t’u dhënë drejtim më mirë pyetjeve historike dhe doktrinore që ngrihen nga shumë prej studentëve tanë. Pranojini, trajtojini, por mos shpenzoni shumë kohë me këto pyetje dytësore.

Pranojini, Trajtojini, por Mos Shpenzoni Shumë Kohë me Pyetjet Dytësore

Dua të jetë e qartë për të gjithë mësuesit tanë të fesë se ka shumë gjëra për t’u përgëzuar te këto burime dhe të tjera si ato të cilat janë krijuar për t’i ndihmuar studentët tanë që t’i kapërcejnë sfidat e besimit dhe t’u japin drejtim pyetjeve të tyre mbi ungjillin. Në fakt, nuk jam i sigurt se mund të jemi mësues të efektshëm të ungjillit në mjedisin e sotëm, nëse nuk jemi të vetëdijshëm për sfidat e besimit që hasin shumë studentë. Duhet të mbështetemi më shumë te këto burime për t’i ndihmuar studentët që të orientohen për pyetjet e tyre.

Por gjatë ndihmës ndaj studentëve për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre, duhet të jemi edhe të kujdesshëm që të mos përqendrohemi te pyetjet e tyre specifike mbi besimin, aq sa të humbasim mundësinë për t’u mësuar atyre se sa mahnitës është në të vërtetë ungjilli i Jezu Krishtit. Siç më shpjegoi vëllai Çad H Ueb: “Është njësoj si të përpiqesh t’i ndihmosh njerëzit të dalin nga mjegulla e errësirës, duke u përqendruar te errësira”. As nuk duhet ta shpërfillim praninë e errësirës dhe as ta bëjmë atë përqendrimin tonë të vetëm. Plaku Lorens E. Korbrixh, iu referua kësaj gjëje si t’i lësh pyetjet dytësore t’u zënë vendin pyetjeve parësore. Në një fjalim në takimin shpirtëror të UBJ-së, Plaku Korbrixh tha:

“Pyetjet dytësore nuk kanë fund. Ato përfshijnë pyetje rreth historisë së Kishës, poligamisë, njerëzve me prejardhje afrikane dhe priftërisë, grave dhe priftërisë, mënyrës se si u përkthye Libri i Mormonit, Perlës me Vlerë të Madhe, ADN‑së dhe Librit të Mormonit, martesës homoseksuale, rrëfimeve të ndryshme të Vegimit të Parë e kështu me radhë.

Nëse ju u përgjigjeni pyetjeve parësore, edhe pyetjet dytësore marrin përgjigje, ose u zbehet rëndësia dhe ju mund të merreni me gjërat që i kuptoni dhe gjërat që nuk i kuptoni, si dhe me gjërat që bini dakord dhe gjërat që nuk bini dakord, pa e braktisur tërësisht besimin.” 9

Kështu që, po, dëgjojini shqetësimet e studentëve tuaj, krijoni një mjedis të sigurt ku ata të bëjnë pyetje dhe mbështetuni në burime të besueshme. Gjatë procesit, mos e humbisni natyrën mahnitëse të ungjillit të Jezu Krishtit. Ashtu si me historinë time të kryeveprës së Karavaxhos, mos e humbisni natyrën mahnitëse të asaj që e keni përpara syve. Një mënyrë tjetër se si ta mendoni këtë është duke marrë në konsideratë një çrregullim të shikimit, të quajtur degjenerimi makular, i cili bllokon tërësisht të gjithë shikimin qendror, përveç shikimit periferik. Individët që kanë këtë sëmundje, përfundojnë duke “e plotësuar” atë që kanë përpara e nuk e shohin dot, me interpretime të asaj që shohin në periferi. Mos lejoni që shikimi periferik i studentëve tuaj ta shtrembërojë vështrimin e tyre të natyrës mahnitëse të ungjillit, që mundet dhe duhet të jetë përpara syve të tyre. Siç ka dhënë mësim Presidenti Ouks: “Nëse nuk ankorohemi në këto të vërteta si premisat dhe supozimet tona [qendrore], nuk mund të jemi të sigurt se përfundimet tona janë të vërteta” 10 . Për shembull, edhe përpjekjet tona të frymëzuara për “risi në institut” do të dështojnë nëse e humbasim këtë objektiv qendror. Ju kemi nxitur ta rritni domethënien, qasjen dhe përkatësinë në mësimdhënien tuaj. Por këto përpjekje fisnike rrezikojnë të kthehen në pyetje dytësore nëse nuk arrijnë të përfshijnë parimin e ankorimit të kthimit në besim te Jezu Krishti. Një themel shpirtëror i ndërtuar mbi Shpëtimtarin është e vetmja mënyrë se si studentët tanë do t’i mposhtin rreziqet dhe trysnitë e ditëve të mëvonshme. 11

Ungjilli i Jezu Krishtit Është Mahnitës

Kam shpallur disa herë sot se ungjilli i Jezu Krishtit është mahnitës. Për herë të parë e dëgjova këtë ide nga Plaku Xhefri R. Holland, kur po i fliste një grupi mësuesish të fesë mbi përgjegjësinë e tyre të shenjtë për të dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit. Natyra mahnitëse e ungjillit iu referua Vetë Shpëtimtarit, ndërsa u mësonte në sinagogë atyre që nuk besonin: “Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: ‘Nga i vijnë këtij këto?’” 12 Në përfundim të Predikimit në Mal, ne mësojmë se “kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij” 13 . Lamoni në Librin e Mormonit u “habit jashtëzakonisht” nga besnikëria e Amonit. 14 Në këta shembuj dhe shumë të tjerë, fjalët habit, [“çudit”] apo [“mahnit”] përdoren si referenca për njerëzit që kanë vështirësi me besimin, por që si përfundim e kuptojnë fuqinë dhe mrekullinë e ungjillit. Ne e shohim këtë në librin e Helamanit kur njerëzit “u çuditën shumë, kaq sa ranë përdhe; pasi nuk u kishin besuar fjalëve që kishte thënë Nefi” 15 . Duket sikur kjo mahnitje vjen kur mosbesimi ballafaqohet me natyrën dhe mësimdhënien e mrekullueshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo është e vërtetë për të gjithë ata që luftojnë me dyshimin, dhe do të jetë e vërtetë për Stefaninë, Dejvidin dhe Konin që përmendëm më sipër. Ata do ta mposhtin hidhërimin, pështjellimin dhe dhembjen që ndiejnë, vetëm kur të përballen me natyrën mahnitëse të Vetë Krishtit.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ju lutemi dëgjojini, duajini dhe jini të ndjeshëm ndaj atyre që luftojnë me pyetjet mbi besimin. Bëjeni këtë me dashuri që krijon një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, duke i drejtuar ata te burime të besueshme dhe duke i ndihmuar t’i zgjidhin shqetësimet e tyre. Por le të mos e humbasim vëmendjen nga përgjigjet mahnitëse për pyetjet parësore të ungjillit të Jezu Krishtit.

Le t’ua “ndërrojmë vendin pikturave” në jetën tonë në ato mënyra që i ndihmojnë studentët tanë të ndalen dhe të reflektojnë për natyrën e vërtetë mahnitëse të Shpëtimtarit që është pikërisht përballë tyre. Sigurisht që ka sfida – kjo është pjesë e rrugëtimit tonë në vdekshmëri. Por le t’i ndihmojmë të rinjtë tanë që t’i hapin sytë ndaj mënyrave të panumërta se si Jezu Krishti e ndryshon rrënjësisht trajektoren në jetën e fëmijëve të Perëndisë.

Për shembull, mahnitem nga mënyra se si të rinjtë e të rejat në zonën time të varfër të Bostonit, u kapën pas ungjillit të Jezu Krishtit dhe si kjo i çoi ata në misione, i orientoi drejt kolegjit, në martesat në tempull dhe tani në rolet si prindër dhe udhëheqës në Kishë. Është gati e pamundur ta kuptosh atë që ka ndodhur në jetën e tyre, kur merret parasysh fakti se nga ku e nisën. Mahnitem tek mendoj për një baba të ri nga San Antonio, të cilin unë dhe Motra Gilbert e takuam së fundmi. Ai kishte frikë se nuk do t’i arrinte asnjëherë pritshmëritë e ungjillit. Mirëpo në fund kuptoi që askush prej nesh nuk është i përsosur dhe është vetëm prej dhe nëpërmjet Jezu Krishtit që ne mund të arrijmë më shumë si individë. Ky është Vëllai Luis Vargas me bashkëshorten e tij Andrean dhe bijën e tyre Sofinë, mbrëmjen që u zotua të pagëzohej pas pesë vjetësh që takohej me misionarët. U mahnita teksa shihja ndryshimin dhe besimin e tij te Krishti. Po ashtu, u mahnita kur takova mikun tim Xhon Rasin, i cili qëndroi larg Kishës për 30 vjet, pavarësisht shembujve besnikë të bashkëshortes dhe të fëmijëve të tij. Në një çast përulësie, që lidhej me një krizë familjare, Vëllai Ras kërkoi një bekim dhe u zotua të takohej me motrat misionare. Ai vendim çoi në pagëzimin e tij, bashkë me pagëzimin e njërit prej të bijve dhe njërës prej së bijave, duke i vendosur ata në shtegun e besëlidhjeve. Në jetën time, mahnitem kur dëgjoj Zotin të më flasë, duke ma pohuar dëshminë, duke iu përgjigjur lutjeve të mia kundrejt atyre që u shërbej në detyrat e mia dhe atyre që u jap shërbesë, përfshirë edhe nevojat e fëmijëve të mi.

Vëllezër e motra, ungjilli i Jezu Krishtit është mahnitës! Shpëtimtari e ndryshon jetën e fëmijëve të Perëndisë në mënyra afatgjate dhe të fuqishme. Ai na fton të ndryshojmë dhe të përmirësohemi, t’u shërbejmë të tjerëve dhe të bëhemi diçka më shumë se ç’mund të bëheshim të vetëm. Le të japim mësim në ato mënyra që u tregojnë studentëve tanë pikërisht se sa mahnitës është në të vërtetë ungjilli i Jezu Krishtit! Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 5:27–28

  2. Shih 2 Timoteut 3:1. Shih edhe thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson: “Gjatë këtyre kohëve të rrezikshme për të cilat profetizoi Apostulli Pal, Satani as nuk po përpiqet më që t’i fshehë sulmet e tij kundër planit të Perëndisë. Ligësia që s’i dridhet qerpiku, gëlon me bollëk. Si rrjedhim, e vetmja mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht është të jemi të vendosur që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, të mësojmë ta dëgjojmë zërin e Tij dhe ta përdorim energjinë tonë për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli” (Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 95).

  3. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93.

  4. 2 Nefi 2:13 na mëson për marrëdhënien mes ligjit të Perëndisë dhe lumturisë sonë. Kjo ngre edhe nevojën për Ndërmjetësin e madh, Jezu Krishtin, për të na ndihmuar që t’i mposhtim pasojat e ligjit siç diskutohen më vonë në kapitull. Vargu 13 përvijon argumentin e botës dhe shpresën e shumë të rinjve të Brezit Z që kanë vështirësi, të cilët duan të besojnë se po të hiqeshin ligjet e Perëndisë, mjerimi dhe vuajtjet e tyre do të zhdukeshin. Por Lehi i mëson Jakobit të vërtetën që duhet t’ua mësojmë edhe ne studentëve tanë që, po të mos kishte ligj, nuk do të kishte lumturi. Kjo e vërtetë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me thirrjen e relativizimit moral të sotëm dhe me bindjen se nëse nuk ka të drejtë dhe të gabuar, atëherë nuk ka asnjë pasojë për mëkatin. Nëse i duam vërtet studentët tanë që kanë vështirësi, ne duhet të tregojmë ndjeshmëri, dashuri hyjnore dhe shqetësim, por gjithashtu duhet t’u mësojmë të vërtetën për pasojën e mëkatit dhe mrekullinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shih Russell M. Nelson, “The Love and Laws of God” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 17 shtator 2019), speeches.byu.edu. Presidenti Nelson u mësoi studentëve po këtë të vërtetë në fjalimin e tij të takimit shpirtëror në UBJ. Ligjet e Perëndisë nuk janë synuar që të na e mohojnë lumturinë, por që të na çojnë drejt lumturisë. Mohimi i atyre ligjeve ose nënkuptimi se ato varen nga situata, vetëm sa do të çojë në hidhërim të mëtejshëm dhe jo në lumturi afatgjatë.

  5. Barna Group, Gen Z Volume 2: Caring for Young Souls and Cultivating Resilience (2021), f. 52.

  6. Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018), f. 3.

  7. Shih Tyler Johnson, “A Teacher’s Plea”, BYU Studies, vëll. 60, nr. 2 (2021), f. 81–118.

  8. Shih Sarah Jane Weaver, “Episode 57: BYU–Idaho Professors Eric and Sarah d’Evegnée on Faith, Testimony and Reconversion”, Church News, 16 nëntor 2021, thechurchnews.com.

  9. Lawrence E. Corbridge, “Stand Forever” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 22 janar 2019), f. 3, speeches.byu.edu

  10. Dallin H. Oaks, “As He Thinketh in His Heart” (mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 8 shkurt 2013), ChurchofJesusChrist.org.

  11. Shih Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–96.

  12. Marku 6:2; theksimi i shtuar.

  13. Mateu 7:28; theksimi i shtuar.

  14. Alma 18:2; theksimi i shtuar.

  15. Helamani 9:4; theksimi i shtuar.

Shtyp në Letër