Transmetimet e Trajnimeve
Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve


Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së me Presidentin Ballard për Vitin 2022

E premte, 21 janar 2022

Motra Beki Skot: Mirësevini në mbledhjen tonë për seminaret dhe institutet. Siç e shihni, po përdorim distancim shoqëror sot prandaj do t’i heqim maskat. Është e mrekullueshme që ju shoh sot dhe e vlerësoj pjesëmarrjen tuaj. Nëpërmjet teknologjisë, ne po takohemi sot me pjesëmarrës nga çdo zonë brenda SeI-së globalisht. Mirë se vini dhe faleminderit që merrni pjesë me ne sot. Adam, a mund të na japësh ca hollësi më shumë për diskutimin tonë?

Vëllai Adam Smith: Po, me gjithë qejf. Së pari, jemi kaq mirënjohës që jemi me ju secilin sot. E duam dhe e vlerësojmë çdo mësues, bashkërendues, ndihmës administrativ, misionar dhe administrator të SeI‑së kudo në botë. Ju bëni kaq shumë të mira dhe bekoni kaq shumë njerëz. Faleminderit. Në zemrën tuaj digjet dashuria për synimin e Seminareve dhe Instituteve. Ju doni të ndihmoni çdo të ri e të re dhe të rinjtë në moshë madhore të kuptojnë e të mbështeten tek Ati i tyre Qiellor dhe Jezu Krishti, t’i njohin e t’i duan më mirë dhe t’i ndjekin më thellësisht. E doni synimin ngaqë i doni studentët tuaj dhe veçanërisht se e doni Shpëtimtarin tuaj. Për shumë vjet, SeI‑ja ka qenë i suksesshëm për ta ndihmuar çdo student të njohë më mirë Jezu Krishtin. Në botën tonë dallojmë një nevojë të ngutshme për të mbledhur më shumë rini dhe të rinj në moshë madhore te Jezusi dhe e bëjmë këtë duke krijuar përvoja mësimi që kthejnë në besim dhe që i bëjnë të përkasin. Këto përvoja mësimi do të ndodhin kur jemi të përqendruar ngushtësisht te nevojat e studentëve tanë, kur në çdo përvojë mësimi përqendrohemi te Jezu Krishti, ungjilli i Tij i rivendosur dhe misioni i Tij shlyes – kur përqendrohemi te mësimdhënia nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, teksa japim mësim doktrinën e Krishtit. Kur i bëjmë këto gjëra, ne e ftojmë Shpirtin e Shenjtë të kryejë rolin që vetëm Ai mund ta luajë: t’i ndihmojë të rinjtë që të bëhen të kthyer në besimin te Zoti, të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve, të dallojnë gabimin, të mblidhen te Shpëtimtari i tyre Jezu Krishti dhe të kthehen tek Ati i tyre në Qiell.

Qëllimi i burimeve që do t’ju paraqesim sot është të përcaktojmë se ç’do të thotë t’i ndihmojmë studentët të përjetojnë kthim në besim, domethënie dhe përkatësi – të përshkruajmë nisur nga parimet, disa zotësi dhe ushtrime që mësuesi i përdor për të ndihmuar studentët. Kemi krijuar disa burime trajnimi me modele e ftesa për t’u ushtruar e përdorur. Duam të veprojmë më mirë në matjen e ndikimit tonë në jetën e studentëve, që të kuptojmë se ku po veprojmë vërtet mirë, që të mund të ngremë mbi të dhe të përcaktojmë mundësi për të plotësuar më mirë nevojat e studentëve. Shpresojmë se në fund të mbledhjes, ju do t’i keni kuptuar këto burime dhe do të ndieni emocion e një shpresë të ndritur për t’i përfshirë ato dhe për t’i zbatuar me synimin tonë të vetëm: që ta ndihmojmë secilin student të arrijë ta njohë Jezu Krishtin. Prandaj jemi mbledhur këtu sot. Faleminderit Motra Skot.

Motra Skot: Faleminderit. I vlerësojmë të gjithë që janë këtu. Le ta fillojmë me pyetjen tonë të parë. Motra Xhesika Brendën nga Zona Perëndimore e Amerikës Veriore ka një pyetje. Motra Brendën, ju lutem vazhdoni.

Motra Xhesika Brendën: Faleminderit. Teksa shqyrtoja këto materiale trajnimi, pata pyetjen: A ka ndonjë rend të veçantë se si duhet të përqendrohemi te këto zotësi dhe fusha? A duhen bërë sipas radhës?

Motra Lori Njubold: Xhesika, faleminderit shumë për pyetjen. Përgjigjja e shkurtër është jo. Por në frymën e të menduarit se si të vendosim në çfarë rendi të fillojmë, gjëja e parë është që ta filloni me besimin te Shpëtimtari Jezu Krisht, të dini se Ai mund t’ju ndihmojë të bëni cilindo parim ose ushtrim që zgjidhni të bëni. Po ta zgjidhni atë nëpërmjet mjeteve të vlerësimit që kemi dhënë, ky do të jetë një vend i mirë që do t’ju ndihmojë të përcaktoni se çfarë përvoje kanë studentët tuaj.

Motra Brendën: Mirë. Faleminderit.

Vëllai Çad Uillkinson: Kam diçka për ta shtuar. Faleminderit, Motra Brendën. Mos e ndërlikoni ose analizoni shumë. Këto janë mjete dhe zotësi për t’ju ndihmuar. Një mendim lidhur me pyetjen – tek Alma 48 kemi një varg nga shkrimi i shenjtë që ju të gjithë e dini. Vargu 17 thotë – ky është Mormoni që shton diçka. Thotë: “Me të vërtetë, po ju them, në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve”.

Çfarë e shtyu Mormonin ta shtonte këtë gjë? Mendoj se një parim për të cilin mund të flisnim, është që ai shpenzoi kohë duke i bërë të forta qytetet e dobëta. Ai u përqendrua te vendet e dobëta dhe i bëri të forta. Nëpërmjet vetëvlerësimit, vëzhgimeve të mbikëqyrësve ose të atyre që u kërkoni ndihmë – kolegëve, si dhe nga anketat e studentëve tuaj – ju mund të filloni të përcaktoni se cilat mund të jenë disa vende të dobëta dhe ndoshta ta filloni atje.

Motra Brendën: Një mendim që ia shtoj asaj që tha Motra Njubold. Mund të jetë i frikshëm ndryshimi dhe t’u japësh anketa vlerësimi rinisë dhe të rinjve në moshë madhore dhe të pyesësh veten se çfarë do të përgjigjen. Një nga gjërat që më ka ndihmuar vërtet gjatë viteve, është të dalloj se çdo i ri, e re ose i ri në moshë madhore është një prej fëmijëve të çmuar të Atit Qiellor. Nëse përqendrohemi te kjo në vend të frikës dhe pyetjes nga njeriu i natyrshëm se “Çfarë mendojnë për mua?” dhe përqendrohemi te fakti që Ati ynë Qiellor e do kaq shumë secilin prej tyre dhe se është pjesë e thirrjes sonë apo e punësimit tonë që t’i ndihmojmë ata të arrijnë vetë të njohin Shpëtimtarin e tyre, mendoj se kjo ndihmon mjaft. Dhe doja të thosha se sa e vlerësova përqendrimin në ndërtimin e marrëdhënieve tona individuale me studentët tanë, që ne të mund t’i ndihmojmë ta arrijnë atë synim.

Vëllai Smith: Faleminderit, Xhesika. Në këto burime jemi përpjekur të përqendrohemi, të thjeshtojmë, njësojmë dhe ndërtojmë mbi të gjitha gjërat e mësuara gjatë viteve. Në këto burime do të shihni elemente të bazave të Mësimdhënies dhe të Të Nxënit të Ungjillit. Dhe elemente të “Mësimit të Thellë”. Do të shihni ndikim nga ata që na udhëheqin, që të përqendrohemi te Shpëtimtari, të dëgjojmë, vëzhgojmë, dallojmë, ndezim zjarr në zemrat e studentëve. U përpoqëm të thjeshtojmë dhe përqendrohemi. Edhe pse këto burime ndahen në dokumente të ndryshme, shpresojmë t’i shihni si një gjë. Puna jonë është ta ndihmojmë një student të arrijë të njohë më mirë Shpëtimtarin. Nuk mund ta bëjmë pa ndihmën e Frymës së Shenjtë.

Mënyra numër një se si e ftojmë Frymën e Shenjtë, është t’i duam studentët, të përqendrohemi te Jezu Krishti dhe të mbështetemi te fjala e Perëndisë. Ati Qiellor mezi pret që të na ndihmojë, kur përpiqemi ta ndihmojmë Atë për t’i ndihmuar ata. Kur e kërkojmë Atin Qiellor në lutje nëpërmjet një vetëvlerësimi, teksa i pyesim studentët tanë se çfarë u nevojitet dhe kur i kërkojmë një mbikëqyrësi ose kolegu që të vijë e të na japë ca informacion, kjo e gjitha bëhet për të ftuar zbulesën, që të mund ta ndihmojmë një të ri ose të re që të arrijë ta njohë Jezu Krishtin.

Motra Skot: Motra Sara Bredli, që është nga zona e Solt‑Lejkut në Jutë, a mund të na tregoni përvojën tuaj?

Motra Sara Bredli: Po, me gjithë qejf. Pasi i përdora vetë këto burime, më ka bërë përshtypje se sa thjesht janë formuluar ato dhe se sa të menduara mirë ishin. Procesi për mua ishte vërtet i thjeshtë. E fillova me mjetet e vlerësimit. Përdora vetëvlerësimin dhe vlerësimin e studentit dhe më ndihmuan mbikëqyrësit. Vlerësuam se ku isha. Pastaj me mbikëqyrësin tim vendosa se ku doja të përqendrohesha nisur nga vlerësimi im dhe vlerësimi i studentëve të mi. Dhe vijova më tej. Shkova te manuali i ri Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Te burimi i “Zotësive për Zhvillimin e Mësuesit”. Më çoi menjëherë atje ku doja të përqendrohesha. I lexova dhe studiova ato, pastaj shkova sërish në klasë dhe u përpoqa ta vija në jetë ushtrimin në mënyra të shumta. Shpresoj se po e rrit aftësinë e studentëve të mi për të përjetuar kthim në besim, domethënie dhe përkatësi. Më pas u ktheva dhe e përdora vlerësimin përsëri që të vlerësoja përparimin tim, të shihja nëse diçka ndryshoi. Në të vërtetë thjesht përdorni përsëri atë mjet vlerësimi që të dini se ku të shkoni më pas. Atëherë kthehuni sërish te burimet që të vazhdoni të përmirësoheni e përparoni.

Vëllai Geri Louell: Çfarë do t’i sugjeronit dikujt që ngurron t’i përdorë këto mjete, veçanërisht kur përcaktimi dhe trajtimi i dobësive mund të jetë diçka e vështirë për ta kryer? A do të ketë ndonjë përgjegjësi profesionale ose administrative në kryerjen e këtyre anketave shpesh?

Motra Njubold: A mund të them diçka për këtë? Edhe përvoja ime ka qenë që nganjëherë ne ndiejmë shumë frikë kur kemi dikë në klasë, në qoftë se bëjmë gabime. Është kjo përvojë e njeriut të natyrshëm që na pushton që të kemi frikë nga dikush që na kritikon. Ngaqë po u jap tërë zemrën time këtyre të rinjve e të rejave që i dua shumë. Është e vështirë të themi: “Lori, duhet ta përmirësosh zemrën”.

Nuk mendoj se kjo është ajo që themi nëpërmjet vlerësimit. Ne mendoj se themi vazhdoni të punoni për të krijuar një kulturë besimi te Shpëtimtari Jezu Krisht, që të mund të ndryshojmë dhe rritemi. Këtë do t’i thosha dikujt. Këto mjete janë për rritjen. Rritja ndodh nëpërmjet pendimit. Pendimi nënkupton ndryshim. Është i mundshëm për shkak të Shpëtimtarit. Pra, mendoj për atë ditë, kur të vijë, që çdo mësues t’i thoshte dikujt: “A mund të vish të më shohësh mua? Këta studentë meritojnë më të mirën që mund të jap, dhe e di se nuk po më ndjekin disa prej tyre. A mund të vini të më ndihmoni?”

Vëllai Bert Uimpi: A mund të shtoj diçka për këtë? Sepse në këtë mjedis – për mësuesit e kunjeve tona, që po mësojnë shumicën e rinisë sonë të mrekullueshme – këto mjete vlerësimi janë një burim. Për mësuesit tanë profesionistë, kjo pritet. Do të mësojmë si t’i përdorim më mirë dhe do të përpiqemi ta krijojmë atë kulturë. Për mësuesit në kunje, është një burim për ta përdorur sipas nevojave dhe dëshirave tuaja. Diçka që mendoni se ju ndihmon.

Vëllai Uilkinson: Geri, pyetje e shkëlqyer, dhe faleminderit për çfarë po bën në detyrën tënde. Faleminderit. Po bën pyetjen që çdo njeri po bën. Një pjesë e matjes – në shkrimet e shenjta ka plot pyetje të frymëzuara, por ka tri pyetje që më kanë bekuar jashtëzakonisht. Do ta kuptoni këtë element të vlerësimit. I riu pasanik pyeti: “Çfarë më mungon tjetër?” 1 Ajo pyetje, matje, solli zbulesë nga Shpëtimtari. Ai kishte zgjedhjen e vet ta ndiqte apo jo. Pali, ose Sauli, në rrugën për në Damask: “Zot, ç’don ti të bëj unë?” 2 Kjo është një matje. I treti është Jozef Smithi përpara vizitës së parë të Moronit, që po kërkonte falje për mëkatet e tij. Pyetja ishte: “Cili është qëndrimi im përpara Zotit?” 3 Mendoj se këto pyetje brenda vetes janë vlerësuese – jo dikush që po më vlerëson mua, por duke i thënë vetvetes: “Le të shkoj tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari, dhe t’i lejoj Ata të më tregojnë se ku jam”. Dhe zbulesat do të rrjedhin dhe ne bëhemi edhe më të mirë se do të ishim vetëm.

Vëllai Xhek Menez: E vlerësoj idenë e ndërtimit të një kulture përmirësimi, të mbështetjes te Shpëtimtari dhe madje të njëfarë shqetësimi që nganjëherë ne bëhemi të mbingarkuar si mësues. Në detyrën time unë ndihmoj mësues të tjerë që të përmirësohen. Një nga gjërat që e vlerësoj, është fuqia e Shpëtimtarit për të na ndihmuar që të ndihmojmë mësuesit e tjerë dhe kolegët tanë. Më së fundi kjo ndihmon studentët tanë. Kur mësuesit tanë mbështeten te Jezu Krishti, ata mund të japin më shumë dëshmi për hirin e Tij.

Siç u përmend, tek i riu pasanik. Më pëlqen shembulli i Shpëtimtarit, që Ai thotë: “Ja ku janë disa gjëra që duhet t’i bësh dhe ti po i bën ato gjëra tashmë. Kjo është e mrekullueshme”, më pas jep një gjë më shumë me të cilën mund të punonte. Një nga gjërat që mund të bëjmë si administratorë, është të themi: “Të lumtë. Po e kënaq Zotin. Mendoj se Zoti do të kënaqet me të gjitha gjërat e mira që po bën, dhe a mund të bashkohemi në besimin tonë te Jezu Krishti për të bërë atë një gjë më shumë?” Kjo mund të ndihmojë që të zhvillojmë atë kulturë të re përmirësimi, që të shmangim ndonjë ndjenjë papërshtatshmërie ose ndjenjat se nuk po bëjmë sa duhet ose kurrë nuk do të jemi mjaft të mirë. Ne mund të nxitim hirin e Jezu Krishtit në ato përpjekje në një mënyrë që do të prodhojë diçka edhe më të efektshme. Ai hir do të rrjedhë nëpër klasa dhe ne u japim dëshmi më të madhe studentëve për fuqinë e Jezu Krishtit për të na forcuar që të bëjmë gjëra që janë shumë të vështira për t’i bërë vetë.

Motra Skot: Motra Sorenson, a na flet për pyetjen tënde?

Motra Xhemi Sorenson: Sigurisht. Kemi objektivat, 3 rezultatet e të nxënit për domethënien, përkatësinë, kthimin në besim, 5 mënyrat për të më ndihmuar si mësuese që t’i arrij ato rezultate dhe 25 ushtrime se si ta përmbush rolin si mësuese. Duhet të përqendrohem te Krishti dhe nxënësi, të bazohem te shkrimet e shenjta. Unë përdor tre vlerësime të ndryshme për të caktuar një synim për rritjen profesionale. Duket disi mbingarkuese. Është shumë. Cili duhet të jetë përqendrimi?

Vëllai Uimpi: Synimi është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë e të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit e të përgatiten për jetën e përjetshme. Këtë po përpiqemi të bëjmë. Roli ynë është që të ndihmojmë. Si mund të ndihmoj? Veçanërisht mes mësuesve në kunje, ata i shohin këto burime dhe thonë: “Duken kaq shumë gjëra për t’u bërë”. Mësuesi mund të thotë: “Ai është synimi. Si ta bëj këtë?” Gëzohem që pyetët. Mënyra më e mirë është që studentët të kenë përvoja kthimi në besim, domethënieje dhe përkatësie. “Faleminderit, por si t’i krijoj ato përvoja?” Gëzohem që pyetët. Këtë e bëni kur i doni ata të cilëve u jepni mësim, jepni mësim me anë të Shpirtit, përqendroheni te Krishti, jepni mësim doktrinën dhe i ftoni të mësojnë me zell. “Por si ta bëj atë?” Gëzohem që pyetët. Sepse i kemi këto ushtrime dhe zotësi që do t’ju ndihmojnë. Por kjo kthehet sërish te synimi.

Kur një mësues hap shkrimet e shenjta dhe mendon për studentët, shpresojmë që nuk po mendon për këto gjëra që janë mbingarkuese, por mendon: “Si t’i ndihmoj studentët që i dua? Si t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, dhe të kualifikohen për bekimet e tempullit, dhe të përgatiten për jetë të përjetshme?” Në të vërtetë po flasim për shtegun e besëlidhjeve që Presidenti Nelson na ka kërkuar të përfshihemi, në këtë mbledhje të Izraelit. Duket shumë kur mendon: “Nuk e di a mund ta bëj gjithë këtë”, prandaj përqendrohuni te synimi.

Vëllai Xhejsën Uillard: Ndoshta mund të shtoj një shkrim të shenjtë nga mësuesi im i parapëlqyer në Librin e Mormonit. Është nga Vëllai Nefi. Ai e tha në këtë mënyrë te 1 Nefi 6:4: “Sepse i gjithë qëllimi im është që të mund të bind [studentët e mi], që të vijnë te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit, dhe të shpëtohen”. Nefi i ndihmoi vëllezërit dhe motrat e tij që të shpëtoheshin, të besonin te Jezu Krishti për t’i ndihmuar që të merrnin jetë të përjetshme.

Xhemi, faleminderit për atë pyetje. Ngaqë i harrove 7 pikat themelore, 16 trajnimet në fund dhe përvojat e zotërimit doktrinor që ata duhet t’i kishin pasur. Pra, herë tjetër kur ta bëjmë këtë pyetje, do të përfshish gjithçka që të është kërkuar. Shumë është kërkuar të bëni, por ndershmërisht ka vetëm një gjë. Më pëlqen shumë Shpëtimtari kur pyet Marinë dhe Martën, Xhemi duket se ke prirjen e Marisë, kur Jezusi thotë: “Vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë” 4 . Xhemi, jemi mirënjohës që ti dhe çdo mësues anembanë botës, ka zgjedhur pjesën më të mirë, që të uleni te këmbët e Shpëtimtarit dhe ta bëni Atë qendrën e gjithçkaje që bëni. Bekuar qofshi për këtë!

Vëllai Smith: Xhemi, dua të të bëj një pyetje vijuese. Vëllai Uimpi dhe Vëllai Uillard na mësuan bukur se si të përqendrohemi te gjëja më e rëndësishme, te synimi i seminareve dhe instituteve. Por, Xhemi, si mësuese, si e di ti nëse po plotësohet synimi në jetën e studentëve të tu?

Motra Sorenson: Në rregull. Nuk e di nëse kjo është përgjigje dobiprurëse, por më erdhi ndërsa njerëzit po shpjegonin. Është nëpërmjet domethënies, përkatësisë dhe kthimit në besim që i shoh në jetën e tyre. Ato tri gjëra na drejtojnë vërtet te synimi. E shoh të ndodhë në bashkëbisedimet që bëjnë. E shoh jashtë seminarit. E shoh në seminar, teksa mbajnë shënime dhe i shkruajnë përvojat e tyre. Janë ato tri gjëra. Ato vërtet na drejtojnë te synimi.

Vëllai Smith: Faleminderit. A mendon se do të jetë dobiprurëse t’i pyesësh studentët drejtpërdrejt nëse përvoja e tyre në seminar ose institut po i çon drejt kthimit në besim, domethënies dhe përkatësisë?

Motra Sorenson: Sigurisht. Vlerësimet që u japim dhe ndoshta thjesht kur i pyesim: “Si po shkon kjo? Si po funksionon kjo?” Do të jetë matës i shkëlqyer i mënyrës se si po shkon synimi.

Vëllai Smith: Faleminderit. Përfytyroni se ua bëtë studentëve tuaj këtë pyetje dhe ata përcaktojnë diçka që e ndiejnë se mund ta bëjë seminarin pak më të mirë në fushën e përkatësisë, që ata thonë: “Motra Sorenson është e mrekullueshme, na pëlqen shumë klasa e saj”. Por sheh një hollësi në përgjigjet ku të përcaktosh një mundësi për të krijuar më shumë përkatësi. Çfarë do të jetë e dobishme për ty që të krijosh më shumë përkatësi mes klasave të tua?

Motra Sorenson: Mendoj se është vërtet dobiprurëse të flasim për të, t’i them mbikëqyrësit tim: “Ja disa përshtypje që po marr. Më ndihmo me këto.” Dhe madje t’u them kolegëve: “Më ndihmoni me këto. Çfarë janë këto? Si mund t’i bëj më mirë?” Mendoj se do të jenë dobiprurëse.

Vëllai Smith: Mrekulli. Arsyeja përse doja t’i bëja këto pyetje është pikërisht ideja jo vetëm e vlerësimit, por manuali i përditësuar Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit dhe burimet e trajnimit: Që një mësues të thotë: “Dua që studentët e mi ta arrijnë synimin në jetën e tyre. Ata thonë se ju nevojitet kjo. Si ta përmirësoj këtë?” Teksa këshilloheni me mësues të tjerë dhe mbikëqyrësin, dhe flisni me studentët, do të përcaktoni atë që mund ta përmirësoni. Manuali jep një përshkrim për të, burimi i trajnimit jep një model për të. Tani keni një zotësi që ta ushtroni, ta vini në jetë dhe ta përmirësoni që, për vetë qëllimin e thënë nga Vëllai Uillard dhe Vëllai Uimpi, në jetën e studentëve të arrihet synimi për t’i ndihmuar që të vijnë te Shpëtimtari.

Motra Uendi Parker: Për mua, gjithçka kthehet te synimi. Synimi ynë fillon me Jezu Krishtin. Jezu Krishti është udha që do të na çojë në tempull – ne dhe studentët tanë – dhe më së fundi te jeta me Atin tonë në Qiell. Çdo pjesë e këtij programi të ri që lexova, më përqendroi te Krishti. Çdo zotësi ka në qendër Krishtin. Për mua personalisht ishte shumë e fuqishme. Ndërsa bashkërendoj me mësues të tjerë dhe i ndihmoj t’i zhvillojnë ato gjëra, ky mjet do të sjellë ndryshim për programin tonë kaq pozitivisht dhe për studentët, sa ndihem shumë mirënjohëse. Doja thjesht t’ju falënderoja.

Vëllai Uimpi: E di se Shadraku është në Zonën Perëndimore të Afrikës. Shadraku ka pasur një përvojë duke ndihmuar një studente që të kishte atë lloj përvoje në klasë. Shadrak, a je i gatshëm ta tregosh këtë për të gjithë ne?

Vëllai Shadrak Bentum: Po, faleminderit. Kisha një studente të ndrojtur, zakonisht nuk do të lexonte në klasë, as nuk pyeste apo jepte përgjigje. Kjo vazhdoi për ca kohë derisa përdora parimet te “Dini Emrin, Rrethanat dhe Nevojat e Të Mësuarit për Çdo Nxënës” me theks te zotësia “Vëzhgoni dhe Pyesni për Interesat e Studentëve” në pjesën “Zotësitë e Zhvillimit të Mësuesit”. Vëzhgova që ajo studente zakonisht vinte në institut për të studiuar për provimet e shkollës. Tregova interes për fushën që po studionte dhe fola me të për detyrat e shkollës. Mësova se kishte një shoqe të ngushtë në klasën time. Prandaj e vija në të njëjtin grup me shoqen e saj gjatë veprimtarive në grup, që i përdorja shpesh për shkak të saj. Gradualisht, ajo filloi të lexonte në klasë, t’u përgjigjej pyetjeve dhe të tregonte përvoja. Në një koment që tha, ajo tregoi se ishte shumë e ndrojtur në klasë, por tani ndihej me më shumë vetëbesim. Kohët e fundit ajo paraqet detyrat e grupit në orën mësimore dhe gjithmonë do të jetë mes të parëve që vjen në klasë. Përvoja e të mësuarit është bërë më e mirë për të.

Motra Skot: Kjo na çon te një pyetje që ka Vëllai Daglas Franko. Ai është nga zona Veriperëndimore e Amerikës së Jugut dhe e ftojmë ta bëjë pyetjen tani.

Vëllai Daglas Franko: Faleminderit. Përshëndetje! Pyetja ime lidhet me rolin e mësuesit dhe përvojën e nxënësit. Si mund ta dimë më mirë se ajo që po bëjmë në klasë, po e ndihmon studentin që të ketë përvoja kthimi në besim, domethënieje dhe përkatësie? Një klasë e përqendruar te Krishti, që po e japim mësim, mund të ndihmojë me kthimin në besim, edhe mësimdhënia nëpërmjet Shpirtit e ndihmon atë. Si i ndihmojmë mësuesit tanë kur i kanë këto pyetje ose kur dëshirojnë të përmirësohen në disa prej këtyre parimeve?

Vëllai Uillard: Vëllai Franko, na trego ku jep mësim. Në cilin vend je?

Vëllai Franko: Faleminderit. Jap mësim në institutin e Bolivisë në Koçabamba, Bolivi.

Vëllai Uillard: Në rregull, Vëllai Franko. Gëzohemi që je me ne sot. Besoj se ti ke pasur ca sukses duke e ditur që ato përvoja të kthimit në besim po ndodhin në klasën tënde. A mund të mendosh për një rast kur e ndjeve Frymën e Shenjtë të të mësonte se ato përvoja të kthimit në besim po ndodhnin në klasën tënde?

Vëllai Franko: Po. Nganjëherë studentët e përmendin këtë – gjatë orës mësimore ose pas saj. Nganjëherë më shkruajnë me WhatsApp dhe thonë: “Vëllai Franko, faleminderit për mësimin. U ndjeva i frymëzuar ta bëj këtë gjë.” Të tjerët në klasë, i shoh të shkruajnë edhe kur nuk jap udhëzim për të shkruar diçka në ditarin e studimit. Ata ende po shkruajnë. Sjellja e tyre tregon se po e ndiejnë këtë. Mendoj se kjo është diçka për ta përmendur.

Vëllai Uillard: Kjo është kaq e mirë. Më kujtohen ato tri fjalë të dhëna mësim vite më parë nga Plaku Bednar për dallimin, vëzhgimin dhe dëgjimin kur japim mësim. 5 Ky është thelbi i asaj që na treguat. Dallove ose vëzhgove disa gjëra që kishin ndodhur qoftë gjatë ose pas orës mësimore. Për shkak të këtyre vëzhgimeve, është sikur Fryma e Shenjtë po ju mëson diçka që ndodhi sot, që ishte e rëndësishme. Vëllai Franko, çfarë mund të bësh që të shtosh mbi këtë gjë? Çfarë mund të bësh, më falni, nuk e di fjalën. Çfarë do të bëje që ta rritje mundësinë që kjo të ndodhë më shpesh në klasë?

Vëllai Franko: Po mendoj se ka kaq shumë gjëra. Po mendoja për mjetet e vlerësimit. Mendoj se ndihmon të vëzhgohemi nga dikush tjetër, një koleg, mbikëqyrësi, që të mund t’i kuptoj dhe gjej gjërat që kam nevojë t’i përmirësoj. Ky mjet vlerësues, i dhënë studentëve gjithashtu ndihmon – ne po i përdorim ato. Është mahnitëse të shohim atë që ndiejnë, thonë në klasë, çfarë ndiejnë për mësuesin, orën mësimore dhe rolin tonë. Është mahnitëse. I shohim rezultatet dhe themi: “Më nevojitet të punoj me këtë gjë”. Ose këtë po e bëj shumë mirë. Përdormi i kësaj gjëje mund të ndihmojë, por duke folur për veten time, ndoshta duke bërë gjithçka mundem dhe duke u udhëhequr nga Shpirti. T’u kushtoj vëmendje nevojave të tyre dhe nëse e bëj, kjo do t’i ndihmojë që të plotësohen ato nevoja.

Vëllai Uillard: Vëllai Franko, faleminderit. Teksa na fole për atë dëshirë që të jeni më i mirë, ndjeva Frymën e Shenjtë të më dëshmojë se sa shumë Ati Qiellor të do ty dhe mësues si ty anembanë botës. Kur bëjmë më të mirën që të duam Perëndinë dhe fëmijët e Tij, Ai do të na bekojë dhe shfaqë se si po ia dalim në klasë, do të na tregojë nëse ato përvoja kthimi në besim, domethënieje e përkatësie po ndodhin, që t’i ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore për të ardhur më pranë Jezu Krishtit. Vëllai Franko, faleminderit shumë për gjithë rininë që po bekoni. E vlerësojmë përvojën tuaj.

Vëllai Franko: Faleminderit.

Motra Njubold: Vëllai Uillard, ju dua. Faleminderit. Dhe për bashkëbisedimin Vëllai Franko, dhe shpreh mirënjohjen dhe dashurinë për ju dhe gjithë mësuesit tanë. Po mendoja për disa gjëra me kthimin në besim, domethënien dhe përkatësinë. Është vërtet e rëndësishme. Shumë njerëz kanë kërkuar trajnim për ato gjëra specifike dhe mbani mend që kthimi në besimin te Jezu Krishti dhe Ati ynë në Qiell, domethënia dhe përkatësia janë rezultatet e asaj që po bëjmë me mësimdhënien. Nëse nuk e kuptojnë se si zbatohet në jetën e tyre, do të jetë më e vështirë që të kenë përvojën që u nevojitet. Fryma e Shenjtë është Ai që e bën atë.

Motra Skot: Xhemi Skot tregoi një histori të bukur. Motra Skot, a mund të na e tregosh sot?

Motra Xhemi Skot: Me gjithë qejf. Përqendrohem te mësuesit si Krishti, nuk zotohem ndaj një stili apo metode të caktuar, por që të ndërtoj besim në Jezu Krishtin dhe të bëhem më shumë si Ai. Teksa po jepja mësim një ditë, pata mbresën t’i pyesja studentët: “Çfarë lloj mësimi do t’ju ndihmonte të afroheshit më pranë Shpëtimtarit?” Në të katër klasat e mia u përmend muzika. Vendosëm të kishim një ditë ku të mësonim për Shpëtimtarin nëpërmjet muzikës. Studentët mund të tregonin për një himn ose këngë që i afronte më pranë Jezu Krishtit. Disa prej tyre luajtën në një vegël. Disa më bënë të luaja një këngë me mikrofonin ndezur. Disa prej tyre kënduan. Patëm një larmi himnesh e këngësh. Para ose pas muzikës, ata folën e dhanë dëshmi për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Dhe ishte një ditë kur Shpirti u ndje nga të gjithë. Të tjerë treguan përvojat që po i përjetonin pikërisht në atë çast. Disave Shpirti u solli në kujtesë një të vërtetë që e kishin pasur më parë. Shpirti u ridëshmoi për atë të vërtetë.

Kishte një të ri në veçanti që frekuenton seminarin, por nuk donte të ishte atje. Ai ngriti dorën dhe tha: “Nuk e kam ndier Shpirtin për më shumë se katër vjet. Kur Beni e luajti në violë atë himn” dhe ishte “E Di, Jeton Shëlbuesi im”, tha ai, “e ndjeva Shpirtin dhe ishte mirë.” Jam vërtet mirënjohëse që Zoti e di atë që u nevojitet të zgjedhurve të Tij. Jam mirënjohëse që dëgjova dhe i pyeta se çfarë donin, që ky i ri ta ndiente dashurinë e Shpëtimtarit dhe të dinte se cili është dhe se atë e donin.

Motra Skot: Faleminderit që na e tregove. Vëllai Xhejms, ke ngritur dorën.

Vëllai Xhejms: Faleminderit. Dua të shtoj diçka. Këto përvoja kanë qenë të mrekullueshme për mua personalisht. Jam përpjekur t’i përdor mjetet matëse, materialet vëzhguese, që iu dhanë studentëve herën e fundit. E zbatova atë në klasën time dhe ishte mjaft zbuluese – siç u dha mësim këtu, thelbi i këtij vlerësimi është të na ndihmojë të marrim më shumë zbulesë në fushat ku mund të përmirësohemi.

Dua të lexoj një nga gjërat e kësaj ankete që një nga studentët e mi në klasë e tha rreth domethënies së përvojave në orën mësimore. Pas anketës, po vlerësoja në disa drejtime materialet e mbledhura. Gjeta këtë thënie për njërën nga pyetjet që studenti u dha përgjigje. Studenti tha: “Ora mësimore ishte shumë domethënëse për mua ngaqë mësuesi më ndihmoi të gjeja domethënien e parimeve të ungjillit që mësova, për jetën time”. Dikush tjetër foli për atë që mund të bëja që ta ndihmoja të përmirësohet. Ai tha: “Dua që mësuesi të më përfshijë në diskutimet e klasës dhe të më bëjë pyetje”.

Këto janë gjërat që zakonisht nuk do të kisha qenë në gjendje t’i përdorja nga këto materiale nëse nuk vëzhgohesha nga studentët e mi, mbikëqyrësi im dhe nga vetëvlerësimi im personal, dhe që më hapën sytë për fushat ku më nevojitej të përmirësohesha. Këto 25 zotësi dhe ushtrime janë të mrekullueshme, shumë të lehta që të zbatohen edhe gjatë paraqitjes së mësimit. Faleminderit.

Vëllai Uillkins: Doja të tregoja një përvojë të shkurtër që më mësoi fuqinë e bashkimit të përqendrimit te synimi me përqendrimin te zotësitë. Një ditë në mësim kishim një bashkëbisedim mbi pendimin, të përqendruar te Krishti. Jo thjesht pendimin për sjelljen, por parimin që ne mund t’i afrohemi Krishtit dhe t’i kërkojmë që ta forcojë dobësinë tonë. Mendova për disa prej këtyre zotësive nga materialet e trajnimit. Teksa i shihja studentët të diskutonin, pashë një të re, u përqendrova tek ajo për shkak të kësaj zotësie. Po përpiqesha t’i shihja njerëzit në sy dhe të bëja pyetje vijuese. E pashë duke fshirë disi syrin. Ndjeva nxitjen që të bëja pyetjen vijuese: “Niki, do të na tregosh se çfarë të mësoi Shpirti?” Kjo e re e hapi zemrën, qau dhe tha se kishte marrë përgjigje për një lutje pesëvjeçare, se ajo ishte përpjekur të pendohej, por asnjëherë nuk i kishte kërkuar Zotit që t’ia ndryshonte zemrën.

Dhe ngaqë isha përqendruar te synimi gjatë gjithë mësimit, bashkëbisedimi i përqendruar te Krishti ishte i mirë. Për shkak të përqendrimit te një zotësi, isha i kënaqur që po u kushtoja vëmendje zotësive që të bëja një pyetje vijuese, t’i shihja njerëzit në sy. U desh një përvojë që ishte vërtet e mirë, që të krijohej fatmirësisht një përvojë jetëndryshuese. Për mua, kjo sjell gjithë ndryshimin përse synimi është pikënisja, por përqendrimi te zotësitë na lejon të ndihmojmë që synimi të futet në vende më të thella.

Motra Skot: Faleminderit. Lidhja njerëzore e bërjes së kontaktit nëpërmjet syve i fton njerëzit të përfshihen dhe të kenë një përvojë vetjake me ju. Çfarë ilustrimi i mrekullueshëm! Vëllai Mark Espidita.

Vëllai Mark Espidita: Fillova t’i përdor materialet që na u dhanë, rreth dy muaj më parë për trajnimet e mia të reja model si bashkërendues në Canvas. Po krahasoja se si mësuesit reaguan ndaj gjërave që vendosa në trajnimet e kaluara, duke përdorur manualin e vjetër Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Nuk kishte mjaft ndërveprim në tabelën tonë të diskutimit. Kohët e fundit, kur fillova t’i përdor temat në manualin e ri, kuptova se mësuesit ishin më të përfshirë, ishin vërtet të hapur ndaj të treguarit të përvojave të tyre.

Dua të tregoj një nga komentet e njërit prej mësuesve të mi. Ishte një trajnim që e bëra pak javë më parë. Është lidhur me lutjen me emër për ata që i mësoni. Mora komente të shkëlqyera dhe mahnitëse. Një nga gjërat që u tha nga njëri prej mësuesve, është – thjesht do të lexoj komentin. Thuhet: “Ky ishte një kujtues i shkëlqyer se, si mësues ka raste kur jemi të shqetësuar t’u japim mësim studentëve dhe t’i lejojmë të ndiejnë shpirtin nëpërmjet përgatitjeve tona. Gjithsesi, gjëja jetike që vërtet ka rëndësi, është se si mesazhi i mësimit mund të përshtatet sipas nevojave të tyre. Studentëve u nevojitet një mesazh domethënës për ta. Prandaj lutja për ta individualisht mund të sjellë ndryshim, kur përgatitim mësimet për ta. Na jep një lloj udhe ku Shpirti na drejton për të folur dhe dhënë mësim.” Vërtet nuk e kuptova se do të sillte kaq shumë ndikim tek ata. Materialet janë shumë të dobishme për mësuesit tanë. Kaq kisha.

Motra Skot: Vëllai Kevin Braun, a dëshiron të na tregosh diçka?

Vëllai Kevin Braun: E vlerësoj shumë procesin zbulues që është ndërthurur në këtë trajnim tërësor dhe të gjitha këto mjete që na janë dhënë. Shkrova në shënimet e mia diçka, shpresoj nëpërmjet Frymës së Shenjtë, veçanërisht atë që e mësova nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe nëpërmjet atij burimi, me sa ngutje dhe dëshirë të veproj, ndryshoj ose vë në jetë? Është, siç u tha më parë, Fryma e Shenjtë që krijon domethënie për studentët tanë. Por ç’më befasoi sot është që Fryma e Shenjtë krijon domethënie për mësuesin. Atë që e mësoj nëpërmjet Shpirtit se si ta vë në jetë, duhet ta bëj me të shpejtë. Kur e bëjmë këtë, mrekulli do të ndodhin në klasë. Mësuesit do të jenë në gjendje ta dëshmojnë atë.

Motra Skot: Faleminderit për atë mesazh që na dhatë. Kemi edhe një dorë të ngritur. Vëllai Kastro, a doni të na tregoni diçka?

Vëllai Kastro: Po, faleminderit. Në mendje më erdhi një mendim ose mësim i dhënë nga Plaku Dejvid A. Bednar. Ai tha: “Është një gjë që të dimë se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne. Është thelbësore dhe themelore për doktrinën e Krishtit. Por gjithashtu ne duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, me anë të Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të jetojë te ne – jo vetëm për të na drejtuar, por edhe për të na dhënë forcë.” 6 Këtë e ndjeva sot, që Zoti dëshiron të na ndihmojë në këtë vepër të madhe. Ne ndihmojmë rininë tonë dhe mësuesit që të ndihen në të njëjtën mënyrë.

Motra Skot: Faleminderit, Vëllai Kastro. Faleminderit kujtdo që mori pjesë sot. Kemi dëgjuar dëshmi të mrekullueshme se si t’i zbatojmë gjërat që diskutuam sot, në një mënyrë shumë vetjake. Dua thjesht të shtoj dëshminë time. E di se kjo është vepra e Zotit dhe Ai interesohet për zhvillimin tonë vetjak dhe aftësinë tonë për t’u lidhur me rininë dhe të rinjtë në moshë madhore të cilëve u japim mësim. Ai do ta ndihmojë secilin prej jush teksa i zbatoni këto mjete të ndryshme për të cilat folëm, në mënyrë vetjake për ju; se Krishti, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, do t’ju tregojë me çfarë të punoni; dhe pikërisht gjëja që ju nevojitet, siç u ilustrua nga të gjitha historitë tona sot, është pikërisht gjëja që ai person ka nevojë ta dëgjojë. Dhe përmes jush, ata do të mund të vijnë te Krishti. Unë jap dëshminë time për këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër