Transmetimet e Trajnimeve
Seminari e Bekoi Jetën Time


Seminari e Bekoi Jetën Time

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së me Presidentin Ballard për Vitin 2022

E premte, 21 janar 2022

Mirëmëngjesi! Sigurisht që ju është dhënë mësim mirë këtë mëngjes dhe unë me siguri miratoj çdo gjë që keni dëgjuar deri tani, dhe lutem që Zoti të mund të më ndihmojë të shtoj [mësimdhënie] në takimin e mrekullueshëm që kemi me ju, që keni një përgjegjësi kaq të madhe. Është kënaqësi të jesh me ju. Dua të shpreh dashurinë time për secilin prej jush dhe shpresoj që ju do t’ua shprehni atë dashuri pjesëtarëve të familjeve tuaja. Ju sjell dashurinë e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Jemi mirënjohës për përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme dhe besnike për të dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit, i cili do të bekojë jetën dhe do të forcojë dëshmitë e anëtarëve tanë të Kishës, të rinj në moshë.

Dua të filloj duke ju treguar se si seminari e bekoi vetë jetën time. Ai mbolli farat e dëshmisë për ungjillin dhe më ndihmoi të përgatitesha për misionin tim dhe mundësitë për udhëheqje.

Siç mund ta dini, unë jam stër‑stërnipi i Hajrëm Smithit, vëllai më i madh i Profetit Jozef Smith të Riut. Nëna ime ishte nga familja Smith dhe unë jam stërnipi i Presidentit Jozef F. Smith, Presidenti i gjashtë i Kishës. Jam gjithashtu nip i dy Apostujve: Plakut Hajrëm Mek Smith, babai i nënës sime, dhe Melvin J. Ballard, babai i babait tim.

Me këta burra si paraardhësit e mi, ju mund të mendoni se do ta kisha pasur ungjillin thellë në zemrën time kur isha adoleshent. Megjithatë, nuk e kisha. Më lini t’ju tregoj pak më shumë rreth prindërve të mi dhe jetës sime deri në shërbimin tim misionar.

Babai im zotëronte biznesin e tij të shitjes së automobilave. Në vitin 1929, kur isha vetëm 10 muajsh, goditi Depresioni i Madh. Sfidat ekonomike që rezultuan nga depresioni, çuan në një kthesë fatkeqe për prindërit e mi e familjen tonë dhe në veçanti për babanë tim. Ai qe shumë i zënë nga mundi për të mbajtur një familje gjatë asaj periudhe të vështirë, kjo gjë e largoi atë nga veprimtaria në Kishë.

Më vonë, kur isha më i madh në moshë dhe gjendja jonë financiare u stabilizua, babai bleu ca tokë në malet në lindje të Solt‑Lejk‑Sitit. Ai kalonte kohë të dielave duke ndërtuar një shtëpi prej druri dhe të gjithë punonim me të. Nuk i frekuentonim mbledhjet e Kishës si familje.

Tërheqja e prindërve të mi nga veprimtaria në Kishë nuk më pengoi që të frekuentoja shërbimet e adhurimit me miq të mirë, gjë që e bëja kur familja jonë ishte në shtëpi, ose të lutesha me vetë nënën time të ëmbël. Megjithatë, nuk po e ndiqja seminarin.

Kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, shoqja ime, Nedra Mortenseni, më pyeti pse nuk po e frekuentoja seminarin herët në mëngjes. Kështu që ditën tjetër fillova ta frekuentoja çdo ditë që nga ajo kohë e më tej. Seminari herët në mëngjes fillonte në 06:30 të mëngjesit. Ky orar ishte shumë herët për shkollën e mesme – të paktën ishte për mua. Mbaj mend që e frekuentoja në dimër, në ato mëngjese të ftohta dimri me dëborë. Dhe kur filloi viti im i fundit në shkollë të mesme, u zgjodha president i seminarit të Shkollës së Mesme Lindore.

Pjesëmarrja ime në seminar është një nga gjërat që më vendosi në drejtimin e duhur për jetën time. Në seminar zemra ime u prek dhe farat e dëshmisë u mbollën brenda shpirtit tim. Nuk mbaj mend gjithçka që më është mësuar, por mbaj mend se si u ndjeva kur isha atje. Mbaj mend gjithashtu që ndihesha sikur i përkisja atij vendi.

Jam mirënjohës për mësuesit e mi të seminarit, të cilët, ashtu si secili prej jush, i kushtuan kaq shumë kohë përgatitjes së mësimeve kuptimplota që e ftuan Shpirtin.

Jam gjithashtu mirënjohës për secilin prej mësuesve që iu dha mësim fëmijëve të mi. Ndërsa ata po rriteshin, ne e studionim ungjillin si familje, por udhëzimi shtesë që ata morën në seminar, e bekoi jetën e tyre asokohe – dhe vazhdon ta bekojë jetën e tyre tani. Si gjysh dhe stërgjysh – sapo kemi pritur stërnipin tonë të 100‑të – falënderoj mësuesit që u kanë dhënë mësim dhe po u japin mësim nipërve e mbesave të mia. Në emër të të gjithë prindërve dhe gjyshërve kudo në mbarë Kishën, ju falënderoj për sakrificat që bëni për të përgatitur, mësuar, dashur dhe ftuar secilin prej fëmijëve të Atit Qiellor që të vijë te Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht.

Vëllezër dhe motra, ju jeni të rëndësishëm për Zotin dhe planin e Tij. Secili prej jush luan një rol në prekjen e zemrave të këtyre të rinjve e të rejave të çmuara. Puna dhe përpjekjet tuaja janë jashtëzakonisht të rëndësishme për forcimin e brezit të ri dhe për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ju lutemi, dijeni vlerësimin tonë të skajshëm për gatishmërinë tuaj që të shërbeni dhe për përpjekjet tuaja besnike që të jepni mësim dhe administroni punët e programit të seminarit dhe institutit kudo në botë.

I shpreh vlerësim Plakut Holland dhe komitetit ekzekutiv, Plakut Klark Gilbert si komisioner dhe Vëllait Çad Ueb si administrator. Dhe të gjithë ju udhëheqës të sektorëve, anëtarë të personelit dhe çdo mësues/e, ne ju duam, ju vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për përpjekjet e përkushtuara të gjithsecilit për edukimin fetar.

Siç e përmenda më herët, pjesëmarrja ime në seminar më ndihmoi të fitoja një dëshmi dhe të ecja përpara në shtegun e besëlidhjeve. Për shkak të kësaj, unë isha në gjendje t’i ndihmoja prindërit e mi të bëheshin aktivë. Shërbeva në një mision, gjë që ndoshta nuk do të kishte ndodhur po të mos ishin miqtë e mirë të cilët ndodhi që t’i njihja e me të cilët të miqësohesha në seminar, dhe që më sugjeruan që edhe unë duhet të shërbeja në një mision.

Kur fola në mbledhjen e sakramentit përpara misionit, babai im mori pjesë që të më dëgjonte të flisja. Ishte hera e parë në jetën time që e mbaj mend babanë tim të vinte në kishë me mua. Kur u ktheva në shtëpi nga misioni, fola me prindërit e mi për rëndësinë e frekuentimit të mbledhjeve tona të Kishës. Prindërit e mi zgjodhën të ktheheshin në veprimtarinë në Kishë dhe ata pranuan thirrje dhe detyra të ndryshme gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre.

Kohët e fundit, Kisha bëri disa analizime për të rinjtë e të rejat në Jutë. Njëri nga kombinimet e treguesve që e bënte shumë të mundshme që të rinjtë e të rejat të merrnin pjesë në veprimtarinë e Kishës ende pas pesë vjetësh, ishte nëse ata do të ndiqnin seminarin dhe do të kishin një rekomandim tempulli. 1

Nënsektori Kërkimor për Marrëdhëniet e Ndërsjella i Kishës studioi gjithashtu ndikimin e seminarit, institutit dhe kolegjeve të Kishës. Studimi i tyre tregoi se seminari ishte ndikimi kryesor në veprimtarinë jetëgjatë në Kishë, për dëshminë, ndjenjat e përkatësisë, të ndierit të Shpirtit dhe përkushtimin vetjak e përkushtimin familjar. 2

Vëllezër dhe motra, ju po sillni ndryshim. Një frymë e fuqishme përkushtimi rrezaton nga ju si dishepuj të Zotit Jezu Krisht. Ju falënderoj që e mbani atë Shpirt gjatë gjithë jetës suaj dhe që e çoni atë Shpirt në mjediset e klasave tuaja. Ju falënderoj që i keni prekur zemrat e rinisë sonë dhe të të rinjve e të rejave në moshë madhore.

Kur mendoj rreth përgjegjësisë sonë për t’u dhënë mësim dhe për t’i prekur zemrat e tyre, më kujtohet një përvojë që pata në Tempullin e Solt‑Lejkut shumë vjet më parë. Në një mbledhje dëshmish në katin e katërt të Tempullit të Solt‑Lejkut, Presidenti Gordon B. Hinkli dëshmoi për rëndësinë e përvetësimit të ungjillit nga ana e njerëzve dhe qëndrimit të ankoruar tek ai. Ai tha se, në mënyrë që njerëzit ta përvetësonin atë, ata kishin nevojë për më shumë se një kthim mendor në besim – ata kishin nevojë për një kthim shpirtëror në besim. Ai tha se nevojitet që ne të jemi në gjendje ta çojmë vlerësimin për ungjillin nga mendjet tona te zemrat tona. Faleminderit që ndihmuat që kjo të ndodhë me studentët tuaj.

Më 25 qershor 2015, vetëm disa javë përpara se të bëhej President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe ndërsa shërbente në atë kohë si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Misionarëve, Presidenti Rasëll M. Nelson foli në seminarin për udhëheqësit e misioneve në vitin 2015. Ai dha mësim rreth misionarëve që të bëheshin letra të Zotit. Ai tha: “Ne, si përfaqësues të Zotit, jemi të privilegjuar të predikojmë ungjillin e Tij. Apostulli Pal dha mësim një koncept mahnitës. Ai shpalli se çdo përfaqësues, çdo dishepull, po, çdo misionar mund të bëhet një ‘letër e [gjallë] e Krishtit, … e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, … [e ngulitur] mbi rrasa të një zemre mishi’ [2 Korintasve 3:3].” 3 Dëshmoj se çdo student mund të preket nga ungjilli ndërsa e ndjek seminarin; ata mund ta kenë ungjillin të shkruar në rrasat prej mishi të zemrave të tyre.

Faleminderit për përgatitjen tuaj vetjake për të bërë atë që e bëni kaq mirë: të jepni mësim ungjillin e Jezu Krishtit në mënyrë që Shpirti të mund t’u prekë zemrat fëmijëve të Atit tonë Qiellor.

Në botën e sotme plot konflikt, këta të rinj e të reja kanë nevojë për gëzimin dhe paqen e ofruar nga Shpëtimtari Jezu Krisht nëpërmjet ungjillit të Tij. Ata kanë nevojë të ndiejnë në zemrat e tyre dashurinë që Shpëtimtari ynë ka për secilin prej tyre.

Më lejoni të flas për krijimin e udhëheqësve të ardhshëm. Ju e dini se rinia dhe të rinjtë e të rejat e sotme në moshë madhore janë udhëheqësit tanë të ardhshëm. Ata do të udhëheqin – ose tashmë po i udhëheqin – familjet e tyre. Ata do të ndikojnë te fqinjët dhe komunitetet e tyre. Të gjithë do të jenë udhëheqës ndërsa japin mësim – në Kishë, në shtëpi, në shkollë ose në komunitet. Disa do të shërbejnë te Fillorja, Të Rejat ose Shoqata e Ndihmës – dhe madje në presidencat. Disa do të shërbejnë në peshkopata, si president kunji apo si udhëheqës misioni. Disa do të udhëheqin Kishën mbarëbotërore 20 deri në 30 vjet më tej nga sot. Ju po u jepni mësim të rinjve e të rejave me një fat të ardhshëm të cilin ju nuk e dini apo e kuptoni në këtë kohë. Mund të ketë fare mirë, në një nga klasat tuaja, një anëtar të ardhshëm të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju nuk e dini atë, por Zoti ju bekoftë që të jepni mësim siç edhe po jepni mësim.

Për të qenë udhëheqës të mirë të Kishës, të rinjtë e të rejat tona fillimisht kanë nevojë të udhëheqin mirë në shtëpitë e tyre. Mësojuni atyre, veçanërisht të rinjve, se “asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur; nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim” 4 .

Si mësues, ju lutem përqendrohuni te jeta e atyre që u jepni mësim, dhe jini të dobishëm për ta. Ju nuk po i përgatitni ata vetëm për shërbimin misionar ose për të shkuar në kolegj. Ju po i përgatitni ata që të bëhen prindër të mirë. Ju po i përgatitni ata që të bëhen anëtarë dhe udhëheqës të mirë të Kishës. Ju po i përgatitni ata që të jenë të suksesshëm në të gjitha përpjekjet e ardhshme. Teksa e vështroni secilin prej studentëve tuaj, përfytyroni se çfarë do të bëjnë ata pas 5, 10 ose 20 vjetësh dhe më pas kërkoni frymëzim nga qielli për të ditur se si mund t’i ndihmoni ata që të përgatiten për atë kohë.

Jepuni atyre mundësi për të udhëhequr. Siç e përmenda më herët, isha president i seminarit në Shkollën e Mesme Lindore vitin tim të fundit. Mësuesit rrezikuan me mua duke më lejuar që të isha president. Fillova ta ndjek seminarin vetëm vitin tim të parë. Nuk isha studenti i seminarit me një histori të vërtetuar nga vite frekuentimi. Shpresoj se do t’i mbani sytë hapur për të renë ose të riun me potencial dhe do t’i jepni një mundësi asaj ose atij. Ndihmojeni secilin student të tendoset pak. Thjesht mos i lini të lirshëm dhe të kini pritshmërinë që ata të udhëheqin. Përkundrazi, mësojuni se si të udhëheqin, më pas lejojini të udhëheqin dhe pastaj vazhdoni t’u jepni mësim se si ta bëjnë atë edhe më mirë.

Për shembull, kur thirren Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë, ne ofrojmë mundësi mësimdhënieje dhe udhëzimi përpara se t’i dërgojmë në detyrat e tyre individuale në botë. I marrim me vete në detyra. Këta janë burra me përvojë të rëndësishme udhëheqjeje në Kishë; megjithatë, ne vazhdojmë t’i mësojmë para se t’i lëmë të lirshëm. Disa herë gjatë gjithë vitit, anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ndjekin mbledhjet e Të Shtatëdhjetëve për të dhënë udhëzime që t’i ndihmojnë ata të forcojnë dëshmitë e tyre dhe të jenë udhëheqës më të efektshëm. Madje do të shtoja se shfrytëzojmë rastin t’i japim mësim njëri-tjetrit në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, të udhëtojmë me njëri-tjetrin dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ju do të mendonit se pasi kemi qenë në detyrat tona për një kohë të gjatë, ne do t’i dinim të gjitha. Jo, bota ndryshon dhe nevojat e njerëzve janë të ndryshme – sidomos në vende të ndryshme të botës. Kështu që ne, si anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, presim me padurim dhe kemi pritshmërinë t’i japim mësim njëri-tjetrit se si të jemi më të mirë për të përmbushur përgjegjësinë tonë si Apostuj të Zotit Jezu Krisht.

Ju kërkoj t’i ndihmoni udhëheqësit tanë të ardhshëm; shumë prej tyre janë të etur për të mësuar nga përvojat tuaja të udhëheqjes. Koha juaj me ta si studentë të seminarit dhe institutit është e shkurtër, por kini kujdes për ato çaste kur mund të ndikoni te secili prej tyre.

Më lejoni të përmend nevojën për t’iu përgjigjur saktësisht pyetjeve. Të gjithë e dimë se bërja e pyetjeve është një mënyrë e mrekullueshme që studentët të mësojnë. Shumica e pyetjeve tregon një dëshirë për të mësuar. Ju lutem, nxitini studentët të bëjnë pyetje dhe më pas ndihmojini ata që të mësojnë se si të gjejnë përgjigje nëpërmjet studimit dhe lutjes. Ungjilli jep përgjigje për shumicën e pyetjeve për jetën. Megjithatë, do të ketë disa për të cilat nuk do të mund të përgjigjeni sepse na mungon informacioni i nevojshëm për një përgjigje të duhur. Në ato situata, mos spekuloni. Nuk ka gjë po të thoni: “Nuk e di” ose “nuk e dimë”. Gjithmonë do të jemi të sigurt dhe të mbrojtur kur japim mësim të vërtetën, kur japim mësim për gjërat që njëmend i dimë. Mos u endni larg nga e vërteta dhe mos spekuloni për gjëra që nuk i kuptojmë ende. Në shumicën e rasteve, ju mund të jepni një interpretim besnik, të menduar dhe të saktë të shkrimit të shenjtë dhe të doktrinës së ungjillit, të historisë së Kishës ose të temave të tjera që njëmend i kuptojmë. Ju nxit t’i qëndroni programit mësimor që ju ofrohet dhe t’i përdorni burimet me autoritet.

Thjeshtojeni atë. E kam përdorur aq shumë atë frazë gjatë gjithë jetës sime, saqë fëmijët e mi e vendosën atë thënie në gurin e varrit ku prehet bashkëshortja ime e dashur dhe ku unë do të prehem një ditë pranë saj. Dhe në atë gur varri shkruhet: “Thjeshtojeni atë”. Kur të ndërroj jetë, shpresoj se të gjithë do ta kuptojnë se kjo ishte diçka që unë mendoja se ishte e rëndësishme. Thjeshtojeni ungjillin. Është thjesht i bukur, i qartë dhe i mrekullueshëm. Ndërsa jepni mësim ungjillin, thjeshtojeni dhe dëshmoni shpesh për shërbesën dhe misionin hyjnor të Shpëtimtarit tonë, Zotit Jezu Krisht.

Mbani mend që Nefi u lëvdua në qartësi. 5 Ai dha mësim se “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” 6 . Dëshmoj se ndërsa jepni mësim, predikoni dhe dëshmoni për Krishtin, studentët tuaj do ta ndiejnë dëshminë tuaj dhe do të gëzohen për mirësinë e Jezu Krishtit dhe të ungjillit të Tij.

Unë jam nipi i Plakut Melvin J. Ballard. Ai shërbeu si Apostull për 20 vjet. Isha 11 vjeç kur ai ndërroi jetë. Por kishte shumë njerëz – kur u bëra aq i pjekur sa ta kuptoja – të cilëve gjyshi im u kishte shërbyer si Apostull, që e kishin dëgjuar të predikonte, e kishin dëgjuar të jepte mësim. E gjeta veten duke pyetur vazhdimisht – njerëzit e ndryshëm në vende të ndryshme anembanë botës që e kishin dëgjuar atë ta jepte mësim dhe ta predikonte ungjillin. Dhe pothuajse gjithmonë kam marrë përgjigjen: “Nuk më kujtohet tamam ajo që tha ai”, do të më thoshin njerëzit, “por kurrë nuk do ta harroj se si u ndjeva”. Ata të cilëve u japim mësim, ndoshta mund të mos t’i kujtojnë fjalët tona, por kurrë, asnjëherë mos e harrofshin se si ndiheshin ndërsa ne jepnim mësim doktrinat e thjeshta e të bukura të Jezu Krishtit.

Kam folur se sa të rëndësishme janë përgjegjësitë tona si mësues dhe administratorë. Këto përgjegjësi janë të rëndësishme dhe të nevojshme. Megjithatë, përgjegjësitë tuaja në familjen tuaj janë edhe më të mëdha. Jemi këtu në këtë tokë për t’u bërë pjesë e familjeve të gjera me aftësinë për të krijuar dhe formuar pjesën tonë të atyre familjeve. Secila prej rrethanave tona familjare është e ndryshme. Sido që të jenë rrethanat tuaja, ju lutem ushqejini dhe ndërtojini ato marrëdhënie familjare. Për ata që janë të martuar, kaloni kohë me bashkëshorten/in tuaj. Kërkoni këshilla nga bashkëshortja/i juaj dhe ndiqeni atë. Unë isha një baba, bashkëshort dhe udhëheqës më i mirë i Kishës për shkak të këshillës dashamirëse dhe të dashur të bashkëshortes sime të dashur e të shtrenjtë, Barbarës. Për ata që nuk janë të martuar, kërkoni këshillë nga prindërit tuaj, pjesëtarët e familjes suaj ose dikush të cilit i mirëbesoni. Të gjithë ne duhet të ndërtojmë marrëdhëniet tona familjare, sepse ato do të zgjatin përtej kësaj jete. Përgjegjësive apo thirrjes suaj si mësues në këtë program do t’u vijë fundi, por marrëdhëniet tuaja familjare janë të përjetshme.

Teksa i përmbyll fjalët e mia të përzemërta për ju, mendoj për gëzimin që është të jesh pjesë e kësaj pune të rëndësishme së bashku me ju. Ndiej të njëjtin gëzim që ndjeu Amoni kur u tha vëllezërve dhe shokëve të tij:

“Ç’arsye të madhe kemi për t’u gëzuar …?

… Ne u bëmë mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe. …

Qoftë i bekuar emri i Perëndisë tonë; le t’i këndojmë lavdisë së tij, po, le t’i japim falënderime emrit të tij të shenjtë, pasi ai punon me drejtësi përgjithnjë. …

… Gëzimi im është i plotë, po, zemra ime është plot e përplot me gëzim dhe unë do të ngazëllehem në Perëndinë tim.” 7

Vëllezërit dhe motrat dhe bashkëmësuesit e mi të dashur – dhe unë them bashkëmësues sepse përgjegjësia kryesore e anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve është që të japin mësim. Dëshmoj se si fëmijë të Atit Qiellor, ne mund të përjetojmë gëzimin dhe paqen e ungjillit ndërsa e jetojmë dhe e japim mësim atë, ndërsa u bindemi urdhërimeve të Zotit dhe ndërsa ecim në të vërtetën.

Jeta, shërbesa dhe ungjilli i Jezu Krishtit e japin atë gëzim. Te Dhiata e Re, Jezusi u tha dishepujve të Tij: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” 8 .

Profeti Lehi përjetoi gëzimin e frutës së ungjillit dhe dëshironte që edhe familja e tij të merrte prej tij. Ai tha: “Dhe ndërsa po haja frutin …, ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh; prandaj fillova të dëshiroja që familja ime të hante nga ai gjithashtu, se e dija që ishte i dëshirueshëm mbi çdo frut tjetër” 9 .

Jam i sigurt që secili prej nesh ndien të njëjtën gjë si Apostulli Gjon kur tha: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” 10 .

Bota e sotme është e trazuar nga zhgënjimet, mosmarrëveshjet, pakënaqësia, diskriminimi, mungesa e respektit, shkurajimi dhe shqetësimi. Ungjilli i Jezu Krishtit mund të na mbartë nëpër këto kohë të vështira. Profeti Lehi dha mësim një parim të thjeshtë të zbuluar nga Zoti. Ai tha: “[Burrat dhe gratë] janë, që ata të mund të kenë gëzim” 11 .

Në emrin e Zotit dhe me anë e nëpërmjet apostullimit të shenjtë, unë i kërkoj Zotit ta bekojë secilin prej jush që të gjejë gëzim në familje, gëzim në ungjill dhe gëzim në përgjegjësitë e veta si mësues apo administrator në programin e shkëlqyer të seminarit dhe institutit të Kishës. Shpreh përsëri dashurinë time për secilin prej jush dhe për studentët tuaj.

Unë jap dhe lë dëshminë time se Jezu Krishti jeton – dhe kjo është Kisha e Tij dhe ky është ungjilli i Tij. Zoti ju bekoftë, bashkëmësuesit e mi të dashur, që të mund të zgjatemi me gjithë energjinë e zemrave tona për të prekur jo vetëm mendjen, por edhe zemrat e më shumë prej fëmijëve të Atit tonë, të cilët kanë nevojë të dinë se Jezusi është Krishti, se Ai ka ngritur një profet, madje Jozefin, dhe ka rivendosur plotësinë e ungjillit të përjetshëm dhe se gjithçka që është e nevojshme për të gjetur paqe dhe gëzim në këtë jetë, është zbuluar përsëri dhe gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë kërkoj një bekim në emrin e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve mbi ju dhe familjet tuaja. Dhe e bëj këtë me përulësi në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

Shtyp në Letër