Konferenca e Përgjithshme
Vend në Han
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


14:45

Vend në Han

Në këtë periudhë Pashke, Jezu Krishti na fton të bëhemi si Ai, një samaritan i mirë, që ta bëjmë Hanin e Tij (Kishën e Tij) një strehë për të gjithë.

Të dashur vëllezër e motra, ndonëse babai im ndërroi jetë 20 vjet më parë, ka raste që më merr malli për të. Pashka premton se do ta shoh atë përsëri.

Kur isha në shkollën pasuniversitare në Angli, babai erdhi të më vizitonte. Zemra e tij prej babai e dinte se më kishte marrë malli për shtëpinë.

Babait i pëlqente shumë aventura përveçse me ushqimet. Edhe në Francë, që njihet për kuzhinën e saj, ai thoshte: “Hajde të hamë ushqim kinez”. Një patriark që shërbeu gjatë në Kishë, babai im ishte shpirtëror dhe zemërdhembshur. Një natë, teksa makinat e urgjencës me sirena të larta nxitonin përmes Parisit, ai tha: “Gerit, ato britma janë plagët e një qyteti”.

Në atë udhëtim ndjeva britma dhe plagë të tjera. Një vajzë e re po shiste akullore nga një karrocë e vogël me rrota. Kaushët e saj ishin të vegjël sa për një lugë të vetme akulloreje. Për njëfarë arsyeje, një burrë trupmadh u grind me të renë. Duke bërtitur e shtyrë, ai ia përmbysi karrocën, duke ia rrëzuar në tokë kaushët e akullores. Nuk mund të bëja asgjë teksa ai i thërrmonte kaushët me çizmet e veta. Ende mund ta shoh vajzën, të rënë në gjunjë në rrugë, duke u përpjekur të shpëtonte copa nga kaushët e thyer, me lot ankthi që i rridhnin ndër faqe. Pamja e saj nuk më hiqet nga mendja, si një kujtues i dashakeqësisë, moskokëçarjes, keqkuptimit që ne shumë shpesh ia shkaktojmë njëri‑tjetrit.

Një pasdite tjetër, pranë Parisit, babai dhe unë vizituam katedralen madhështore të Shartrës. Mallkëm Millëri1, një ekspert botëror për katedralen, vuri në dukje tri sërë dritaresh me vitrazhe të katedrales së Shartrës. Ai tha se ato tregojnë një histori.

Dritaret e para tregojnë Adamin dhe Evën duke u larguar nga Kopshti i Edenit.

Të dytat shfaqin shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë.

Të tretat paraqesin Ardhjen e Dytë të Zotit.

Të marra së bashku, këto dritare me vitrazhe mund të përshkruajnë udhëtimin tonë të përjetshëm. Ato na ftojnë t’i mirëpresim të gjithë me një vend në hanin e Tij.2

Dritare në Katedralen e Shartrës

iStock.com/digitalimagination

Sikurse Adami dhe Eva, ne vijmë në një botë gjembash dhe bimësh gjembore.3

Dritare në Katedralen e Shartrës

iStock.com/digitalimagination

Në rrugët tona me pluhur për në Jeriko, ne do të na sulmojnë, do të na bëjnë gjithë plagë dhe do të na lënë në dhembje.4

Ndonëse duhet ta ndihmojmë njëri‑tjetrin, shumë shpesh kalojmë në anën tjetër të rrugës, për çfarëdo arsye.

Gjithsesi, me dhembshuri, Samaritani i Mirë ndalet dhe na i lidh plagët duke na i larë me vaj dhe me verë. Simbolet e sakramentit dhe ordinanca të tjera, vera dhe vaji na drejtojnë drejt shërimit shpirtëror në Jezu Krishtin.5 Samaritani i Mirë na vë mbi gomarin e Tij ose, në disa rrëfime në vitrazh, na mbart mbi supet e Tij. Ai na sjell në hanin që mund të përfaqësojë Kishën e Tij. Te Hani, Samaritani i Mirë thotë: “Kujdesu për të. … Do të të jap kur të kthehem.”6 Samaritani i Mirë, një simbol i Shpëtimtarit tonë, premton se do të kthehet, këtë herë me madhështi e lavdi.

Dritare në Katedralen e Shartrës

iStock.com/digitalimagination

Në këtë periudhë Pashke, Jezu Krishti na fton të bëhemi si Ai, një samaritan i mirë, që ta bëjmë Hanin e Tij (Kishën e Tij) një strehë ku gjithkush të mbrohet nga vurratat dhe stuhitë e jetës.7 Ne përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë të premtuar kur çdo ditë ju bëjmë “këtyre … më të vegjël[ve]”8 atë që do t’ia bënim Atij. Fraza “këtyre … më të vegjël[ve]” nënkupton secilin prej nesh.

Teksa vijmë me Samaritanin e Mirë në Han, ne mësojmë pesë gjëra rreth Jezu Krishtit dhe vetes sonë.

Së pari, ne vijmë në Han ashtu siç jemi, me të metat dhe papërsosuritë që kemi secili. Prapëseprapë, ne të gjithë kemi diçka të nevojshme për ta kontribuar. Udhëtimi ynë drejt Perëndisë shpesh gjendet në marrëdhëniet me të tjerët. Ne kemi përkatësi si një komunitet i bashkuar – qoftë kur përballemi me pandemi, stuhi, zjarre, thatësira, apo kur i plotësojmë qetësisht nevojat e përditshme. Ne marrim frymëzim kur këshillohemi së bashku, e dëgjojmë secilin person, përfshirë secilën motër, si dhe Shpirtin.

Kur zemrat tona ndryshojnë dhe marrim shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë9, ne e shohim Atë dhe veten tonë në Kishën e Tij. Tek Ai, ne gjejmë qartësi, jo mosmarrëveshje. Tek Ai, ne gjejmë kauzë për të bërë mirë, arsye që të jemi të mirë, dhe aftësi në rritje për t’u bërë më të mirë. Tek Ai, ne zbulojmë besim të qëndrueshëm, vetëmohim çlirues, ndryshim përkujdesës dhe mirëbesim te Perëndia. Në Hanin e Tij, ne e gjejmë dhe e thellojmë marrëdhënien tonë vetjake me Perëndinë, Atin tonë, dhe Jezu Krishtin.

Ai na mirëbeson që të ndihmojmë për ta bërë Hanin vendin ku Ai nevojitet të jetë. Kur ofrojmë talentet dhe përpjekjet tona më të mira, dhuratat e Tij shpirtërore gjithashtu na forcojnë dhe bekojnë.10

Një përkthyes i spanjishtes më tregoi: “Plaku Gong, e dija me anë të Shpirtit se çfarë do të thoshit, kështu që munda të përkthej”, tha ky vëlla besnik, “me anë të dhuratës së gjuhëve”.

Dhuratat e besimit dhe të sigurisë vijnë dhe ato shfaqen ndryshe në situata të ndryshme. Një motër e dashur mori ngushëllim shpirtëror kur bashkëshorti i saj ndërroi jetë nga COVID-19. Ajo tha: “E njoh bashkëshortin tim të dashur dhe do të jem së bashku me të përsëri”. Në një situatë të ndryshme të COVID‑it, një motër tjetër e dashur tha: “Ndjeva se duhej t’i përgjërohesha Zotit dhe mjekëve për t’i dhënë bashkëshortit tim vetëm pak më shumë kohë”.

Së dyti, Ai na nxit ta bëjmë Hanin e Tij një vend hirësie dhe hapësire, ku çdo njeri mund të mblidhet, ku ka vend për të gjithë. Si dishepuj të Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit janë të barabartë, pa grupe të dorës së dytë.

Të gjithë janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjet e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore.11 Ne e adhurojmë me nderim Shpëtimtarin tonë kur mendojmë dhe tregojmë konsideratë për njëri‑tjetrin. Ne e shohim dhe e pranojmë secilin person. Ne u buzëqeshim, ulemi me ata që ulen vetëm, u mësojmë emrat, përfshirë të të kthyerve të rinj në besim, vëllezërve dhe motrave të kthyera në Kishë, të rejave dhe të rinjve, çdo fëmije të dashur të Fillores.

Duke e përfytyruar veten tonë në vend të tyre, ne i mirëpresim miqtë, vizitorët, njerëzit e sapoardhur, individët e ngarkuar me shumë punë, të cilët tërhiqen në drejtime të shumta. Ne vajtojmë, gëzojmë dhe jemi të pranishëm për njëri‑tjetrin. Kur nuk arrijmë t’i realizojmë idealet tona dhe jemi të nxituar, të pavetëdijshëm, gjykues ose paragjykues, ne kërkojmë faljen e njëri‑tjetrit dhe veprojmë më mirë.

Një familje nga Afrika që tani jeton në Shtetet e Bashkuara, tha: “Prej ditës së parë, anëtarët e Kishës ishin miqësorë dhe mirëpritës. Çdo njeri na bëri të ndihemi si në shtëpi. Askush nuk na pa me përçmim.” Babai tha: “Bibla e Shenjtë na mëson se frytet e ungjillit vijnë nga rrënjët e ungjillit”. “Dhe misionarët”, thanë babai dhe nëna, “ne duam që biri dhe bija jonë të rriten si ata misionarë.” Vëllezër e motra, i mirëpritshim të gjithë ngrohtësisht në Hanin e Tij!

Së treti, në Hanin e Tij, ne mësojmë se përsosja është te Jezu Krishti, jo te perfeksionizmi i botës. Joreal dhe jorealist, perfeksionizmi i botës, i filtruar dhe “i insta‑përsosur”, mund të na bëjë të ndihemi të papërshtatshëm, të mbërthyer nga postimet, pëlqimet ose kontaktet në mediat shoqërore. Në dallim, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, di gjithçka rreth nesh që ne nuk dëshirojmë askënd tjetër ta dijë, dhe Ai ende na do. Ungjilli i Tij është ungjilli i mundësive të dyta e të treta, të mundësuara nëpërmjet flijimit të Tij shlyes.12 Ai e fton secilin prej nesh që të jetë një samaritan i mirë, më pak gjykues dhe më falës ndaj vetes dhe njëri‑tjetrit, madje edhe ndërkohë që përpiqemi fort t’i zbatojmë më plotësisht urdhërimet e Tij.

Ne e ndihmojmë veten kur ndihmojmë njëri‑tjetrin. Një familje që e njoh, jetonte pranë një rruge me shumë lëvizje. Udhëtarët shpesh ndaleshin për të kërkuar ndihmë. Herët një mëngjes, familja dëgjoi trokitje të forta në derë. Të lodhur dhe të shqetësuar se kush mund të ishte në orën 2:00 të natës, ata pyetën veten nëse, të paktën këtë herë, dikush tjetër mund të ndihmonte. Teksa trokitja këmbëngulëse vazhdonte, ata dëgjuan: “Zjarr – ka rënë zjarr prapa shtëpisë suaj!” Samaritanët e mirë e ndihmojnë njëri‑tjetrin.

Së katërti, në Hanin e Tij, ne bëhemi pjesë e një komuniteti ungjillor të përqendruar te Jezu Krishti, me spirancë në të vërtetën e rivendosur, profetët dhe apostujt e gjallë dhe një dëshmi tjetër të Jezu Krishtit – Librin e Mormonit. Ai na sjell te Hani i Tij dhe gjithashtu te shtëpia e Tij – tempulli i shenjtë. Shtëpia e Zotit është një vend ku, sikurse me të plagosurin në rrugën për në Jeriko, Samaritani i Mirë mund të na pastrojë dhe veshë, të na përgatitë për t’u kthyer në praninë e Perëndisë dhe të na bashkojë përjetësisht në familjen e Perëndisë. Tempujt e Tij janë të hapur për të gjithë ata që e jetojnë ungjillin e Tij me besim e bindje.

Gëzimi për tempullin përfshin unitetin ungjillor mes trashëgimive, kulturave, gjuhëve dhe brezave të shumëllojshëm. Në shërbesën e fillimit të punimeve për Tempullin e Tejllërsvillit, Jutë, 17‑vjeçari Maks Harkër tregoi për një trashëgimi besimi familjar që filloi gjashtë breza më parë me stër‑stër‑stërgjyshin e tij, Xhozef Harkërin, dhe bashkëshorten e tij, Suzana Snithin. Në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, secili prej nesh mund të bëhet një hallkë e fortë lidhëse në brezat e familjes së vet.

Së fundi, së pesti, ne ngazëllehemi që Perëndia i do fëmijët e Tij në formimet dhe rrethanat e tyre të ndryshme, në çdo komb, fis dhe gjuhë, me vend për të gjithë në Hanin e Tij.

Gjatë 40 vjetëve të shkuar, anëtarët e Kishës janë bërë gjithnjë e më ndërkombëtarë. Që nga viti 1998, më shumë anëtarë të Kishës kanë jetuar jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë sesa brenda tyre. Deri në vitin 2025, ne presim që po aq anëtarë të Kishës sa jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada mund të jetojnë në Amerikën Latine. Mbledhja e pasardhësve besnikë të atit Lehi është profeci që po përmbushet. Shenjtorët besnikë, përfshirë ata që jetojnë në territoret ku u vendosën pionierët e hershëm, mbeten një rezervuar përkushtimi dhe shërbimi për Kishën mbarëbotërore.

Po ashtu, shumica e anëtarëve të Kishës në moshë madhore janë tani të pamartuar, të ve ose të shkurorëzuar. Ky është një ndryshim domethënës. Kjo përfshin më shumë se gjysmën e motrave të Shoqatës së Ndihmës dhe më shumë se gjysmën e vëllezërve të priftërisë në moshë madhore. I tillë ka qenë modeli demografik në Kishën mbarëbotërore që nga viti 1992 dhe në Kishë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada që nga viti 2019.

Vendi që kemi përpara Zotit dhe në Kishën e Tij, nuk ka lidhje me gjendjen tonë civile, por me bërjen tonë dishepuj besnikë dhe të guximshëm të Jezu Krishtit.13 Njerëzit në moshë madhore duan që t’i shohin si të rritur dhe të jenë përgjegjës e të japin kontribut si të rritur. Dishepujt e Jezu Krishtit vijnë nga çdo vend, në çdo formë, madhësi, ngjyrë dhe moshë, secili me talente, me dëshira të drejta dhe aftësi të pafundme për të bekuar e shërbyer. Ne përpiqemi çdo ditë ta ndjekim Jezu Krishtin me besim deri në pendim14 dhe gëzim të përhershëm.

Gjatë kësaj jete, ne nganjëherë presim Zotin. Ndoshta ende mund të mos jemi atje ku shpresojmë dhe dëshirojmë të jemi në të ardhmen. Një motër e devotshme thotë: “Shpresa me besnikëri te Zoti për bekimet e Tij është një pozicion i shenjtë. Nuk duhet të përjetohet me keqardhje, epërsi ose gjykim, por në vend të kësaj, me nderim të shenjtë.”15 Ndërkohë, ne jetojmë të tashmen, pa pritur që jeta të fillojë.

Isaia premton: “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”16.

Samaritani ynë i Mirë premton se do të kthehet. Mrekullitë ndodhin kur kujdesemi për njëri‑tjetrin ashtu siç do ta bënte Ai. Kur vijmë me zemra të thyera dhe shpirtra të penduar17, ne mund të gjejmë zë te Jezu Krishti dhe të rrethohemi me krahët e Tij kuptues të sigurisë.18 Ordinancat e shenjta ofrojnë përkatësi në besëlidhje dhe “fuqi[në] e perëndishmërisë”19 për ta shenjtëruar qëllimin e brendshëm dhe veprimin e jashtëm. Me mirësinë e Tij plot dashuri dhe durimin e Tij, Kisha e Tij bëhet Hani ynë.

Kur krijojmë vend në Hanin e Tij, duke i mirëpritur të gjithë, Samaritani ynë i Mirë mund të na shërojë në rrugët tona me pluhur të vdekshmërisë. Me dashuri të përsosur, Ati ynë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, premtojnë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”20 – “që atje ku jam unë, ju të jeni gjithashtu”21. Unë dëshmoj për këtë me plot mirënjohje në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.