Ju Do të Jeni të Lirë
Jezu Krishti është drita që duhet të mbajmë lart madje edhe gjatë kohëve të zymta të jetës sonë në vdekshmëri.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam shumë mirënjohës për privilegjin që t’ju drejtohem nga Afrika. Është një bekim të kemi teknologjinë sot dhe ta përdorim atë në mënyrën më të efektshme që t’ju drejtohemi juve kudo që të jeni.
Në shtator 2019, Motra Mutombo dhe unë, ndërkohë që po shërbenim si udhëheqës të Misionit të Merilendit, Baltimorë, patëm privilegjin të vizitonim disa vende historike të Kishës në Palmira, Nju‑Jork, gjatë kohës kur po merrnim pjesë në një seminar për udhëheqjen e misionit. Ne e përfunduam vizitën në Korijen e Shenjtë. Qëllimi pse ne e vizituam Korijen e Shenjtë nuk ishte që të kishim një shfaqje të shenjtë apo një vegim, por ne e ndiem praninë e Perëndisë në këtë vend të shenjtë. Zemrat tona u mbushën me mirënjohje për Profetin Jozef Smith.
Rrugës për në kthim, Motra Mutombo vuri re që unë isha shumë i qeshur gjatë kohës që po i jepja makinës, ndaj ajo pyeti: “Cila është arsyeja e gëzimit tënd?”
Unë u përgjigja: “Natalia ime e dashur, e vërteta do të triumfojë gjithmonë mbi gabimin dhe errësira nuk do të vazhdojë në tokë, për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit”.
Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti e vizituan të riun Jozef Smith për të sjellë në dritë atë që ishte e fshehur, që ne të mund të marrim “dituri për gjërat siç janë … siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24).
Pas më shumë se 200 vjetësh, shumë njerëz ende kërkojnë të vërtetat e nevojshme për t’u bërë të lirë prej disa traditave dhe gënjeshtrave që kundërshtari përhap anembanë botës. Shumë janë “të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve” (Doktrina e Besëlidhje 123:12). Në letrën e tij drejtuar efesianëve, Pali dha mësim: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty” (Efesianëve 5:14). Shpëtimtari premtoi se Ai do të jetë një dritë ndaj të gjithë atyre që i dëgjojnë fjalët e Tij (shih 2 Nefi 10:14).
Tridhjetë e pesë vjet më parë, edhe prindërit e mi ishin të verbuar dhe po kërkonin me dëshpërim të dinin të vërtetën, dhe ishin të shqetësuar se ku të drejtoheshin për ta gjetur atë. Të dy prindërit e mi kishin lindur në fshat, ku traditat ishin të rrënjosura në jetën e individëve dhe familjeve. Ata që të dy u larguan nga fshati kur ishin të rinj dhe erdhën në qytet, në kërkim të një jete më të mirë.
Ata u martuan dhe e filluan [jetesën] në familjen e tyre në një mënyrë shumë të thjeshtë. Ne ishim gati tetë njerëz në një shtëpi të vogël – prindërit e mi, dy nga motrat e mia dhe unë, dhe një kushëri që jetonte me ne. Unë pyesja veten a ishim me të vërtetë një familje, pasi neve nuk na lejohej të hanim darkë në të njëjtën tryezë me prindërit tanë. Kur ati ynë kthehej nga puna, sapo ai hynte në shtëpi, neve na kërkohej të largoheshim dhe të dilnim jashtë. Netët tona ishin shumë të shkurtra, pasi ne nuk mund të flinim për shkak të mungesës së harmonisë dhe dashurisë së vërtetë në martesën e prindërve tanë. Shtëpia jonë nuk ishte vetëm e vogël në përmasa, por ishte një vend i errët. Përpara se të takoheshim me misionarët, ne frekuentonim kisha të ndryshme çdo të diel. Ishte e qartë që prindërit tanë po kërkonin diçka që bota nuk mund t’ua siguronte.
Kjo vazhdoi derisa u takuam me Plakun dhe Motrën Haçings, çifti i parë misionar në moshë i thirrur të shërbente në Zaire (e njohur sot si RD e Kongos ose Kongo‑Kinshasa). Kur filluam të takoheshim me këta misionarë të mrekullueshëm, të cilët ishin si engjëj të dërguar nga Perëndia, unë vura re se diçka filloi të ndryshonte në familjen tonë. Pas pagëzimit tonë, ne me të vërtetë filluam gradualisht që të kishim një mënyrë të re jetese për shkak të ungjillit të rivendosur. Fjalët e Krishtit filluan të zmadhonin shpirtrat tanë. Ato filluan të ndriçonin të kuptuarit tonë dhe u bënë të këndshme për ne, pasi të vërtetat që ne morëm, ishin të dallueshme dhe ne mund ta shihnim dritën, dhe kjo dritë bëhej përditë e më e shndritshme.
Kjo kuptueshmëri e pse‑së së ungjillit po na ndihmonte të bëheshim më shumë si Shpëtimtari. Përmasat e shtëpisë sonë nuk ndryshuan, as kushtet tona sociale. Por unë dëshmova një ndryshim të zemrave te prindërit e mi ndërsa luteshim çdo ditë, mëngjeseve dhe darkave. Ne studionim Librin e Mormonit; zhvillonim mbrëmje familjare të shtëpisë, ne u bëmë me të vërtetë një familje. Çdo të diel, ngriheshim në orën 6 të mëngjesit për t’u përgatitur që të shkonim në kishë, dhe do të udhëtonim për orë të tëra që të merrnim pjesë në mbledhjet e Kishës çdo javë pa u ankuar. Ishte një përvojë e mrekullueshme ta dëshmoje. Ne, të cilët më parë kishim ecur në errësirë, e larguam errësirën nga mesi ynë (shih Doktrina e Besëlidhje 50:25) dhe pamë “një dritë të madhe” (2 Nefi 19:2).
Mbaj mend që një ditë kur nuk isha i gatshëm të zgjohesha herët në mëngjes për lutjen tonë familjare, u mërmërita motrave të mia: “Me të vërtetë që nuk ka asgjë tjetër që mund të bëjmë në këtë shtëpi, vetëm lutje, lutje, lutje”. Babai im i dëgjoi komentet e mia. E mbaj mend reagimin e tij ndërsa me dashuri, por dhe me vendosmëri më mësoi: “Për aq kohë sa do të jesh në këtë shtëpi, ti do të lutesh, lutesh, lutesh”.
Fjalët e babait tim më tingëllonin në veshë çdo ditë. Çfarë mendoni ju se bëjmë unë dhe Motra Mutombo me fëmijët tanë sot? Ne lutemi, lutemi dhe lutemi. Kjo është trashëgimia jonë.
Burri që kishte lindur i verbër dhe u shërua nga Jezu Krishti, pasi u ndje nën trysni nga fqinjët e tij dhe farisenjtë tha:
“Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu’. Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve. …
… Di një gjë, që isha i verbër, dhe tani [mund të] shoh” (Gjoni 9:11, 25).
Ne gjithashtu ishim të verbër dhe tani mund të shohim. Ungjilli i rivendosur ka ndikuar në familjen tonë që nga ajo kohë. Të kuptuarit e pse-së së ungjillit ka bekuar tri breza të familjes sime dhe do të vazhdojë të bekojë shumë breza që do të vijnë.
Jezu Krishti është drita që shkëlqen në errësirë. Ata që e ndjekin Atë, “nuk do të ec[in] në errësirë, por do të ke[n]ë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).
Për gati një vit, midis viteve 2016 dhe 2017, njerëzit në rajonin Kasai u përballën me një tragjedi të tmerrshme. Ishte një periudhë shumë e errët për njerëzit për shkak të një konflikti ndërmjet një grupimi luftëtarësh tradicionalë dhe forcave qeveritare. Dhuna u përhap nga qytetet në provincën Kasai‑Sentral deri më gjerë në rajonin e Kasait. Shumë njerëz i lanë shtëpitë e tyre për arsye sigurie dhe u fshehën nëpër shkurre. Ata nuk kishin as ushqim as ujë, në të vërtetë asgjë dhe midis tyre ishin disa anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në zonën e Kanangas. Disa anëtarë të Kishës u vranë nga milicia.
Vëllai Honore Mulumba nga lagjja [e Kishës] e Nganzas në Kananga dhe familja e tij ishin disa nga të paktët njerëz që qëndruan të fshehur në shtëpinë e tyre, duke mos e ditur se ku të shkonin sepse të gjitha rrugët ishin kthyer në poligon qitjeje. Një ditë, disa milicë të lagjes e kishin vënë re praninë e Vëllait Mulumba dhe familjes së tij, teksa një mbrëmje ata dolën në përpjekje për të gjetur disa perime në kopshtin e familjes për t’i ngrënë. Një grup i milicisë erdhi në shtëpinë e tyre dhe pastaj i nxorën jashtë duke u thënë që të zgjidhnin t’i përkrahnin praktikat e milicisë së tyre ose përndryshe do t’i vrisnin.
Vëllai Mulumba gjithë guxim u tha atyre: “Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Familja ime dhe unë e kemi pranuar Jezu Krishtin dhe kemi besim në Të. Ne do t’u qëndrojmë besnikë besëlidhjeve tona dhe do të pranojmë të vdesim.”
Ata u thanë atyre: “Meqenëse keni zgjedhur Jezu Krishtin, trupat tuaj do t’i hanë qentë” dhe premtuan se do të ktheheshin sërish. Por ata nuk u kthyen asnjëherë dhe familja qëndroi aty për dy muaj dhe nuk i panë më kurrë ata. Vëllai Mulumba dhe familja e tij e mbajtën ndezur pishtarin e besimit të tyre. Ata i kujtuan besëlidhjet e tyre dhe u mbrojtën.
Jezu Krishti është drita që duhet të mbajmë lart madje edhe gjatë kohëve të zymta të jetës sonë në vdekshmëri (shih 3 Nefi 18:24). Kur zgjedhim të ndjekim Krishtin, ne zgjedhim të ndryshojmë. Një burrë apo grua e ndryshuar për Krishtin do të udhëhiqet nga Krishti dhe ne do të pyetim siç pyeti Pali: “Zot, ç’don t’i të bëj unë?” (Veprat e Apostujve 9:6.) Ne do të “ec[im] pas gjurmë[ve t]ë tij” (1 Pjetër 2:21). Ne do të “ec[im] edhe vetë sikurse ka ecur ai” (1 Gjon 2:6). (Shih Ezra Taft Benson, “Born of God”, Tambuli, tetor 1989, f. 2, 6.)
Unë dëshmoj për Atë që vdiq, u varros dhe u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell, në mënyrë që ju dhe unë të marrim bekimet e pavdekësisë dhe ekzaltimit. Ai është “drita … jeta, dhe e vërteta” (Ethëri 4:12). Ai është kundërhelmi dhe ilaçi ndaj pështjellimit të botës. Ai është standardi i përsosurisë për ekzaltimin, madje Jezu Krishti. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.