2011
Ai Nuk Është Këtu, Por Është Ringjallur
Prill 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë

Ai Nuk Është Këtu, por Është Ringjallur

Pamja
President Thomas S. Monson

Sot, vetëm gërmadha kanë mbetur nga Kapernaumi, qyteti bregdetar, zemra e shërbesës galilease të Shpëtimtarit. Këtu Ai predikoi në sinagogë, dha mësim pranë bregut të detit dhe shëroi nëpër shtëpi.

Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi mori një tekst nga Isaia: “Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve” (Isaia 61:1; shih edhe Lluka 4:18) – një deklarim i qartë i planit hyjnor për të shpëtuar bijtë dhe bijat e Perëndisë.

Por predikimi i Jezusit në Galile kishte qenë thjesht fillimi. Biri i Njeriut pati gjithmonë një takim të tmerrshëm për ta kryer në një kodër të quajtur Golgota.

I arrestuar në Kopshtin e Gjetsemanit pas Darkës së Fundit, i braktisur nga dishepujt e Tij, i pështyrë, i munduar dhe i poshtëruar, Jezusi ecte duke u penguar nën kryqin e Tij të madh, drejt Kalvarit. Ai kaloi nga triumfi në tradhti, torturë dhe vdekje në kryq.

Sipas fjalëve të këngës “Qyteti i Shenjtë”:

Skena ndryshoi. …

Agimi qe i ftohtë e i akulluar,

Kur hija e kryqit u ngrit

Mbi një kodër të vetmuar.1

Për ne Ati ynë Qiellor dha Birin e Tij. Për ne, Vëllai ynë i Madh dha jetën e Tij.

Në çastin e fundit Mësuesi mund të ishte kthyer pas. Por Ai nuk e bëri. Ai zbriti nën gjithçka që Ai të mund të shpëtonte gjithçka: racën njerëzore, tokën dhe gjithë jetën që ka banuar ndonjëherë në të.

Asnjë fjalë në Krishtërim nuk ka më shumë kuptim për mua, sesa ato që iu thanë nga një engjëll Maria Magdalenës që po qante, dhe Marisë tjetër, kur po i qaseshin varrit që të kujdeseshin për trupin e Zotit të tyre: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur” (Lluka 24:5–6).

Me këtë shqiptim, ata që kanë jetuar dhe vdekur, ata që po jetojnë tani dhe një ditë do të vdesin, dhe ata që ende nuk kanë lindur dhe ende nuk kanë vdekur, sapo ishin shpëtuar.

Si rrjedhim i fitores së Krishtit mbi varrin, ne të gjithë do të ringjallemi. Ky është shëlbimi i shpirtit. Pali shkroi:

“Ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës.

Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli.

Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve” (1 Korintasve 15:40–42).

Është lavdia çelestiale ajo që kërkojmë ne. Është në prani të Perëndisë vendi ku dëshirojmë të banojmë. Është familja e përhershme ajo ku duam të jemi pjesëtarë.

Për Atë që e çliroi secilin prej nesh nga vdekja e pafundme, unë dëshmoj se ai është mësues i së vërtetës – por Ai është më shumë se një mësues. Ai është shembulli i jetës së përkryer – por Ai është më shumë se një shembull. Ai është mjeku i madh – por Ai është më shumë se një mjek. Ai është Shpëtimtari i drejtpërdrejtë i botës, Biri i Perëndisë, Princi i Paqes, i Shenjti i Izraelit, madje Zoti i ngritur që shpalli: “Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin” (DeB 110:4).

“Ç’gëzim më jep, oh kjo fjali: ‘E di se rron Shëlbuesi im!’”2

Për këtë unë dëshmoj.

Shënime

  1. Frederick E. Weatherly, “The Holy City” (1892).

  2. “E di se Rron Shëlbuesi im”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 38.

Ai Nuk Është Këtu, nga Walter Rane, nuk lejohet kopjimi; Krishti dhe Maria tek Varri, nga Joseph Brickey © 2004 IRI

Ilustrim nga Steve Kropp

Shtyp në Letër