Kujtohen Jetë të Shkëlqyera
J. Ruben Klark i Riu: Një Burrë me Dhunti të Rralla
Xhoshua Ruben Klark i Riu lindi në Grantsvil të Jutas më 1 shtator 1871. Edhe pse pati pak arsimim zyrtar dhe nuk qe në gjendje të shkonte në shkollë të mesme, nëna e tij i dha mësime private dhe ai e donte të mësuarin. Ai u diplomua si i pari i klasës së tij nga Universiteti i Jutas me diplomë universitare për shkenca dhe vazhdoi për të marrë një diplomë për drejtësi nga shkolla juridike e Universitetit të Kolumbias në Nju-Jork-Siti.
Vëllai Klark u martua me Luasinë Aneta Savixh në Tempullin e Solt-Lejkut në vitin 1898 dhe ata u bënë prindër të katër fëmijëve.
I pajisur me diplomën e tij për drejtësi dhe me një mendje të shkëlqyer, J. Ruben Klark i Riu vazhdoi në një karrierë të shquar në shërbim ligjor dhe civil që kulmoi me emërimin e tij si ambasador i SHBA-së në Meksikë në 1930-ën. Megjithatë, ajo karrierë mori fund kur Vëllai Klark u mbështet si Këshilltar i Dytë për Presidentin Hiber J. Grant në Presidencën e Parë më 6 prill 1933. Edhe pse qe prift i lartë në atë kohë, ai nuk qe Autoritet i Përgjithshëm. Ai u shugurua Apostull kur u mbështet më pas si Këshilltar i Parë për Presidentin Grant në tetor 1934. Presidenti Klark vazhdoi të shërbente si këshilltar për Presidentët Xhorxh Albert Smith dhe Dejvid O. Mek-Kei.
Mes kontributeve të tij të shumta për Kishën, njëri që dallohet është shembulli i përulësisë që dha ai kur Dejvid O. Mek-Kei u bë President i Kishës. Ai e thirri Presidentin Klark të ishte Këshilltari i tij i Dytë. Meqë Presidenti Klark kishte shërbyer si Këshilltar i Parë në Presidencat e Para të mëparshme, disa me sa duket, menduan se atë e kishin shpërfillur, por Presidenti Klark shpjegoi: “Në shërbim të Zotit nuk ka rëndësi se ku shërbeni, por si. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njeriu zë vendin tek i cili është thirrur siç duhet, vend të cilin as e kërkon, as e hedh poshtë.”1
Presidenti Klark vdiq më 6 tetor 1961.