2011
Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës
Prill 2011


Mesazhi i Vizitave Mësimore

Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Besim • Familje • Ndihmë

Kur u thirr së pari presidenca jonë, neve na dhanë disa materiale mbi historinë e Shoqatës së Ndihmës. Ne i studiuam ato plot lutje, duke dashur të njohim qëllimin e Shoqatës së Ndihmës dhe atë që Zoti donte të bënim ne. Ne mësuam se qëllimi i Shoqatës së Ndihmës, siç është vendosur nga Zoti, është të organizojë, të mësojë dhe të frymëzojë bijat e Tij për t’i përgatitur ato për bekimet e jetës së përjetshme.

Për të plotësuar këtë qëllim të Shoqatës së Ndihmës, Zoti e ka ngarkuar secilën motër dhe organizatën si të tërë, që:

  1. Të rriten në besim dhe drejtësi personale.

  2. Të forcojnë familjet dhe shtëpitë.

  3. Të sigurojnë ndihmë duke i shërbyer Zotit dhe fëmijëve të Tij.

Ne mund ta bëjmë këtë punë sipas mënyrës së Zotit vetëm kur kërkojmë, marrim dhe veprojmë sipas zbulesës vetjake. Pa zbulesë vetjake, ne nuk mund të kemi sukses. Nëse ia vëmë veshin zbulesës vetjake, ne nuk mund të dështojmë. Profeti Nefi na udhëzon se Fryma e Shenjtë do të na tregojë “të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:5). Ne duhet t’i lejojmë vetes të jemi mjaftueshëm të qetë e mjaftueshëm të pazhurmshëm sa të dëgjojmë zërin e Shpirtit.

Motra, ne kemi një rol jetësor për të luajtur në dhënien e ndihmës për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë dhe në përgatitjen për ardhjen e Zotit. Në fakt, puna e Zotit nuk mund të përmbushet pa ndihmën e bijave të Tij. Për shkak të kësaj, Zoti pret që ne ta rrisim përpjekjen tonë. Ai pret nga ne që të përmbushim qëllimin e Shoqatës së Ndihmës si kurrë më parë.

Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.

Nga Shkrimet e Shenjta

Ligji i Përtërirë 6:5–7; Lluka 10:30–37; Jakobi [Bibël] 1:27; 2 Nefi 25:26; Mosia 3:12–13

Nga Historia Jonë

Në një mbledhje të 9 qershorit 1842 të Shoqatës së Ndihmës, Profeti Jozef Smith u mësoi motrave se shoqata e tyre nuk ishte “vetëm për të ndihmuar të varfërit, por për të shpëtuar shpirtra”1. Kjo deklaratë e një qëllimi shpirtëror si edhe material, e ka karakterizuar Shoqatën e Ndihmës gjatë gjithë historisë së saj. Në vitin 1906 Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) dha mësim: “[Shoqata e Ndihmës] nuk duhet të merret vetëm me nevojat e të varfërit, të sëmurit dhe nevojtarit, por si pjesë e detyrës së saj – dhe pjesa më e madhe gjithashtu – është të kujdeset për mirëqenien shpirtërore dhe shpëtimin e nënave dhe bijave të Sionit; të kujdeset që asnjë të mos shpërfillet, por që të gjitha të mbrohen nga fatkeqësia, katastrofa, fuqitë e territ dhe të ligat që i kërcënojnë ato në botë”2. Në vitin 2001, Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përsëriti: “Çdo motër në këtë Kishë, që ka bërë besëlidhje me Zotin, ka një urdhërim hyjnor që të ndihmojë për të shpëtuar shpirtra, që të udhëheqë gratë e botës, që të forcojë shtëpitë e Sionit dhe që të ndërtojë mbretërinë e Perëndisë”3.

Shënime

  1. Joseph Smith, History of the Church, 5:25.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 185.

  3. M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Liahona, dhjetor 2002, f. 39.

Ilustrim me foto nga Christina Smith

Shtyp në Letër